E enjte, 18.04.2024, 10:18 AM (GMT+1)

Përjetësi » Lushaj

Zeqir Lushaj: Kohët e haramit

E merkure, 27.04.2011, 07:15 PM


Zeqir Lushaj

 

KOHËT E HARAMIT

 

(Cikël nga libri “Vdekja e varreve” ,që autori e ka botuar në Kristalina KH,Tiranë.2009)

 ISBN:978-99956-43-00-3

 

1.E  MIRA  E TË KEQES

 

Mërgimi, mërgimi i largët o vëlla,

Ta zhbiriloka shpirtin si me burgi,

Ashtu si gjaku nga mishi që pritet,

Shpirti i plasur rrjedhë në vjershëri.

 

E mira dhe e keq-ja, thonë janë motra,

Fjalën e vjetër ,po e provoj edhe sot,

Malli e dhimbja ditari i mërgimit,

Me bojë, në letër,në zemër me lotë.

 

Në rrugën e gurbetit, nuk ka gjë të mirë,

Kjo është e sigurtë, si dita e vdekjes,

Sado pak vlera që të ketë ky libër,

Është një e mirë,që erdhi prej të keqes!!

                    ./.

 

2.DYZASH

- E shkruar në avion, me 27 shkurt 1998

 

Në krahët e Swisajrit,

Fluturoj,

Për herë të parë për në Amerikë!

 

Nuk di,

Jam në ëndërr apo zgjuar,

Është natë apo ditë!

 

Në rrugët e qiellit,

Mbi Atllantik,

I shkëputur ndjehem nga kjo botë.

 

Njatjeta!

Njatjeta, o tokë e premtuar,

E Perëndisë!

Veçse…

 

Verçse kurrë,

Zemra ime, nuk do të thotë:

Lamtumirë, Europë!!

               ./.

 

3.POROSI E HERSHME

 

Kur u nisa për në gurbet,

Nuk mora ndonjë grusht dhe me vete,

Siç kanë bërë shumë të tjerë më parë.

 

Mora,

Veç një porosi,

Të hershme:

-Në mërgim,

Nuk je Ai, që ke emrin,

Je thjeshtë, një shqiptar!

            ./.

 

4.GURBETIT

 

Gurbet,

Kush të shpiki?

Që, na re për hise,

Edhe ne ?

!

Me siguri,

Njerzit, pa atdhe!

            ./.

 

5.DY KOHËT E HARAMIT

 

- KOHA E PARË : Bariu i lopëve -

 

Më gjej një haram, të më ruaj lopët,

I tha miku-mikut, duke qar hall.

Pse thua haram, or lum miku?

Do ta gjejë, për besë një hallall.

 

Shumë falemnderit, or dashamirë,

Por, ta përsërisë: E dua haram!

Po të jetë hallall, ruan loptë e veta,

Nuk ruan loptë e mia, Ai-hajvan!

                         ./.

 

 

- KOHA E DYTË : Gurbetqari -

 

Që në fëmijëri, kisha dëgjuar,

Për hjekakeqin,që gjë në dritë nuk qet,

E quanin “gurbetqar”, fatziun,

Pa qenë kurr, i varfri në gurbet .

 

Ja sot, Unë jam ai gurbetqari,

Që punoj err e terr, pa pushim,

Bekuar qoftë fjalë e të parëve:

Gurbetqari, kurr nuk ka fitim!

                        ./.

 

6.LIRIA ËSHTË KONCEPT!

 

Me flamurin e lirisë në ballë,

Luftova dhe u bëra Hero!

Në emër të këtij flamuri,

U persekutova, u bëra burgaxhi!

 

Fitimtar, -u bëra shef e drejtor,

I humbur,-i internuar, zi e mazi!

Edhe tëposhtë, edhe përpjetë,

Të gjitha i provova në jetë.

 

Po vdes,

Pa provuar lirinë e vërtetë!

 

I zhgënjyer, i them vetes:

Çfarë kërkon?

Liria, është koncept…,

Nuk ekziston!!

             ./.

 

7.PO TË ISHA…

 

Po të isha lopë,

Do të isha e lumtur në jetë.

Do të ushqehesha pa limit,

Do të flinja ngrohtë,

Edhe bishtin, dikush paguhet,

Me ma krehë!

 

Jo keq edhe po të isha kali.

Do të punoja “over-tajm”,                              1)

Por, nuk do të më vriste samari,

As do më binte hosteni.

(Shikuesi i parë, do të telefononte  911)        2)

Kalin po e godet një njeri…!

.

Lëre ma, po të isha mace apo qen!

Si borgjez do jetoja në këtë vend.

Ma shumë se Krajl a Mbret,

Apo, luks tjetër, nuk di,

Nën shërbesat e skllavit-njeri!

 

Vetëm një llogori, do të bënja mirë,

Po të isha zog mali.

Karburantin…,

Duhet kaluar oqeani!

 

Më mirë se frymor, ndihem landor,

Një lënd lisi në Log të Arvejës,

Një fije bari në Qafë të Shtyllës,

Një eshkë gështenje, në kazhnjetin tim,

More edhe një kungull misiri,

Në arat e fëmijërisë,

Them se: Do të ndihesha mbret,

Do të mbretroja në emër të lirisë.

* * *

Por, çe do: Unë, jam Unë!

Landor, frymor, njerzor…Unë!

Nuk jam asnjëra nga ato që thashë,

Por, dhe nuk kam asgjë më shumë!

 !

Jam një refugjat,

(Me nder me thanë, një refugjat),

Një leckë për të la supermarketin.

Po andrrën-sllogan,

NJERI I LIRË”!

Ku ta bëj “Tak-birë”,                    3)

Të shkretën!?

 

* * *

Vetëm një llogari, do ta bënja mirë,

Po të isha zog-mali,

Karburantin…,

Duhet kaluar Oqeani!

           ./.

1) Over-tajm = Mbi kohën e plotë të punës, mbi 8 orë në ditë.

2) 911- Telefoni i urgjencës së policisë në SHBA

3) Tak-birë = Shpjegim i saktë dhe i shpejtë.

 

 

8.PSIKOZA

- Ose pozita gjeografike e njeriut -

 

Nën këmbët tona,

Pafundësia,

Me emrin Tokë!

 

Qiell, quhet,

Mbi kokat tona,

Tjetra pafundësi.

 

Mes Qiellit

Dhe Tokës,

(Jetës dhe varrit)

 

Vërdalloset,

Psikoza…,

Njeriii!!

      ./.

 

9.I DUA DALLANDYSHET

 

Dallandyshet,

I kanë dy shtëpi.

Një, për në verë,

Për në dimër, një tjetër.

 

Jetojnë të qeta,

Në shtëpinë e re,

Gati, për kthim,

Në shtëpinë e vjetër!

           ./.

 

10.NJERIU - GUR!

 

Njeriu,

Si guri i mullirit.

Sillet rrumbull,

Gjithë jetën.

 

Deri sa të mbushet,

Magj-ja me miell…,

Njeriu-gur,

Po han vetveten!

          ./.

 

11.DOLLARI

 

U mblodhën magjitë,

E të gjithë Botës,

I futën, të digjen,

Në një furrë të skuqur!

 

Nga hiri i tyre,

Doli letra- dollarë!

Që e pushtoi Botën,

Në një ditë të bukur .

               ./.

 

12.ATHERË

 

Shekuj më parë,

Kur u shpik llozi,

A e dini, shkencëtari,

Çpati thanë?

 

Më gjeni,

Një pikë mbështetje,

Që të kthej Botën,

Në tjetrën anë!

 

Nuk u gjet pikëmbështetje,

Për llozin e Tij,

Nuk kish lindur dollari,

Ooo, zotni!!

           ./.

 

13.DOLLI  DOLLARIT!

 

Në qoftë se doni,

Ti përmblidhni në Një,

Të gjitha mallkimet e kësaj jete,

 

Atherë,

Mund të thoni ,shkurt:

Të baftë dollari për vete!!

                     ./.

 

14.JETË  KANTIERI

 - Monolog

 

E mendove Amerikën,

Si një adoloshent!

Reklama,

Marramendëse.

Dollarë,

Me grushte.

 

Liri…!

Jetë nate…!

 

* * *

Aaah,

I mjeri !

 

Erdhe,

Dhe gjete:

Jetë…

Kantjeri!!!

     ./.

 

15.HIÇ - NJERIU

- Atë, e njihni të gjithë

 

Atje,

Në vendin tonë,

Ku u linde e u rrite,

Ti…,

(Po, po Ti!)

Nuk je burrë.

Je, një Hiç-Kërkush!

 

Një gomar me zile,

Që i flasin:

Uuush, uuush!

 

Pra:

Ndigjoni, ooo milet:

Lavdi gurbetit!

 

Edhe një Uuush,

E ban ti duket vehtja “BOS”,

Të shitet si një Dikush!

                     

* * *

Mendoj shpesh,

A thue pata gabuar atherë,

Kur i shanja pakursim,

Kapitalizmin dhe borgjezinë?

 

Më vjen kjo mëdyshje,

Sa herë perballem,

Me Hiç-Njeriun !!

                  ./.

 

16.A MUND TË NJIHET BOTA?!

 

Miliarda,

Tonelata libra,

Mundohen të spjegojnë Botën

Dhe…,

Flejnë të qeta,

Në bibliotekë.

 

Njeriu,

I ban moral,

Vetvetes.

Dhe:

-Botën e len,

Siç e ka gjetë!

 

      ./.



(Vota: 14 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora