E shtune, 20.04.2024, 07:36 AM (GMT+1)

Kulturë

Anila Brakaj: Përjetësi

E merkure, 27.04.2011, 07:46 PM


Anila Brakaj

 

PËRJETËSI

 

Sa dua e dua të zhdukem  e të  zhdukem. Të shoh këmbët të bëhen të tejdukshme e kështu të humbin gjurmët e mia në këtë botë, vendet ku eca do të zhduken pas tyre  e rrjedhimisht bota do të cungohet deri ku arrijnë duart.

Të zhduken mëkatet që kam kaluar, insektet e njerëzit që mund të kem shtypur me hapat e mia, paditurisht, paqëndrueshmërisht e moskokëçarisht.

Të shoh pastaj duart të më thithen nga asgjëja e boshllëku e kështu të humbin gjithë gjërat që desha e shtrëngova me to, gjithë gjërat që urreva e shkatërrova me to, gjithë  shkronjat e fjalët që shkrova me to e po aq të tjera që me to i fshiva inatshëm.

Të shoh kokën të tejdukoset duke fluturuar si  një tullumbac që shfryhet ngadalë  e të gjithë ëndrrat që zukatnin  e vlonin në të, gjithë dëshirat e skicat e thurura, gjithë planet keqdashëse e intrigat për të prishur, gjithë mendimet e mia të qashtra  e të naivta.

Të shoh së fundmi zemrën të asgjësohet e bashkë me të gjithë dhembjet që ndjeva për njerëzit që desha, gëzimet e pastra për ta.

Veç zemra nuk do të shndërrohet njëherësh në hiç: ajo do të ndahet në copëza mes dashurive që ka brenda vetes e copëzat do të fluturojnë lehtshëm, këndshëm, aromshëm  e përkëdhelshëm drejt pronarëve të vet.

Atëherë do t’ju shoh ju, njerëz që ju dua, të rrethoheni nga flutura të bardha që do duan t’ju puthin e t’ju rrëmbejnë në një gaz fëminor që do t’ju zgjojë dëshirën të vraponi vogëlsisht, me krahë që i rrotulloni në ajër e duke thirrur me zë të lartë, duke rendur pas tyre me një melodi të ëmbël që e kërkonit pagjetshmërisht kaq herë brenda vetes për ta bërë motiv të ditës suaj, po që s’e keni zënë dot; thirrje, këngë  e fërshëllima me meloditë e ninullave të thithura me qumështin e me gishtat e futur në gojë gjithë ditën kot më kot, që janë më e ëmbla pjesë e ditës e ndonëse të bëjnë të kotesh në mjaltë, do të vraponi lumturisht sa të arrini një sipërfaqe uji, do ta kërkoni atë me një si etje të pashpjegueshme brenda vetes. Do të uleni gjunjazi para saj, kudo qoftë, e në atë pasqyrë do të kërkoni me sy mirëbërësin e asaj ndjenje gazmore. Ndonëse do të mundoheni, fytyrën s’do të ma shihni dot, por ngjyra e syve tuaj do të turbullohet  e lotët do të çelin si rreze mbi pikla vese e në atë vezullim unë do të jetoj.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora