Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Oqeani i Clooney

| E marte, 13.02.2007, 07:28 PM |


Protagonist në Festivalin e Berlinit dhe shumë shpejt në ekranet e gjithë botës me "Ocean‘s 13". Ylli i kinemasë rrëfen diçka nga jeta e tij.

Kuptohet se përse disave George Clooney u duket antipatik: duket se këtij njeriu nuk i mungon asgjë. Kohët e fundit, një revistë e famshme e ka cilësuar si "burri më seksi në botë", megjithatë aktori amerikan 46-vjeçar është inteligjent, ironik dhe ka një sukses të madh në punën e tij. Sikur të mos mjaftonte kjo është edhe politikisht i impenjuar dhe prej kohësh lufton për të mbrojtur çështjet e drejta. Clooney, "ikonë" e çdo të mire dhe çdo gjëje të bukur, do të kthehet sërish këtë vit si protagonist në ekranet e gjithë botës. Në qershor të gjithë mund të shikojmë "Ocean‘s 13", pjesa e tretë e sagës së mrekullueshme me hajdutët e lezetshëm dhe përpjekjet e tyre për të vjedhur kazinotë, drejtuar nga Steven Soderbergh ("Oskar" për filmin "Traffic" në vitin 2000) dhe yje të tjerë si Brad Pitt, Matt Damon, Al Pacino, Elliot Gould. Përmbajta dhe skenari i filmit për momentin janë top sekret, megjithatë është arritur të mësohet diçka. Clooney, që ka fituar çmimin "Oskar" për filmin "Syriana" vitin e kaluar, është protagonist në Festivalin e Berlinit, edicioni i të cilit u hap më 9 shkurt, ku gjithmonë me regjisorin Soderbergh interpreton në filmin "The good german". Disa thonë se do të jetë ai fituesi i "Ariut të artë". "The good german" është një triller romantik, i vendosur në Berlin në vitin 1945, në prag të konferencës së Postdamit dhe flet për takimin mes tre fituesve të luftës (Stalinit, Truman dhe Etlit) që vendosi fatin e gjithë Evropës e Gjermanisë. Për të krijuar atmosferën e atyre viteve, Soderbergh jo vetëm që ka zgjedhur ta xhirojë filmin bardhë e zi, por ka përdorur dhe shumë materiale e teknika montazhi të asaj kohe. Clooney aty është kapiteni Jack Geismer, një korrespondent i luftës në Gjermani. Është ironik, i bukur, i ndershëm tamam si ai. Ndoshta ky është vërtet interpretimi më i mirë i karrierës së tij.

Zoti Clooney duket se keni dobësi për filmat bardhë e zi...

Doni të thoni se përse "Good Night and Good Luck" është xhiruar bardhë e zi? Mendoj se është një koincidencë. "The good german" duhej të dukej klasik, një film i viteve 1940, ndaj për të xhiruar disa skena përdorën teknologjinë e asaj kohe.

Me pak fjalë keni pranuar të interpretonit tek "The good german", sepse ju pëlqente të ndienit "ajrin" e asaj kohe?

Kam pranuar të interpretoj aty për shumë motive. Ndërkaq, "The good german" është një triller i bukur romak, një lloj sinteze mes filmit "Njeriu i tretë" dhe "Kazablanka". Regjisori është Steven Soderbergh, një miku im i dashur. Pastaj është edhe e mrekullueshmja Cate Blanchett përkrah meje, çfarë mund të dojë më shumë një mashkull?

Meqë ra fjala te gratë dhe burrat: ju me siguri nuk duhet të qaheni. Thuhet se keni pasur disa nga gratë më të bukura të Hollivudit si: Jennifer Lopez, Nicole Cidman, Renee Zellwenger dhe Julia Roberts...

Interesante, vazhdo. Shiko se ka kohë që lista është zgjatur akoma më shumë. Në thellësi të zemrës sime është ky motivi se përse vendosa të bëhesha aktor: që të kisha sukses me gratë. Ishte shaka... Të flas seriozisht është një gjë që ma shton shumë kuriozitetin: të shohësh se si një burrë më se i zakonshëm bëhet seks-symbol dhe tërheqës menjëherë sapo fillon të jetë aktor në ekranin e madh.

Vërtet e konsideron veten një njeri të zakonshëm?

Sigurisht, pse si duhet ta quaj ndryshe? Supermen, ndoshta? Dhe të lutem mos më quaj "Batman" ku kam interpretuar, sepse ka qenë një "katastrofë" e vërtetë.

Meqë ra fjala, është e vërtetë se keni në "sirtar" një skenar për një "Batman" të ri?

Absolutisht, edhe ato pak ide që kisha i "rrëzova" përfundimisht.

Ju e thoni gjithmonë se nuk jeni një burrë seksi. Megjithatë pamja juaj ka qenë gjithmonë një avantazh për ju...

Varet. Kur fillova të interpretoj nja njëzet vjet më parë, një fytyrë si kjo e imja nuk pëlqehej aspak. Tiparet e mia në atë kohë konsideroheshin "jashtë mode" dhe korrespondonin me tipologjinë e burrit të pushtetshëm në vitet ‘50. Më duhej t‘ju rrëfej diçka: gjatë gjithë këtyre viteve më duket se një fytyrë si kjo e imja ka funksionuar vetëm për mua. Pjesa më e madhe e kolegëve të mi janë shumë ndryshe nga unë.

Prej disa vitesh ju angazhoheni jo vetëm si aktor, por edhe si regjisor, skenarist e producent. Mos je duke përgatitur një largim të ngadaltë dhe të sigurt nga skena?

Nuk do të shprehesha kështu, megjithatë jam shumë i vetëdijshëm ndaj faktit se një aktor Hollivudi dhe kjo vlen për të dyja sekset, arrin të jetë në skenë vetëm për një periudhë të caktuar të jetës së tij. Në këtë periudhë të gjithë janë shumë të zënë dhe shumë të kërkuar. Por vjen një moment kur interesi ndaj teje sa vjen dhe ulet, telefoni bie gjithmonë e më pak, deri sa nuk merr më asnjë telefonatë të rëndësishme. Kjo u ndodh të gjithë yjeve, qëkur ekziston Hollivudi. Dhe më e bukura është se gjithmonë diçka ndodh më shpejt se sa mendon. Po pastaj? Dua të jem gati. E pranoj se edhe roli i regjisorit është një profesion interesant. Por rrini të qetë. Do ta shihni fytyrën time akoma edhe në disa filma.

Një aktor i mirë duhet të jetë edhe një njeri i suksesshëm në biznes. Do ta nënshkruaje këtë pohim?

Po. Përndryshe me këtë zanat nuk mund të mbijetosh dot gjatë. Është një punë që ka shumë pak të përbashkët me artin. Do të jem akoma më drastik: në nëntë raste nga dhjetë, një aktor pasi ka marrë pjesën që i takon duhet ta bëjë interpretimin siç duan ata (producentët, regjisori, skenaristi) dhe jo ashtu si do ai. Kjo është e vërteta e hidhur e atyre që bëjnë zanatin tim. Integriteti artistik është thuajse i pamundur.

Ndoshta për këtë arsye gjashtë vjet më parë themeluat së bashku me Steven Soderbergh një shtëpi kinematografike "Section eight"?

Saktësisht. Të dy ishim të lodhur të mbaheshim gjithmonë pas zinxhirit. Donim të kishim më shumë kontroll mbi idetë dhe krijimet tona. Duhet të them se ka funksionuar shumë mirë.

Po atëherë pse e prishët?

Ishte një projekt që qysh nga fillimi e dinim se do të shkonte shpejt drejt fundit. Në ato gjashtë vjet kemi realizuar shumë gjëra të rëndësishme, por kishte ardhur momenti për të nisur një histori të re. Kjo nuk do të thotë se unë dhe Steven nuk do të punojmë më së bashku. Përkundrazi, kemi xhiruar pjesën e re të "Ocean‘s 13", që do të dalë shumë shpejt në kinema.

Natyrisht me yjet e kinemasë si protagonistë: Brad Pitt, Matt Damon, Elliot Gould, Andy Garcia...

Punoj me shumë kënaqësi me personat që i njoh mirë dhe me të cilët në rrjedhën e kohës kemi lidhur miqësi. Unë jam shumë besnik. Dikur kemi qenë të gjithë të varfër dhe miq të mirë, të cilët i kërkonin borxh njëri-tjetrit divanet kur nuk kishim shtëpi, pasi nuk kishim lekë për të paguar qiranë.

Gjatë rrjedhës së viteve ju jeni bërë gjithmonë një njeri i impenjuar edhe politikisht?

Gjithmonë jam interesuar për ata çka ndodh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendi ku kam lindur dhe jam rritur, por gjithmonë më ka interesuar edhe ajo që ndodh në pjesën tjetër të botës. Kështu, prej kohësh jam impenjuar edhe politikisht. Dhe nuk i kam fshehur kurrë bindjet e mia. Babai im është një gazetar televiziv, për këtë arsye fillova të kuptoj shumë shpejt se çfarë ndodh pas kuintave të informacionit dhe politikës.

Jeni shprehur hapur kundër politikës së presidentit George W. Bush për luftën në Irak. Nuk është e rrezikshme për një yll Hollivudi?

Nuk po bëj asgjë ndryshe nga ajo që kanë bërë shumë miq e të njohur të mi dhe thuajse të gjithë njerëzit që e duan Amerikën, të cilët shpesh kritikojnë ashpër administratën "Bush". Nëse pastaj dikush më akuzon se nuk jam një patriot i mirë dhe një tradhtar, nuk mund të bëj asgjë.

George sërish tek "Ocean‘s 13"

Harrojini vilat mbi liqenin e Komo-s dhe udhëtimet në kryeqytetet evropiane, që i jepnin më shumë buzëqeshje ngjarjes së komplikuar të "Ocean‘s 12". Në filmin e ri që pritet të dalë në qershor, "Ocean‘s 13", sërish ngjarja do të bazohet mbi fatin e bandës së Banny Ocean (George Clooney), por që kësaj radhe do të gjendet në një ambient më të trishtuar, në një dhomë spitali. Në qendër të tij, në gjendje koma dhe i mbajtur në jetë përmes makinerive është Reuben Tishkoff (Elliot Gould), një nga "ujqërit e vjetër" të bandës, i cili bëri gabim kur u impenjua për ndërtimin e një hoteli së bashku me një nga njerëzit më të urryer të biznesit të Las Vegasit, Willy Branks (Al Pacino), që u gjend papritur i sëmurë nga një shaka që i shkaktoi një infarkt. Përreth tij, Ocean dhe kolegët: Brad Pitt, Matt Damon, Casey Affleck, Don Cheadle dhe fytyrat e tjera të njohura për të gjitha ata që kanë parë "Ocean‘s 11" dhe "Ocean‘s 12" gati për t‘u hakmarrë për mikun e pafat. Kësaj radhe në film nuk do të ketë asnjë grua: është zhdukur pa lënë gjurmë Julia Roberts, gruaja e dashur e Ocean në puntatat e mëparshme. Është zhdukur edhe Catherine Zeta Jones, policja gjeniale e "Ocean‘s 12". E vetmja grua e "Ocean‘s 13" është Ellen Barkin, krahu i djathtë dhe pika e dobët e Banks. Pas kamerave, si gjithmonë qëndron regjisori i talentuar Steven Soderbergh. Kjo duhet të jetë puntata e fundit e serisë së aventurave të mashtruesve të parezistueshëm, megjithatë asnjëherë nuk i dihet: pas suksesit të "Ocean‘s 11" dhe zhgënjimit të "Ocean‘s 12", ky film me intriga me të thjeshta dhe i përqendruar në Las Vegas premton një sukses më të madh për publikun. Dhe nëse suksesi arrihet, përse duhet të mos bëhet një puntatë e katërt?

Jo për para, por për hakmarrje: lind kështu aventura e re e bandës së Clooney-t. Kur Oceani i propozon Banks për t‘i kthyer Tishkoff pjesën që i takon, Banks i përgjigjet kështu: "Nëse miku yt ishte shumë i dobët ose shumë budalla për të kuptuar se çfarë po ndodhte ky nuk është një vend për të. Dhe tani po bën gjënë e duhur: po vdes". Gjashtë më muaj më vonë, kur hoteli i ri i Banks është gati për t‘u hapur dhe duket se do të jetë ndër më të famshmit dhe më luksozët në qytet, Ocean dhe banda e tij vendosin të hakmerret. Kështu, në mbrëmjen e inaugurimit, në sytë e gjithë shtypit të vendit do ta shndërronin kazinonë në një vend ku lojtari fiton gjithmonë. Truku do të durojë vetëm nëntë minuta, por do të mjaftojë për të shkatërruar të keqin. Plani parashikon ndihmën esenciale të dy aleatëve. I pari është Terry Benedict (Andy Garcia), që nuk humbet rast për të barazuar pikët me rivalin Banks. Ndërsa aleatët e dytë janë lojtarët që do të mrekullohen nga çmendja për nëntë minuta e të gjitha ruletave e "slot machines". Në film është një Brad Pitt i mrekullueshëm, që ka fituar suksesin e vërtetë pas filmit "Babel", një Matt Damon pa aq magjik sa në filmat "The Departed " i regjisorit Martin Scorceze dhe "The Good Shepherd" i Robert de Niros, Don Cheadle që hyri në historinë e kinemasë me dy filma "Crash" dhe "Hotel Rwanda". Me kalimin e viteve Clooney dhe shokët e tij janë plakur pak, por edhe janë përmirësuar shumë, sidomos për sa i përket interpretimit. Tashmë askush nuk humbet pas madhështisë së Al Pacinos, edhe pse në film luan rol negativ. Megjithatë, në kinema vlen gjithmonë shprehja se personazhi negativ është gjithmonë roli më i mirë dhe më i vështirë. "Ocean‘s" përfundon me një tërmet të "rremë", i cili shkatërron plotësisht hotelin e ri të Banks-it. Kështu, Ocean dhe miqtë e tij festojnë pa fund.

Clooney? Miku më i mirë i grave

"Observer" e ka klasifikuar si burrin që i kupton më mirë

I votuar kohët e fundit si "burri më seksi i planetit", George Clooney shfaqet edhe "empatik" me seksin e dobët. Të paktën kjo është ajo që tregon e përjavshmja "Observer", e cila ka stiluar listën e 50 burrave që kuptojnë më shumë dëshirat e grave. Clooney, sipas revistës britanike, falë impenjimit edhe në politikë kohët e fundit, duket se i kupton më së miri kërkesat dhe dëshirat e grave të të gjitha brezave. Me një buzëqeshje të parezistueshme dhe tipare të mrekullueshme, ylli amerikan duket se ka pasur, ka dhe do të ketë sukses të madh me femrat. Kushedi se ç‘efekt do t‘i shkaktojë divit, alergjik nga lidhjet e qëndrueshme, kurorëzimi si mbreti i "Mwuw", një fjalë e krijuar posaçërisht në Angli për të përcaktuar burrat gjithmonë në gjendje për të kuptuar gratë (Men who understand women). Në hit parade figurojnë edhe ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, i katërti në klasifikim pas Carl Djerassi dhe Robert Winston. "Observer" i ka lënë hapësirë edhe regjisorit spanjoll, Pedro Almodovar (i teti), Daniel Crag (Jams Bondi i ri, klasifikohet i 11-ti), këngëtari George Michael (39) dhe trajnerit të Çelsit, Jose Murinjo (44).

Shqip