Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fritz Radovani: Cilit qen i ngjet ky...?

| E marte, 26.04.2011, 06:58 PM |


CILIT  QEN  I  NGJET  KY…?

 

Nga Fritz RADOVANI

 

Ky asht një qen…

Ky asht një qen qenit…

Ky asht një qen e bir’ qenit…

Ky asht një qen si i ati…

Ky asht një zog shaket…

Ky asht kenë edhe këlysh shaket dikur…

...E kushedi sa thanje përdorë populli për qenin!

            Sa do të më donte qeni im sikur të kuptonte se kam shkrue për te... deri aty, kur ai do të shikonte se me cilin qen e kam krahasue. Me siguri, porsa të shihte fotokopjen e vet, do të zemrohej aqsa, mbasi të fillonte me lehë, do të gjente rasën me më kafshue...

            Qeni asht kafshë besnike dhe shumë e dashtun. Prandaj edhe në “Kanunin e vjetër të maleve” ka edhe disa kaptina ose kapituj për qenin. Përcaktimi i tyne asht i njohun që në kohën e Skenderbeut, madje edhe në “Kanunin e Tij” fq. 89, kreu 1219 e përcakton: “Shtasët ma të dashtuna për shqiptarin janë: kau, delja e qeni.”, dhe vazhdon me disa nga ligjet e njohuna qysh atëherë në lidhje me mbajtjen e qenit në shtëpi. Në Shqipni njihen disa lloje qensh, si ai i rojes së shtëpisë, vathit, tufës, i gjojes etj. Ka edhe qen hekurash e ky asht edhe ma i njohuni ndër ne, mbasi përgjithsisht në shtëpijat e fshatarëve ky asht kenë gjithnjë i pranishëm për vetë kushtet e tyne, kryesisht për roje të shtëpisë dhe të vathit.

            Për me u mbrojtë prej qenve të fshatit zakonisht asht mbajtë një shkop në dorë. Me këtë lidhet edhe thanja “Qenit tregoi shkopin!”, ose porosia se, “Qeni që lehë nuk të kafshon!”...pra duhej me u ruejtë fort nga qeni që “nuk lehë”, se ai asht edhe i pabesë...

            Këta të fundit janë kenë shtue shumë dhe ndodheshin për çdo qoshe e skutë. Edhe për këta shkruhet në “Kanu”, në faqe 97, kreu 1387. “Zarët (ose zagarët) e gjojës shkojnë mbas gjuetarëve që i kanë përdorë për gjah dhe pa asnjë shpërblim.” Pra asht fjala që kujt i përkasin në pronësi këta zagarë, sigurisht edhe sa vlejnë... Ata pra duhen përcaktue saktë se kujt i kanë shërbye, detyrat që kanë pasë edhe pse kur vjen fundi thuhet me ligjë se: “...shkojnë mbas gjuetarëve që i kanë përdorë për gjah dhe pa asnjë shpërblim!”. Këta janë zagartë ma të pëhapun në Shqipni, dhe të njohun prej shumë e shumë vitesh. Rriten me trup, jetojnë mjaft, sigurisht tue ba jetën e qenit dhe ngordhin zagar...shakat e tyne në shumë rasa janë ma të rrezikshme se zagartë me të cilët flejnë e çohen...

            Dy specialista zagarësh patën ardhë nga Beogradi në Tiranë aty nga viti 1941 dhe i grumbulluen disa që ua plotsonin kushtet që u duheshin atyne. Lehnin ditë e natë, ruenin njeni-tjetrin, nuk njihnin as kush i ka lindë as kushu jepte me hangër, vetem dy instruktorët që u merrnin erë gjithë ditën, dhe aq u pregatitën si zagarë të tyne, sa nuk shkoi gjatë dhe kafshuen bash ata që i kishin mbajtë në shtëpijat e tyne. Viktima e parë e njenit prej këtyne zagarëve të dy jugosllavëve asht kenë njëfarë Bahri Omarit nga Gjirokastra...

            Ky zagar aq u ba i njohun si qen rrace sllave, sa edhe mbas 22 vjetësh, kur ishte tue lehë në Kremlin, në vitin 1962, një grue spanjole, Dolores Ibaruri, i pat thanë Hrushovit: “Diskutimi i Hoxhës ngjan me qenin të cilit i japin bukë, kurse ai kafshon dorën e atij që e ushqen! ...” Asht pikërisht ajo veti e pabesisë që i lidhë ndërmjet tyne e që në kohen e sotme moderne këta quhen zagarë komunista...sepse, predikojnë “barazi”dhe mendojnë vetem për vete...e shpesh njihën shumë prej tyne që kanë kafshue këlysht e vet e madje dhe shakat! Nuk bahet fjalë për shokët e kopesë së tyne, se prej veprimeve të tyne të pabesa me shokë ka ardhë edhe ajo shprehja e popullit për shumë prej tyne, si shembull thuhej: “Mehmeti ka shkue si qeni në rrush!” e, mbas tij, Kadriu e sa e sa të tjerë, që i mori dreqi shpirtin e tyne.

            Në Shkodër, në vitin 1946, kishte 26 çerdhe zagarësh, ku të gjithë ushqeheshin me mish njeriu. Mbahen mend disa emna të këtyne zagarve të hekurave, që u patën marrë nga disa familje të rracave bastardhe nga gjithë Shqipnia e u patën sjellë në Shkoder, nga Xoxi, Themeli, Shehu, Peçi, Perllaku, Xhunga, Bllaci, Haznedari, Grabocka, Laro, Çeta, Zejneli, Hysejni, Kopali etj...që hanin e flenin me zagartë e Shkodrës, të njohun si rracë e tillë, si Zeneli, Miloti, Ulqinaku, Qorri, Troshani, Kapisyzi, Gjyli, Nallbani, Kçira, Dedja, Gavoçi, Dini e klysht e rracës së keqe Qoku e Bakalli, të njohun qysh aso kohe si terroristë. Këta nuk patën fatin me ndjekë shkollën e qenëve në Tiranë, po si zagarë njiheshin tek zixhiri i fytit  nga një copë e vogël ngjyrë blu, që i dallonte nga qentë e tjerë, që nuk u lenin gja mangut në të gjitha cilësitë atyne të sigurimit të shtetit. Fillimisht këta zagarë u patën mësue me mishin e klerikëve, mbasi ai i lente edhe shijen edhe erën e kandshme për gjojë. Gjakun e preferonin puro Shqiptarësh e mundsisht Atdhetarësh. Gjaku i intelektualëve i terhiqte kryesisht kur kishin studjue në shkollat Përendimore. Kishin shumë qejf me u lehë vajzave studente kur dilnin prej shkollave, me i kapë për fustani ose zixhirit në qafë me Kryq, dhe mbasi i merrnin erë,...i shkynin me andje të zagarit komunist ndër birucat e qelive të veta.

            Flitej pa asnjë bazë se këta zagarë përgatiten në shkolla e tyne për me torturue dhe me masakrue njeriun përpara se me e mbytë, po të gjitha janë fantazi për me mbulue ate të vertetë që kanë pasë këto “qenje”, nëse do t’i quejmë të tilla, mbasi ata nuk kishin asgja që i bashkonte me “qenje” ku në minimum mund të ekzistojë “koshienca”. Qeni në fund të fundit e njeh të zotin...dhe janë raste të veçanta kur “kafshon dorën e atij që e ushqen”, rasti i Enver Hoxhës, nuk mund të konsiderohet si rast unik i zagarëve komunistë, dhe as rasti i pasuesit të tij, zagarit tinzar Ramiz Alisë, që e çonte Enveri me u marrë erë...e mandej me i kafshue për vdekje, si Hysni Kapon e sa të tjerë, tue ua fërkue shpinën e tue i shkye me të gjitha zhelet e teserat e partisë, si mos të ishin kenë ndonjëherë ndër bankete bashkë.

            Çka i ban këta zagarë me u quejtë të një rrace asht instikti i përbashkët i pabesisë, frikës, tradhëtisë, i nuhatjes së gjahut të pafajshëm dhe intelektualë me cilësi Atdhetare, me e survejue, dhe mbasi e rrëzon përdhe, me e kafshue për vdekje...E ajo që zagarin e ban me u quejtë zagar komunist, asht aftësia e tij me mbajtë mend erën e viktimës për vite të tana derisa një ditë, prap i uritun për gjak, të kafshojnë edhe sternipat e viktimës së parë të vitëve 1945 – 46... ndoshta edhe sot mbas 65 vjetësh, tue i konsiderue “armiq të deklasuar”...

            Këta zagarë sot shihen edhe ndër të gjitha zyrat e Shtetit Shqiptar, tue lehë, tue ecë e tue u ndalue në të gjitha pishat e bulevardeve, tue çue kambën...po, bash atëherë kur njeriu mendon se kohët kanë ndryshue, veç kur të kafshon e të rrokullisë me fëtyrë përdhe!

            Askush nuk kujtohet se ky zagar që shihni këtu poshtë ka rrokullisë me mija e mija vetë ndër gropa ende të padituna...e si bagtija sot njerëzit votojnë për fëmijët e nipat e tyne...

            Qentë me prejardhje prej ujkut asnjëherë nuk e harrojnë instinktin që trashigojnë!

Dy foto të Haxhi Lleshit të marruna nga tesera e PPSh-së

 

Melbourne, Prill 2011.