E shtune, 18.09.2021, 06:46 AM (GMT+1)

Mendime

Arbën Xhaferi: Rrëfime nga Serbistani

E marte, 26.04.2011, 07:45 PM


RRËFIME NGA SERBISTANI

 

NGA ARBËN XHAFERI

 

Shpeshherë gjërat nuk janë ashtu si duken, si në planin individual ashtu edhe atë kolektiv.

Po ashtu qëllimet e mira nuk garantojnë se edhe rezultatet do të jenë të tilla. Përvoja i ka mësuar njerëzit të shtiren se janë të këtillë apo të atillë, jo vetëm për shkak të interesit ose të frikës nga pasoja, por edhe për shkak të motiveve fisnike, altruiste. E vërteta apo gënjeshtra nuk zbulohet vetëm përmes gjykimit racional, por edhe me shpirt, ose si thonë psikologët me inteligjencën emotive...

 

Rrëfimi i parë

 

Tërmeti dhe cunami apokaliptik e shkatërroi një pjesë të Japonisë dhe natyrisht preku thellë ndjenjat e njerëzve anekënd botës. Solidariteti me ata që pësuan ishte i sinqertë dhe i thellë. Sjellja dinjitoze e banorëve të prekur nga kjo fatkeqësi ishte shembull i një kulture që nxit adhurimin e popujve të tjerë. Shumëkush kërkon dhe gjen mënyra se si të solidarizohet me ta. Ata që kanë mundësi materiale dërgojnë ndihma të kësaj natyre, ata që s'i kanë ato, solidarizohen shpirtërisht me ta.

Edhe në Serbi njerëzit zunë në mënyrë shumë të kulturuar të solidarizohen me fatkeqësinë dhe dinjitetin e demonstruar të popullit japonezë. Fëmijët e shkollave dërgonin mesazhe përmes vizatimeve, figurave të ndryshme prej letre, sipas traditës japoneze që në rrafshin simbolik kanë një domethënie të thellë humane. Organizatorët e caktuan ditën e dorëzimit të këtyre mesazheve të fëmijëve dhe në përgjithësi të popullit serb.

Në këtë akt të dorëzimit të mesazheve të solidarësisë dhe altruizmit, u mblodhën shumë njerëz, kryesisht fëmijë dhe prindërit e tyre. Atmosfera që u krijua ishte mbresëlënëse. Njerëz të kulturuar, të tubuar në kuadër të një akti dhe misioni qytetërues! Ambasada japoneze kishte përgatitur mënyrën se si të falënderohet për gjestin fisnik të qytetarëve të Serbisë. Pasi që pranuan mesazhet e solidarësisë, në shenjë mirënjohjeje, qytetarëve të pranishëm u ofruan 1001 fidanë të qershive japoneze. Kjo ofertë shkaktoi një stampedo të paparë. Turma e njerëzve, duke harruar motivin e tubimit, u turr pas fidanëve. U krijua një kaos i mjerueshëm. Disa triumfalisht tregonin fidanët, disa të tjerë, të shtrirë mbi asfalt, të shkelur nga turma me forcat e fundit kërkonin ndihmë. Një skenë idilike, e kulturuar përnjëherë u banalizua, ngjashëm me protestat të organizuara në Beograd kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Edhe atëherë, protestuesit dolën në rrugë me motive politike, mirëpo shumë shpejtë përfunduan me akte vandaliste, me grabitje të dyqaneve përreth.

Antropologu dhe filozofi Erih From, duke analizuar temën e alienimit (tjetërsimit), kulturat që kuptimin e jetës e gjejnë te pasja, te posedimi i të mirave materiale i cilësoi të tjetërsuara, ndërkaq ato që kuptimin e jetës e gjejnë në anën e kundërt, pra jo te pasja, por te të qenit, i quajti të pa tjetërsuara. Sipas tij, kulturat e tjetërsuara e përdorin foljen "të kesh", ndërkaq ato ende të pa tjetërsuara, "foljen të jesh". Është tepër e guximshme që me një analizë sipërfaqësore gramatikore, kultura serbe të radhitet në grupin e "të tjetërsuarave", ndërkaq ajo shqiptare në grupin e kulturave të pa tjetërsuara, por megjithatë, ditën e stampedos, fidanët e qershive japoneze treguan se kultura serbe ka hyrë në shtegun e "të tjetërsuarave". Atë ditë, pasja (fidani) e mundi të qenit (dinjitetin)!

 

Rrëfimi i dytë

 

Këto ditë vëmendjen e opinionit serb e ka pushtuar greva e urisë e liderit të partisë SNS (Partisë Përparimtare Serbe), Tomisllav Nikoliqit. Sa për informim, kjo parti u krijua si fraksion i partisë radikale serbe të Sheshelit.

Kjo grevë e urisë në vete ngërthen shumë paradokse dhe dilema. Nga aspekti politik është një veprim i thellë antidemokratik për shkak të shantazhit që i bën procedurës normale demokratike.

Arsyeja për këtë grevë është refuzimi i qeverisë që të caktojë datën e zgjedhjeve të parakohshme për parlamentin e Serbisë. Partia e tij, SNS-ja konstaton se punët në Serbi nuk shkojnë si duhet, se skamja përhapet dhe se populli është në skaj të greminës. Këto vërejtje dhe kërkesa janë legjitime dhe në kuadër të misionit demokratik të opozitës. Mirëpo, parimisht po aq të drejtë ka edhe pozita e cila vlerëson se prioriteti i prioriteteve për Serbinë është nënshkrimi i aktit për fillimin e negociatave për integrim të Serbisë në UE. Sipas qeverisë çdo destabilizim i këtij procesi shkon në dëm të Serbisë dhe popullit serb në përgjithësi. Pra, kemi një kontest ndërmjet vlerësimit legjitim të gjendjes në shoqëri (pozita), me të cilën nuk pajtohet opozita që kërkon zgjedh të parakohshme. Pra, lideri i SNS-së Tomisllav Nikoliqi, pronar i një firme private për varrime, në esencë kërkon status ekskluziv që nuk buron nga standardet demokratike.

Këtë gjest të tij e shoh si pasojë të narcizmit, tipik për politikanët që ende nuk e kanë kuptuar domethënien e demokracisë. Atyre demokracia u nevojitet si metodë për ngritjen e relevancës së tyre jo vetëm shoqërore, por edhe historike. Nëse këtë nuk e arrijnë me mjete demokratike, atëherë kërkojnë mënyra të tjera që në thelb janë antidemokratike. Politikanët e kësaj natyre, me sedër të ndjeshme, bëjnë çmos që të fitojnë, fillimisht simpatinë, pastaj edhe adhurimin e popullit. Në fillim kënaqen me faktin se janë në zonën e vëmendjes së opinionit, mirëpo nuk kënaqen me kaq. Shumë shpejt fillojnë të kërkojnë adhurimin, mahnitjen e popullit me të. Në fund të këtij procesi lideri shkëputet nga lëvozhga fizike e tij dhe pak nga pak shndërrohet në idhull të cilin e adhuron edhe ai vetë. Këtë dukuri sociologjia e përkufizon si fazë të procesit të ngritjes, të aksendusit, si ngjitje në lartësitë hyjnore, si shndërrim të njeriut në Zot. Lideri, Tomisllav Nikoliq, është një ekzemplar i mjerueshëm i kësaj dukurie.

Egocentrizmi narcisid, mosnjohja elementare e fenomenit të demokracisë, gjithnjë prodhon drama të këtilla patetike. Skenat që paraqiten në TV e kanë atë notë të padurueshme të sentimentalizmit vulgar. Ai, në prag të Pashkëve, i shtrirë në shtratin, përkatësisht në altarin e flijimit për interesa të mëdha kombëtare, i rrethuar nga kujdesi i bashkëshortes dhe apostujve të tij partiakë, me një zë të ngjirur jep deklarata që i madhërojnë qëllimet e tija, në esencë atë vetë. Me po atë zë ai, mu si Krishti informon se ua fal mëkatet e kundërshtarëve të tij. Cinizmi i tij është vulgar, ngaqë shkaku, motivi nuk e arsyeton gjithë atë patetikë. Ai nuk tregon asgjë për programin e tij shpëtues politik, por thjeshtë kërkon zgjedhje të parakohshme, madje qoftë edhe një muaj para afatit të rregullt!

Përpjekja e Tomisllav Nikoliqit, që të fshihet prapa vlerave të besimit të krishterë ortodoks dështoi katastrofalisht. Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Irinej, e demantoi thënien e tij se kjo grevë qenka në kuadër të traditës ortodokse duke precizuar se feja ortodokse nuk lejon veprime kundër trupit të njeriut, veprimet vetë dënuese që mund të përfundojnë si akte vetëvrasëse.

Nuk është me rëndësi, se çka mendon, ç'bën ose çfarë ofron kryetari i një partie serbe, por është shumë e rëndësishme, veçmas për shqiptarët, se si reagon populli serb, a blen atë mall politik të skaduar. Hëpërhë, të paktën 50% e popullatës solidarizohen me të. Kjo mendësi gjithsesi do të pengojë normalizimin e raporteve fqinjësore në Europën jug-lindore.

Se si do të përfundojë kjo paradë tragjikomike nuk është me rëndësi, për shkak se, si tha ministri i punëve të jashtme të Rusisë, Lavrovi, "kjo është çështje e brendshme e Serbisë". Kjo është e vërtetë, por për shqiptarët krijon telashe ende më të mëdha ngaqë nuk dinë se cilat janë qëndrimet përfundimtare të politikës serbe dhe se a kanë ata një vizion, një projekt afatgjatë për sigurimin e paqes dhe stabilitetit të rajonit. Politika dhe politikanët serbë vuajnë nga fenomeni i paralaksës, herë duken të veshur herë të zhveshur, herë kështu herë ashtu, herë janë me amerikanët herë me rusët. Kjo laramani, kjo inkonzistencë qëndrimesh krijon një konfuzion të paramenduar që do të ndikojë negativisht në rezultatin e bisedimeve në mes të Prishtinës dhe Beogradit...

 

Rrëfimi i tretë

 

Sergej Lavrovi, përsëri erdhi në Serbi. Pas takimeve ai theksoi se paska biseduar me përfaqësuesit shtetëror të Serbisë, me presidentit Tadiq dhe me ministrin e punëve të jashtme, Jeremiq. Ai konfirmoi se ka garantuar angazhimin e Rusisë lidhur me çështjen e Kosovës, sidomos lidhur me raportin e Dik Martit i cili, pa kurrfarë argumenti, duke i shfrytëzuar burimet ruse, raportoi se në Kosovë dhe në Shqipëri paska funksionuar rrjeti i tregtisë me organe njerëzore, kryesisht të serbeve të zënë rob. Lavrovi, eksperti rus për agjit-prop (agjitim dhe propagandë) dha përkrahjen e pandryshueshme të Rusisë për investigimin ndërkombëtar të kësaj çështje, të cilën ata vetë e kurdisën. Kjo vizitë ogurzeze nxjerr edhe njëherë në skenë veprimtarinë antishqiptare të disa faktorëve të rëndësishëm në skenën politike dhe mediatike ndërkombëtare.

Ç'lidhje kanë me shqiptarët këto rrëfime? Çdo individ dhe çdo popull ka veset e tija karakteristike. Shpërbërja e Jugosllavisë, luftërat në këto hapësira u shkaktuan për shkak të urisë serbe për posedim të territoreve. Kjo uri bie ndesh me nevojën dhe kapacitetet serbe për zgjerim territorial. Ky ves për posedim, për pasje nxit stampedon për të arritur deri te fidanët e qershisë japoneze, e motivon liderin e SNS-së, Nikoliqin që në mënyrë irracionale ta marrë( ta ketë) pushtetin, kishën ortodokse serbe ta bekojë këtë ves, këtë uri irracionale serbe për territore, duke përuruar një variant të ri, atë të kolonializmit fetar, politikanët e moderuar serb bashkë me sponsorët rusë, ta racionalizojnë irracionalen.

Shqiptarët, të bindur në pafajësinë e tyre vazhdojnë të sillen në mënyrë komode, të pavetëdijshëm për rreziqet që ua kanosen. Në botë ekzistojnë forca që veprojnë kundër politikës së SHBA-ve dhe në këtë vijë do të bëjnë çmos që të krijojnë një disponim antishqiptar, një zhgënjim nga veprimet, shpesh absurde të përfaqësuesve shqiptarë.

Unë nuk mund të përfytyroj Ballkanin pa prezencën e amerikanëve, pikërisht për shkak se fantazma serbe ka dalë prej shishes dhe se shumë vështirë do të kthehet aty ku e ka vendin.

Përpjekjet e ekspertëve antishqiptarë që, duke u shërbyer me teknikën e mobingut, t'i demotivojnë amerikanët që të qëndrojnë më gjatë në Europën jug-lindore, si dhe apatia e shqiptarëve ndaj këtyre sfidave duhet ta panikojë çdo shqiptar.



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora