E marte, 19.03.2024, 03:33 AM (GMT)

Kulturë

Nicolas Cage: "Duhet të jemi të aftë të kalojmë çdo pengesë"

E merkure, 21.02.2007, 07:25 PM


Që në fillim, kur ai ishte Nicolas Coppola, producentët e filmave ishin më të interesuar që të flisnin me xhaxhain e tij, Francias, sesa t‘i gjenin atij një punë. Kështu që Nicolas Cage i vuri vetes një qëllim: "Vazhdojnë që të më refuzojnë. Ishte e tmerrshme, thoshte me zë të ulët. Nuk do ta bëj më këtë. Do të bëj edhe një tjetër audicion dhe nëse nuk do e bëj dot, do ta lë fare. Shumë nga shokët e mi prej Napa Valley shkonin në Alaskë, ku punonin me varka, ktheheshin me 25000 dollarë dhe blinin një makinë sportive. Edhe unë po mendoja që të bëja të njëjtën gjë, vazhdoja që t‘i thosha vetes. Ky ishte plani nëse nuk do të fitoja punën si aktor. Por më vonë ia dola dhe çdo gjë ndryshoi rrjedhën e jetës sime".

Gjatë 1980-ës, në filma si "Birdy" dhe "Raising Arizona", Cage u bë i njohur për shkak se performonte në mënyrë shumë ekscentrike dhe të ekzagjeruar. Në 1989-ën, në "Vampire Kiss" ai demonstroi se sa shumë i dhënë ishte pas zanatit të tij, duke ngrënë për së gjalli një brumbull. Ndryshe nga pritshmëritë, ai u kthye në një yll kinemaje. Pasi la Las Vegasin, ai firmosi për "The Rock", një nga filmat aksion më spektakolarë. Në 1999-ën, Sean Penn, me sharmin e tij që e karakterizon, tha për "New York Times": "Nic Cage nuk është një aktor. Ai mund të bëhet, por tani është më shumë një interpretues i mirë". Por ky ishte një dallim i pavërtetë.

Në një nga skenat e filmit të tij më të ri, "Ghost Rider", ai pi një filxhan kafe nga një pjatë e nxehtë.

"Kjo ndodhi, sepse mamaja ime u mësonte studentëve të saj si të kërcenin. Më tregonte se ishte njëri prej tyre i cili piu menjëherë një filxhan të nxehtë me kafe pa u menduar fare dhe kërcente më bukur se të gjithë. Këtë e kam pas bërë dikur dhe i thosha vetes: Kjo është e mrekullueshme. Duhet ta bëj këtë edhe në ndonjë film, tek i cili ëndërroj të luaj".

Në këto ditë, kati i pestë i hotelit "Claridge" është dominuar nga një reklamë super e madhe e vendosur në mur dhe në qendër të së cilës gjendet një 43-vjeçar, me një kostum të zi të stiluar bukur dhe me flokë të lyera të zeza. Ai duket si dikush që është shumë i kënaqur me veten e tij. Teksa fillon intervista ai lëviz nga karrigia ku është ulur dhe shkon drejt kolltukut.

"Lëviz shpesh nëpër dhomë që të kem ide sa më të mira", thotë ai.

Ai ndihet shumë i lumtur kur bie fjala për të folur për "Ghost Rider", sepse bëhet fjalë për filmin e tij të parë, ku personazhi kryesor është superhero. Në të vërtetë ai u caktua edhe për të luajtur Green Goblin në filmin "Spiderman", por nuk pranoi. Është tipike për Cage që të mos e shohë Supermanin si një hero amerikan. Që fëmijë, personazhet e tij të preferuar ishin Ghost Rider dhe Hulk. "Ajo çka është interesante rreth tyre ishte fakti se ata ishin monstra, por ishin edhe të mirë njëkohësisht. Në atë kohë shihja ëndrra të këqija dhe Ghost Rider më mësoi të mos kisha frikë dhe të bëhesha mik me to". Mamaja e tij, një mësuese kërcimi, Joy Vogelsang, ishte një skizofrene, që shumicën e kohës kur Cage ishte i vogël e kaloi nëpër spitale psikiatrike, ndaj ai u rrit nga babai i tij, August, një profesor letërsie. Pas së ëmës do të çmendej edhe xhaxhai, ndaj gjaku i turbullt i familjes Coppola rrjedh edhe në venat e tij. Më vonë, Cage zbuloi se fëmijët e njerëzve skizofrenikë ishin shpesh maniakë dhe përfundonin si prindërit e tyre. Ndaj vendosi me çdo kusht të bënte çdo përpjekje për të kaluar pengesat, për të mos qenë asnjëherë i mërzitur. "Për mua aktrimi ishte rruga më e mirë për të marrë energji shkatërruese dhe për të bërë diçka të mirë me to. Por në vend që ta aplikoja atë energji negative mbi veten time ose të tjerët mendova që ta "vendosja" në film dhe të krijoja personazhe që shprehnin urrejtje e mërzi".

Kur ai nisi karrierën e tij si aktor dukej sikur kërkonte të ecte menjëherë shumë përpara. Në të vërtetë jeta e tij ishte tashmë një lloj performance. I frymëzuar nga kënga e Bitëllsave "Why don‘t we do it in the road", ai vendosi të bënte seks në mes të rrugës në Los Anxhelos. Më vonë, bleu një makinë "Camaro" dhe e përplasi atë duke e ngarë nëpër koshat e plehrave. Megjithatë, suksesin do ta arrinte më vonë.

Por çfarë ndjen ai tani kur sheh ndonjë nga performancat e tij të kaluara? Zbavitet? Ndihet keq? Konfuz? "Pak nga të gjitha. Ndonjëherë mendoj se nuk kam qenë në lartësinë e duhur, megjithatë këtu qëndron më e bukura. Të gjitha vijnë në kohën e duhur". Më pas, ai kujton një episod të ndodhur te shtëpia e Martin Sheen, kohë më parë kur ishte shok me Charlie Sheen dhe Emilio Estevez, para se të niste profesionin e aktorit. "Martin erdhi në dhomë dhe na tha: gjëja e vetme që ka rëndësi është që t‘ju pëlqejnë vërtet njerëzit me të cilët punoni. Dhe unë iu përgjigja menjëherë: kudo që të jesh dhe çfarëdo që të bësh, nëse nuk mund të kesh pranë njerëz me të cilët ndihesh mirë, nuk mund të bësh asnjëherë gjëra të bukura". Dhe me të vërtetë Nicolas Cage ndihet vërtet mirë që ka punuar me regjisorin Mark Steven Jonhson, me të cilin realizoi filmin "Ghost Rider", një film që u rendit menjëherë në majat e klasifikimit në Amerikë vetëm pak ditë nga debutimi i tij. Ja se ç‘thotë për filmin ku interpreton rolin e një superheroi. Faktikisht, Nicolas Cage, emër i "frymëzuar" nga një personazh i një serie librash me vizatime, Luke Cage, interpreton për herë të parë një hero të dalë nga bota e komikëve: Ghost Rider. Gjatë ditës Cage është Johnny Blaze, një motoçiklist që "interpreton" në terrenet sportive me pengesa të rrezikshme dhe spektakolare, por natën, për shkak të një pakti të bërë me djallin (Mefisto, interpretuar nga Fonda) për të shpëtuar jetën e babait të tij shndërrohet në Ghost Rider, një motoçiklist fantazmë, me kafkën që i merr flakë dhe mbi një motor që digjet. Aty, heroit i duhet të përballet me "Zemrën e zezë", një djall që kërcënonte qytetin dhe jetën e njerëzve.

Zoti Cage, a jeni gjendur ndonjëherë në situata në të cilat ju kanë propozuar diçka të ngjashme me një pakt me djallin?

Jo tamam, por si të gjithë njerëzit jam gjendur shpesh në situata ku do të kisha preferuar të mos kisha thënë po. Ndoshta kjo ka ndodhur me persona që nuk mendonin aspak për interesin tim. Megjithatë, e rëndësishme është që pasi e ke kuptuar gabimin të kërkosh ta transformosh negativen në pozitive.

Çfarë ju tërheq nga Ghost Rider?

Është një nga librat me figura për fëmijë që unë lexoja kur isha fëmijë së bashku me Hulk-un e pabesueshëm. Kam mësuar të lexoj me këta libra komikë, sepse më tërhiqnin shumë vizatimet e ngjyrat dhe ndër të tjera ishin histori me një moral as më pak e as më shumë si ato të mitologjisë greke. Isha shumë i pasionuar pas këtyre figurave dhe më dukej e pabesueshme se si qeniet kaq monstruoze mund të qëndronin nga ana e mirë. Në veçanti Ghost Rider është një personazh më interesant dhe më i thellë se të tjerët: është një shpirt hakmarrjeje që lufton për më të mirën, është një figurë klasike që gjendet përmes shekujve.

Për këtë arsye keni bërë tatuazh një kafkë që merr flakë në krah?

Në të vërtetë tatuazhin e kisha bërë para se të nisja xhirimet për filmin. Mendoj se kafka që digjet është simbol i ndershmërisë dhe humanitetit. Nuk është diçka e frikshme, përkundrazi të gjithë ne ke kemi një të tillë dhe mua personalisht më duken të bukura. Siç thashë më sipër jam një fans i Ghost Rider prej një kohe të gjatë.

Në fakt, aty jeni një motoçiklist...

Po. Dhe është pikërisht kjo ajo që më ka bindur se ky ishte personazhi i duhur për mua. Jam i pasionuar pas mjeteve të transportit në përgjithësi: makinave, barkave dhe mbi të gjitha motoçikletave - të preferuarit e mi janë Dukatët - dhe kur më ofruan që ta interpretoja në këtë film isha me motor në ishujt Hawai dhe mendova se ky është kombinimi perfekt për mua. Më premtuan se do të më jepnin një motor nga ato të filmit, por unë nuk e kam parë akoma. Shpresoj.

Si do ta përcaktonit Ghost Rider?

Është një film filozofik. Është më i thellë se filmat klasikë të bazuar te personazhe komikë, por në të njëjtën kohë është argëtues dhe nuk duhet marrë shumë seriozisht. Është një film që na lejon të interpretojmë në mënyrë enfantike. Për mua është shumë personal dhe e ndiej shumë afër.

Në çfarë kuptimi?

Ha karamele, nuk hedh xhin te Martini im, më pëlqen Karen Carpenter dhe argëtohem pa masë kur shoh videot e majmunëve që bëjnë karate. Këto gjëra janë në film, sepse doja të tregoja një personazh që dëshiron të mbajë larg vetes shpirtrat e këqij. Kështu, në vend të uiskit dhe heavy metali-t sigurisht që është më mirë të hash karamele dhe të pëlqesh Karen Carpenter. Ndërkaq, kur ke shumë fat, siç kam pasur unë, nuk mund të mos ndihesh më i përkëdhelur nga fati. Shpesh pyet veten se përse e gjithë kjo më ndodhi pikërisht mua? Çfarë duhej të bëj për gjithë këtë? Në këtë kuptim ndihem më afër Ghost Rider.

Dhe çfarë bëni me famën dhe paratë që fitoni? Përveç makinave dhe motorëve cilat janë pasionet tuaja.

Historia, arkitektura dhe antikiteti. Lexoj shumë dhe për momentin jam i interesuar pas historisë evropiane të shekullit të 17-të. Besoj shumë në "ruajtjen" e trashëgimisë kulturore dhe arkitekturore. Kohët e fundit kam blerë një kështjellë në Bavari, që ka qenë e të njëjtës familje për 900 vjet. Duhet ta restauroj dhe shpresoj se pasardhësit e mi do ta shijojnë për 900 vjet të tjera. Është shumë e rëndësishme të ruash të kaluarën për brezat e ardhshëm. Ndërkaq, dua të kaloj më shumë kohë në Evropë. Mendoj se është e rëndësishme të kultivosh një mentalitet ndërkombëtar, sepse kjo sjell në vetvete edhe një shpirt paqeje. Dhe kur bëhemi nacionalistë, atëherë po që fillojnë telashet.

E kaluara, pasionet dhe ardhmja

Pas dy martesave të para me Patricia Arquette dhe Lisa Marie Presley, ai tani jeton me gruan e tij të tretë, Alice Kim, dhe djalin e tyre të vogël, vetëm 2 vjeç, Kal-el, që e ka marrë emrin e tij nga Supermeni. Cage ka gjithashtu edhe një djalë 15 vjeç nga lidhja e tij me aktoren Christina Fulton. Ai pëlqen artin, lexon filozofi dhe beson verbërisht në idenë se nuk duhet të bëjë keq për të qenë njeriu më i mirë në botë. Në fund, aktori tregon edhe lidhjen e ngushtë me aktrimin. "Ndoshta do të vazhdoj ta bëj këtë punë për shumë kohë, por nuk e di akoma edhe për sa. E kam bërë këtë punë për shumë vjet me radhë. Dua të them se kam aktruar në mënyrë profesionale që kur kam qenë 16". Sidoqoftë, gjërat mund të ndryshojnë. "Por është e sigurt se kam dëshirë të vazhdoj shumë gjatë dhe të kaloj të gjitha vështirësitë e pengesat që mund të më dalin para, si në jetë ashtu edhe në profesion". Por çfarë mund të bëjë ai nëse do të heqë dorë nga aktrimi. Do t‘i kushtohet bamirësisë apo do të punojë si shokët e tij në Alaska për të fituar sa më shumë para. "Nuk e di, ndoshta mund ta bëj edhe këtë të dytën. Në fund të fundit kjo është jeta", thotë ai, duke buzëqeshur.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora