E shtune, 20.04.2024, 06:52 AM (GMT+1)

Kulturë

Kostaq Duka: O Sole Mio…..

E hene, 25.04.2011, 07:53 PM


Kostaq Duka

 

Tregim

 

O Sole Mio…..

 

Ishte ora 6:30 e mëngjesit. Mbi banakun e gjatë porsa kisha vendosur gjithë llojet e ushqimit të mëngjesit të ashtuquajtur kontinental, duke filluar nga gjalpi,djathi,kosi ,ëmbëlsirat , frutat e deri pitet me mjaltë. Vendosur mes qelqeve ato krijonin një dekor natyror, ndjellës e jetësor. Gjithnjë ndjenja kënaqësi pas krijimit të këtij dekori. Por jo më pak më  kënaqte edhe aneksi i servirjes së kafes ku mbizotëronte e bardha farfuritëse e  ibrikëve prej porcelani kinez mbushur me kafe të rregullt dhe pa kafeinë. Ishte koha të vija në punë sistemin e përhapjes së tingujve muzikorë në mjediset e hollit nëpërmjet paisjeve të vendosura në tavarin e varur. Kur në kohën që prisja meloditë e njohura të çasteve mëngjesore dëgjoi të këndohej prej dikujt : O  Sole Mio......

            Mbeta i tronditur duke kthyer kokën në drejtime të ndryshme të sallës...Zbrazësirë. Sportelisti i natës, flokëthinjur, qëndronte si një statujë e ngrirë, me sy paksa të fryrë nga pagjumësia.  Mos më bënë veshët? Kur përzjerë me meloditë e mëngjesit përsëri  : O  Sole  Mio ...Këtë herë pak më fort.

            Dhe ja nga krahu verior, ku ishin zyrat, në anë të sportelit shikoj një burrë të shkurtër, të hollë, me pantallona me tiranda,  këmishë shkopsitur dhe një barsolinë të hirtë, që ngjante tepër e vjetër si ato të dyqaneve jashtë mode.

-Mirëmëngjes! Të njihemi emri im është Thomas- italian, brezi i dytë  në Amerikë, me origjinë nga Sicilia.

            Fliste dhe sytë  e vegjël, i rrezëllinin, fytyra e gjithë trajtësonte një  qeshje që i vinte së brendshmi krejt natyrshëm.

            Skisha dhjetë ditë në Amerikë e ndihesha i hutuar dhe i ndrojtur. Por papritur më erdhi mendimi që këtij burri të vogël, të dobët që mund ti bëhej binjak Çaplinit ti përgjigjesha me të njëjta tone humori.

-     Emri im është Kostandin, brezi i parë në Amerikë, shqiptar përmatanë Italisë. Lagim këmbët në ujra të njëjta...

            I thashë këto si munda me anglishten time, mësuar në Shqipëri. Ai qeshi shpenguar dhe më korrigjoi shqiptimin jo Kostandin por Kastandin.

            -Të pëlqen kënga?

            -Po shumë.

            -Unë vdes...Sidomos për këtë këngë....

            Ai mori pozë si të ishte një tenor i operas italiane. Këmisha e hapur tregonte një gjoks të vogël ku dalloheshin dukshëm trajtat e brinjëve... O zot sa i dobët është, thashë me vete.

O Sole Mio......Çdo të thosh (nëse do ishte ende mes nesh) tenori i madh Luciano Pavaroti, po të dëgjonte këtë interpretim të këngës së famëshme napolitane në një holl hoteli këtu në Amerikë, në prag të çeljes së plotë të ditës ?!

            E ngriti zërin pa ndrojtje. Kësaj here koka e thinjur e sportelistit të përgjumur lëvizi. Prej andej erdhi porosia me tone të nervozuara:

Ju lutem zotëri, ulni zërin është ende herët  shumica e klienteve flenë......

            Ai nënqeshi. U zgjua sportelisti, më tha duke më shkelur syrin.

            Unë  me dorë i thashë mirupafshim e u futa në mjedisin e kuzhinës, i trembur për ndonjë tepërim Porosia e pronarit me origjinë nga India ditën e parë të punës ishte: Me klintët vetëm shërbim e jo shoqërim të tepëruar.

            Thomasi u shtrua vendçe për mëngjes. Tek e shihja që i ndronte ushqimet njëra pas tjetrës thosha me vete. Si është e mundur të jetë i dobët me tërë këtë oreks?! S'mjaftoi që hëngri po mbushi edhe një tabaka me ushqime dhe kafe...Mbase është me gruan në dhomë e ndoshta me fëmijë-mendova

-Mirupafshim miku im-tha dhe mbyturazi për të mos u dëgjuar shqiptoi: O Sole Mio.... Do takohemi prape!.. 

            Dhe u takuam. Po atë ditë, por kur unë kisha mbaruar punën dhe qëndroja ulur në një stol me shikimin mbërthyer në  autostradë duke ndjekur rrjedhën  e pandalshme gjigande të makinave. Në çdo  sekondë syri do të kapte se s'bën një ikje makinash në kahje të ndryshme.

            "A do të jem në gjendje edhe unë të  kridhem në këtë lëvizje marramëndëse me makinë?!" Dhe pastaj mendja më shkonte larg, në qytetin tim, rrugicën me kalldrëm, tutje lëndinave të buta në kodër, faqeve shkëmbore të Moravës. Dhe përsëri e përsëri bluaja mendimin: Ç'ishte ky largim i krisur? Mos ndoshta aventurë e marrë ?! Prisja nga çasti në çast të mbrinte me makinë Llazi komshiu im i mirë i cili më sillte e më merrte çdo ditë prej pune.

            Kur gati në veshi dëgjoi : " O Sole Mio....." Ktheva rrëmbimthi kokën si për të flakur një zë iluziv por jo ashtu këmishë kopsitur me barsolinë dhe një cigare të hollë, që mbahej nga dy gishtrinj  të bardhë si prej të vdekuri ishte ai, ai klienti i çuditshëm me origjinë italiane.

            -Po mediton  ndanë autostradës?

            -Po pres të ik në shtëpi. Akoma s'kam marrë makinë.

            -Do ta marrësh miku im dhe do derdhesh në këto rrugë, sa të merzitesh...Siç u mërzita unë! Kështu është jeta. Kur një gjë s'e ke e ëndërron. Kur e zotëron të neveritet. Ti je i martuar?

            Mu duk  shumë agresiv në pyetje ky dreq klient që vetëm emrin i dija.

            - Po kam edhe  një djalë. Studion për gazetari.

            -Per gazetari?

            -Po.

            -Ju ja zgjodhët këtë degë apo vetë ai ?

            -Së toku. Po ai vendosi.

            -Domethënë morët vendim që tani për fatin e jetës së tij....

            Befas u ngrys.Lëkura mbi fytyrën e tij. që tendosej nga e qeshura, u rrëzua, si pa jetë nën peshën e ngrysjes që mu duk si pa kuptim...

            U shtanga. A thua  thashë gabimnisht në anglisht diçka që padashur atij i shkaktoi dhimbje?! Ai heshti një çast. Unë pashë orën si për ta shprehur dëshirën e ikjes sa më parë dhe mbylljes së dialogut që mori këtë kthesë të çuditëshme mërzie.

            Ai me sa duket e ndjeu këtë. Diç kërkoi nën kanatjeren e bardhë të zhubrosur.

-E sheh këtë? Më tha- duke më treguar diçka  si medalion, pllakëz metali me disa numëra. “Sa djali yt kam qënë në luftën e Vietnamit. 21 vjeçar. Isha student në degën e  gazetarisë. Në front kryeva detyrën e fotoreporterit.  Aparatin fotografik të asaj kohe e ruaj edhe sot. Ishte një luftë e gjatë që mori shumë jetë....

            Fliste ngadalë. Sytë i drejtonte diku në horizont  në mënyrë të papërcaktuar.

Kam fotografuar shumë. Në fillim  isha i rrëmbyer pas pamjeve natyrore ekzotike, pastaj , pastaj nga pamjet makabre të luftës. O zot kam fotografuar dhe shokët tek përpëliteshin mbytur mes gjakut...

Ndjeva se zëri po i dridhej.Më ngjau se edhe vetë ai po dridhej në tërë qënien. Fytyra më shumë se e verdhë m'ë ngjau tejet e bardhë si flokët e tij.

            Nuk dëshiroja të vazhdoja bashkëbisedimin. Dukej se kujtimet nga lufta i sillnin tronditje të skajshme. Ku dihet më shkoi vetëtimthi nëpër mend ideja. Mbase është i sëmurë me një stres agresiv që i ringjallet pas çdo ngacmimi.

            Si një zgjidhje e natyrshme për tu ndarë me Tomasin shërbeu ardhja e komshiut Llazit i cili e vendosi makinën, përpara stolit. Çuditërisht kaq u desh që Tomasi të flakte tej pamjen e mërzisë dhe tronditjes therrëse në fytyrë e të bëhej tjetër, ai Tomasi i parë gazmor e paksa llafazan.

            -O shoku juaj paska makinë lluksoze, BMV. Ju shqiptarët kokëkrisjen tuaj e tregoni dhe në blerjen e makinave lluksoze. Jo të gjithë guxojnë të marrin të tilla.

            Pas kësaj tërë gjallëri Tomasi hapi derën e makinës dhe përshëndeti Llazin.

            -Përshendetje mik! Më quajnë Tomas! Brezi i dytë në Amerikë, me origjinë nga Sicilia e Italisë.

            Llazi në fytyrën gjithë tul ravijëzoi një nënqeshje të lehtë teksa i jepte dorën Tomasit. Pastaj më bëri me shënjë të  hipja në makinë.

            U përshëndeta me Tomasin.

            -Nesër në mëngjes aty më ke që më gjashtë e gjysëm- tha ai me gjallëri.

            Sa u mbështeta në sedilje Llazi mu kthye: Nga e psonise atë dordolec me barsolinë?

            -Është klient.

            -Do jetë ndonjë nga ata të pastrehët, parazitë që mbahen me lëmoshë të mbledhura nga kishat.

            Nuk më pëlqyen këto fjalë por smund ti kundërshtoja Llazit. Sishte as vendi dhe koha e duhur për të dhënë hollësira për Tomasin. Edhe vetë isha i paqartë ndonse ai po më tërhiqte.

            Të nesërmen Tomasi po më priste para derës së kuzhinës. Dukej që dëshironte takimin me mua. Ishte i qeshur dhe me humor. 

-Plasa vape -më tha.- Në dimër ia vlen të shkosh në hotele që kanë pronarë indianë. Duke qënë se vetë se durojnë të ftohtit edhe pse cingunë mbarë e prapë për ngrohjen se kursejnë paranë. Tomasi më rinte pranë e fliste pa pushim tek nxirrja nga frigoriferët e mëdhenj e vendosja në pjatanca ushqimet, apo ndërsa përgatisja kafen.

            -Si shkon ti më këta indianët- më tha papritur.

            -Mirë i thashë, ngadalë për të mos dëgjuar sportelisti tej në banakun e sportelit.

            -Di gjë ti për thelbin e filozofisë që është në themel të fesë së induve?

            - Ngrita supet duke pritur shpjegimin e tij...

            -Shkurt filozofia e induve eshte kjo “ Zoti  u ka përcaktuar fatin të jenë në shkallë të epërme të shoqërisë, drejtuesa, profesorë, doktorë etj,etj..Sigurisht brenda shoqërise indiane këtë e gëzon një kategori e përcaktuar. Tingëllon pak raciste apo jo? Po. Edhe tingëllon. Kjo i bën ata të jenë ambiciozë, pretendues. Ej Kostandino do e shohesh pas ca vitesh Indinë ku do jetë!..

-Ndërkohë mua më erdhën ndër mend pamje të një filmi indian, ku pasqyrohej varfëria e skajëshme në zonat e fshatit dhe ku popullsia i mbante sytë drejt qiellit në pritje të një pike shiu....

Ia thashë këtë Tomasit...Ai qeshi. E di, e di kete, vdesin edhe tani mijra nga uria. Unë po flas për një kategori dhe për filozofinë e fesë së tyre.

            Këto mendime Tomasi nuk mi tha vetëm mua.Një ditë tek pastroja tavolinat në bari e dëgjova tek debatonte me tre indianë që  ishin ulur në kolltuqet para sportelit. Tomasi gjithë pasion  shpaloste njohuritë e tij për Indinë, ndarjen fetare, psikologjinë e filozofinë..Indianët e dëgjonin e ngacmonin, qeshnin, miratonin por edhe kundërshtonin kur shihnin ndonjë nuancë nënvfleftësimi racor. Vendosa të mos afrohesha. Por Tomasi një çast ktheu kokën drejt meje e në vend të përshëndetjes ia filloi: O Sole  Mio...U krekos. Tepër pozant si për t'u thënë indianëve ka edhe Europë, edhe Itali. Më erdhi të lija pastrimin e t'ja ktheja edhe unë po me këngë : O Sole Mio. Por e ndrydha dëshirën.  Dhe bëra mirë. Menazheri indian ndërkohe doli nga zyra dhe i drejtohet Tomasit : “Qetesi, qetesi zoteri!”

Tomasi mërmëriti Okej, Okej. U tha indinëve mirupafshim dhe tek kaloi si në rrugë e sipër pranë meje më tha: Kostandino po shkoj ta dëgjoj në dhomë këtë këngë.....

Pak më vonë tek kaloja pranë dhomës së tij dëgjova të vinte zëri i tenorit italian" O Sole Mio" Kënga përhapej gati në gjithë korridorin. Isha i bindur se menazheri po të kalonte këtu do trokiste patjetër i nervozuar në dera e dhomës së Tomasit për të ulur volumin.

Çdo ditë që kalonte do sillte diçka të re në ngjyrimet e portretit të Tomasit. Ai do vazhdonte te më shoqëronte  herët në mengjes. Fliste e fliste papushim. Më çonte tutje në Sicelia e tij, kujtimet e  fëminisë së hershme, aventurat e rinisë, hapte tema me natyrë sociale e filozofike, here, herë më ndërhynte e korrigjonte anglishten time, duke shtuar gjithnjë kur të ik nga hoteli të dua shpërblimin për dhënien falas të mësimeve. Dhe asnjëherë sharronte të këndonte: O Sole Mio..

Në biseda si shkarrazi mësova se ai ishte i divorcuar dhe  kishte një vajzë të martuar dhe me fëmijë që jetonte diku në Arizona, tek e cila shkonte së paku njëherë në vit. Vetë shumicën e kohës e kalonte në Kaliforni ku kishte shumë të afërm. Tani kishte ardhur këtu në Çikago për të marrë pjesë në shitjen e shtëpisë prej së ciles do merrte një shumë të mirë të hollash...Edhe pse u mundova të mësoja për shkaqet e ndarjes me gruan ai i largohej temës...Nuk shante, ndihej që e kishte dashur.

-E solla çupëlinë nga Sicilia këtu në Amerikë!-më tha një ditë.

 Ajo ishte martuar rishtas..

Nga shoqërimi me Tomasin, koha në mëngjes kalonte shpejt...Por  nganjëherë ai e tepronte me zënë e lartë, me tonet sipërore në këndimin e këngës " O Sole Mio" Me të qeshurën buçimë. Sportelisti e bëri refren tërheqjen e vemendjes.

-Kënaqem Kostandino,-  më tha Tomasi-kur indiani gre gishtin e urdhëron: “ Qetësi, qetësi ju lutem , klientët flenë!...

Paralajmërimi për qetësi nga sportelisti shërbente edhe si një farë shenjë për Tomasin për tu rikthyer në dhomën e tij me tabakanë plot ushqime. Nuk donte që edhe mua të më hapeshin probleme me pronarin. Por me sa dukej Tomasi nuk "zhurmonte " vetëm mëngjeseve. Kishin filluar të vinin ankesa nga klientë të  ndryshem, për ngacmime e tallje pa vend, për zhurmë etj.

Vetëm pastrueset nuk ankoheshin. Tomasi gjithnjë vinte prapa derës shënjën e mospastrimit. Herë herë me miresjelljen e tij karakteristike, me fjalë përkëdhelëse shoqëruar edhe me bakshishe u thosh atyre ti sillnin çarçafë e peshqirë të larë, duke u dhënë të përdorurat gjë që ato e bënin me kënaqësi.

Sjellja e Tomasit  i cili  tashmë po bënte më shumë se dy muaj në hotel po bezdiste menazherin dhe vetë pronarin që me zi prisnin një shkak justifikues për ta larguar nga hoteli. Dhe me sa dukej si justifikim  do shërbente mos pagesa e hotelit për disa ditë rresht. Sa herë e thërrisnin Tomasi u thosh: “Mos kini merak, shpejt do tu paguaj Do kem para jo për pesë e gjashtë ditë por edhe për një vit.

Ata se besonin, u dukej se i genjente dhe tallej, sidomos kur e shihnin të nënqeshte  si për të thënë : pse jini kaq të leshtë?!

Por unë e  besoja Tomasin. 

Ate kohe ai me kishte bere nje dhuratë të çmuar: Më fali një pllakë të vjetër gramafoni të këngës "O Sole Mio".

-Po ta fal Kostandino që të më kujtosh edhe kur unë ti them lamtumirën kësaj bote. Ta dish sa herë ta vesh në lëvizje këtë pllakë unë do të shfaqem që përtej botës tjetër si një fantazmë e do të them : Këndo,këndo Kostandino…

Dhe ja plani ishte bërë. Dera e dhomës së tij ishte bllokuar me kartën speciale e përdorur për të tilla raste. Karta çelës e Tomasit ishte e pavlefëshme. Ai pasi kishte bredhur nëpër qytet u kthye vonë në mbrëmje. Kur shikoi se smund të hapte derën kërkoi kartë të re. Sportelisti tha se kishte urdhër nga pronari që para se të shkonte në dhomë të paguante shumën e duhur për gati një javë. Tomasi kishte marrë zjarr:

-Kjo është sjellje idiotësh. Ju skini të drejtë të bllokoni dhomën-u tha dhe zbrazi një bateri fjalësh ofenduese.

Sportelisti e kërcënoi me thirrjen e policisë. Kjo se trembi Tomasin.

-Jo ju por unë do thërras policinë!

Dhe vërtet e thirri por pasi kishte dhënë  njoftimin duke u ankuar se më kanë bllokuar dhomën, papritur ishte plasur në dyshemenë e hotelit gati pa ndjenja cka e bëri të zverdhet sportelistin që ndërkohë njoftoi urgjencën.

Makina e ndihmës së shpejtë erdhi në të njëjtën kohë me atë të policisë. Tomasi u vendos  nën trajtim mjekësor.

-Të gjitha këto unë i mësova ditën e nesërme. Ndërkohë menazheri më tha që të lajmëroja edhe pastruesen e katit për të sistemuar të gjitha rrobat e Tomasit sepse dikush nga spitali pritej të vinte ti merrte.

U desh ikja e tillë urgjente e Tomasit që unë të hyja në dhomën e tij. Edhe pse ishim miq në dhomë ai ndruhej të më ftonte. Por  edhe për pastruesen e katit dhe menazherin kjo ishte vizita e parë në ata dy muaj. Prisja çrregullimin e natyrshëm të dhomës së një burri të divorcuar, të zhurmshëm e hokatar si Tomasi, por jo...Gjithçka dëshmonte për rregull dhe pastërti shembullore. Mbi sipërfaqen e drunjtë me lluster së tavolinës së hotelit ishte vendosur një mbulesë e bukur me punime dekorative me grep rreth e rrotull. Tre foto në korniza të argjenta. Tomasi ushtar në Vietnam me aparatin e fotoreporterit në qafë, një foto e tij në përqafim me një vajzë me flokë të gjatë derdhur supeve, me siguri e shoqja dhe një tjetër po vajzë e re me një foshnjë në krahë. Kjo mendova do të jete e bija. Në sirtarin e komodinës në një kuti plastike të tejdukëshme një mori ilaçesh, shumica për trajtim të depresionit.U befasova kur në garderobë pashë disa kostume, disa ngjyrësh që Tomasit sja kisha parë kurrë mbi trup. Diku dhe gramafoni, tip i viteve pesëdhjetë dhe nje mori pllakash të sistemuara me kujdes  dhe me deçiturat e këngëve. Shumica italiane.

Isha përqëndruar në titujt e këngëve kur befas pastruesja gati klithi : Oh shiko çgjeta në këtë kuti! Edhe menazheri edhe unë u drejtuam nga ajo. Nga një kuti antike druri ajo nxori dy tufa të mëdha me dollarë, të gjitha njëqindëshe. Gati tridhjetëmijë dollarë.

Pastruesja tek ia dorëzonte dy tufat e mëdha me lekë menazherit tha në spanjisht, në gjuhën e saj” Oh Tomasi qënka i pasur! Nëna ime! Asnjëherë s'kam prekur kaq shumë para!”

Me sytë e hapur tej mase nga habia, menazheri mu drejtua: Po kjo! Dhe ka një jave pa paguar!

Unë nënqesha tek kujtova shprehjen e Tomasit. “Mos kini merak, shpejt do tu paguaj Do kem para jo për pesë e gjashtë ditë por edhe për një vit.

 Ato çaste mu duk sikur e kisha përpara mikun tim këmishë shkopsitur, me barsolinën në koke, krekosur si të ish në skenën e operas italiane, me këngën "O Sole Mio…”

 

Prill, 2011.



(Vota: 2 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora