Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Besimtarët e krishterë festojnë Pashkët

| E hene, 25.04.2011, 01:29 PM |


Besimtarët e krishterë në të gjithë vendin kanë kremtuar mbrëmë në mesnatë Ringjalljen e Krishtit.

 

Festa e Pashkës është ndër më të rëndësishmet e kalendarit fetar të krishterëve dhe kremtohet në të gjitha vendet ku ka besimtare katolikë dhe ortodoksë.

 

Në Kishën e Ungjillëzimit në Tiranë mesha e rastit dhe mesazhi i Pashkëve janë lexuar nga kryepiskopi Anastas Janullatos.

 

Ndërsa në katedralen e Shën Palit në Tiranë, liturgjia e pashkëve është drejtuar nga Imzot Rrok Mirdita, Kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë.

 

Pashka, ose Ringjallja e Krishtit vjen pas një jave të shenjtë që kulmon me kryqëzimin e Jezu Krishtit të Premten e Zezë dhe ringjalljen e tij në mesnatën e së shtunës.

 

Të gjithë besimtarët e krishterë kanë marrë mbrëmë në Kisha e Katedrale, zjarr nga zjarri i ndezur pas ringjalljes së Shpëtimtarit që i tregoi botës se mund të triumfojë mbi të keqen për të ndihmuar njerëzimin.

 

_________

 

Jozefina Topalli uron shqiptarët me rastin e festës së Pashkëve

 

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli uroi sot me përzemërsi besimtarët e krishterë por dhe gjithë shqiptarët me rastin e festës së Pashkëve. “Gëzuar Pashkët për të gjithë besimtarët kristianë! Gëzuar Pashkët të gjithë shqiptarëve! Besoj se pashkët janë një moment reflektimi dhe lutjeje të asaj që është marshi i kalvarit, të asaj që është kryqëzimi dhe pastaj ringjallja. Po të mendosh dhe të reflektosh thellë arrin tek vlera e dhimbjes dhe tek transformimi i dhimbjes në ringjallje, gjë që secili prej nesh e lidh me historinë e vendit tonë, me kalvarin e gjatë të historisë dhe pushtimit të diktaturës së vendit tonë dhe pastaj me momentin e transformimit, të asaj që është bukuria e ringjalljes, shpresa për të ardhmen, lutja për qytetin dhe qytetarët. Kjo është një ditë shumë e veçantë në të cilën unë uroj me gjithë zemër, jo vetëm shqiptarët që jetojnë në Shqipëri por dhe atyre që janë të emigracion dhe të gjithë juve. Gëzuar!”

 

Pyetje: Moment reflektimi edhe në politikë?

 

Sapo e thashë, momenti i reflektimit është për të kuptuar historinë e vendit tonë, për të gjetur se sa dhimbje ka pasur ky vend në shekuj, dhe gjatë diktaturës komuniste dhe se si ringjallja ka ndodhur 20 vitet e fundit përmes dhimbjes, optimizmit dhe shpresës, ringjalljes.

 

Përgatiti: Kadri MANI