E marte, 16.04.2024, 06:52 PM (GMT+1)

Kulturë

Afrim Rexhepi: Estetika migrative - ekzili në shkrim

E hene, 25.04.2011, 07:58 PM


Estetika migrative -  ekzili në shkrim

 

Nga Prof. Dr. Afrim Rexhepi – ligjerues i Estetikes ne Shkup

 

Hermeneutika e qenies ka të bëjë me aspektin transhscendental të subjektit (da - sein i Hajdegerit, hermeneutika e subjektit e Mishel Fukosë dhe dekonstrukcioni / kategoria la differance e Zhak Deridasë), e që studiuesi Albreht Klasen (Clasen, 2001; 1691 – 1698) thekson “definimin e identitetit kulturor duke pranuar Tjetrin si suplement fenomenologjik jasht vetes”. Principi i identitetit kulturor koincipon me principin e dijalogiizmit / tjetërsisë. Identiteti kulturor definohet përmes konceptit të dyfisht: si nacional dhe si kosmopolit. Çarls Tejlor definon:

“Gjeneza e trurit të njeriut është dialogjike...Identiteti kulturor, varet nga raportet dialogjike me Tjetrin”. (Taylor, 2002; 15)

Implikacion: Identiteti i ri i Evropës sot, i definuar përmes pragmës së interkulturalizmit – hapje ndaj Tjetrit. Arti sot, nuk është konstrukt simbolik nihilist i një  bote të zbrazët. Duke u mbështetur në gjurmët e Hajdegerit dhe Deridasë, në gjurmët e Pesoasë dhe  imazhit të përthyer artistik (iconic turn), në të gjitha format e artit bashkëkohor, mbetet funksional horizonti i lirë i pritjes dhe e vërteta e veprës nga strategjitë fatale, ajo e Deridasë “jetojmë në kohën e apokalipsës, pa apokalipsë”. Pragma diskursive, liria në lojën gjuhësore me fjalë për të eksperimentuar me botën, poezinë e bën kujtesë të asaj që nuk zhbëhet, të kaluarës dhe të ardhmes. Gjithçka është në gjuhë, nostalgjia dhe malli i pashuar, siguria apokaliptike dhe ajo e zhbërjes totale. Në funksion pragmatik, ekzistimi i botës është proces i ekzistimit të botës përmes imazhit të plotnisë së veprës artistike që realizohet përmes interpretimit. “Ne nuk jetojmë në ekzistencë, por në teorinë e ekzistencës”, - definon Franc Kafka dhe se ekzistenca e vërtetë arrihet përmes hermeneutikës së kodeve sepse jetojmë në semiosferë. Hermeneutika e qenies / dekonstruksionizmi estetik, mundëson të prepozicionohemi. Korifeu i poezisë Orfeu mitik, duke qenë i zëshëm kundër vdekjes, humb atë për të cilë vuan dhe atë përjetësisht e ka të humbur. Logjika dekonstrukcioniste mundëson çarje midis të humburës dhe të humburës së përsëritur, një çarje, një mundësi mbi reale (da – sein) që qenësohet.

 “Në universin e hapësirës që krijon logjika dekonstrukcioniste, i kundërvihemi të vërtetës dhe mësojmë të merremi me të pamundurën...fillojmë lojën / estetikën e lojës për ndonjë strukturë të papranishme”. (Sloterdajk, 1988; 25)

Gramatologjia njëdimensionale e vdekjes, shndërrohet në gramatologji shumëdimesionale të jetës, edhe atë përmes lidhjeve që proektohen në Bioletër / jetshkrim. Në kontekst, Bioletra / jetshkrimi, është estetika migrative apo  ekzili në shkrim, siç e definojmë letërsinë arbëreshe. Duke e studiuar Zef Skiroin, Anton Nikë Berisha definon,

            “Ai gjakon dhe e bën objekt trajtimi të vërtetën e mundëshme, të mbështetur në përvojën jetësore...të vërtetën subjektive që në qenësi është e vërteta artistike”. (Berisha, 1997; 12)

            Letërsia migrative, është letërsi e re në botë. Armando Njishi propozon “që letërsia migrative të kuptohet si një përgjigje dekolonizuese të shumësit “Letërsia globale – letërsia botërore” – një letërsi me funksion in betwen (logjika e prerjes / e mesit) e që ndërtohet nga dallimet, “letërsia migrative është lëvizje në hapësirë, është bartje e llojit të vet”.  (Gnisci, 2002; 113 – 122) Në kontekst, pason ridefinimi i maksimës së Dekartit, “Mendoj prandaj ekzistoj”, nga Mike Bal, “Të ekzitoj, do të thotë të jem i perceptuar”. Në fakt, Mike Bal, definon konceptin e saj për estetikën migrative “si estetikë e raporteve relacioniste kulturore”. (Bal, 2008, 150 – 161) Shkrimi migrativ / estetika migrative, është demonstrim i një vështrimi të kulturës migrative bashkëkohore, e shprehur si parabolë kohore e shkrirë në hiperbolën e kujtesës. Shembull në funksion, diskursi fiksional Hapma derën zonja mëmë nga Vorea Ujko:

Jam ende një fëmije,/  të cilit ia kthejnë fytyrën ,/ nga dheu i të parëve. Unë e di që ti e pritje / birin tënd të largët...Të thashë në ëndërr Krujë, / se do të kisha ardhur, / si shiu lumenjve”. (Ujko, 1990; 13)                           

Letërsia arbëreshe - paradigma letersia bashkëkohore arbëreshe, është ekzil në shkrim. Është funksional interpretimi përmes teorisë së abjektit të Julia Kristevës

“Ekzilanti që në kohën e globalizimit pyet përmes kodit të memories, ku jam unë?”. (Kristeva, 1982; 58)

 Nëse poezia e De Radës pyet kush jam unë? poezia e Kate Xukaro - poezia bashkëkohore arbëreshe në esencë duke qenë abjektive, parashtron pyetjen Ku jam unë? sepse hapësira globalizuese është copëzuese dhe gllabëruese. Xukaro kërkon konstituim nga një jo – objekt / ekzili në shkrim, sepse abjekti në kontinuitet lëviz, ripozicionohet, ndjen rrezikun e zdukjes dhe sa më shumë lëviz aq më shumë ka gjasa të shpëton.

           “Lermë të mendoj / dua të mendoj; S’të dua Toskanë e ëmbël”. (Xukaro, 1982; 11)  

Duke qenë unë heterogjene, subjekti dekonstruktiv i Kate Xukaros dhe i shkrimtarëve tjerë bashkëkohor arbëresh – abjekton, sepse koha abjektive është e dyfisht, është kohë e harrimit dhe shkëndisë, i momentit të fshehur të përjetshëm dhe i momentit kur zbulimi dhe vetëdija eksplodon - abjekton. Xukaro e përjeton abjektin sepse Tjetri është pozicionuar në vendin ku duhet ajo të jetë dhe kështu e ruan subjektin që mos të zhbëhet. Përmes mallit dhe nostalgjisë për “Të bukurën More”, identiteti narrativ në poezinë e Xukaros është në proporcion me tezën e Prustit, që njeriu njëkohësisht është edhe shkrimtar edhe lexues i jetës së tij. E tërë letërsia bashkëkohore arbëreshe është abjektive. Është pragmë e njohur sot, që një kulturë në komunikim me kulturat tjera hibridizohet apo gradualisht mbyllet.

“Një strukturë e mbyllur komunikuese, nuk mund të zhvillohet në semiosferë”, (Canlini, 2001; 25)

dhe se sot nuk ka vlera kulturore të izoluara. Strukturat kulturore të mbyllura, në procesin e globalizimit vështirë funksionojnë në plotninë e vet, janë funksionale si njëra nga botërat e veçanta në interaksion. Dhe një rrezik nga një vibrim i tillë i “identitetit të humbur”, është funksional në vargun e Zef Sqiro Di Maxho, “ne rrimë në kafazin e kohës”, jashtë kohës loz e vërteta që se dimë. Poeti Di Maxho shrytëzon nocionin gjurmë si parafenomen të memories, por edhe të të kaluarës e cila asnjëherë nuk është përjetuar në formën e saj të parë. Dhe një prezencë metafizike e tipit të Deridasë, që definohet përmes kujtesës e cila nuk mund ta kthen të kaluarën, përmes aktit të rekolekcionit e që funksionon përmes imagjinatës, gjegjësisht shumësia e gjurmëve krijon shtojcën për atë që nuk mund të kthehet.

“Atë që kujtesa e humb në autenticitet, e krijon në konstruktivitetin e saj”. (Assman, 1999; 103)

Një shembull i shkëlqyer i pradigmës së kujtesës komunikative – kujtesa kulturore, që ka strukturë tjetër kohore e që funksionon në bazë të të kaluarës si traditë.

Ndoshta shekull gabova/E do të kisha lindur/Në qindvjetorin zero/Të erës skenderbegiane...Do të kisha sjellë/Qenien time shqiptare. (Di Maxho, 1988; 10)

Në tekstin Diskursi i historisë, Rolan Barti definon “relativitetin në objektivitetin historik si shenjues jo i formuluar e që qëndron pas referentit të fuqishëm - efektit real. Ambisi midis kohës së botës dhe kohës subjektive ndërlidhet përmes gjurmës nga e cila metastazon imagjinata e lidhjeve – rekonstruksioni i kohës. Pragma diskursive thotë që funksioni i narracionit nuk është të rrëfejë, por të krijojë, të instalohet e kaluara përmes efekt – shenjave apo gjurmëve, formim i diskursit fiksional, i diskursit të dëshirës – ekzilit në shkrim. Në funksion dy paradigma teorike: - paradigma teorike e Pol Rikerit dhe paradigma teorike e Zhak Deridasë. Dallimi bazik në metodologjinë dhe qasjen hermeneutike midis Pol Rikerit dhe Zhak Deridasë, qëndron në nocionizimin e kuptimit të identiteteve narrative. Për të parin, kuptimi i identitetit të subjektit të rrëfyer nuk mund të kapet, por mund të ndërmjetësohet përmes shenjave, simboleve dhe narracioneve. Mendoj për jetën si një rrëfim virtuel i artikuluar përmes rrëfimit. I afrohemi kuptimit të saj, vetëm përmes metaforave dhe simboleve kulturore. Është tejet provokative kuptimi i identitetit, i subjektit të rrëfyer të Deridasë, subjekt i bazuar në shpërthimet e diskursit. Është një kuptim me strukturë të hapur, disperzues, regjenerues, një kuptim që tek duhet të ndodh. Në kontekst, pragmat teorike demonstrojnë që kuptimi i tekstit regjenerohet në funksion të principit të dallimeve që krijojnë dhe interpretohen. Pragmatizmi teorik i diskursit fiksional të De Radës që bazohet në efekt – shenjën (Moti i madh – koha e Skenderbeut) – hiperbolizimin e kujtesës, dallon nga diskursi fiksional i Kate Xukaros, sepse identiteti i subjektit të rrëfyer te De Rada nuk relativizohet, kurse te Xukaro është në funksion hermeneutika / dekonstruksioni i subjektit që duke rrëfyer abjekton përmes shkrimit. (Lermë të mendoj / dua të mendoj... Vetëm unë qaj këtë vdekje...këtë vetmi të athët). Diskursi abjektiv i Kate Xukaros, duke qenë strukturë e hapur apo histori e pambaruar, flet për botën personale përmes së cilës në semiosferën sot / globalizimi – diversitetet kulturore, fluktualizohet ontologjia e të vërtetës historike sepse këtë e kërkon gramatologjia e shumësisë së botës.

Duke qenë letërsi abjektive, poezia bashkëkohore arbëreshe është demonstrim i denjë i mendimit të Pol Rikerit, që historia e humb identitetin e vet, nëse ndërpret raportin me fiksionin – në kontekst kujtesa e një kulture del nga specifika e shkrimit, që të sigurojë vazhdimësinë e mesazheve. Letërsia arbëreshe duke qenë ekzil në shkrim, duke qenë një letërsi abjektive për tu instaluar, është diskurs - shumësi fragmentesh, dhe se secili fragment përmes logjikës dekonstruksioniste - dallim që lidh, e nxit dhe i jep kuptim fragmentit tjetër (dallim që lidh: De rada – narracion / Kate Xukaro – interpretim) duke kështu u bërë pjesë integrale e narrativit të kombit, e narrativi i kombit pjesë integrale e gramatologjisë së shumësisë së botës.

 

Referenca:

Armando Gnisci, Litteratura globale et litteratures des mondes”, in Neohelicon, XXIX, 1, 2002.

Albreht Classen, New Dictionarity of the History of  Ideas, New York, 2005.

Charles Taylor, Multiculturalism, The Politics of Recognition, New York, 2002.

Petar Sloterdajk, Zur Welt kommen, Frankfurt, 1988.

Garcia Canlini, Consumer and citizenz. Globalization and multucultural conflicts, Minneapolis: University of  Minnesota Press, 2001.

Aleida Assman, Erinnerungsraume. Formen und Wandlungen des kulturellen

Gedachtnisses, Munchen: Beck, 1999.

Zef Sqiro Di Maxho, Vjeç të tua 500, 1988.

Julia Kristeva, An Essay on Abjection, New York, 1982.

Mieke Baal, Migratory aesthetics, Exit, no. 32, 2008.

Anton Nikë Berisha, Mbi tri vepra poetike të Zef Skiroit, Rilindja, Prishtinë, 1997.

Kate Xukaro, Gabim, Rilindja, Prishtinë, 1982.

Vorea Ujko, Hapma derën, zonja mëmë, Tiranë, 1990.



(Vota: 9 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora