E shtune, 20.04.2024, 12:52 AM (GMT+1)

Kulturë

Kinemaja rebele dhe heronjtë e saj të vjetër

E shtune, 14.04.2007, 08:05 PM


Quhen Jack Nicholson, Jane Fonda, Warren Beatty, Robert Redford, Vanessa Redgrave, Dustin Hoffman. Kanë dhënë veten e tyre në "Easy Rider", "They Shoot Horses Don‘t They", "Bonny & Clyde", "Butch Cassidy", "Blow Up", "The graduated". Këta janë filmat kult të një brezi të shqetësuar, të mbushur me dëshira për gjëra të reja, liri dhe rebelizëm. Në këtë vit (në 2007-ën) thuajse të gjithë presin të mbushin 70 vjeç

Nuk është koincidencë e datave, por e vitit të lindjes ajo që na bën të kujtojmë një kastë aktorësh magjikë, ata që dikur mbushnin ekranet dhe shtëpitë tona çdo ditë. Në të vërtetë është e pamundur të harrosh interpretimet e tyre të arrira në "Easy Rider", "Nuk vriten kështu edhe kuajt" "Bonny & Clyde", "Butch Cassidy", "Blow Up", "The graduated" e shumë e shumë të tjerë. Megjithatë, koha kalon, duke lënë mbi gjithçka, ashtu si edhe mbi ta, gjurmët e saj, sepse edhe pse nuk e mendon shpesh të rinjtë e dikurshëm plot pasion këtë vit mbushin 70 vjeç. Janë ata të paharrueshmit, magjikët e ekranit Jane Fonda, Jack Nicholson, Robert Redford, Dustin Hoffman, Warren Beatty dhe Vanessa Redgrave. Po, po, pikërisht këta aktorë dhe aktore, simbole të rinisë së përjetshme e perfeksionit, në këtë vit të bekuar (ose të mallkuar) 2007 mbushin 70 vjet. Ndoshta është shumë... ndoshta pak, sepse jeta të ofron mundësira të shumta për të jetuar, pavarësisht moshës. Dhe me ditëlindjet e tyre (Fonda më 21 dhjetor, Nicholson, 22 prill, Hoffman, 8 gusht, Redford më 18 të të njëjtit muaj, Beatty i mbushi në 30 mars, ndërsa Redgrave më 30 janar) ne detyrohemi t‘i bëjmë llogaritë me kujtesën, me herën e parë që i kemi parë në ekran, me imazhin tonë e të tyrin, të sotëm dhe të atëhershëm, kur hynë në fantazinë tonë, në universin tonë sentimental e politik. Ndonjëherë na detyrojnë t‘i bëjmë llogaritë me ta, që shpesh na kanë lënë pa fjalë dhe na kanë befasuar: "Barbarella", Hanoi Jane, pasionantja që u bë e "krishterë", pasi kaloi fazën e dobishme aerobike (që për hir të së vërtetës vazhdon të jetë e dobishme)? Warren Beatty, joshësi që i bënte femrat të çmendeshin pas tij, i cili u bë shumë vonë babai i qetë i familjes, i zbutur nga elegantja dhe qesharakja Annette Bening? Secili prej tyre ka autobiografinë e vogël të ekranit. Atëherë le ta nisim nga Dustin Hoffman, që nga shfaqja e tij e parë me syzet e tij "simpatike" te filmi "Laureato", se si e merrte dhe e përdorte bukuroshja dhe e mrekullueshmja Ann Bancroft. Ishte fillimi i vitit ‘68 dhe nga filmi i Nicholas dhe nga besimi e taktika e Dustin kuptohej gjithçka ose shumë: inati, mërzia, dëshira për gjëra të ndryshme dhe të reja njëkohësisht. Në ato vite, Jack Nicholson ishte në fillim, përkrah më të riut Peter Fona (që tani është 68 vjeç) dhe më të madhit Denis Hopper (që tani i ka mbushur 71 vjeç, i cili ka ndryshuar shumë filozofi dhe është bërë dukshëm më shumë konservator), avokati rebel i "Easy Rider", pastaj muzikanti i njohur, Robert Eroica Duprea në filmin "Cinque pezzi facili" dhe më pas akoma njeriu i fortë, gjakftohtë dhe dinak te "Conosenza carnale". Në të vërtetë, te "FIVE EASY PIECES" me personazhin kryesor, Robert Eroica Duprea (Jack Nicholson, personazhi quhet kështu, sepse në familjen e tij të gjithë kanë një emër muzikor) përpiqet të arrijë të bëjë shumë gjëra njëkohësisht. Pastaj e ka radhën ai, ndryshe nga të tjerët, biond, klasik dhe shumë i bukur: Robert Redfort. E kush regjisor mund t‘i rezistonte një aktori si ai. Edhe pse në atë film plot me bukuroshë skenat ia rrëmbente një aktor i madh si Paul Newman, që atëherë kishte bukurinë e një 44-vjeçari kundrejt 32 vjetëve të Sundance Kid (Robert Redford). Por, pastaj, Sundance Kid do të rritet për t‘u bërë padroni i madh, promotori kulturor, njeri i biznesit, themeluesi i festivalit më trendi në botë. Po vajzat?

Aristokratja Vanesa Redgrave ishte e magjishme, elegante, e thjeshtë në rolin e ish-gruas te "Morgan mato da legare", që përpiqet të bëjë më shumë djem për vete, madje më shumë se atëherë kur vendoste në fytyrë pudrën e saj, e cila e bënte aq të çuditshme e në të njëjtën kohë aq shik dhe akoma më të zhveshur kur hiqte rrobat në "Blow up". Kishte lindur një yll, të paktën kështu e kishin dekretuar kritikët e teatrit dhe publiku në Britani. Me ata dy filma kishte fituar famë ndërkombëtare dhe ishte bërë një ikonë, e cila ngeli besnike e vetvetes në thellësi të zgjedhjeve të saj: koha, Vanessa madhështore, la në mënyrë elegante gjurmë në rrugën e saj, ndërsa idetë e saj kanë ngelur të njëjta, duke injoruar kritikat e shumta në kurriz të saj. Ndryshe nga Jane Fonda, që me kalimin e viteve iu nënshtrua me të gjitha forcat, ka vazhduar të na ofrojë një imazh të shkëlqyer të gruas shik, vajzë aristokrate, duke luftuar prej kohësh edhe për një Amerikë më të mirë. E edukuar në Vassar, një debutuese e shkëlqyer në kinema, ka kaluar mes duarve të Roger Vadim, duke u bërë "Barbarella" e ëndrrës erotike të një brezi dhe duke u kthyer në rebelen e pakapshme dhe në aktoren e vërtetë të "Non si uccidono così anche i cavalli" dhe "Una squillo per l‘ispettore Klute", duke u shndërruar më pas në muzën e Jean-Luc Godard. Në vitet ‘68 dhe ‘69, së bashku me Susan Sarandom dhe shoqe të tjera të moshës së saj, filluan të manifestonin kundër luftës në Vietnam. Pastaj, shumë shpejt dhe me famë kaloi në vitet ‘70. Në dhjetëvjeçarin pas tij, Jane u bë një tjetër njeri: në vitin 1981 ajo xhiroi, siç dëshironte të bënte prej kohësh, një film e afroi përgjithmonë me familjen e saj. Në vitin 1982 nxori videot e para me ushtrime aerobike, (sepse i pëlqente të merrej me aerobi dhe kishte bërë edhe një shkollë për këtë), i frymëzuar nga libri i saj i aerobisë, ku shiti 17 milionë kopje dhe më vonë sërish 23 video të tjera, pesë libra dhe 13 emisione në radio. U martua me Turner, ndenji për 14 vjet rresht larg ekranit dhe kur u rikthye, u rikthye fuqishëm. Në vitin 2001 tregoi se kishte rigjetur besimin, se ishte një e krishterë. Edhe shoku i saj në filmin e Robert Redfort, "A piedi nudi nel parco" tashmë ka zgjedhur rrugën e privatësisë, të punës së vazhdueshme dhe të duruar. Janë plot 15 vjet, që të gjithë e "përgjojnë" dashamirësisht në atë që bën: gjatë Festivalit të Filmit në Sundance, në shfaqjet e shkurtra para medias, në skenën e inaugurimit në "Salt lake City" në "Park City", që është edhe selia qendrore e festivalit, kur shumë rrallë shoqëron ndonjë delegacion që e ka shumë për zemër, ose kur mirëpret të ftuarit, jurinë dhe shtypin në territorin e tij, në Sundance. Duket gjithnjë si një djalosh i butë, që vetëm buzëqesh dhe nuk e ndërron kurrë veshjen e tij sipas stilit të "Malboro Country". Ka plot 25 vjet që Robert Redford punon dhe lufton, me shumë para (të tijat) dhe shumë ide (të tijat dhe një grupi njerëzish të shquar), për të krijuar një kinema të pavarur ndryshe nga sistemi hollivudian. Një tjetër 70-vjeçar i mrekullueshëm, Warren Beatty, me shumë punë dhe shumë suksese mbi supe, por mbi të gjitha me shumë femra, tradhti e dashuri ka zbuluar kënaqësitë e familjes, që tashmë jeton i qetë përkrah gruas së tij dhe katër fëmijëve. Po Jack Nicholson? Gjithmonë shumë ironik dhe inteligjent, por mbi të gjithë një gjysh provokues. Është në pragun e të shtatëdhjetave, por traumën më të madhe e ka kaluar kur ishte 60 vjeç. Ishte pikërisht koha kur e ndiente veten ndryshe dhe kur filloi t‘i trembej vdekjes. Por kanë kaluar shumë vite që nga ajo ditëlindje. Tani e ndien veten me fat dhe vitaliteti fizik e seksual janë motivet për të cilat e ndien veten gjallë. Sigurisht është bërë më tolerant dhe vazhdimisht mendon se mosha e kufizon një aktor, sepse publiku është i drejtuar nga rinia dhe rolet për aktorët e moshës së tij janë pothuajse pa vlerë, si për shembull për vdekjen, për pensionet, ose më keq për iluzionet.

Megjithatë, deri tani i ka ecur gjithçka mirë, sepse ka luajtur edhe role të mrekullueshme si te "The departed" dhe në vend që të bëhej më konservator, e ka kuptuar se duke u plakur kërkon të jetë më provokues. Por mes këtyre 70-vjeçarëve të shkëlqyer, personazhi më i befasishëm është ndoshta Dustin Hoffman, aktori shtatshkurtër dhe me hundë të madhe (të patën kështu e përshkruan ai veten, duke ëndërruar gjithmonë të ishte i bukur) që arriti të mbijetonte në Hollivud, kur të gjithë regjisorët ishin drejtuar nga të bukurit dhe të rinjtë. Ka pasur vetëm dy gra, me të fundit është martuar prej 27 vjetësh, ka gjashtë fëmijë dhe 2 nipër, është demokrat, i qetë dhe asnjë revistë nuk ka shkruar apo përhapur thashetheme për të dhe familjen e tij deri tani. Ah, meqë ra fjala te ditëlindjet, shtatëdhjetë vjeç do të mbushë edhe

Anthony Hopkins, aktori i madh, një yll dhe tani regjisor debutues me një film të çuditshëm të prezantuar në Sundance (Festivali i Filmit që drejtohet nga Robert Redford). Ai mbush më 31 dhjetor ato vitet e arta dhe të gjithë ata që e duan e urojnë të mos vdesë kurrë. Megjithatë, në imazhin tonë nuk ka ngelur më i ri. Tani duket që po plaket. Të ngjall frikë dhe nuk di të buzëqeshë. Me pak fjalë është krejt ndryshe nga protagonistët tanë...

Jack Nicholson

Jam një gjysh provokues

Jam në pragun e të shtatëdhjetave, por traumën më të madhe e kalova kur mbusha 60 vjeç. Ishte pikërisht koha kur e ndjen veten ndryshe dhe kur fillon të ndiesh erën e vdekjes. Por kanë kaluar shumë vite që nga ajo ditëlindje. Tani e ndiej veten me fat dhe vitaliteti fizik e seksual janë motivet për të cilat e ndiej veten gjallë. Kam përshtypjen që jam bërë më tolerant. Është më e lehtë për mua të jesh vetëm. Ka qenë një periudhë e gjatë, kur mendoja se më mungonte ajri, nëse nuk shkoja në shtrat me dikë, ndërsa tani e vlerësoj vetminë time si luks. Të thirrurit gjysh më shqetëson disi, por jam krenar që kjo zgjati kaq shumë. Mosha e kufizon një aktor, sepse publiku është i drejtuar nga rinia dhe rolet për aktorët e moshës sime janë pothuajse pa vlerë, si për shembull për vdekjen, për pensionet, ose më keq për iluzionet.

Megjithatë, mua deri tani më ka shkuar gjithçka mirë: kam vënë re se ajo që mungonte në kinema ishte seksualiteti pas të pesëdhjetave dhe provova që ta mbushja këtë boshllëk. Në vend që të bëhem më konservator, e kam kuptuar se duke u plakur kërkoj të jem më provokues".

Jane Fonda

Është akti i tretë i jetës sime

Plakja nuk më tremb, sepse kam mësuar ta shijoj dhe ta jetoj jetën në mënyrë të thjeshtë. Jam në aktin e tretë të ekzistencës sime. Dëgjova se hyra aty kur mbusha 70 vjeç, duke shpresuar se do të jetoj deri te 90-at dhe ndihem më pak konfuze se në dy aktet e para. Kinemaja ka ndryshuar në mënyrë drastike, qëkur kam filluar karrierën time si aktore. Atëherë Hollivudi dominohej nga të mëdhenjtë si: Harry Coen dhe Jack Warner. Sot sigurisht që gjërat janë më të lehta. Unë ndalova së aktruari kur takova Ted Turner, sepse çdo herë që shkoja në xhirime e frikësoja për vdekje: "Barbarella" kishte qenë një agoni e pastër. Në atë kohë nuk kishte shumë pjesë të mira për gratë. Duhej lëvizja femërore dhe një dozë e lartë maturie për të mundësuar role më interesante. Kam punuar gjashtë vjet për të "ngritur në këmbë" "Coming house", ashtu si punova për të realizuar "Non si uccidono cosi‘anche i cavalli". Viti ‘68 ishte faza e kthesës për të gjithë, jo vetëm për mua".

Robert Redford

Problemi i të qenit i bukur

Preferoj të mos mendoj për vitet që kalojnë, fizikisht ndihem mirë, merrem me sport dhe bëj shëtitje në ajër të pastër sa më shumë të jetë e mundur. Nuk e kuptoj aspak fiksimin që Amerika ka për vitet që kalojnë. Nuk mendoj se të plakesh është edhe aq keq. Përkundrazi, është një gjë e mirë, sepse të lejon të ndash me publikun, kush je, ku je, e çfarë ofron. Në vitin 1967 më pranuan për "A piedi nudi nel parco", më pas për "Butch cassidy", që më bënë të famshëm. Dhe si çdo gjë tjetër, suksesi ka qenë një thikë me dy presa. Filluan të më pranonin për të luajtur filma, pasi thoshin se isha i bukur. E çuditshme, sepse kur isha i panjohur askush nuk ma thoshte diçka të tillë. Në fillim ngela i zhgënjyer. Pastaj kuptova se luku im ishte bërë një lehtësi për gjërat që duhet të bëja. Por unë e kisha seriozisht. Gjithmonë kam luftuar me seriozitetin dhe korrektësinë në punë dhe jo me bukurinë. Të paktën atëherë këto veçori vlerësoheshin shumë.

Dustin Hoffman

Vite të arta, që nuk i kuptova

Një nga gjërat më të bukura në moshën time është se kur ngrihem në mëngjes ndihem më i qetë dhe me më pak ankthe e frikëra se dikur. Për shembull, më pëlqen të shëtis në det e të shoh guaskat dhe preferoj më tepër ato që më ngjiten në kostumin e banjës kur shtrihem në rërë. Jam thuajse 70 vjeç dhe mendoj se është mirë të vazhdoj të plakem edhe për tridhjetë vjet të tjera. Çdo herë mendoj se kam gjysmë shekulli që jam aktor dhe më duket e pamundur... Në atë kohë nuk e dinim se po jetonim epokën e artë të kinemasë. Të xhiroje "Il laureato" për shembull, ka qenë një sfidë e përditshme. Regjisori Mike Nicholas ishte guximtar që më zgjodhi për një rol, i cili ishte i përshtatshëm për Robert Redford. Isha 30 vjeç dhe më duhej të luaja rolin e një 21-vjeçari. Deri në atë kohë nuk kisha pasur kurrë një rol protagonisti. Dhe publiku mendonte: "Dreq, është një film i bukur, sa keq që aktori është i gabuari".



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora