E enjte, 28.03.2024, 06:48 PM (GMT)

Kulturë

Mejdi Asllani: Nga skëterra përmes luftës në krenari (XXVII)

E hene, 25.04.2011, 06:57 PM


Nga skëterra përmes luftës në krenari (XXIVII)

 

Nga Mejdi Asllani

 

Malësor- Malësore!... në kohën time të adoleshencës, nuk i kushtoja rëndësi këtij emërtimi, duke menduar se është vetëm një term gjeografik për vendbanimin e njerëzve të caktuar, të cilët jetojnë dhe banojnë në vise të larta kodrinore malore dhe janë shtatlartë e të fuqishëm, me çka dallojnë nga qytetarët dhe rrafshjanët.. Më vonë kuptova se është një titull apo gradë për njerëz të caktuar, me virtyte të larta humanitare, që mundë të jenë të lindur dhe jetojnë edhe në kryeqytet, por i posedojnë këto virtyte, me gjithë se janë të rrallë.

 Shumë herë kisha dëgjuar nga pleqtë e kohës të thonë; filani e ka gruan Malësore, edhe pse ajo, farë nuk ishte shtatlarte, por i kishte sjelljet shumë njerëzore. Mendoj se gjeneza e mendimit pozitiv për njerëz të caktuar, vjen nga se Shqiptarët banor të viseve të larta malore, ishin më pak të ekspozuar asimilimit dhe pranimit të kulturave dhe traditave të huaja gjatë robërisë të stërzgjatur. Mendimin tim për këta persona e shtjellova nga se personalisht kam pasur rastin të takojë njerëz me këso tipare. Edhe pse për këta njerëz nuk parashihet ndonjë mirënjohje zyrtare, vlerësimin dhe notën më të lartë e marrin nga vetë kombi të cilit i takojnë. Një ndër takimet më njerëz të tillë e kisha edhe në rastin kurrë. Me  tu ndarë nga prof. Mujë Rugova, shkova drejt në Gjilan, e mora djalin tim Bekimin. Me një taksi erdhëm në Prishtinë sa për tu përshëndetur me familjen dhe u nisëm për në Ulqin. Ndarja ishte aq e rëndë për familjen time dhe për mua, sa s’mund të përshkruhet. I tëri isha i mpirë, nga se në shtëpi më mbetën Gruaja e pa emancipuar dy vajza të mitura dhe djali Asllani që atëbotë ende nuk i kishte mbushur 16 vjet. Në ndarje u detyrova ti them Asllanit; bir ty po të mbet shtëpia dhe familja në përkujdesje, kujdesu për ta.

Në stacionin e autobusëve morëm autobusin për Pejë, diku pas gjysmës së natës arritëm në Ulqin, Ulqinin si qytet nuk e njihja fare, nga se kur nuk kisha pasur mundësi ta vizitoja për kënaqësi. Ashtu duke bredhur rrugëve të Ulqinit për fat tonin pamë një shitore ngjyrash të hapur. Pronari kishte qenë duke bërë rekapitullimin e gjendjes. I trokita në derë dhe e pyeta nëse më lejon ta bëjë një telefonat. Më pyeti se kujt do ti telefonoja?, unë ju përgjigja Dul Asllanit nëse e njeh. Po më tha e njohë dhe kam respekt për të. Prandaj tregoj se je në shitoren time duke ma thënë emrin dhe mbiemrin. Ende pa kaluar gjysmë ore nga telefonata, Duli arriti me veturën e vet para shitores. Pronari më tha; Ja se të erdhi Duli. Me të hyrë në shitore u përshëndetëm ngrohtësisht sikur të kishim qenë shok që moti. Unë nuk e njihja Dulin edhe pse ai kishte studiuar Kiminë po në atë fakultet ku kam punuar unë. Pas një bisede të shkurtër mes Dulit dhe pronarit të shitores, Duli më tha; Eja të nisemi se sigurisht jeni lodhur, rruga Prishtinë Ulqin nuk është edhe aq e shkurtër. Pasi ju falënderova pronarit për mikpritjen si na e bëri duke na pjekur edhe kafe. Morëm rrugën për në Shtoj, fshatin e Dul Asllanit. Kaluam përmes Vlladimirit dhe diku rreth orës dy të pas mesnatës arritëm në shtëpinë e Dulit. Të gjithë anëtarët e rritur të familjes i gjetëm zgjuar, sikur të mos kishin rënë fare me fjet. Na përshëndetën aq ngrohtësisht sikur të kishim qenë miq të respektuar të familjes e jo hallegjinjë, që nuk ishim njohur më parë. Nusja e Dulit na kishte përgatit bukë, dhe pas pak na ftoi të hamë. Unë u mbrojta pak duke thënë se kem ngrënë në Podgoricë. Sepse më vinte keq, që në atë mesnatë të i fusim në telashe. Por kotë, mbrojtja ime nuk qoj peshë fare. Edhe prindërit e Dulit edhe nusja e tij njëzëri na than se buka është e shtruar dhe se s’kemi pse ngushtohemi por duhet ta ndiem vetën si në shtëpinë tonë. Pas buke erdhën edhe kafet, sikur të ishte mesi i ditës, e jo ora dy pas mesnate. Te asnjë anëtar i familjes nuk vërehej fare përtesë, vërtet të bënin të ndihesh më mirë se në familjen tënde. I Ati i Dulit propozoj të biem në gjumë, duke thënë; këta njerëz kanë bërë do rrugë, sigurisht janë të lodhur, a i keni shtrua shtretërit, Nusja e Dulit u përgjigj, vendet janë të shtruara, kur të doni mundeni me dalë në dhomën tjetër.

Të nesërmen, Duli me të vëllanë, ishin zgjuar para neve dhe e kishin vëzhguar terrenin në vijën kufitare. Dikur u zgjuam edhe ne, mëngjesi kishte qenë i përgatitur, pasi e pastruam fytyrën, na ftuan që të ulemi pran tavolinës për të ngrënë mëngjes. Pa hezituar Duli na lajmëroi se kufiri për momentin qenka shumë i mbikëqyrur nga forcat kufitare, ku ta ditësh se pse. Tani duhet të presim ndonjë ditë, gjer sa të lirohet pak. Këtu jeni të sigurt s’keni pse mërziteni.

Me të kaluar ditët neve e ndienim vetën gjithnjë e më mirë, me që e pamë se kësaj familje nuk i vinte mërzi fare nga prezenca e jonë. Filluam edhe të familjarizohemi, Nëna e Dulit filloj ta duaj Bekimin, shpesh më thoshte; I kam pasur dy zogj, tani i kam tre zogj. Dhe kështu kaloi më se një javë qëndrimi në këtë familje me tradita të lashta Shqiptare, për çdo lakmi. Një ditë Duli na lajmëroi se kalimi i kufirit është i mundur dhe se është marrë vesh me lundërtarin për ta kaluar Bunën. Shpejt u bëmë gati, u përshëndetëm me gjithë anëtarët e familjes Asllani. Duke i falënderuar nga zemra për mikpritjen madhore si na e bënë, zbritëm te lumi. Aty kishte qenë duke na pritë lundra e peshkatarit. Hipëm në të dhe dolëm matanë Bunës. Peshkatari u kthye prapë me lundër ndërsa ne, vazhduam një pjesë të rrugës këmbë. Në një udhëkryq takuam ca burra që shkonin drejt një fshati, pa i pyetur kush, ju drejtuan Dulit, duke i thënë se pak më atje në rrugë janë patrulla e policisë Shqiptare dhe mund të ju arrestojnë. Unë e shikova Dulin, Duli më tha se janë duke gënjyer, mos u bënë merak.

Me që ishte hera e parë si këmba ime shkelte në tokën e ëndrrave, tokën e pa ndotur nga çizmja e Serbit, i tëri isha i mpirë nga emocionet. Ky far lloji i sjelljes së këtyre banorëve të rrethinës së Shkodrës, më ra si një grusht në gjoks, sepse prisja shumë ngrohtësi. Po të mos isha në halle të mëdhaja, këtë gjest do ta pranoja si gjë normale. Sepse njerëzit nuk janë njësoj, andej e këndej. Pas pak morëm një furgon i cili na shpiu gjer në Shkodër. Në Shkodër hymë në një kafiteri duke pritur autobusin për Tiranë. Kafiteria ishte e stërmbushur me njerëz shumica qëndronin në këmbë. Me që nuk kishte kaluar kohë e gjatë i tranzicionit nga ndërrimi i sistemit politik. Popullata kishte hallin e mbijetesës ekonomike. Andaj edhe diskutonin me të madhe për mënyrat e fitimit të Lekut përmes bizneseve. Shkodranët, edhe pse e flasin gjuhën njëjtë si ne në Kosovë, unë gjysmën e fjalëve nuk ua kuptoja nga se dallojnë nga viset tjera me shpejtësinë e të folurit mbase veshi imë nuk ishte mësuar ta përcjell atë shpejtësi të formulimit të fjalëve.

Nuk vonoi shumë dhe arriti autobusi për Tiranë, që të tre hymë në të. Duli i pagoi biletat, po sa u nisë, shoferi e kyçi radion dhe me të madhe ia lëshoi zërin. Këndonte Lepa Brena këngë serbe, pas kësaj Ceca, e dreqi e i biri, të gjitha këngët Serbisht, sikur të ishim në mes të Shumadisë. Unë e kisha zemrën varë të hapur, nga se Serbët më kishin detyruar të lë familjen në mjerim dhe të merrja botën në sy, për ta shpëtuar djalin dhe vetën. Këto këngë më shkonin sikur kripa në varë. E luta Dulin që të intervenoj te shoferi për të kyçur ndonjë këngë shqip. Por kot, shoferi i tha; Kujt mos ti dëgjohen le të zbret. Duli u kthye te unë dhe më tha; mos ia verë veshin se këta nuk e dinë se kush është Serbi, nuk kanë përvojë me ta, vetëm këngët e tyre u pëlqejnë.

Kështu vazhduam rrugëtimin për në Tiranë, pa e dëgjuar edhe një të vetme këngë shqipe. Kur arritëm në Tiranë, me të zbritur nga autobusi lëshova një frymë të madhe nga gjoksi, sikur kur njeriu del nga ëndrra e keqe. Hë ç’ma ka kop barkun ky far majmuni, i thash Dulit, Duli vetëm u buzëqesh.

Shkuam me autobus lokal në një lagje të Tiranës trokitëm në derë të një shtëpie, aty banonin dy anëtarë të moshuar burrë dhe grua. Na pritën me ngrohtësi, Duli më tha se këtu do banonim gjer sa të rregullohet puna për të shkuar në Zvicër, e pyeta pronarin e banesës se sa më kushton banimi në atë shtëpi?, pronari më tha se këtë punë e ka rregulluar me Dulin dhe se unë nuk kam kurfar obligimi për pagesë. Në ndërkohë Duli kërkoi falje për tu larguar sepse duhej kthyer në shtëpi të vet, na tha se do të na vizitoj së shpejti. U përshëndetëm dhe Duli shkoi.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora