E shtune, 20.04.2024, 09:42 AM (GMT+1)

Mendime

Arben Llalla: ''Serumi'' i skaduar i Berishës për Elbasanin

E hene, 25.04.2011, 07:57 PM


“SERUMI” I SKADUAR I BERISHËS PËR ELBASANIN

 

( Qazim Sejdini – njeriu që u përket të gjithë elbasanasve! )

 

Nga Arben LLALLA

 

Që kur ka filluar fushata e zgjedhjeve për pushtetin vendor, Kryeministri i Shqipërisë, z.Sali Berisha, brenda 15 ditëve ka marrë pjesë në dy mitingje në Elbasan, duke kërkuar me këmbëngulje votën e qytetarëve për përfaqësuesin e tij, z.Durim Hushi, i cili, vetëm pak kohë më parë braktisi PS për të vazhduar karrierën e interesave personale në LSI. Gjatë organizimit të dy tubimeve nuk ka patur pjesëmarrës që vijnë nga të papunët e shumtë të këtij qyteti, por punonjës të administratës shtetërore. Kjo tregon se z.Berisha ka ndezur të gjithë motorrët e mekanizmave shtetërorë për t’u paraqitur nëpër mitingje me një pjesëmarrje sa më të madhe. (Deri ditën e zgjedhjeve më 8 Maj Berisha do organizoje personalisht edhe dy mitingje të tjera për të kërkuar votat për kandidatin e tij, ish-anëtarë të Partisë së Punës).

 

Dallimet e fushatës midis dy kandidatëve

 

Kryetari aktual, i cili kërkon një mandat të dytë për përfundimin e projekteve të nisura, z.Qazim Sejdini, bën një fushatë të thjeshtë, duke bërë takime me qytetarët derë më derë, duke mos u shoqëruar nga asnjë drejtues i bashkisë. Me thjeshtësinë që e karakterizon, ai kërkon votëbesimin e çdo bashkësie të shoqërisë, pa bërë dallime partiake, feje dhe etnie. Qazim Sejdini ulet me njerëzit e thjeshtë aty ku i sheh, duke punuar bahçen, në trotuaret ku shitet gjithshka për të nxjerrë kafshatën e gojës, nëpër kafenetë e thjeshta ku njerëzit e papunë pinë kafenë e lirë, duke diskutuar rreth halleve të tyre, për papunësinë dhe rrugët e daljes nga gjendja e rëndë ekonomike që e ka mbërthyer Elbasanin. Kryetari i Bashkisë, z.Sejdini, diskuton me komunitetin rom, i cili ende mbetet i paintegruar në jetën e arsimit të mesëm dhe të lartë, me këtë popullsi që ka mbijetuar duke kryer punëra të rëndomta. Gjatë takimeve me ta ai ofron gjithnjë zgjidhje që edhe kjo bashkësi e shoqërisë sonë të mund të punësohet në sektorë të ndryshëm, duke u integruar në jetën e shoqërisë.

Në qytetin e Elbasanin jetojnë edhe dy bashkësi të mëdha, të cilat janë me origjinë nga trevat shqiptare që sot gjenden në Greqi, Kosovë dhe Maqedoni. Bëhet fjalë për komunitetin çam, i cili jetojnë në shumicë përtej urës së Zaranikës dhe urës së Shkumbit. Çamët të cilët u masakruan dhe u dëbuan nga vatrat e tyre në vitin 1945, një pjesë e tyre ngritën jetën e re në lagjet periferike të qytetit tonë. Në këto lagje, të cilat gjatë regjimit komunist ishin në mjerim të madh. Gjatë mandatit të tij z.Qazim Sejdini vuri në qendër të Elbasanit përmendoren e përkujtimit të Genocidit grek mbi popullsisë shqiptare nga Çamëria, një akt kombëtar i kryetarit të bashkisë së Elbasanit. Kjo përmendore është një shenjë respekti dhe kujtimi për rreth 2.500 çamë që u masakruan dhe vdiqën gjatë rrugës për t’u strehuar në Shqipëri.

Në katër vitet që drejton bashkinë, z.Qazim Sejdini diti të kujdeset edhe për ato familje elbasanase që origjinën e kanë nga trevat shqiptare në Kosovë dhe Maqedoni, për elbasanasit që  ndër vite jetojnë në masë të madhe në Lagjen Fushë-Mbret. Ai mundësoi binjakëzimin midis dy bashkive, të cilat kanë një kulturë, i përkasin të njëjtit popull, që flasin një gjuhë, por që jetojnë në dy shteteve, Maqedoni dhe Shqipëri. Pas binjakëzimit midis qytetit të Tetovës dhe Elbasanit, në pak muaj u arrti që të hapet zyra e koordinimit të dy bashkive, zyrë e cila kujdeset për propagandimit në fushat e ekonomisë, historisë, kulturës dhe ekologjisë. Shpeshherë z.Sejdini ka zhvilluar takime edhe me qytetarët elbasanas të cilët kanë krijuar familje në Tetovë edhe më gjerë, duke treguar një kujdes për këta njerëz edhe pse jetojnë në një shtet tjetër, por që origjinën dhe të drejtën e votës e kanë në Elbasan. E pra, njeriu i kulturës kombëtare di të kujdeset për të gjithë qytetarët e qytetit të tij, duke mos bërë dallime racore, feje, etnie dhe origjine. Për një Elbasan me dinjitet, kulturë dhe zhvillim ekonomik, për të gjithë ne, edhe pse mund të vijmë nga parti të tjera politike.

Ndërsa kandidati tjetër, z.Durim Hushi, vjen nga një karrierë e gjatë, duke drejtuar dikur Uzinën sekrete të Energjitikës të Metalurgjisë, të cilit Partia e Punës ia kishte besuar për disa vite. Dhe kuptohet, z.Durim Hushi i shërbeu me devotshmëri besimit të Besnik Bekteshit dhe të bllokmenëve të tjerë. Kandidati i kryeministrit Berisha vjen pasi ka shijuar për katër vite kolltukun e butë të Prefektit të qarkut të Elbasanit dhe gëzuar tetë vite mandatin e deputetit, duke luajtur role të ndryshme në skenën e Kuvendit të Shqipërisë. Ai i përket garniturës së politikanëve që nëpër zyrat e fshehta nënshkruajnë marrëveshje politike për përfitime personale dhe jo për ti shërbyer zgjedhësve që i kanë besuar votën e tyre. Gjatë fushatës z.Hushi është parë në takime me pedagogë, punonjës të spitaleve dhe të administratës shtetërore, gjë që të lenë shumë për të dëshiruar. Pra, ai kërkon votën e atyre votuesve që janë nëpër vende pune të sigurta dhe që i përkasin partive në pushtet. Kuptohet qartë se zgjedhja e tij për kryetar bashkie është për të ruajtur pozicionet e pushtetit dhe jo për t’i shërbyer qytetarëve të thjeshtë.

Një fakt i çuditshëm është se z.Durim Hushi kërkon votat e të djathtës shqiptare, të asaj kategorie, ndaj së cilës ai ka qenë gjithnjë një kundërshtarë i fortë. Kjo më duket ironike dhe absurde, sepse dihet tashmë që dikur z.Durim Hushi ka qenë drejtues i një ndërmarrjeje të sistemit komunist, i ka shërbyer me devotshmëri linjës së Partisë së Punës. Pas viteve 1990 ai u ingranua në Partinë Socialiste, duke qenë përsëri për 20 vite kundërshtar i së djathtës, i PD, PR, PLL etj. E pra, kandidati që na ofron në këto zgjedhje krahu i djathtë politik, më duket i papërshtatshëm, i skaduar dhe i injoruar politikisht, sepse, pranë viteve të pensionimit, z.Hushi bie në kundërshtim me parimet e tija majtiste, duke bërë një rrotullim 360%. Kësaj i thonë: “Mirmëngjes, o interes!”.

Këtë herë, z.Sali Berisha nuk e ka qëlluar mirë zgjedhjen e kandidaturës të së djathtës për Elbasanin. Ai na ka ofruar “serum” të skaduar për ne që gjithnjë ishim në ballë të lëvizjeve demokratike. Meqenëse serumi i skaduar i Berishës mund të na vërë në gjumë të thellë, mund edhe të na helmojë politikisht, atëherë e djathta elbasanase duhet të votojë për të keqen më të vogël, për njeriun, i cili, edhe pse i përket Partisë Socialist, është kujdesur njëlloj për të gjithë qytetarët e Elbasanit. Ai e meriton që t’i besohet vota jonë edhe për një mandat të dytë, sepse ka ditur të ruajë vlerat kombëtare dhe familjare. Puna e tij në këto katër vite është vlerësuar nga shumë Organizata Botërore duke e nderuar me Mirënjohje z.Qazim Sejdinin, njeriun që i përket të gjithë elbasanasve.



(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora