E shtune, 20.04.2024, 12:00 PM (GMT+1)

Kulturë

Sir Anthony Hopkins: nga një shpirt rebel, tek i përkëdheluri i Hollivudit

E hene, 21.05.2007, 08:02 PM


Jemi takuar në vendin e preferuar buzë detit të aktorit të famshëm, në hotelin "Fairmont Miramar" në Santa Monika. "Rrija gjatë këtu deri përpara se të zhvendosesha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës", thotë Hopkins, duke treguar se bashkëshortja e tij e tretë, Stella Arroyave, vjen rregullisht për të ngrënë në hotel, ndërkohë që banojnë pak milje më tej në brigjet e Malibusë. Më drejton te një tavolinë në barin e hotelit dhe vështron drejt paqësorit. "E dini, kalova këtej përpara 30 vjetësh dhe qëndrova (nënshtetësinë amerikane e ka marrë në vitin 2000). Disa njerëz në Britani thonë se u shita, por kjo nuk më shqetëson. Jam një i droguar pas plazheve. Më pëlqen ta shijoj jetën, thotë duke qeshur. Të shëtis nëpër plazh, të pikturoj, të lexoj…".

Është një mëngjes i ngrohtë e plot diell dhe ylli, dikur shumë i njohur për shijet e pazakonta dhe ashpërsinë që tregonte karshi gazetarëve, është me humor të shkëlqyer, i gatshëm të flasë për gjithçka, megjithëse duhet të theksoj se gjithçka di të thotë çdo gjë tjetër përveç karrierës së tij të shkëlqyer. Titullin e kalorësit e mori në vitin 1993, por duket se është diçka që nuk i pëlqen shumë. "Vijnë e më drejtohen me ‘Sër Hopkins‘, qesh, por u them të gjithëve të më thërrasin thjesht Toni".

Është personifikimi i njeriut me shëndet të mirë. Me flokët e bardhë të hedhur me kujdes prapa kokës, duket në formë të mirë dhe mjaft i qetë. Tashmë në moshën 69-vjeçare, mënyra si e sheh kinemanë ka ndryshuar rrënjësisht. "Nuk kam më nevojë t‘i provoj vetes nëse jam apo jo i aftë; nuk më intereson fare ç‘mendojnë të tjerët; me kuptimin e plotë të fjalës, mësoj përmendësh pjesët e mia dhe luaj para kamerës. Por kam filluar të mendoj se kam gjëra më të mira për të shpenzuar kohën në sheshin e xhirimeve. Kështu që kam nisur të bëhem mjaft selektiv". Po përse atëherë vazhdon të luajë në kaq shumë filma? Gjatë dy viteve të fundit ka luajtur te filmi "Proof" me Gwyneth Paltrow, në "The World‘s Fastest Indian", "All The King‘s Men" dhe "Bobby". Në planet e tij përfshihen thrilleri që pritet të dalë së shpejti me titullin "Fracture", "Beowulf", i bazuar në poemën e famshme epike anglosaksone, nën regjinë e Robert Zemeckis, ku përkrah do të ketë Angelina Jolie dhe John Malkovich, si edhe në dramën e re të James Ivory "City Of Your Final Destination", ku do të luajë bashkë me Laura Linney. "Me të vërtetë nuk e di", thotë teksa pi një gllënjkë çaj të ftohtë. Sa më pak interes kam unë, aq më shumë role më ofrojnë, dhe nëse më duken interesantë i pranoj. Jeta është vërtet e mrekullueshme".

E me gjithë indiferencën që shfaq në dukje, biseda me aktorin vazhdon me pjesët që i kanë ofruar, filmat mbi të cilët është duke diskutuar dhe emra të mëdhenj hollivudianë, shenja që tregojnë se përkundrazi ai është ende i përfshirë e i tërhequr nga bota e filmit. "Morgan Freeman më telefonoi dje dhe më tha: Të pëlqen të luajmë edhe një film tjetër bashkë? Unë, ti dhe Bill Macy? I thashë: Po, mirë. Bëhet fjalë për dy tipa që drejtojnë një muze ku vërtitet një vjedhës veprash arti. Është film mjaft i këndshëm, por unë nuk është se e marr shumë seriozisht. Kjo periudhë e jetës sime është mjaft e qëndrueshme, pasi tani e vlerësoj jetën shumë më tepër nga vitet e shkuara", thotë Hopkins. "Kur isha i ri, në kulmin e sjelljeve vetëshkatërruese, kalova përgjatë një periudhe ku pija shumë dhe e teproja me gjithçka". Që nga viti 1975 nuk pi asgjë tjetër përveç çajit. "Shoh të rinj të talentuar që bëjnë si të marrosur dhe them me vete se edhe unë dikur isha i tillë. Kthesa ndodhi me ardhjen në Kaliforni dhe me ndërgjegjësimin që kisha rënë në probleme mjaft serioze, të cilat do të më shkaktonin edhe më shumë kokëçarje në të ardhmen. I tash vetes, se nuk mund të vazhdoja të isha më pre e depresionit sa të isha gjallë. Kështu që hoqa dorë dhe jeta e nisa të ndërroj faqe gradualisht. Brenda meje nuk gjendet më qoftë edhe një grimë e vetme cinizmi".

Sjellja prej njeriu të ngopur nga jeta mund të merret për vetëkënaqësi, por gjëja interesante është se kjo gjendje nuk ka ndikuar në punën e tij në kinema, përkundrazi. Përgjatë viteve i është dashur të bëjë disa zgjedhje mjaft të vështira për sa i përket karrierës: filma si komedia "Bad Company", ku luajti me Chris Rock, "Aleksandri" i Oliver Stone, apo dështimin e vitit të shkuar "All the King‘s Men" me Sean Penn dhe Jude Law. Por është shumë i kënaqur me filmin e fundit, "Fracture", ku luan rolin e një shkencëtari të shkëlqyer që zbulon se bashkëshortja është lidhur me dikë tjetër dhe nis të planifikojë vrasjen e saj. Janë mjaft të dukshme ngjashmëritë mes Ted Crawford, karakterit të "Fracture" dhe një prej personazheve të tij më të famshme, Hanibal Lecter, i cili i dhuroi edhe çmimin e parë "Oscar". Që të dy janë makiavelikë, krejt të pamoralshëm dhe mjaft tërheqës. "Fracture është vërtet film i mirë, ndoshta një nga filmat e mi më të mirë", thotë. "Luaj rolin e një burri që vret të shoqen, por nuk është Hanibal Lecter, edhe pse ngjashmëritë janë të shumta. Polici që e arreston është edhe i dashuri i gruas, kështu që kemi të bëjmë me hakmarrje. Është padyshim një nga eksperiencat më të kënaqshme që më ka dhuruar ndonjëherë kinemaja. Pjesa ishte shkruar shumë mirë. Crawford është si Jago; ruan letra nën mëngë. Është skenar i shkruar me shumë zgjuarsi dhe nuk të bie shpesh rasti të hasësh në të tillë ditët e sotme. Pjesëmarrja në këtë film ishte vërtet një trokitje e fatit".

Nëse do të besonim ato që thotë Hopkins, karriera e tij është bazuar shumë më tepër te fati se te talenti. "Më e shumta është fat. Madje kurrë nuk e kam konsideruar veten aktor të madh. Shoh kolegët në teatrin e Londrës dhe vërej se janë shumë më të aftë se unë. Jam thjesht njeri që fati i ka buzëqeshur", thotë duke ngritur supet. Karrierën e nisi si aktor teatri, por kurrë aty nuk gjeti dot atë kënaqësi që i dhuron kinemaja. "Teatri nuk kishte asgjë që nuk shkonte. Laurence Olivier ishte magjepsës. Po kështu edhe të tjerët me të cilët pata fatin të punoja. Por duket se nuk e kisha këmbënguljen që kishin ata njerëz". Debutimin në kinema e bëri në filmin "The Lion in Winter" me Katharine Hepburn dhe Peter O‘Toole, 40 vite më parë dhe u shkëput krejtësisht nga teatri në fillimin e viteve ‘80. "Nuk e kthej më kokën prapa. Madje nuk shkoj më as në kinema". E pyes mbi performancën e mrekullueshme te "The Remains of the Day", e cila e renditi mes një prej kandidaturave kryesore për marrjen e çmimit "Oscar". "Po, më pëlqeu së tepërmi të punoja me Emma Thompson. E megjithatë nuk iu përkushtova shumë atij roli".

Me gjithë mungesën e gjatë, Hopkins shihet si një ndër aktorët më të talentuar të Britanisë. "Nuk kam dëgjuar kurrë të flitet për një gjë të tillë (qesh), e megjithatë nuk është shumë e rëndësishme. Mendoj se aktrimi është diçka që e kryej me shumë lehtësi, ndërkohë që më pëlqen të jap mësim. Ndonjëherë jap mësim edhe këtu në Santa Monica, por nuk është shumë e rëndësishme. Spencer Tracy dikur i tha aktorit të madh Laurence Olivier: Si mendon, ç‘mendojnë njerëzit për ty? Dhe kishte të drejtë. Po të hiqja dorë nga aktrimi nesër, bota do të vazhdonte të rrotullohej".

Aktorin mund ta irritosh vetëm po ta pyesësh për karrierën apo profesionin. Nuk i pëlqen asnjëra nga fjalët, nuk pranon të hyjë në diskutime mbi teknikën dhe aq më tepër për metodën e tij të aktrimit. "Për mua është thjesht diçka e mërzitshme, jam shumë dembel, nuk jam akademik. De Niro u bë shofer taksie, apo jo, te ‘Taxi Driver‘. Mendoj se një gjë e tillë është pozitive. Por vetë nuk kam interes ndaj këtyre gjërave. Mendoj se në këtë rast ka shumë aktrim. E kuptoni ç‘dua të them? Bëhet fjalë për teprim. Spencer Tracy ishte aktor shumë më realist. Unë jam pak a shumë i tillë. Po për sa i përket nominimit në rolin e Niksonit në filmin e Oliver Stone? "Epo, mirë, kjo është një pikë që më ngacmon imagjinatën", thotë duke tundur kokën. "Nuk doja ta bëja, thashë jo. E megjithatë Oliver Stone është regjisor i madh dhe ia doli të më vinte nën presion".

Por është një film mbi të cilin aktorit të madh i pëlqen të flasë. Titullohet "Slipstream" dhe mendohet të shfaqet nëpër kinema muajt e ardhshëm, ndërkohë që vetë Hopkins ka shkruar skenarin e tij, e ka drejtuar dhe njëkohësisht ka kompozuar edhe muzikën. Kur u shfaq në "Sundance Film Festival", kritikat ishin nga më kontradiktoret. Reporteri i Hollivudit e quajti një "karagjozllëk i mrekullueshëm kinematografik", por Hopkins duket se ka fituar imunitet ndaj kritikave.

"E shkrova thjesht për kënaqësi, kaq është e gjitha. Ishte ideja e gruas sime. Më tha: Përse nuk shkruan një skenar? Kështu që unë shkrova një skenar. Është një lloj fantazie dhe as që e kisha idenë ç‘do të ndodhte. Ende nuk e kam fort të qartë. Por e mbarova skenarin dhe i thashë vetes se është vërtet i mirë. Ia dërgova Spilbergut dhe tha: Është vërtet skenar i mirë, por do të të mundojë shumë për të gjetur dikë ta financojë. Bëhet fjalë për një film brenda një filmi. Është si një shaka që ironizon mbi profesionin e aktrimit dhe mbi vetë jetë. Por nuk duhet marrë aq seriozisht".

Në të Hopkins luan me Christian Slater dhe Fionnula Flanagan. "Luaj rolin e shkrimtarit që ka shkruar skenarin", thotë Hopkins, i cili në këtë film i ka dhënë një ndër rolet kryesore bashkëshortes së tij 49-vjeçare. A mos është ky një rast i pastër nepotizmi? "Jo, shumë vite më parë ka punuar si aktore. I thashë: Është një rol që të përshtatet, nëse do. Më tha: Nuk mundem. I thashë: I kam vetë gjërat në dorë, mund të të pushoj në rast se nuk më pëlqen". Pastaj mërmërit. "Nuk kishte luajtur për vite të tëra dhe punoi mjaft mirë. U përfshi shumë, madje më ndihmoi shumë gjatë fazës së produksionit".

Shkëlqen i tëri kur vjen fjala te bashkëshortja, ndërkohë që nuk i pëlqen aspak të flasë për martesat e shkuara dhe për të bijën e vetme që banon në Londër. Nuk i pëlqejnë aspak pyetjet e natyrës personale, por shpesh përmend bashkëshorten aktuale gjatë bisedave, duke u shprehur se kjo martesë i ka sjellë qëndrueshmëri në jetë dhe një ndjesi qetësie që nuk e kishte provuar kurrë më parë. "Kemi një lidhje që më pëlqen shumë. Kemi gjithashtu një jetë të këndshme dhe kënaqemi shumë me njëri-tjetrin. Duket se kemi gjetur ritmin e duhur".

"Sa për pikturën, ishte pikërisht bashkëshortja që më shtyu". Ai duket shumë më i pasionuar pas pikturës se pas aktrimit. "Kemi edhe biznesin tonë të pikturave, fitimet e të cilit shkojnë për bamirësi, gjithashtu dizajnojmë edhe bluza. Hapa një ekspozitë me punët e mia në San Antonio të Teksasit pak kohë më parë dhe do të hap edhe një tjetër në Vegas gjatë këtij muaji". "Nuk di të pikturoj, thotë, por dua të pikturoj: abstraksione, peizazhe e gjëra të tilla. Njerëzit paguajnë shumë para për to, nuk e di mirë përse", thotë me një shprehje çudie në fytyrë. "Besoj se u pëlqejnë ngjyrat. Përdor ngjyra shumë të gjalla. Për ekspozitën e ardhshme më duhet të kem gati dhjetë piktura të tjera, kështu që kur të mbarojmë bashkë, do të kthehem në shtëpi dhe do të pikturoj gjatë gjithë kohës".

"Me muzikë merrem kur nuk pikturoj", vazhdon më pas. "Kam luajtur gjithnjë në piano dhe më ka pëlqyer të jem muzikant dhe tani kam kohë për këtë. Më pëlqeu shumë të shkruaja muzikën e filmit tim dhe e kompozova të gjithën brenda dhjetë ditëve".

Pasi thotë këto fjalë, sheh me shqetësim orën dhe tregon se makinën e ka parkuar në një parkim të kronometruar dhe se tashmë koha ka mbaruar. "Mund të më shoqërosh deri te makina në rast se të pëlqen", thotë dhe vazhdon të flasë ndërsa ecim për të shkuar te makina e tij. "E dini, gjëja e rëndësishme është të thyesh rregullat, ndërkohë që liri do të thotë të mos kesh fare rregulla", thotë. "Po kompozoj muzikë edhe pse nuk kam marrë mësime për ta bërë këtë, e njëjta gjë është edhe me pikturën. Thjesht shkoj në studio, ku kam gjithçka nevojitet dhe nuk bëj tjetër veçse shtroj bojëra në kanavacë. Pikturoj dhe shkruaj muzikë pa e vrarë shumë mendjen, kjo është edhe mënyra më e mirë", thotë duke u kthyer nga unë pasi kemi arritur te makina. "Ç‘të pëlqen të bësh, të shkruash një roman? Epo bëje", më inkurajon duke buzëqeshur. "Shumë e lehtë. Asnjë lloj vështirësie. As që duhet vrarë mendja. Unë as që e çaj kokën për atë që mund të mendojnë njerëzit". Duke marrë pozën e njeriut që zhytet në mendime thotë: "Tani jam 69 vjeç dhe ky është konkluzioni ku kam arritur gjatë gjithë këtyre viteve. Nuk e di nëse më ka mbetur ndonjë gjë tjetër për të bërë. Madje e mira është ta bësh dhe të gjesh edhe kënaqësi se ku i dihet ç‘mund të të ketë përgatitur fati".



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora