Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Celulari, shpikja që modernizoi komunikimin

| E merkure, 10.08.2005, 07:44 PM |


Telefoni celular këtë vit mbush 32 vjet, por duket sikur ka lindur vetëm dje. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Martin Kuper mbante në dorë një kuti me dimensionet e një tulle të zakonshme, duke hyrë në histori me thirrjen e parë të një telefoni celular. Krijuesi, menaxher i Motorolës, kishte shumë sens humori; thirrjen e parë ia bën numrit fiks të Xhoel Engel, drejtorit të laboratorit Bell. Domethënë, konkurrentit të tyre më të fuqishëm. Ky mjet fatlum që Kuperi kishte në dorë, ishte një “Dajnatak”, me peshë 1 130 gramë, pa displei dhe pa funksione të tjera, përveçse funksionit të të folurit, të të dëgjuarit dhe bërjes së numrit. Për të rikarikuar baterinë me autonomi 35 minuta, nevojiteshin më shumë se dhjetë orë. Më 1983-shin celulari do të komercializohej në Amerikë. Në Evropë vjen më ‘86-ën. Celulari është një nga shpikjet më të mëdha që ka ndryshuar jetën e njerëzimit. Psikologët e krahasojnë me timonin, busullën, orën, syzet, makinën, aeroplanin. Në botë sot, një në 3 persona ka celular. Tregu më i gjerë është ai kinez, me 250 milionë syresh, i ndjekur nga ai amerikan me 170. Japonia me mbi 100 milionë celularë, është vendi ku 60 për qind e njerëzve janë të pajisur me të. Evropa është i vetmi kontinent që ka lidershipin për sa i përket celularëve, dhe kjo për faktin se Evropa ka unifikuar sistemet; çdonjeri mund të telefonojë si celularët, edhe telefonat e shtëpisë. Ndërkohë në Amerikë ka probleme shumë të mëdha, sepse të njëjtat numra që ka celulari, kanë dhe rrjetet fikse. Në Japoni janë krijuar universe të ndryshme jokomunikuese me njëra-tjetrën. Sigurisht që e ardhmja do të synojë në rrugë më të përbashkëta. Celulari ka bërë që të bjerë barriera e kohës dhe e vendit. Vendi nuk ka më rëndësi dhe dita është me të vërtetë e përbërë nga 24 orë. Mund të bëhen gjëra në situata dhe në kohë të pamenduara: mund të punohet në tren, duke komunikuar ose të dashurosh në aeroport. Rriten raportet afektive, afërsia emotive e vazhdueshme, siguria mbi fëmijët. Pasja e një aparati celular nuk është më një luks, por një mjet komunikimi që nuk ka kurrfare arsyeje, për të shmangur edhe ndjekjen e modës së teknologjsë.


Efekti celular
Efektet e celularit te njerëzimi kanë qenë përnjëmend mahnitëse. Avokatët e divorcit konfirmojnë se në qendër të çështjeve mes të martuarve, është gjithnjë një celular. Një mesazh i harruar, një numër i regjistruar që tradhton. Celulari, me pak fjalë, do të thotë “je ti koha reale”. Por celulari dhe e-mail-et e kompjuterit ndikojnë shumë në zhdukjen e të shkruarit te gjeneratat e reja dhe kjo padyshin që ndikon shumë në shprehinë e të folurit. Por ka edhe një anë tjetër të medaljes. Të gjeturit 24 orë në 24 sjell dhe një farë stresi. Por edhe mund ta mbyllësh celularin dhe të jesh i qetë. Sigurisht, ta bësh një gjë të tillë nuk është dhe aq e lehtë, sepse sjell mundësinë e humbjes së rasteve të punës, informacionit erotik. Sigurisht, një njeri që nuk ka celular, nuk ka raste të tilla, por sigurisht që rron më i qetë.


Shpikjet më të mëdha
Interneti mund të konsiderohet pa frikë si shpikja më e rëndësishme e shekullit të kaluar. Për herë të parë, ky sistem mjaft i fuqishëm i komunikimit, u vu në punë në vitin 1969. Katër universitete Stanford Insitut, Universiteti i Los Angelesit, i Santa Barbarës dhe ai i Utahur u lidhën për herë të parë me një rrjet të përbashkët, me rrjetin e internetit. Sot në internet ka 600 milionë rrjete.
Furra me mikrovalë u shpik në vitin 1946 nga inxhinieri amerikan Percy Spenser, i cili teksa po eksperimentonte një dispozitiv të ri, një tub pa ajër ku kalonin mikrovalë, zbuloi se kutia me karamele ishte shkrirë. Kurioz Spenseri ekspozoi te mikrovalët një pako me misër dhe pa se pas pak minutash u kthyen në kokoshka. Pikërisht mbi këtë sistem ai ndërtoi furrën e parë me mikroonde.
Airbegu u shpik më 1971-shin nga Niksoni. Ai i kërkoi kompanisë Ford të krijonte një mbrojtje pasive ndaj aksidenteve. Brenda dy vjetësh Fordi krijoi prototipin e parë të airbegut, ku në momentin e përplasjes një ngarkesë e vogël eksplozive fryhet si top dhe mbron pasagjerët. Kompanitë e automobilave do ta pranonin këtë shpikje shumë vonë, duke e konsideruar si të paligjshme.
Kondicionerët Ndërrimi i ajrit ishte dëshira më e madhe e një pronari tipografie në Bruklin. Nxehtësia dhe lagështia ndryshonte dimensionet e kartës, duke komplikuar shumë punën. Më 1902-shin inxhinieri i sapodiplomuar Uillis Karrier, i plotësoi dëshirën me një sistem që mbante nën kontroll temperaturën dhe lagështirën. Leja e parë për të këtë aparat u arrit në vitin 1906.
AND-ja u zbulua më 21 shkurt 1953 nga shkencëtarët Francis Krik dhe Xhejms Watson. Ata kuptuan strukturën e ADN-së, molekulës që depozitonte trashëgiminë gjenetike. Duke bombarduar AND-në me rreze X, ata i dhanë një shpjegim tridimensional imazhit, duke kuptuar që e vetmja strukturë e mundur ishte ajo e një elike të dyfishtë. Ky zbulim i garantoi shpikësve çmimin Nobel.
Fekondimi artificial. Luizë Braun është qenia e parë njerëzore e krijuar në një laborator dhe jo në një trup gruaje. Vjen në dritë gjatë një të shtune në korrikun e 1978-ës. Kryerjen e kësaj mrekullie e bënë dy shkencëtarë anglezë, Patrik Skeptoe dhe Robert Eduards. Për Lesli Braun, një grua nga Bristoli, që për nëntë vjet kishte tentuar të kishte një fëmijë, gjërat shkuan me të vërtetë shumë mbarë.
Në verë, një celular që karikohet nga dielli

Shpikjet që kanë si kryefjalë celularin, vazhdojnë të ecin me një shpejtësi marramendëse. Tregu ka oferta të papara, ndërkohë që edhe kërkesat janë po kaq të mëdha. Mijëra modele hidhen në treg, duke iu përshtatur shijeve të tregut, me ose pa kamer, me video ose jo, shërbim interneti, e-mail, si dhe shkarkime këngësh në versionin mp3. Por ajo që është më interesante, lidhet me kërkesat që kanë maniakët e celularit, për të pasur një jetëgjatësi sa më të madhe të kohës së mbajtjes së baterisë. Problem serioz ky për shumë njerëz. Por këtë herë vjen një zgjidhje fort e këndshme. Mund të nisesh për pushime dhe të vësh re që bateria e celularit është shkarkuar, dhe kjo nuk është e këndshme, sidomos për ata që duan të rrinë gjithmonë në kontakt me pjesën tjetër të botës. Por jo gjithmonë mund të kemi me vete bateri rezervë ose priza për karikimin e celularëve. Për ta zgjidhur problemin, ka menduar një shoqëri italiane, e specializuar në prodhimin e sistemeve që përdorin burime energjie alternative, Soco. Falë “Solar Charger Oasi", modeli Maxi 12, një panel diellor me dimensione të vogla dhe peshë normale (vetëm 270 gramë), është e mundur të karikohet bateria e celularit shpejt, në mënyrë ekologjike dhe falas. Karikuesi është prej materiali termoplastik, rezistent ndaj temperaturave të larta dhe të ulëta, rezistent ndaj ujit dhe i aftë të karikojë çdo lloj telefoni. Mjafton të vihet në përdorim atëherë kur ka diell, sepse ndryshe nuk funksionon. Ky aparat celular mund të konsiderohet si mjaft i përshtatshëm, edhe për faktin se sasia e nevojshme e energjisë diellore që nevojitet për karikim mund të jetë e vogël, por vetëm duke ekspozuar panelin drejt diellit karikimi kryhet fare lehtë.
Shekulli