E enjte, 28.03.2024, 11:25 PM (GMT)

Kulturë

Porosia e Imzot Dodë Gjergjit për Pashkë

E shtune, 23.04.2011, 06:57 PM


“Erdhi Jezusi ...e u tha, Paqja me Ju” (Gjn 20,19).

 

Fortë të dashur meshtarë, rregulltare dhe rregulltarë,

seminarist, vëllezër dhe motra

dhe të gjithë njerëzve vullnetmirë,

 

Pas një dimri pa ngrohje, në kryeqytetin tonë, gradualisht, po hyjmë në pranverën e ngrohtë, e cila, shfaqët me tërë bukurinë e saj, gjallëron natyrën, ndërsa ne, na mbushë me entuziazëm të ri, për jetë dhe punë . Kjo përvojë e dimrit, pa ngrohje, në shtëpitë tona, për ne të krishterët,  mund të përdoret si simbolikë e mirë, për ta përshkruar zemrën e njeriut pa Zotin, ndërsa rrezet shkëlqyese të kësaj pranvere,  me shkëlqimin e dashurisë së Zotit të Ringjallur  në zemrat njerëzore.  Drita e dashurisë së Tij,  na ngrohë të gjithëve, me praninë e Tij. Prandaj, qysh tani, derisa jemi “nën hijen e vdekjes”, me shkëlqimin e dritës shpresëplote, na bën të shohim pragun e jetës së përtejme dhe na ndriçon rrugën, e cila shpie atje.

 

Ne, të cilët besojmë,  me zemër plot gëzim, falënderojmë Zotin e Ringjallur,  i cili,  na bashkon në dashurinë e Tij të përkryer dhe jetëdhënëse. Dashuri kjo, të cilën, Zoti  e ka manifestuar në forma të ndryshme dhe e ka vulosur  me gjakun e Qengjit të pafajshëm, në flijimin e  Kalvarit.  Me festën e Pashkëve, ne, të krishterët, përveç se dëshirojmë të përjetojmë ngjarjen e “ Zotit ndër ne”,  njëkohësisht, dëshirojmë të jemi, dëshmitarë të ri, të dëshmisë së vjetër, se:  Zoti ynë Jezu Krishti, i varur padrejtësisht, në drurin e Kryqit vdiq, duke na lanë  porosinë e fundit : “ Fali, o Atë, se nuk dinë ç’ bëjnë!” (Lk 23, 34) dhe  premtimin e parë: “ ... sot do të jesh me mua në parriz!” (Lk 23, 43).

 

Ai, i cili na shfajësojë para Atit, për fajet dhe mëkatet tona,  në kulmin e vuajtjes njerëzore, pak pa dhënë shpirt,  përveç mësimit ungjillor, na le “shembullin  e mirë” sesi,  zemra e njeriut, kur është e përqendruar në Atin qiellor,  në momentet më të vështira të vuajtjes njerëzore,  gjen forcën, për të falë të afërmin e padrejtë dhe për të mbështetur edhe armikun,  në mënyrë që i falur, të rikthehet drejt miqësisë tonë me Zotin.

 

Ai, po ashtu, me autoritetin hyjnor, i  premton cubit të penduar  jetën e pasosur, premtim ky, i cili, shtrihet në histori dhe përsëritet për çdo njeri,    i penduar, përballë të Kryqëzuarit, përvujtrisht, kërkon mëshirën e Tij  dhe  me gjithë zemër, ia kërkon jetën e përtejshme.  Kështu,  vazhdon të ecë gjurmëve të tija, drejt rrugës së shëlbimit, pa marrë parasysh nga ku niset, nga djepi apo nga kryqi.

 

Sot, ditën e Pashkëve, me gëzim-plotë dhe me shpresë dëshmojmë se: Zoti ynë Jezu Krishti, e ka mundur vdekjen dhe me ngjalljen e Tij, të gjithë ne jemi ftuar, të jemi të bijtë e Atit tonë në Qiell.

 

Qysh kur Kisha, ditën e Rrëshajve, mori Shpirtin Shenjt,  kryqi mori kuptimin e dashurisë së skajshme që Zoti pati dhe ka për ne, ndërsa zemra e atyre që besojnë, u shnëdrruan në “fron  prej ku Ai sundon botën me dashuri”, përqafon njerëzimin me duart e shporrura dhe nëpërmjet veprave tona të dashurisë, i përkëdhelë vuajtjet njerëzore, duke iu dhënë ngushëllim dhe shpresë, sidomos vuajtjeve të shkaktuara nga të këqijat e botës ose padrejtësia njerëzore.

 

Nën shkëlqimin e dritës së kësaj Shprese, përveç mëkateve tona,  ne, qartë shohim se:  Shoqëria e sotme, e katandisur në relativizmin e çdo gjëje,  deri të zhvlerësimi i jetës dhe vdekjes, si dhe e kurthuar në synimet e veta egoiste e lakmitare,  është e gatshme t’i japë përparësi të keqes, në krahasim me të mirën të sakrifikojë të vërtetën, në shkëmbim të “gjumit social”; të rrënojë familjen në shkëmbim të zhvillimit; të mohojë të kaluarën, për të legjitimuar të tashmen;  të hidhet pluhur ndaj tjerëve, të afërmeve e miqve, për ta arsyetuar fajin. Këndej, duhet të frikësohemi se e tërë kjo na çon drejtë verbërisë shoqërore , mjerimit social dhe të ardhmes së pa siguritë. Ne, e dimë sesa ma shumë humbet pamja e horizontit, vlerave  universale, virtyteve njerëzore, synimit të të përjetshmes, njerëzimi, vetvetiu, pa mëshirë, rrokulliset drejt të përkohshmes, interesave të ditës dhe kënaqësisë momentit.

 

Të vetëdijshëm se një shoqëri e tillë, është e gatshme ta sakrifikoi të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tuaj, të shtyrë nga dashuria që kemi për të gjithë njerëzit, dëshirojmë të alarmojmë njeriun zemërbardhë, shpirtpastër dhe qëllimmirë, e sidomos ata të cilëve iu është besuar përgjegjësia për ne, pa marrë parasysh besimin apo botëkuptimin e tyre, që me drejtësi dhe përgjegjësi, të vihen në shërbim të së mirës, në mbështetje të familjes, në përkrahje të të dobëtëve, në ndihmë të të varfërve dhe ndershmërisht, të bashkëndërtojmë të ardhmen, mbi të vërtetën dhe  dashurinë flijuese, për të cilën aq shumë kemi nevojë sot.

 

 Përveç kësaj,  kisha si Nënë  dhe Mësuese e mirë, i fton bijtë e vetë, të jetojnë në vetëmohim dhe në shërbim të përvuajtur, duke i vënë jetët e tyre, në zbatimin e planit hyjnor dhe në dobi të njerëzve mbi tokë. Dhe, si pjesë e kësaj shoqërie, të bëhemi  shembullmirë që, në “veprat tona të mira”,  të gjithë të shijojnë dashurinë  dhe  të miqësohen me të Ringjallurin.

 

Për shumë mot Pashkët!

 

Ipeshkëvi Juaj

Dodë Gjergji



(Vota: 6 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora