Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


"Stauffenberg"-u i Tom Cruise has në refuzim total

| E diele, 24.06.2007, 07:58 PM |


Ylli hollivudian, Tom Cruise, po has vështirësi të vërteta me vendxhirimet e filmit të tij në Berlin. Edhe për filmin e tij të mëparshëm, "Mission Impossible 3", ndodhi e njëjta gjë: aktori dhe producenti i famshëm, në vitin 2004 donte të xhironte në ndërtesën mitike të Reichstag-ut gjerman, por ish-kryetari i atëhershëm i Bundestag-ut, Wolfgang Thierse, i tha "jo". Nderi i Shtëpisë së Popullit gjerman nuk e lejonte dot këtë, pasi ai ishte një projekt që përbënte "ndërmarrje komerciale".
Tashmë është sërish Cruise, i cili për trillerin e tij hollivudian, që trajton temën e atentatit të dështuar ndaj Adolf Hitlerit, nuk arrin të marrë sërish leje xhirimi në "Bendlerblock" të Berlinit, aty ku nisi dhe zbatimi i planit sekret të kontit Von Stauffenberg dhe ku sot ndodhet godina e Ministrisë së Mbrojtjes gjermane.
Ka qenë një zëdhënës i ministrisë ai që ka deklaruar se ministri Jung është shprehur i vendosur se "ministria ime nuk do të mund të përdoret për xhirimet e këtij filmi".

Emërtimi, sipas operacionit të koduar

Filmi i Tom Cruise mban titullin "Valkyrie", sipas emrit të koduar të operacionit për realizimin e një atentati, që më pas, siç dihet, do të dështonte ndaj Fuehrer-it të Rajhut, Adolf Hitler, "Operation Walküre". Regjia e këtij filmi është marrë përsipër nga Bryan Singer, i cili së fundmi ka qenë shumë i suksesshëm me filma komikë si "X-Men" dhe "Superman Returns". Berthold von Stauffenberg, i biri i ish-kolonelit të Wehrmacht-it, që guxoi të sfidonte ish-diktatorin e që e pagoi atë përpjekje së bashku me shokët e tij, me jetën e vet, është shprehur se do të bënte çmos për ta penguar këtë projekt. "Edhe nëse unë do të duhej të shkoja përpara me hapa ligjorë ndaj këtij projekti..., gjë e cila do më fuste në siklet, sepse ekziston rreziku që unë t‘i bëja një farë reklame pa dashje këtij projekti".
Për filmat e deritanishëm mbi atentatin e dështuar ndaj Hitlerit, djali më i moshuar i luftëtarit të rezistencës antihitleriane gjermane mendon se: "Eksperienca ime me filmat artistikë është se drama i tejkalon gjithmonë faktet", dhe ai ka frikë kësisoj se edhe nga filmi i Cruise "do të dalë një budallallëk me brirë". Ndërkohë, nga studio "Babelsberg" akoma nuk është arritur të merret vesh ndonjë detaj më shumë rreth planeve të filmit. "Ne gjendemi akoma në bisedime mbi koproduksionin", tha një zëdhënëse e studios në fjalë në Potsdam.

Në 2004-ën dështoi edhe për "Mission Impossible 3"

Te "Mission Impossible 3" i gjithë plani i xhirimit u realizua thuajse plotësisht në Berlin dhe ngjarjet zhvilloheshin rreth lokalitetit "Babelsberg"; vetëm një skenë u realizua jashtë Berlinit. Një film gjerman mbi atentatin ndaj Hitlerit u shfaq në kinema edhe në vitin 2004 nën titullin "Stauffenberg". Nën regjinë e Jo Baier, në rolin kryesor ka luajtur aktori Sebastian Koch. Konti Stauffenberg, ashtu sikurse shumë kolegë të tij të tjerë "puçistë", pas dështimit të atentatit iu nënshtrua të njëjtit fat: ekzekutimit me pushkatim, pas një serie gjyqesh të ashtuquajtura "popullore", që u realizuan në një kohë shumë të shkurtër.

Rikthim në tematikat historike

Ndërkohë, vihet re prej disa vitesh një rikthim i tematikave historike, që kanë të bëjnë shumë me luftën apo me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, por edhe me vetë Hitlerin apo anëtarët e tjerë të hierarkisë së lartë naziste, siç ka qenë dhe filmi "Der Untergang" (ose në shqip mund të përkthehej si: "Perëndimi", "Rënia", "Fundi" apo dhe "Rrëzimi"), i cili, përpos të tjerash, hapi dhe shumë polemika mbi një të shkuar, trajtimi i së cilës, deri në atë kohë, thuajse ishte kthyer në një tabu. Gjithashtu, për rizbulimin e fakteve historike rreth mistereve të Luftës së Dytë e ditëve të fundit të Rajhut gjerman, kanë kontribuar sigurisht, edhe një sërë dokumentarësh TV që hedhin më shumë dritë mbi shkaqet, por edhe ankthin e ngjarjeve të atyre ditëve. Sigurisht se interesi nga publiku gjerman ka qenë i madh, por edhe i përmbajtur deri diku, ndërsa kritika vendase e ajo e huaj, megjithatë, kanë lavdëruar realizmin e shfaqur në skenat e tyre.

"Oskarët" e mbrojtjes së trashëgimisë botërore

Ruajtja e vendeve të objekteve vërtetë të çmuara të botës sonë nuk ka qenë kurrë e lehtë, e shpesh është e vështirë të këmbëngulësh se pse duhet bërë një gjë e tillë. Një sipërfaqe e gjelbër e një personi mund të ishte kësisoj një vendgërmim i ri; kur ju shihni një vargmal, dikush tjetër mund të shohë në të një burim qymyrguror. Duke sortuar të tilla materiale mund të bëhej pastaj e pamundur që të negociohej, sidomos kur debatet zënë vend jashtë kufijve shtetërorë, siç është rasti i fushatave parandaluese, të cilat bëhen në ndonjë vend ku i bëjnë thirrje një tjetri, që të mos djegë një sipërfaqe të gjelbër apo të pengojë lumenjtë të gërryejnë një tempull mijëravjeçar.
E ky pra është rasti kur Komiteti i Ruajtjes së Trashëgimisë Botërore ndërhyn. Zyrtarisht, i ngritur nga Kombet e Bashkuara në 1972-shin, si pjesë e Konventës për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore e natyrore botërore, komiteti takohet një herë në vit për të zgjedhur "mrekullitë natyrore apo ato të bëra nga dora e njeriut" që paraqiten më në nevojë për t‘u marrë në mbrojtje dhe duke i shënuar ato si specie në rrezik, në një listë specifike që u mundëson atyre thithjen apo përfitimin e fondeve për restaurim e mbikëqyrje ndërkombëtare. Në 35 vjet të punës së saj, qysh nga themelimi i listës së trashëgimisë, 830 vendgërmime, lokalitete apo objekte janë futur në të duke përfshirë këtu: Statujën e Lirisë, Murin Kinez dhe Parkun Kombëtar të Kenias në Afrikë. Nga 23 qershori deri më 2 korrik të këtij viti, komiteti në fjalë do të mblidhet sërish, e këtë radhë në Christchurch, në Zelandën e Re, për të rikonsideruar 45 site me vlera kulturore të nominuara nga 39 vende si kandidate për t‘u vendosur nën protektoratin e OKB-së.
Ideja e një liste të trashëgimisë kulturore botërore u hodh nga fundi i viteve ‘50, kur tempujt antikë të Abu Simbel-it, në Egjipt, kërcënoheshin seriozisht nga një gërryerje, që vinte si pasojë e një përmbytjeje relativisht të vogël, që kishte ndodhur në atë zonë. Të frikësuar nga mungesa e gatishmërisë së qeverisë egjiptiane për të mbrojtur ndërtesat antike, Agjencia e Kombeve të Bashkuara për zhvillimin dhe mbrojtjen e shkencës, kulturës e arsimit, (UNESCO), lançoi nisjen e një fushate mbarëbotërore për të shpëtuar tempujt në fjalë, duke i zhvendosur ato në një sipërfaqe më të lartë. Sot, procesi përbën një bazë të mirë për t‘u trajtuar si diçka më shumë se zyrtare — e iniciatorët e tij pothuajse mund të vlerësoheshin pa frikë si "Oskarët e ambientit". Çdo vend është në gjendje të dërgojë një listë-aplikim objektesh apo vendesh që mendon se duhet të gëzojnë mbrojtje të veçantë. Kandidaturat më pas selektohen e vlerësohen nga dy organizata — Bashkimi Botëror i Mbikëqyrjes së Vlerave (World Conservation Union) dhe Këshilli Ndërkombëtar i Monumenteve e Siteve Arkeologjike (International Council on Monuments and Sites) — i cili i bën në fund një propozim-rekomandim Komitetit Ndërkombëtar të Trashëgimisë Botërore. Kjo trupë bën pjesëmarrës më pas në listën e saj site e objekte të reja; kështu, vitin e shkuar u pranuan 18 prej tyre. "Është një proces vërtet demokratik", thotë Christian Manhart, shef i komunikimit, edukimit dhe partneritetit në Qendrën e Trashëgimisë Botërore në Paris.
Sapo një vend shënohet në listë, jo vetëm që përfiton nga vëmendja e medias mbi të dhe tërheq kësisoj turistë që ia mundëson ardhjen pashmangshmërisht një lajm i tillë, por gjithashtu bëhet i aftë të thithë një pjesë të fondeve të ruajtjes së trashëgimisë kulturore të UNESCO-s.
Në vitin 2001, bota mbarë u trondit kur regjimi taleban shkatërroi statujat e Budës, të ndërtuara në shekullin e 6-të në malin që ndodhet pranë luginës Bamiyan në Afganistan. Qëkurse është futur në listë, ai vend tashmë ka marrë më shumë se 4 milionë dollarë për të ndihmuar në rikonstruksionin e tyre dhe për të paguar një trupë skulptorësh, që të risistemojnë një pjesë të mbetur të statujave të dëmtuara. "Vendet ndodhen vazhdimisht nën një farë presioni për të hyrë në atë listë, për shkak të fondeve", thotë Manhart. Një fotogaleri që shoqëron këtë artikull tregon më së miri disa nga sitet që janë konsideruar për t‘u marrë në mbrojtje gjatë këtij viti.

Shqip