E shtune, 20.04.2024, 01:55 PM (GMT+1)

Kulturë

Daniel Gazulli: Me shëndet Pashkët

E shtune, 23.04.2011, 07:59 PM


ME SHËNDET PASHKËT

 

Nga Daniel Gàzulli

 

Sot asht Dita e Pashkëve, Dita e Ringjalljes së Krishtit.

Në një ditë të tillë, pothuej dymijë vjet ma parë, ka themelet e veta Krishtenimi. Kryqzimi për mëkatet tona e Ringjallja për shpresat tona – për paqë e dashuni mbi Tokë,  - janë për besimtarët rruga e vetme udhërrëfuese në jetën mbitokësore.

Pashkët janë festa kryesore e Krishtnimit, sepse tek Ringjallja mbështetet e gjithë doktrina e tyne. Jo besimtarët ka po 2000 vjet që mundohen me e rrëzue këte doktrinë. Vetë fakti që në 2000 vjet nuk kanë mundë ta shembin, tregon  forcën e vërtetë të Tij.

Jezusi u ringjall ditën e tretë mbas Kryqzimit. Na, ndjeksit e Tij, duhet me u ringjall shpirtnisht sa e sa herë mbas “vdekjeve” tona shpirtnore. Të ringjallemi prej vdekjes shpirtnore që na sjell urrejtja, smira, shpifja, dëshprimi, pabesia, veçanarisht në këto kohë kur kemi pushtue qiejt si zogjtë, por po harrojmë të ecim pranë njeni tjetrit mbi tokë si vëllazen, si pat thanë Martin Luther King.

Në Shkrimet e Shejta Pashkët janë simboli i flijimit të Jezusit për njeriun, që vinte prej natyrës sonë të korruptueme. Në lashtësi koncepti “i korruptuem” shprehte grryemjen e mbrendëshme, shpirtnore, nga vese, mëkate, tej atij koncepti që mbart fjala sot. Me këte flijim i hapej rruga njerëzimit të kalonte nga vesi në virtyt. Me ringjalljen shprehet fitorja mbi vdekjen vetë e mbi botën e përçudnueme.

Për ne shqiptarët Pashkët kanë një domethanje edhe ma specifike: Ringjallja jonë shpirtnore vazhon; ajo nuk u përsos asnjëherë në kaq shekuj, pse ndëshkime të randa na ranë mbi krye: prej pushtimeve barbare, tek ideologji poaq barbare. Prej tyne kemi dalë me shumë gjymtime, mbi të gjitha shpirtnore.

Pashkët na ftojnë me gjetë paqë në radhë të parë në vetvete. Pa ekuiliber shpirtnor e moral nga secili në vetvete, nuk mund të gjendet paqa as në familje, në shoqni e në mbarë Atdheun tonë.

Edhe kalvari ynë, i gjatë e i mundimshëm, gjithësesi i kapërcyem me sakrifica të panumurta, tregon se nuk e humbem kurrë plotësisht virtytin, se iu larguem sa herë edhe shumë Udhërrëfuesit tonë, por nuk e humbem kurrë nga shikimi; tash asht koha t’i afrohemi me vlerat që kemi ruejtë ndër shekuj e me vlerat që duhet të fitojmë çdo ditë tue u përsosë në virtute.

Me shëndet e prap ma me zemër të mirë Pashkët, motra e vëllazën Shqiptarë, të cilitdo besimi qofshi, pse në ditë feste e gëzimi na bashkë kemi udhëtue e bashkë do të udhëtojmë në shekuj.  Për shumë mot!



(Vota: 13 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora