Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Shvarceneger mbushi 60 vjeç

| E marte, 31.07.2007, 07:52 PM |


Arnie - Nga njeriu i muskujve, tek ylli i politikës

Arnold Shvarceneger mbushi dje plot 60 vjeç dhe mund t‘i hedhë sytë krenar prapa kur sheh karrierën që ka bërë. Qysh në moshën 20-vjeçare ai u shpall "Mister Universi". Vetëm një gjë nuk mundi ta bënte dot ish-badibilderi i suksesshëm dhe heroi i filmave mitikë: Presidentin e SHBA-së. Sidoqoftë, jo në jetën reale - atë të përditshmen, pasi në atë tjetrën, të filmave e animacionit, "Simpson"-ët po ia bëjnë këtë nder.
Në filmin e tij të parë me figurat komike me kartonë, njeriu në zyrën ovale e që rri ulur para tavolinës së tij të punës, nuk e ka më emrin George W. Bush, por Arnold Alois Shvarceneger. "Ne donim të paraqisnim një President që i bën njerëzit të qeshin", thotë Matt Groening, shpikësi i "Simpsons". "Shvarceneger, me ç‘duket, i ka përmbushur këto kushte".
Në jetën e vërtetë, roli i Presidentit atij i është mohuar. Në bulevardin "Pennsylvania" thjesht është si rregull që duhet të qeverisë vetëm ai që ka lindur në botën e re (d.m.th. SHBA-ja), e jo në Europën e moçme, në luginën e Shtajermarkut (vendlindja e Arnoldit në Austri). SHBA-ja, kësisoj, duhej të amendonin Kushtetutën e tyre, në mënyrë që një austriak të bëhej ndonjëherë President i tyre. Gjithsesi, dhjetë aplikantët republikanë, që duan të pasojnë Bushin në zyrën më të lartë shtetërore, e kanë diskutuar së fundmi këtë opsion - dhe, më pas, në diskutime të veçanta me njëri-tjetrin, duket se e kanë lënë sërish mënjanë.
"Arnie" mund të ngushëllohet. Shtypi po i kushton atij më shumë rreshta se çdokush tjetër që kandidon për postin e Presidentit të vendit. E famshmja "Newsweek", madje e kishte nxjerrë atë së fundmi në kopertinën e saj, duke e paraqitur me rruzullin tokësor, që balancohej në gishtat e dorës së tij. "Shpëtoni planetin - përndryshe do ndodhë diçka!" - thuhej në titullin e saj mbi foton e Arnoldit. "Time" shkruante se ai është figura e re e "rrugës së tretë": në duet me Michael Bloomberg, kryebashkiakun e Nju-Jorkut, kreu i kalifornianëve do të mund të arrinte shumëçka, duke qenë pak pragmatist, gjë që ideologët rreth Presidentit Bush e zhvlerësojnë si opsion.

Heronjtë e aksionit të ri

Nëse bëhet fjalë për ndryshimet klimaterike apo për krizën në shëndetësi, heronjtë e rinj të aksionit ia dalin mbanë dhe aty. Megjithëse ai udhëton shpesh me makina agresive e jo shumë në modë si "Hummer"-i, burri me shpatulla që bien shumë në sy, vlerësohet si "pionier i mbrojtjes së mjedisit". Dashuria e Shvarcenegerit për këtë "fjalë të madhe" shkon për bukuri me idealet e tij. "Të gjitha idetë e mëdha vijnë nga administratat lokale", thotë ai. "Ne nuk presim derisa ‘Big Daddy‘ të kujdeset për ne".
Në vitin 1968, i biri i një polici u nis drejt brigjeve të Paqësorit me 20 dollarë në xhep. Martesa e tij me një gazetare TV me emrin Maria Shriver, njëra nga mbesat e John F. Kennedy-t, i garantoi atij kalimin më pas në skenën politike, gjithsesi duke lënë pas një karrierë shumë mbresëlënëse në industrinë e filmit. Ndërsa Shriver-at janë ndër pionierët e ideologjisë e veprimit të kampit demokrat, dhëndri i tyre është republikan me bindje. Një nga fjalimet e ish-presidentit amerikan, Riçard Nikson, e kishte mahnitur atë dikur, e kjo duket se ndikoi në bindjet e tij politike më pas.
Një vit më parë, ai kishte shpërndarë një ligj, sipas të cilit gazrat e dëmshëm duhet të reduktoheshin deri në vitin 2020, duke u sjellë në nivelin e vitit 1990. Shtetet e tjera federale, sipas përllogaritjeve, do të ishin ato që do ta ndiqnin më pas këtë shembull. Dhe kështu lind një ortek, që rrotullohet teposhtë e shkon shumë pranë Presidentit dhe mburojës së tij politike. Edhe në vitin 2004, ylli i Hollivudit ishte shprehur me fjalë të mëdha. "Amerika është sërish aty ku ka qenë, për shkak të mbijetesës së karakterit dhe të fuqisë së lidershipit të Presidentit të 43-të të Shteteve të Bashkuara". Një himn i tillë lëvdatash, sot as që mund të bëhet fjalë të nxirret më nga goja e tij. Bush është bërë po aq jopopullor tashmë sa ç‘ishte bërë në një farë mënyre edhe ish-presidenti Riçard Nikson para dorëheqjes, si pasojë e skandalit të "Watergate"-it. Shvarceneger mban me kënaqësi anën e humbësve.

Maksima e "Arnie"-t

Badibilder, terminator, guvernator: ai që sapo ka mbushur 60 vjeç, e ka arritur ngritjen e tij nëpërmjet një vetëbesimi në rritje, nëpërmjet zellit e këmbënguljes së fortë. Por, edhe nëpërmjet talentit për të thënë në kohën e duhur fjalët e duhura. "Ti duhet t‘u japësh njerëzve atë që ata kërkojnë", citohet të thotë biografi i tij, Joe Mathews, mbi maksimën që udhëheq Arnin, siç njihet ai me përkëdheli në SHBA.
Bota e kinemasë e ajo e politikës tek e fundit nuk janë dhe aq të ndryshme nga njëra-tjetra. Kush luan në një film rolin kryesor, përfton një ndjenjë sigurie për atë që po afrohet ndërkohë, e që po troket te dera. Harrohet lehtë, por ka ndodhur vetëm katër vjet më parë, kur miqtë e tij më të ngushtë e paralajmëruan Arnoldin të mos kandidonte për postin e guvernatorit të Kalifornisë. Çfarë do mendonin asokohe njerëzit për politikat arsimore e taksat, nëse ata do të shihnin në tribuna politike jo një njeri me kostum politik.
George Gorton, një ekspert i fushatave zgjedhore, që dikur ka ndihmuar edhe Boris Jelcinin për t‘u bërë President i Federatës Ruse, asokohe kishte arritur në një përfundim tjetër. Në Kaliforni, aty ku shumica e njerëzve interesohen vetëm tangjent për politikën, një ikonë hollivudiane do të kishte pasur kësisoj një përparësi të paçmueshme: "Emri i tij u përket atyre pak njerëzve që i njeh gjithkush". I kurajuar nga eksperti me përvojë, Gorton, aktori i famshëm ia hyri një sfide të re. Dhe fitoi. Në nëntor të vitit 2006, ai u rizgjodh me 56 për qind të votave sërish në postin e tij.

  1. "Hasta la vista, baby"
  2. Ndërkohë, përtej kinemasë ka bërë një karrierë edhe si biznesmen i suksesshëm - ai kreu një studim për shkencat ekonomike dhe si një autor bestseller dhe menaxher i tregut imobiliar fitoi miliona, para se të vinin tufat e parave me kosha nga filmat e tij. Që atëherë, Shvarceneger e dinte se suksesi do të shumëfishohej në seri. Ai nuk e ka vënë kurrë në lojë të ardhmen e tij për një rol, siç bëjnë producentë të mëdhenj, por i është besuar tërësisht instinktit të vet: për t‘u paraqitur në një lojë me padyshimin më të vogël për aftësitë e veta. Kjo siguri, që tek ai boja nuk i ka dalë kurrë, e plotëson me një porcion ironie, që e ka bërë atë të adhurueshëm nga publiku. Autorë të zgjuar skenarësh, ia kanë përforcuar atij këto tipare simpatike e tërheqëse për publikun, ndërsa kanë vënë në gojën e tij elemente të paharrueshme të sllengut si: "I‘ll be back" apo dhe "Hasta la vista, baby".