E shtune, 20.04.2024, 12:44 PM (GMT+1)

Mendime

Përparim Demi: Qeleshet, shqiptarëve po ua ndan Europa

E premte, 22.04.2011, 07:58 PM


Qeleshet, shqiptarëve po ua ndan Europa

 

Nga Përparim Demi

 

Jetojmë në një periudhe transformimesh madhore jo vetëm në Ballkan, por në tërë kontinentin tonë të vjetër. Shekulli i kaluar, u karakterizua nga konflikte lokale dhe botërore, që ishin rezultat i dështimit të diplomacisë europiane dhe i teorive të ndryshme që u bënë bazë për experimentime sociale të përmasave gjigande. Teoritë lindën në perëndim por u zbatuan kryesisht në lindjen e prapambetur. Miliona njerëz u vranë dhe shumë të tjerë vuajtën periudha të gjata konfliktesh dhe varfërie extreme. U experimentuan ndarje territoresh, vendosje regjimesh antipopullore dhe diktatura. U experimentuan sisteme fashiste apo komuniste. Asnjëherë nuk u pyetën popujt se çfarë donin, se çfarë aspironin. Klasat politike dhe dipllomacia europiane i trajtoi ato si turma bagëtish. Nuk u njohu asnjëherë ndërgjegjen kombëtare të tyre në rajone të ndryshme, nuk pranuan asnjëherë historinë e vërtet të formimit të kombëve, por pranuan të pavërtetat politike në funksion të interesave të tyre. Kombet e vegjël u kthyen në mjet shkëmbimi në tregun e interesave të mëdha.

 

Janë pikërisht këto dipllomaci që vendosën të bashkojnë Europën, janë po këto që sot po na shesin regullat e tyre për të drejtat e njëriut, pasi i shkelën ato në të gjitha format dhe mënyrat e mundëshme. Ideollogët, utopistët, fillozofët dhe teoricienët e europës gjithmon kanë vrarë mëndjen dhe vazhdojnë ta vrasin akoma, se si ti zgjidhin problemet e tyre. Zgjidhjet e tyre, fatkeqsisht gjithmon kanë rënë mbi kurrizin e popujve më të vegjël, të atyre më të vonuar, në kurrizin tonë. Si përputhet e drejta e njëriut apo e popujve me ”arsyen shtetërore”, e cila mbuloi dhe vazhdon të mbuloj akoma shumë padrejtësi dhe shumë krime masive, këtë nuk kam arritur ta kuptoj dhe as do e pranoj asnjëherë. Nuk mund të pranoj që për hir të krijimit të Europës së bashkuar, në formulën e propozuar prej tyre, të shkelim mbi kufomat e mbuluara gjatë rrugës. Propaganda dhe logoreja politike europiane nuk i mbulon dot gropat e hapura në tokën shqiptare, në ndërgjegjen e një populli që luftoi tërë jetës për liri.

 

Kukllat tona politike, si përherë gjatë gjithë historisë (me përjashtim të Skëndërbeut), vrapojnë si katërkëmbsha të bindur duke tundur bishtin dhe me gjuhën përjashta, pas kasnecave, ndërmjetsave, të deleguarve, mëkëmbsave europian. Janë ”poliglodër”, përdorin dy gjuhë, njëra për ”harbutërinë” (dmth popullin) dhe tjetrën për ndërkombëtarët. Si nuk guxuan një herë tua thonë troç dhe hapur se ne shqiptarët duam të bashkohemi dhe të shohim punën tonë. Se ne nuk i biem më qafë kurkujt, por as mos na bien më qafë. Si ka mundësi që 60 mijë sërb në Mitrovicë bëjnë si u do qejfi në mes të Shqipërisë dhe qeveritarët tanë të dubluar (në Tiranë e në Prishtinë) bëjnë sehir, e na hedhin hi syve me ”standartet europiane”. Në Greqi a nuk janë këto standarte? Arrin puna sa që as që nuk mund ti numërojmë dot sa sërb kemi, se ashtu ua ka qejfi atyre në Beograd. Çfarë regjistrimi bënë këta në Kosovë, pa numëruar diasporën dhe ata dy fije sërb që na kanë mbetur peshqesh prej Rankoviçit e ktej. Të shohim si do na numërojnë ne shqiptarëve më tej në Maqedoni, apo në Shqipëri. Jemi bërë shumë e duan me na nxjerrë pak.

 

Aristidh Kola na e tregoi qartë si e krijuan kombin grek me shqiptarët që çliruan vëndin para dy shekujsh. Europianët na ndanë në të krishtere (dmth grek) dhe musliman (dmth turq), kisha u mësoi gjuhën dhe i nxiti kundra vëllezërve që ndruan fenë. Kështu u krijua Shqipëria e parë që u quajt nga Europa, Greqi. Kësaj i dhanë më vonë dhe Epirin me Maqedonin për të bërë Megalo-idhenë. Shqipëria e dytë e shpallur nga Ismail Qemali, me zor u pranua për hir të Austrohungarisë që s'ra dakord me shoqet e tjera. Europianët e tjerë shpejt krijuan Jugosllavinë dhe i dhanë Shqipërinë e tretë (Kosovën). Tito ndau Kosovën për të krijuar Maqedoninë (Shqipërinë e katërt). Tani ngrihet Greku, pa pikë turpi dhe i thotë maqedonsave ndroni emrin – e si ta bëjnë Shqipëri ? Si përfundim, kemi dy shekuj që luftojmë dhe Shqipëri si duhet s'po mundemi me bë, përherë ne e gatuajmë kulaçin, e për ta ngrënë e hanë të tjerët.

 

Paturpësia e Greqis nuk ka fund. Dje lexoja nje shkrim për Vangjel Zhapën nga Labova e Gjirokastrës. Miliarderi dhe filantropi shqiptar më i madhi i shekullit XIX, i cili financoi lojrat e para olimpike. Ky lindi në Shqipëri dhe vdiq në Rumani, por grekërit e shpallin grek e shkuar grek. Përse ? E thjesht, si mund të pranojnë ata që lojrat olimpike, të cilat në antikitet bëheshin nga ilirët, tani të themeloheshin po nga një shqiptar. Mbesën e tij, Katina, dhe nipin, Janin (gjetshin rahmet) i kam pas njoft në Tiranë, i kisha komshi dhe nuk e dija të ishin ”grekër”, por as ata vetë nuk e dinin këtë. Lus zotin mos më thonë dhe mua ndonjë ditë se jam grek, meqë e kam origjinën nga Filati. Prandaj dhe nuk kam dash ta mësoj greqishten, jo se kam ndonjë gjë me atë si gjuhë. Tek mësova shtatë gjuhë të tjera mund ta kisha mësuar dhe ketë kollaj fare. Nejse dola pak nga tema.

 

Tani jemi ndarë prap më dysh, në socialista dhe demokratë. Rihemi me njëri tjetrin në çdo qoshe rruge, e nëpër kafene, për çdo zgjedhje. E mësuam edhe këtë marifet nga europianët. Bolshevik – menshevik, pozitë – opozitë, shumicë – pakicë, i majtë – i dhjathtë, etj. Pra në Europë do hyjmë ca si të majtë dhe ca si të djathtë, por si i bëhet hallit që jemi krejt shqiptarë dhe Shqipëria është një dhe s'bëhet dy, të paktën jo për ne shqiptarët. Kur foli Pacolli në Tiranë si president, për pak ditë sa ishte, mu bë qejfi, pasi ishte i pari zyrtar shqiptar që foli hapur. Kuptohet, nuk e di sa megjithmënd e kishte, një dyshim e pata, duke patur parasysh deklaratat e mëparshme që u kish bërë sërbëve. Megjithatë, të paktën ai e tha hapur – i heq kapelen për këtë xhest që bëri. Unë nuk gënjehem kollaj nga fjalët, e kam kaluar atë moshë, por dhe deklaratat zyrtare na duhen, jo për ne, por pikërisht për europianët, që po na tërheqin për hunde.

 

Një fjalë e urtë thotë vërja qeleshen sipas kokës, por neve në këto kushte na duhen dy qeleshe, një për kokën e majtë dhe tjetrën për atë të djatht, një për Salën dhe një për Lalën. Po mbetëm me dy shtete do na duhen katër qeleshe, dy për Shqipëri dhe nja dy për në Kosovë. Në Maqedoni duhen edhe ma tepër, nga një për katund, dhe nga dy për qytet. Ka për të dal biznes i bukur ky i qelesheve, lum kush e kap i pari – me siguri Europa. Këta kanë experiencë dhe dinë ti ndajnë qeleshet sipas kokës, për më tepër e kanë me qejf këtë punë, e kanë pasion. Sa për koka, kemi ne sa të duash, me bollëk, nuk qahemi, shyqyr zotit sa bien ma tepër ngrihen. E kemi tokën pjellore për koka, prandaj edhe i kemi shpërndarë gjithandej nëpër botë. (Bukuresht, 20.04.2011)



(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora