E enjte, 28.03.2024, 09:12 AM (GMT)

Mendime

Selim Hasanaj: Përpjekjet për t'i zhdukë gjurmët e etnisë shqiptare

E premte, 22.04.2011, 06:58 PM


PËRPJEKJET PËR T’I ZHDUKË GJURMËT E ETNISË SHQIPTARE

 

Nga Selim M. Hasanaj

Redaktor, Revista Drini

 

Pushteti serbosllav komunist i Jugosllavisë së Titos, kishte si detyrë parësore të zhdukte jo vetëm popullin shqiptar, por edhe gjithçka që ishte autoktone në trojet ku jetonin shqiptarët.

Asht ndoshta e çuditëshme sot për brezat e ri të lexojnë se si deri jo fort mot përpara, secila etni ka pas edhe racat karakteristike të kafshëve shtëpijake, që kishin pamje dhe tipare karakteristikat me ndryshim të dukshëm nga ato të etnive të tjera.

 

Ka qenë shumë e njohun, bie fjala, deri tash vonë, raca e lopëve të trojeve dardane. Një lopë e imtë në shtat, me brina të mbrehta si maje thike, me qime të kuqrremtë të mbyllun, e në shumë raste edhe e murrme. Disa prej tyne kanë pasë edhe shenja të bardhë në ball, apo edhe nëpër trup. Ky ishte edhe motivi pse i thvrrisnin ato: Balushë, Larikë, Kuqeshë, Murricë etj, etj. Këto lopë, sado që nuk mund të krahasohen për prodhim qumshti me racat e sotme moderne të lopëve, ishin të leverdisëshme për fshatarin e vorfën shqiptar, sepse ushqeheshin nëpër kullota natyrore të rrafshnaltave tona dhe ma lehtë me i ushqye.

 

Ishin po kështu dhitë e kuqe, të cilat thuhet se janë tipike racë e trojeve dardane. Këto krijesa të vogla prej shumkujt quhen jeta e të vobektit. Mandej, gomarët e këtyne trevave, qenët e Sharit, dhe mbi të gjitha ishte e njohun delja Bardhokë, e cila kishte karakteristikat e saj, sepse jepte shumë lesh e qumësht dhe pillte rregullisht qingja të shendoshë, shpesh herë edhe nga dy.Bjeshkët tona kanë qenë plotpërplot me këto dele gjatë gjithë historisë.

 

Aq i pamëshirshëm e racist ishte sistemi sllavokomunist i Jugosllavisë, sa kishin halë në sy jo vetëm shqiptarët , por edhe këto raca të kafshëve shtepijake me të cilat shqiptarët kishin bashkjetue dhe sigurue egzistencën nëpër shekuj.

 

Mbaj mend , ashtu edhe tregonte babë Mustafa, se si menjëherë mbas lufte, qysh në fillim të viteve ’50, i grumbulluen dhitë e kuqe të familjeve shqiptare dhe disave ua kompensuan ato me një racë tjeter dhije të bardhë, që kishte karakteristika krejt të tjera nga ajo e kuqja.

 

Në mesin e viteve ‘60 filluen me sjellë tek fshatarët një racë dashi australian, dash MERINOS i thonin, dhe ua merrnin deshtë e tyne tradicionalë të lindun nga bardhokat e bardha, dele të racës vendase, që në kohë të Ilirisë. Barijtë shqiptarë gjithmonë kanë ba rezistencë kundër kësaj dhe shumë prej tyne janë persekutue, janë burgosë, kurse në Jabllanicë të Madhe, në Bjeshkët e Sejnovës, asht vra një djalosh i ri i familjes Zekaj, sepse nuk ka dashtë  t’u jepte dashin e tufës të dhenëve të veta.

 

Një ditë, aty nga  viti 1964 – 1965, m’u lut nana që t’i lëshoja delet në fushen e Pollaqerit derisa ajo të bante punët e shtëpisë dhe mandej do të vinte edhe ajo për t’i ruejtë ato.

 

Sado të vorfën e pa tokë, ishte traditë në atë kohë për secilen familje të kishte disa krenë dhenë.  Na kishim rreth 20-25 krenë.

 

Mora fyllin dhe shkopin dhe dola me dhen në Pollaqer. Një fllad i lehtë fryente nga maja e Gradinës dhe më shpushpurishte flokët. Nëpër degët e pemëve dëgjohej kanga e bilbilit, ndërkohë që nëpër lulet e barit të kullotës  zukatshin bletët.  Ato sikur ishin në garë njena me tjetren kush do t’ua mblidhte të parat nektarin luleve, para se delet t’i hanin. Ndjeja keqardhje për bletët e vogla, sepse më dukej se delet ua prishin lulet e ato nuk do të kishin ma ushqim. Një kënaqësi e veçantë ishte të shikoje se si luenin e kërcenin qingjat.

 

Ndërsa delet po kullosnin, unë kisha hapë për ta lexue librin me poezi " PICIMULI" të Rexhep Hoxhes, që ma kishin dhurue në shkollë për rezultatet e shkelqyeshme që kisha arrijtë atë vit.

Papritë, degjoi një si ushtimë. Çova kryet dhe pash se si nga sokaku i vorrezave po ngjitej me shpejtësi një xhip i milicisë. Nuk më bani përshtypje, sepse ishim mësue t’i shihnim xhipat të patrullonin pothuej nga disa herë në ditë nëpër rrugët tona, por më bani zemra baf, sepse mendja më shkoi që ndonjë shqiptar do ta pësonte atë ditë. Për çudi, xhipi erdh me shpejtësi, tue ngritë re pluhuni, drejt nga unë dhe u nal para kambëve të mija.

 

Nga makian dolën dy policët, tashma të rregullt për vizitat e tyne në fshat, Dragosia dhe Milenko Matanoviqi. Nga dera e pasme doli një burrë i gjatë, i madh, dy metra, me barkun që i ishte varë mbi rripin e pantollonave, sa nuk pëlcisnin nga trashsia e trupit të tij.

 

- A po të kullosin, o çobani i vogël? - më tha ai trashalluku, që ishte civil e jo me uniformë.

 

- Po po, hanë nga pak, - ia ktheva. Më foli shqip, dhe edhe unë ashtu iu përgjegja.( Ma vonë pata mësue se ai trashalluqi quhej Çiro dhe ishte nëpunës i komunës, një serb katil e shumë i lig). Ato çaste pash se policët kishin në krahnor nga një pushkë automatike, të cilat i mbaj mend mirë, sepse i kishin rezervuaret e fishekëve të rrumbullakët, jo si këto të tashmet, që janë moderne.

- I kujt je, mor djalë?-  më foli prap trashaluku.

 

- Jam i Mustafë Hajdinit, - iu gjegja.

 

- Aha, po. Ku asht Mustafa sot?

 

- Ka dalë diku në fshat – ia ktheva, - nuk e di ku.

 

- A po bahesh djalë i mirë e me trego ku e ke dashin?

 

Ai fliste me mue, ndërsa shikimin e kishte drejtue kah delet që kullosnin tue i shikue një për një.

 

- Ja, ai atje, a nuk ia sheh bolet mbrapa? i thash si me të tallun dhe mezi mbajta gazin. Dashi ynë ishte pa brina dhe ai si duket, tue ja lypë me e dallue prej brinash, nuk e kishte vërejtë mes kambëve.

Shkoi me të shpejtë drejt dashit, e kapi për bashke, e çoi nalt me të dyja duert, dhe shkoi me të në drejtim të xhipit. Polici Milenko i hapi derën nga mbrapa xhipit dhe trashalluku e hodhi dashin atje. Unë, kur pash se çka ndodhi, lëshova piskamën dhe vrapova e u kacavora në derën e xhipit dhe mundohesha me e hapë. Thërrisja e çirresha me gjithë shpirt: Lëshoma dashin tim! Lëshoma Shytanin tim të mirë! Pse po ma merr!?!

 

Atë çast dëgjova një za nga larg, një za të kumbueshem, që e njoha menjëherë.  Këthej kryet dhe shoh se si baba Mustafë po vraponte me hapa të mëdhej nëpër kopshtin e dajve Çetina, sepse ai paskish qenë në oborr, tek ata, dhe fatmirësisht, unë isha shumë afër shtepisë së tyne dhe ai kishte dëgjue britmat e mia. Kapërceu gardhin pothuej pa e prekë dhe m’u afrue e më perqafoi.

 

- Shuje zanin! Mos u frigo! Më tha nësa  me një dorë më mbante mue dhe me tjetrën hapi derën e xhipit, e tue e kapë nga bashkët e leshit, ngrit dashin dhe e zbriti nga xhipi. Ai vrapoi me të shpejtë dhe u përzje me delet, që kullosnin barin e bleruem të tokës dardane.

 

Atë çast policët i thanë të ngrinte duert nalt dhe i këthyen pushkët drejt tij.

 

Sa çel e mbyll sytë, vrapuen aty daja Arif, daja Ismail, nana Xheke, Kadrush Haxhiu, një bashkfshatar dhe mik i mirë i babës. Policët, kur panë se arrijten edhe të tjerë, si duket i kapi frika dhe e kjo mjaftoi që babë Mustafa të largohej dy- tre hapa me të shpejtë e të mbështetej për gardhin e Çetinve, të porsathurun, dhe me të dyja duert mas shpine, pa iu trembë syni, po shikonte policët drejt e në sy. Atëherë iu drejtue ashpër atyne:

 

- Hapni zjarr! Çka prisni, hapni zjarr, he u dhjefsha pushkët! , kur papritmas, si në një film, pash se diçka fluturoi nga mbrapa shpinës së babes dhe ai, me një hu gardhi të fortë në dorë, iu vërsul trashalukut dhe e goditi mu në gjoks, ndërsa me dorën e djathtë, me shpejtësi vetëtime, i kapi pushkën polic Milenkut. U ba tollovi e madhe. Në mes tyne hynë  dajet e babës dhe sidomos nana Xheke. Bile ishte ajo që arrijti të zotnonte gjendjen, trimja malsore nga anët e Rrozhajës. Ndërsa ajo po fliste e qortonte policët për vrazhdësinë e sjelljes së tyne, i bani me shej babë Mustafës të larghet. Ai, pa u vu ore në atë rrëmujë, u largue me të shpejtë, sa as unë nuk e pash kur iku. Nana Xheke i bindi policët dhe ata morën për krahu at trashalukun dhe ikën.

 

Unë shkova në shtepi tue qa. Kur arrijta atje, pash se baba ishte ulë nën hijen e manit, që kishim në oborr dhe po pinte duhan. Nana ishte ba gati me shkue te dhent. Kur çka me pa! Vendin e mbuluen re pluhuni dhe uturima motorash. Për pak sekonda u rrethue lagjëja me mbi 30-40 policë. Arrestuen babë Mustafën në praninë tonë. Kujtoj nga ato çaste veçanarsiht lotët e nanës, të vëllajt të vogël, Ibrahimit, ngjitë për trupin tim, sikur të isha unë ai që mund ta shpëtoja.

Nuk do të harroj kurrë çastin kur baba, kryet nalt, u lthye nga unë dhe më tha:

 

- Selim, biri im! Kujdesu për shtëpinë. Baba do të këthehet prap, nuk kanë çka na bajnë këta katila!

Unë pra, fëmija 10-11 vjeç, do të isha nga ai çast i zoti i shtëpisë së Hasanajve! Zot i madh!

E dënuen me 9 muej burg. E dërguen menjëhere në Lepogllavë të Kroacisë, por mbas dy muejsh e sollën në Prizren. Mbaj mend se kam pasë shkue me dajen Arif Çetina me e vizitue. Tek shkonim në Prizren, për mue ishte hera e parë që hypja në autobus. Si sot kujtoj edhe përshtrypjen që më patën lanë rrugët me kalldram në qendër të Pejes, ku edhe morëm autobusin, bukuria e Prizrenit, e sidomos madhështia e Kështjellës së Qyetit të Lidhjes.

 

Ishte ajo kohë kur edhe racat e kafshëve tona pushtuesit serbë donin ta çfarosnin. Si mund të harrohet?! Barbaritë e tyne “moderne” do të vijë shumë shpejt dita mos me i besue kush, por do të ishte gabim. Ato nuk mund dhe nuk duhen harrue!

 

Sarpsborg - Norvegji: 07.04.2011



(Vota: 8 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora