E marte, 16.04.2024, 10:49 AM (GMT+1)

Kulturë

Tahir Bezhani: Poezi të dhimbjes krenare

E premte, 22.04.2011, 07:56 PM


POEZI TE DHIMBJES  KRENARE

 

Nga Tahir Bezhani

 

Libri me poezi”Shira dhe ylbere”të autorit Viktor  Gjikolaj,të tërheq që nga poezia e parë e librit deri në faqen e fundit nga se lexuesi ndeshet,që në fillim, me fuqinë e fjalës poetike të shprehur me sinqeritet  e të  nxjerr nga shpirti i tij krijues plot mall  njerëzor. Thellësia e ndjenjës emocionale dhe mendimi i shprehur shumedeminsional i këtyre poezive,janë shtyllat kryesore që reflektohen nga poezia e parë”Qëndresa e fajit” e deri në atë të fundit i faqes 73.

Poezitë e këtij libri frymojnë lirshëm,përcjellin mesazhe te rëndësishme njerëzore,komunikojnë dhimbshëm për fate njerëzore,pa ndarë fatin personal të autorit. Ja disa vargje nga poezia e parë:

 

Dhe zjarri ra në kullën me myshk

Gjuhët e flakës u ngritën në erë

U dogjën stolitë në sëndyq

Dhe krejt reliket me vlerë

 

Në pirgun e lartë me hi

Ku gjithçka u kall me rrëmbim

Kishte shpëtuar për çudi

Fleta ku shkruhej,faji im”

 

Janë këto vargjet më emblematike të cilat të rrëmbejnë këndshëm me përmbajtjen meditative poetike. Emocionet e poetit të skalitura përmes metaforës, përputhen plotësisht me karakterin  e qëllimin  personal  e që shpërndahet në rrolin shoqëror që ka arti,në këtë rast,poezia.

 

Në disa poezi të shkurta,si te poezia “Durimi” autori zbraz fuqishëm katarzën e tij shpirtërore në raport me karakterin e tij personal e shoqëror,ku pasurimi i ndenjës me durimin”E lind një mëngjes” diellor.

Duke  trajtuar (lexuar) këtë poezi të përmbledhjes në fjalë,mendoj se pesha këtyre vargjeve reflekton një pejsazh të shpirtit të poetit,apo thënë ndryshe,pasqyron boten e tij poetike. Lexojmë disa vargje:

 

   E vonova natën time

Dhe durova në terr

E sulmova me shkëlqime

..... e lindi një mëngjes”

 

Metaforat poetike të përdorura me shkathtësi që nga momenti i lindjes së poezisë nga shpirti krijues,pjek mendimin për interpretim të sigurt të ecjes neper lartësi në rrugën e filozofisë poetike apo të modernitetit të vargut në poezinë e Viktor Gjikolajt.

 

Poeti Viktor Gjikolaj,reflekton të jetë poet me ndjenjë shpirtore,i motiveve të gjithanshme me natyrë sociale e shoqërore,erotike,familjare,nostalgjik për vendlindjen si rilindësit në mërgim.

  

Por i veçantë është edhe ndjenja e atdhedashurisë, pra çështja kombëtare, e cila nuk rri anash në poezinë Viktor Gjikolaj.

 

Këto motive të ruajtura në embrion të ndjenjave shpirtërore të autorit,here-here shpërthejnë fuqishëm nga se janë të ndërthurura fatet personale  dhe ato shoqërore kur arrihet edhe pika universale në artin poetik

 

Poezia”Fati im” është njëra nga poezitë që argumenton mendimin e shprehur më lartë,njëra ndër poezitë më të bukura në librin “Shira dhe ylbere”.

 

Poezitë me motive kombëtare,zënë vend meritor në librin e Vikto Gjikolaj,ato janë të skalitura me mjeshtri dhe dhimbje qe prekin qelizat e ndjenjave njerëzore.

 

Të tilla raste autori i ka përjetuar thellë me rastin e luftës në Kosovë dhe atë dhimbje e nxjerr nga thellësia e tij ,gdhendur mjeshtërisht me intonacionin e dhimbjes shpirtërore

Ja  një poezi se si autori e përshkruan një rast eklatant: poezia “Pesha”:

 

“E pyeten kampionin:

Në cilën garë,

Në cilin vit

Peshën më të rëndë

Keni ngritur?

  

I shtangur

Shtangisti tha duke qarë:

Me 1999-tën,

Kur ngrita nga dheu

Një foshnje të vrarë....

 

Ishte

Gjakovar

 

Gjakovë,maj,2000”

 

Mendoj se çdo koment në favor të kësaj poezie do të ishte i tepërt  nga se poeti Viktor Gjikokaj,shpjegon gjithçka nga thellësia e shpirtit të tij njerëzor.

 

Në këtë libër gjejmë edhe shumë e shumë poezi tjera që meritojnë vëmendjen e lexuesit,bile do thoja edhe të analizës me koshinencë letrare nga se kanë thesar të pasur për t’i interpretuar  e kuptuar sa me mirë.

 

Të tilla janë poezitë: ”Ka 100 vjet”,”Dhurata”,”Një herë” “Brishtësi”,”Shtëpia e Lazgushit”,”E pash nënën ëndërr”dhe “Episod në 20-vjetorin e rënjës së murit të Berlinit”.

 

Krejt në fund,duke patur në duar një libër me poezi me vlera të larta,autorin e përgëzoj dhe uroj suksese të reja.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora