E premte, 19.04.2024, 09:02 PM (GMT+1)

Kulturë

Albert Zholi: Flet Akademikja, pedagogja e UT, Floresha Dado

E premte, 22.04.2011, 07:58 PM


Flet Akademikja, pedagogja e UT, FLORESHA  DADO

 

Mendimi im për debatin Kadare-Qose

 

Nga Albert ZHOLI

 

“Teoria e letërsisë” është baza themelore që formon historianin e letërsisë dhe hap shtigjet e trajtimeve të vërteta shkencore, duke garantuar zgjidhje e rezultate serioze. Sipas saj, në këtë libër akademikja Dado ka qartësuar raportet mes vetë teoricienëve të letërsisë, historianit të letërsisë dhe kritikëve. Por ajo flet dhe për pozicionin e femrës në jetë, për rolin e guras në vendimarrje, për shkrimtarët shqiptarë, problemet e letërsisë sot, cilat kanë qenë problemet e letërsisë shqiptare në sistemin monist shqiptare sot, etj...

 

-Duke iu referuar njerit prej studimeve tuaja më të rëndësishëm, “Sfida teorike të historiografisë letrare” cili ishte qëllimi i librit  ?

 

Në parathënie kam sqaruar se, tashmë, nuk mjafton të flasim vazhdimisht për domosdoshmërinë e hartimit të Historisë së Letërsisë Shqiptare, por duhen njohur e diskutuar, në rrethet shkencore, një varg çeshtjesh teorike, që lidhen : nga njera anë me njohjen e specifikës së sistemit letrar; nga ana tjetër me njohjen e thelbit të historisë së letërsise, si një nga disiplinat më të rëndësishme të shkencës letrare.  E gjithë problematika e këtij studimi ka të bëjë me aspekte thelbësore të njohjes dhe qasjes ndaj ligjërimit artistik dhe të metaligjërimit shkencor. Pra, synimi i librit është të bëjë të qartë se nuk mund të realizohet kurrë me sukses rishkrimi i Historisë së Letërsisë Shqiptare, pa zgjidhur një varg çeshtjesh të karakterit metodologjik, si çeshtjet e kritereve të hartimit, të periodizimit, të metodave të studimit, të raportit midis kuptimit historik dhe evolucionit të strukturave artistike, të marrëdhënies midis studimit në planin diakronik dhe sinkronik, të raportit të teorisë së letërsisë, kritikës letrare dhe historisë së letërsisë, të përcaktimit të ekuilibrit midis estetikes së kohës së krijimit dhe estetikës së sotme të vlerësimit, etj.etj. Çeshtjet janë shumë, por thelbësore dhe të domosdoshme për të rikonceptuar këtë vepër madhore mbi baza të vërteta shkencore.

 

-Kur flasim për historiografi letrare a ka një datë të mirëfilltë kjo shkencë në Shqipëri?

Pavarësisht se gjatë dhe para shekullit XIX, ishin shkruar  vepra, mjaft studime të pjesshme, dokumente  nga studiues të letërsisë, konfirmimin e disiplinës shkencore të Historisë së Letërsisë Shqiptare, e gjemë në gjysmën e dytë të shekullit XIX, në veprën “Manuale di Letteratura Albanese” të studiuesit arbëresh,  Alberto Stratico, i cili synoi të ndërtonte një pamje të shkurtër, por të plotë të ‘lëvizjes letrare të shqiptarëve nga kohët e vjetra deri në ditët tona’ (viti 1896). Ndonëse vepra nuk përmbushte plotësisht kërkesat e një historie të letërsisë, ajo do pasohej nga një traditë e tërë, jo vetëm arbëreshe, por edhe nga studiues shqiptarë, si A.Xanoni (1920) dhe më i shquari J.Rrota (1925), nga bashkëpunimi i mëvonshëm i N.Resulit, K.Gurakuqit, dhe E.Koliqit (1941), si dhe një tradite që vazhdoi deri në fund të shekullit të kaluar. Ndonëse të gjithë botimet nuk arritën të realizonin kërkesat e brendshme, thelbësore të një historie të plotë shkencore mbi letërsinë, ato përfaqësojnë jo vetëm kontribute, por, çka është më e rëndësishme, orientojnë historianët e sotëm mbi parimet e rikonceptimit të historisë së letërsisë sonë, për të shmangur pikëvështrimet e kufizuara të  traditës së historiografisë sonë letrare.

 

-Cilat janë problemet e letërsisë shqiptare sot?

Problemi themelor lidhet me rrugën e zhvillimit të saj, përsa i përket drejtimit letrar. Pas ’90-ës mendoj se u përvijuan dy rrjedha kryesore : nga njera anë, shkrimtarë që vinin nga periudha e komunizmit (kam parasysh ata të talentuarit), përmes intuitës së tyre shkuan drejt parimeve të rinj krijues. Raporti midis stilit të konsoliduar dhe kërkimeve moderniste e postmoderniste nuk cënon prirjen themelore të stilit të tyre poetik. Nga ana tjetër, një brez i ri krijuesish, prirur drejt lëvrimit të një letërsie krejt të re, u qaset modeleve eksperimentuese, që kanë në themel koncepte të reja krijuese, që madje mund të dukeshin ‘të çuditshme’. Mpleksja e teknikave moderniste me ato postmoderniste nganjëherë vjen e sforcuar, duke errësuar disi raportin midis shijes estetike dhe kërkimit formal. Gjithsesi, është e natyrshme që në periudha të transformimeve rrënjësore në mentalitetin krijues, në prirjen për t’iu kundërvënë parimeve ideoestetike të periudhës së përmbysur paraardhëse, shkrimtarët janë në kërkim të vazhdueshëm dhe të lirë. Pra, letërsia shqiptare sot akoma nuk e ka gjetur shtratin e drejtimit letrar, si sistem parimesh estetike. Ajo është në kërkim, në forma e mundësi të ndryshme. Gradualisht, më pas mund të flitej se cili drejtim letrar është dominant në parimet estetike të saj. E dukshme është vetëm liria e krijimit, larmia stilore, herë e natyrshme, e brendshme, por jo pak edhe skematike, e kërkuar me zor.

 

-Letërsia shqiptare a është e përballshme me poezinë evropiane dhe më gjerë. A keni shembuj konkretë?

 Padiskutim që letërsia shqiptare ka vlera të nivelit evropian. Sigurisht këto nuk janë të panumurueshme, dhe ne nuk duhet të egzagjerojmë, por, mjafton një autor, si Kadare, (i denjë për çmimin nobel, madje i vonuar pa sens në këtë vlerësim), që të japë përgjigje për këtë pyetje. Kemi lexuar disa nga nobelistët evropianë bashkëkohorë dhe e them me bindje se letërsia që ofron shkrimtari ynë, futet natyrshëm në vlerat më të mira të letërsisë evropiane bashkëkohore. Letërsia e madhe nuk ka truall të kufizuar, ajo shpërthen në çdo cep të botës, kur dhuntia e shenjtë i jepet një personi, qoftë portugez, italian... apo shqiptar.

 

-Kur flasim për studime të letërsisë shqiptare, a ka lidhje me kritikën letrare dhe ku konvergojnë këto dy gjini në drejtim të letërsisë shqipe?

Koncepti i ‘studimit letrar’, është tepër i gjerë dhe mbështetet në ndërveprimin e tre disiplinave themelore : teorisë së letërsise, historisë së letërsisë dhe kritikës letrare. Ndërsa teoria  e letërsisë është shtrati themelor,  i domosdoshëm, si për kritikun ashtu dhe për historianin e letërsisëkëto dy të fundit patjetër ndërveprojnë dhe ‘ndihmojnë’ njeri tjetrin. Studimet historiko-letrare, në përgjithësimet e tyre, mbështeten në vëzhgimet dhe konkluzionet e kritikës letrare, ashtu sikurse edhe kritiku letrar nuk mund të arrijë në interpretime të sakta, pa njohur veçoritë e zhvillimit historik të procesit letrar deri në momentin e vlerësimit të krijimtarisë aktuale. Pra, kjo marrëdhënie midis kritikës dhe studimit letrar, duhet të ketë në thelbin e vet : nga njera anë një bazë të saktë teoriko-letrare, nga ana tjetër një marrëdhënie që ngrihet mbi kuptimin e saktë të thelbit dhe detyrave të secilit. Si funksionon kjo lidhje trefishe në kritikën e sotme ? Sigurisht jo si duhet, sepse kritika, përgjithësisht, ka në themel konceptin e lirë të interpretimit, që teorikisht do t’i referohej metodës së receptimit, por pa një kuptim të qartë mbi rëndësinë e raportit që theksova më sipër. Aq më tepër, po të kemi parasysh faktin që letërsia e sotme është në kërkime të parimeve estetike të ndryshme nga ajo e ½ së dytë të shekullit XX, kuptohet se sa e rëndësishme është për kritikun letrar vendosja e një marrëdhënieje të drejtë me konceptet teoriko-letrare dhe me veçoritë ezhvillimit historik të letërsisë.

 

-Cilat kanë qenë problemet e letërsisë shqiptare në sistemin monist?

Sapo kam botuar veprën e re “Letërsi e painterpretuar”, ku, për herë të parë në mendimin tonë shkencor-letrar bëhet një qasje teorike ndaj problematikave që mbart në vetvete ajo letërsi që është quajtur ‘Realizëm Socialist’. Ky trajtim nuk mbështetet thjesht dhe vetëm në letërsinë tonë të periudhës ’45-’90, por në specifikat e zhvillimit të një sistemi të tërë letrar që mbizotëroi në vendet e Evropës Lindore, që u përpunua teorikisht apo edhe u lëvrua nga disa autorë perëndimorë. Raporti i letërsisë me realitetin, me programet estetike që kanë shoqëruar zhvillimin e çdo letërsie, deformimi i thelbit të tendenciozitetit, që është në vetë natyrën e letërsisë, përcaktimet e pasakta të saj, si drejtim letrar apo metodë krijuese, pasaktësitë e kritikës së sotme në dallimin midis disidencës politike dhe disidencës artistike, marrëdhënia midis vetëdijes së shkrimtarit dhe intuitës së tij, të pakomanduar, artistike, çka bën që, jo vetëm një periudhë e tërë të mos jetë tërësisht e realizmit socialist, por edhe krijimtaria e të njejtit autor, të na befasojë me ‘kalimet’ e tij nga një pozicion artistik në tjetrin, etj. natyrshëm na fusin në rrugën e saktë të studimit shkencor. Pra, për t’u afruar te pyetja : asnjëherë nuk do të mundim të shpjegojmë shkencërisht problemet e letërsisë sonë në sistemin monist, në rast se nuk do të hyjmë në problematikën teorike që lidhet me specifikat e faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm të zhvillimit të një letërsie. Libri im ndalet pikërisht te kjo problematikë, e cila do ndihmonte, pastaj çdo studiues të interpretonte saktësisht këtë letërsi, me vlerat dhe antivlerat e saj. 

 

-Sot në shoqërinë shqiptare ka shumë debate për bashkëjetesën. Mendimi juaj?

Bashkëjetesa është tipari më njerëzor, më i emancipuar, që dallon njeriun modern nga krijesat e tjera të pavetëdijshme. Këtë vlerë shqiptarët e kanë patur dhe nuk ia kanë për faleminderit askujt!. Përkundrazi, si në çdo degradim moral që tinëzisht i qaset shoqërisë sonë, edhe politika e viteve të fundit nuk po orientohet me vizion të largët mbi këtë vlerë shqiptare. Janë bërë gabime fatale, si në politikën e jashtme, ashtu dhe të brendshme, si në aspektin fetar, ashtu dhe në atë politik. Dikur ishim më pranë njeri tjetrit, në të gjitha nivelet e komunikimit dhe bashkëjetesës. Tani ka më shumë ndarje, përplasje, madje armiqësi, urrejtje, intrigë...Siç e shihni, unë e konceptoj bashkëjetesën në një kuptim dhe rrokje shumë më të gjerë. Mungesa e vizionit patriotik të vërtetë sjell vetëm rrënim gradual. 

 

-Flitet shumë për mitmarrjen në radhët e pedagogëve. Bile ka pasur dhe pedagogë që janë ndëshkuar. Cilat janë arsyet dhe a është e moralshme egzistenca e një fenomeni të tillë që përhapet prej atyre që edukojnë brezat?

Ndonëse ky fenomen nuk mbizotëron në profesoratin universitar, në çfardo përmase që denoncohet  është padyshim cënim i rëndë i potencialit moral dhe profesional të një grupi të rëndësishëm që zhgarravit veten, por edhe të ardhmen e shoqërise sonë, në të gjitha drejtimet. Problemi duhet parë në një pikëqasje më të gjerë. Duhet të jemi të ndershëm të pohojmë atë që e diskutojmë çdo ditë në bisedat shoqërore: klima e korrupsionit është bërë tashmë aq e butë, madje e pabezditsshme, që e shtrin valën e saj, rehat-rehat, kudo dhe paturpësisht vjen edhe në nivelet tona. Nga ana tjetër, ajo që për mua është edhe më e rrezikshme, ka të bëjë me mentalitetin tronditës të një pjese të brezit të ri për të çarë në jetë me korrupsion. Degradimi moral shfaqet në të dy nivelet. Mendoj se asnjë lloj muhabeti nuk e turbullon këtë fenomen, përveç qëndrimeve të rrepta të vetë studentëve, të cilët, kur duan, kanë aftësi të jashtzakonshme të trondisin opinionin, të përmbysin dhe rindërtojnë. Dënimi aty-këtu i ndonjë pedagogu të korruptuar, nuk zgjidh asgjë! Ku janë shoqatat studentore ? Ato mund të shkundin mentalitetet, si të pedagogëve, ashtu dhe të studentëve, që deformojnë, shëmtojnë konceptin mbi personalitetin dhe statusin në jetë.

 

-Rreth krijimtarisë së Ismail Kadaresë ka shumë debate. Disa ekstremistë e quajnë dhe shkrimtar oborri dhe më tej. Mendimi juaj për krijimtarinë e Kadaresë?

Në veprën “Letërsi e painterpretuar-Qasje teorike ndaj realizmit socialist” (2010), jam përpjekur të trajtoj disa nga çeshtjet më thelbësore, që kanë të bëjnë me metodologjinë e vlerësimit të letërsisë së gjysmës së dytë të shekullit XX.  Një ndër aspektet  e qëndrimit ndaj kësaj letërsie është raporti i shkrimtarit me letërsinë e vërtetë dhe realitetin social e politik të kohës. Marrëdhënia është specifike, ajo duhet gjetur në sistemin e strukturës së brendshme ideoartistike, në konvencionin dhe metaforën artistike të saj dhe jo thjesht me mbijetesën e këtij shkrimtari në rregjimin diktatorial. Koncepti   ‘shkrimtar oborri’ nuk ka lidhje fare me procesin krijues të Kadaresë. Nëse nuk qe disident i hapur politik, (shyqyr që nuk ra në këtë rrezik që do shënonte fundin tragjik ), letërsia e tij ishte një disidencë e shkëlqyer artistike, sigurisht me kulmet dhe oshilacionet e saj. 

 

 -Një debat i nxehtë Qose–Kadare. Mendimi juaj për këtë debat. A ka lidhje me letërsinë shqipe apo thjesht debat rivalësh?

Më shumë se debat rivalësh është gabim i gazetave që nuk ndalnin së ngucuri këtë debat absurd, madje duke i provokuar lexuesit me tituj e nëntituj artikujsh, që shpesh ishin anësorë në thelbin e debatit midis dy personaliteteve shqiptare. Gjithashtu ishte pothuajse provincial fakti që edhe kritikë, studiues, botues, analistë  ‘tifozë’ u turrën me zell për të sulmuar njerin e mbrojtur tjetrin ?! As Kadare, as Qosja nuk kanë nevojë për mbrojtje, ata janë aty, me vlerat e padiskutueshme, si pasuri të kulturës sonë. Nëse Kadare njihet tashmë si një ndër shkrimtarët më të mëdhej të letërsise bashkëkohore, jo vetëm shqiptare, por mbarëevropiane, Qosja mbetet një ndër studiuesit më të shquar të letërsisë, përfaqësuesi më tipik i postmodernizmit në letërsinë e sotme. Brenda individualiteteve të papërsëritshme, të dy kanë të përbashkët ndjeshmërinë e thellë për vlerat dhe fatet kombëtare ! Por, pse hynë në sherr këto dy personalitete? Mos harroni se gjithnjë krijuesit e mëdhej mbartin në gjenialitetin e tyre edhe problemet e temperamentit të vështirë, të instiktit të brendshëm ‘të sherrit,’ me veten dhe me të tjerët. Kjo është vërtetuar historikisht tek të gjithë të mëdhejtë e artit, në rang botëror. Sipas meje të dy kanë gabuar, për një moment kanë harruar se pikëpamjet apo vlerat e tjetrit nuk cënojnë kontributet e vetvetes. Gjithashtu, me fisnikërinë e krijuesit të vërtetë, duhet të pranonin qytetarisht debatin shkencor, jashtë fyerjes e poshtërimit reciprok. Kështu, buzagaz, do të thoja : le t’i lëmë personalitetet e kulturës ‘të grinden’, të thonë ç’mendojnë, dhe le të hyjmë në debat, jo për të sulmuar apo mbrojtur njerin apo tjetrin, por për të diskutuar tezat e pikëpamjet e tyre, duke marrë pjesë me tezat tona, nëse mundemi ta bëjmë këtë.

 

-Cili është niveli i mësimdhënies në UT sot dhe a kanë auditoret e UT bazën e nevojshme didaktike për mësimdhënie profesionale dhe mbi baza shkencore?

Sipas meje ekzistojnë dy probleme themelore : së pari, ka një kontradiktë të çuditshme midis nivelit shkencor të pedagogëve dhe interesimit të studentëve. Periudha e hapjes në sistemin demokratik, krijoi hapësira të reja, të pamundura më parë për pedagogët shqiptarë, që, duke shkuar në biblioteka të universiteteve evropiane, amerikane, etj. zbuluan horizonte të reja shkencore, rikonceptuan lëndët ekzistuese dhe krijuan një seri lëndësh të reja, duke përkthyer apo hartuar tekste të nivelit bashkëkohor... Por, nga ana tjetër, interesi i studentëve erdhi duke rënë, dhe, për fat të keq, vazhdon në mënyrë të trishtueshme. Ndonëse ka studentë që janë në nivele të larta të interesimit dhe aktivizimit të tyre shkencor, masa dërrmuese të ngjall trishtim. Së dyti, jo gjithnjë dhe kudo angazhimi i pedagogëve është në atë nivel që unë e kujtoj dhjetra vite më parë. Shpërndarja e tyre, tërheqja ndaj interesave në aspekte të ndryshme, mungesa e një ‘kontrolli’ shkencor, natyrshëm zbehin përgjegjshmërinë dhe seriozitetin e mjaft prej pedagogëve të sotëm. Këto nuk janë pak për t’u diskutuar, sipas meje, në radhë të parë nga vetë studentët. Kam bindje se vetëm ata, po ditëm t’i përfshijmë, mund të përmirësojmë punën e tyre dhe tonën.

 

-Gruaja dhe pozicioni i saj në vendimarrje. A i ka lënë hapësirat e nevojshme politika femrës shqiptare në këtë drejtim?

Gjithnjë flitet për këtë çeshtje, dhe, madje, me demagogji nga ana e politikanëve. Sipas meje ka dy probleme : së pari, shumica e meshkujve, që kanë në dorë përcaktimin e raportit të gruas me pushtetin, nuk kanë bindje të sinqertë për vlerat që mund të demonstrojnë gratë në vendimmarrje dhe, në kuptimin e gjerë, në sfera të tjera të politikës. Madje xhelozia mashkulore është tepër e hidhur. Së dyti, edhe kur iu është dhënë rasti, jo gjithnjë vetë gratë kanë demonstruar forcën e karakterit dhe pavarësisë intelektuale të tyre. Për fat të keq, pozicionuar ndonjëherë shëmtueshëm në interesa politike, kanë dëmtuar imazhin njerëzor dhe ekuilibrin shpirtëror që është në natyrën e femrës, në moshë të pjekur. Sipas meje vitet e fundit, në mjedisin politiko-social, është kompromentuar disi dallimi që duhet të karakterizojë një grua me integritet moral dhe profesional.

 

-Jeni supersticioze në jetë?

Në përgjithësi jo. Por, mos harroni se njeriu është një qënie tepër komplekse, misterioze, e paparashikueshme, jo vetëm nga të tjerët, por edhe nga ai vetë! Njeriu është qënie sa e vetëdijshme, aq edhe instiktive, në kryqëzimin e forcave që e udhëheqin në jetën e vet. Mos harroni se njeriu sa është zot i jetës së vet, aq është dhe i mposhtshëm nga faktorë dhe forca të tjera, jashtë vullnetit të tij. Supersticioni është dobësi njerëzore, që e ka burimin te thelbi i njeriut. Kështu jam edhe unë.  Momentet kur kam menduar se nuk jam supersticioze, kanë qenë ato kur jam ndjerë e fuqishme, e zonja për t’u orientuar  në drejtimin e duhur, për ta parë realitetin drejtpërdrejtë. Por, në momente të vështira, edhe unë trembem, mbyllem në vetvete, e frikësuar dhe paksa e dobët ndaj asaj që s’duhet të vijë (mos e lexoni këtë dobësi timen !!!). Pa e kuptuar më ndjek supersticioni !

 

-Cfarë pëlqeni dhe cfarë kritikoni tek një njeri?

Vlerësoj dashurinë dhe sakrificën për njerëzit, kërkoj natyrën e drejtpërdrejtë dhe miqësinë e sinqertë, qëndrueshmërinë e karakterit. Urrej mosmirënjohjen, egoizmin, fodullëkun, karakterin e dobët që e tërheq zvarrë njeriun (Sa e shëmtuar është kjo dukuri dekadën e fundit, kur paqëndrushmëria e karakterit shfaqet si tipari më i neveritshëm, sidomos i meshkujve  në jetën politike!). Kritikoj mungesën e dëshirës për të kuptuar së brendshmi dobësitë, për të reaguar, për të marrë përgjegjësitë, sepse nuk dëmton ai që gabon, por ai që nuk dëshiron të pranojë gabimin.....

 

- Duke parë pozicionin tuaj, a mendoni se femra shqiptare ka zënë pozicionin e duhur sot në jetë?

Përgjithësisht  femrat që kanë patur pasion të fuqishëm për profesionin, që kanë qenë të gatshme të sakrifikojnë nga rehatia, dëfrimi, qetësia e tyre,  kanë ditur të gjejnë pozicionin e duhur në jetë. Personalisht dalloj dy lloj ecurish në jetën e femrave që duan të jenë dikush:  rrugën e ndershme, të lodhshme, të sakrificës, të dashurisë së sinqertë për profesionin, dhe, mbi të gjitha, të respektit ndaj personalitetit të vetvetes. Por, krahas këtij modeli, shohim sot një shpërpjestim midis thelbit të karakterit dhe pretendimit për të marrë, me çdo mënyrë, diçka që të intereson. Për fat të keq është dëmtuar rëndë mekanizmi i konkurrencës së ndershme, një mentalitet që mund ta çojë një shoqëri drejt rrënimit gradual.

 

-Cfarë i mungon sot politikës shqiptare, parë në këndvështrimin tuaj?

Për këtë mund të flitet gjatë, sepse mendoj se është aspekti më trishtues i jetës sonë intelektuale dhe shpirtërore. Vetëm një gjë do të përmblidhte atë problematikë të gjerë për të cilën mund të flitet, dhe kjo është : moskuptimi i thelbit të vërtetë të politikës nga ata që pretendojnë të merren me politikë. Për mua, që nuk jam marrë me politikë, ky thelb përfshin dy drejtime themelore : marrëdhënien me njerëzit, realitetin të cilit i përket, dhe marrëdhënien me vetveten, në thellësitë e sinqeritetit dhe përkushtimit të panjollosur njerëzor. Ruajtja e një ekuilibri të drejtë midis këtyre dy anëve, që kushtëzojnë ekzistencën e çdo qënieje njerëzore, përcakton ç’lloj politikanësh ka Shqipëria, sa dallojnë nga njeri tjetri, por dhe ku pajtohen, pavarësisht pozicionimit në kahje politike të ndryshme.

 

-Kush është më e rëndësishme për ju si femër, bukuria apo inteligjenca?

Sigurisht inteligjenca ! Sepse ajo i jep femrës një shkëlqim të veçantë, u jep syve forcën depëruese dhe rrezatimin e një energjie rrëmbyese. Përballë saj kushdo do lumtërohej në mrekullinë e takimit. Por, për të qenë realistë, e dimë se një femër e bukur, historikisht, ka mposhtur pushtete të jashtzakonshme, ka kapërxyer kufijtë e së pamundurës. Nëse rrethi i atyre që admirojnë inteligjencën e një femre është i kufizuar, dhe kjo njohje jo gjithnjë është e drejtpërdrejtë,  adhuruesit e femrës së bukur janë kudo dhe vazhdimisht, të drejtpërdrejtë, pa asnjë përkushtim dhe vemendje të posaçme. Bukuria i mposht të gjithë. A mund ta mohoni këtë fakt? Gjithsesi, shoqërisë i duhen edhe femrat e bukura, edhe femrat inteligjente. Secili, pastaj, bën zgjedhjen e vet.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora