E shtune, 26.09.2020, 12:17 AM (GMT+1)

Kulturë » Kinema

Richard Gere: është mrekulli që kam arritur në këtë pikë

E shtune, 04.08.2007, 07:43 PM


Rreth 30 vjet pas rolit në filmin "American gigolo", Richard Gere ende gjendet nën peshën e statusit prej seks-simboli dhe nën atë të suksesit hollivudian

Richard Gere
Ishte ndoshta mashtrimi më i madh i kryer ndonjëherë në industrinë e publikimit. Në vitin 1971, një autor pak i njohur me emrin Clifford Irving, kishte marrë të drejtën e publikimit të jetës së një prej njerëzve më të famshëm në rruzull: miliarderin Howard Hughes. Duke pretenduar se kishte arritur t‘i merrte një seri intervistash miliarderit Irving, ai ia doli të firmoste një marrëveshje të majme dhe thuajse ia doli të mashtronte gjithë botën me atë që ai pretendonte se ishte biografia e autorizuar e Howard Hughes. Në fakt, bëhej fjalë veç për një përzierje materialesh të publikuara në kohë dhe disa copëza të marra nga një dorëshkrim të Noah Dietrich, një ndër njerëzit më të afërt të miliarderit, të cilin Irving e kishte kopjuar pa leje.

Do të ishte një konferencë shtypi e bërë nga vetë Hughes pas dhjetë vitesh heshtjeje, ajo që do zbulonte se e gjithë meseleja e biografisë së autorizuar nuk ishte tjetër veçse një mashtrim i Irving. Ai u dënua me dy vjet e gjysmë burg, ndërsa bashkëshortja dhe ndihmësi i afërt i tij, përkatësisht me nga gjashtë muaj.

Me mendimin për të fituar ca para nga e gjithë kjo mesele, Irving ka shkruar skenarin me titull "Mashtrimi", në të cilin roli i protagonistit i është besuar aktorit Richard Gere.

Filmi, i drejtuar nga regjisori Lasse Hallstrom, në fakt është modifikuar disi, për shembull, shtëpia e Irving nga Ibica është zhvendosur në bregun perëndimor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

"Nuk bëhet fjalë për ndonjë dokumentar mbi jetën e Clifford, po tregojmë një histori dramatike", thotë Gere. "Fillimi i viteve ‘70, kur ka ndodhur ngjarja, ishte një epokë ndryshimesh radikale në të gjithë planetin. Franca dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin nën trazira të forta, ndërkohë që luftohej edhe në Vietnam. Në atë kohë, Hughes kishte arritur të shtinte në dorë dhe të kontrollonte shumë struktura të pushtetit".

"Historia e vogël flet për këtë zotërinë, bashkëshorten dhe mikun e tij të ngushtë, që sajojnë një mashtrim, por kapen. Historia e madhe ka të bëjë me impaktin që krijoi jo vetëm kjo gënjeshtër, por edhe ato të mëdhatë, që thuheshin me bollëk në atë periudhë."

Vetë Irving ka qenë mjaft kritik ndaj skenarit, duke e përshkruar gjatë një interviste si "i fryrë", por nuk po përzihet shumë me përgatitjet për hedhjen e filmit në treg.

"Gjithçka shkruhet në skrpit vjen ose nga fjalët e vetë Clifford, ose bazohet në librin e tij", thotë Gere. "Është absurde që thotë se nuk ka të bëjë fare me të".

Aktori nuk kërkon ndjesë, për faktin se nuk pranoi ta takonte Irving përpara se të niste puna për filmin, duke parapëlqyer të bazohej në ngritjen e karakterit te skenari dhe te kërkimet e veta. "Kishte libra që flisnin mbi atë vetë dhe mbi episodin e mashtrimit, ndërkohë që kishim në dorë edhe mjaft xhirime të tij. "E kisha mjaft të qartë gjithçka doja të bëja me rolin. Është e qartë se ai është njeri mjaft manipulues dhe nuk doja të influencohesha më shumë nga ç‘duhej nga këndvështrimet e tij, apo nga përpjekjet që të shfaqej sa më pozitiv në film", thotë aktori. "Doja të isha aq i ashpër sa duhej. Janë disa pika, për të cilat do të doja të flisja me të tani, përpara hedhjes së filmit në treg, por nuk e shohim më rrotull. Duket se është nga ata njerëz, te të cilët nuk mund të kesh shumë besim".

Megjithëse tani Gere është shumë entuziast për filmin, madje po interesohet personalisht për t‘i bërë sa më shumë reklamë, kur iu dha në dorë skenari katër vjet më parë, ai e ktheu shpejt prapa.

"Nuk më bëri për vete dhe nuk mendoja se isha aktori i duhur për atë rol", shpjegon. "Megjithatë, nuk jam shumë i sigurt për arsyet që më shtynë të reagoja në atë mënyrë, sepse kur regjisori më telefonoi dhe më tha se më donte mua në atë film, e lexova përsëri dhe menjëherë ndjeva se duhej ta luaja atë rol. Mendoj se skenari e pasqyronte me besnikëri skizofreninë e asaj epoke në Amerikë, si edhe të gjitha elementet që e bëjnë atë periudhë të veçantë - industria e botimeve në Nju-Jork, skandali Watergate, Vietnami... Por kumbon më shumë tani se në atë kohë, ndoshta edhe për shkak të luftës ku jemi përfshirë aktualisht".

Gere beson se Irving iu afrua shumë pranë suksesit me mashtrimin e pabesueshëm që vuri në skenë, duke e bazuar gjithçka te të qëndruarit mënjanë të miliarderit Hughes dhe te mania e tij për të vërtetën. "Në rast se Hughes nuk do kishte hapur gojë, gjithçka do shkonte më së miri", tregon Gere. "Të gjithë donin që të ishte e vërtetë, pasi ishte një histori madhështore, tek e cila shihnin miliona dollarë".

57-vjeçari Gere ka qenë yll kinemaje për më shumë se 30 vjet. Roli i tij i parë i rëndësishëm në një film ka qenë ai përkrah aktores Diane Keaton në filmin "Looking for Mr. Goodbar" (Në kërkim të Zotit Goodbar, 1977), që u pasua nga ai i një punëtori ferme, emigrant në "Days of Heaven" (Ditë parasje, 1978).

Kurrë nuk ka arritur të kuptojë se përse u kthye në një seks-simbol pas filmit "American gigolo" (Një zhigolo amerikan, 1980), por di me siguri se ai rol i hapi udhën edhe për filma të tjerë të suksesshëm: "An Officer and a Gentleman" (Oficer dhe Xhentëlmen, 1982), "Internal Affairs" (Punë të Brendshme, 1990) dhe "Pretty woman" (Gruaja e Bukur, 1990), ku tregoi aftësi komike që nuk i kishte treguar asnjëherë më parë.

Si besimtar i devotshëm i budizmit, Gere arrin të balancojë kërkesat për shtypjen e çdo lloj egoizmi që i kërkon kjo fe me kërkesat narciziste që shtron detyrimisht karriera hollivudiane.

E, megjithatë, për atë vetë ky sukses mbetet ende mister. "Është mrekulli që karriera ime ka arritur në këtë pikë, pasi nuk kam qenë kurrë i zoti të tregoj aftësitë gjatë provave për rolet", thotë aktori. "Po të bazohej gjithçka te provat, nuk do kisha fituar kurrë ndonjë rol. Në to isha shumë nervoz dhe e urreja faktin që njerëzit përballë më gjykonin".

Fillimisht ka qenë i martuar për pak kohë me modelen Cindy Crawford gjatë viteve ‘90, më pas për 5 vjet me Carey Lowell, aktoren me të cilën u njoh e nisi të takohej rregullisht në vitin 1990. Kanë një djalë shtatëvjeçar të quajtur Homer.

E kundërshton shpejt vërejtjen se për shkak të miqësisë së ngushtë me Dalai Lamën dhe përpjekjeve të gjata për të arritur iluminimin, nuk është si baballarët e tjerë. "Jam njëlloj si gjithë të tjerët - jam një baba të cilit fëmijët nuk ia varin", thotë me të qeshur. Kam një bijë adoleshente që nuk më afrohet fare dhe një djalë, që më sheh si njeriu me të cilin mund të luajë bejsboll. Për mua karriera është shumë e rëndësishme, por nuk ka asnjë dyshim se në plan të parë kam familjen".



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora