E premte, 29.03.2024, 10:33 AM (GMT)

Mendime

Ardian Klosi: Përlindje apo Rilindje kombëtare

E premte, 22.04.2011, 08:15 AM


Përlindje apo Rilindje kombëtare

 

Nga Ardian Klosi

 

Sot fjala përlindje duket krejt arkaike në gjuhën tonë, gati-gati e panevojshme. 100 vjet më parë nuk ka qenë kështu, mund të thuhet madje se ajo përdorej më shumë sesa fjala e zakonshme sot për ne, rilindje për të përshkruar atë që po ndodhte me shqiptarët në përpjekjet e tyre për t'u afirmuar si komb më vete dhe për të arritur autonominë ose pavarësinë shtetërore. Fjala përlindje u përdor edhe më shpesh sesa fjala zgjim në dhjetëvjeçarët pas Lidhjes së Prizrenit si emërtim shoqërish patriotike, gazetash, shtypshkronjash etj., si dhe në shkrimet me frymë patriotike. Kështu shoqëria "Përlindja e Shqiptarëve" në Bruksel botonte në fillim të shekullit 20 gazetën "Albania e vogël" të Ismail Qemalit . Këtë emër kishte edhe shtypshkronja, po në Bruksel, ku u botua ndër të tjera edhe një "Histori e Shcypniisë" nga Ndoc Dedë Nikaj. "Përlindja Shqiptare" quhej gazeta që botoi më 1903 në Bukuresht patrioti Thoma Avrami (gjithsej 4 numra). Dhe sidomos "Përlindja e Shqipniës" u quajt e para gazetë e independencës, ajo e qeverisë së përkohshme në Vlorë, që nisi të dalë në gusht 1913 dhe vazhdoi në 21 numra deri më 1914.

Kjo fjalë duket se ka mbajtur edhe për disa kohë pas krijimit të shtetit të ri, si emërtim për gazeta e shoqata: kemi një gazetë "Përlindja shqiptare" të botuar në Korçë më 1922, madje edhe një gazetë me po të njëjtin emër si ajo e qeverisë së përkohshme, që shfaqet me disa artikuj në mbrojtje të çështjes çame në janar-shkurt 1944. Po në Korçë u krijua më 1919 me emrin "Përlindja" shoqata e zonjave patriote të qytetit që pati për sekretare Erasti Grigor Turtullin. Përlindje e quan zgjimin e shqiptarëve edhe Noli më 1926 te poezia e tij Himni i Flamurit: Përpjetë prije Shqipërinë,/përlintja shpirtin dhe fuqinë,/diell për vllanë, yrnek per fqinë,/për botën ëndërr e qiell i ri! Fjalën e gjejmë edhe në një nga romanet e parë të letërsisë sonë, "Lulja e kujtimit" e Foqion Postolit (shkruar në mërgim në Amerikë midis viteve 1910-1919), p.sh. në një nga dialogët e Dhimitrit me Olimbinë, kur ky i thotë kësaj: "Qeveria turke dhe Patrikana greke me anën e fesë ndalon mësimin e gjuhës sonë. Por jam i sigurt që do të vijë dita kur Shqipëria të çlirohet nga thonjtë e Turqisë dhe të Patrikanës; ajo do të jetë përlindja e kombit shqiptar dhe e gjuhës sonë". Edhe zgjim ishte fjalë e zakonshme në ato periudhë; kujtojmë p.sh., gazetën "Zgjimi kombëtar" që filloi të botohej në Janinë më 1909 dhe që mbajti plot 112 numra.

Pas Luftës së dytë botërore duket se fjala përlindje humbet përfundimisht, duke qenë se tani ka zënë vend fort në tekstet shkollore dhe politike termi "rilindje" për të përshkruar procesin e zgjimit kombëtar të shqiptarëve në gjysmën e dytë të shekullit 19 e deri në fitoren e pavarësisë. Më saktë, me rilindje u emërtua në fillim lëvrimi i gjuhës dhe kulturës shqiptare, më pas termi u shtri (në prapavajtje) për të shënjuar krejt zgjimin shpirtëror kombëtar, ndërsa protagonistët e këtij zgjimi u quajtën rilindës. Si edhe përlindje, rilindje është neologjizëm, ajo duket se është mbrujtur nga patriotët arbëreshë të Italisë, pasi një ndër të parët që e përdori në kuptimin rinascimento është Zef Skiroi në poemën "Te dheu i huaj" (1891). Sidoqoftë, "rilindja" në kuptimin e zgjimit kombëtar është përdorur më së pari nga intelektualët e kombeve të monarkisë austro-hungareze që e përshkuan këtë fenomen në shekullin 19 (p.sh., te çekët u quajt edhe rilindje = znovuzrozený, edhe përlindje = obrození). Lëvizja kombëtare te bullgarët do të përshkruhej, në historiografinë e mëpasme, si vyzrajdane, pra rilindje, me emërtim gati të barabartë si në historiografinë tonë. Ndryshimi nga zgjimet kombëtare të popujve që jetonin nën monarkinë austro-hungareze, ishte se këta e arritën vetëdijesimin kombëtar para se të shpërbëhej perandoria e Danubit, madje i gëzuan të drejtat kombëtare gjerësisht nën të, kurse bullgarët dhe shqiptarët procesin e kaluan nëpër kryengritje kundër Stambollit derisa arritën shtetin e tyre kombëtar (shih edhe: Alexander Vezenkov, "The Bulgarian Revival as e distinct historical era" te Literaturen vestnik 25, 2004).

Është interesante në shqyrtimin tonë të shpjegohet pse fitoi rilindja ndaj përlindjes; kureshtja nuk është thjesht çështje filologjike-gjuhësore, pasi shpjegimi i saj të nxjerr edhe në dy mënyra të ndryshme të perceptimit të lëvizjes kombëtare shqiptare, nga bashkëkohësit dhe nga pasardhësit.

Parashtesa "për" - në shqipe ka qenë dhe mbetet mjaft pjellore dhe me funksione të ndryshme. Në foljet e prejardhura me këtë parashtesë Xhuvani-Çabej ("Parashtesat e gjuhës shqipe", 1956), vërejnë se kemi 1. funksionin denominativ të veprimit si te përdor, përçap, përfill, përkrah; 2. funksion të paqartë: përngas, përvesh, përmjer, nganjëherë pa u njohur edhe fjala e parme sikurse te shembulli i fundit; 3. funksion faktitiv-kauzativ si te praroj, përbalt, përgojoj dhe 4. funksion intensifikimi si te përbluaj, përdredh, përlëvdoj, përlyer, përmbledh etj. Shënojmë që ky funksion i fundit vazhdon të jetë pjellor, si në fjalët relativisht të reja përkeqësoj, përafroj, përimtoj etj.

Aq produktive është kjo parashtesë në gjuhën tonë dhe shpesh aq i paqartë funksioni i ri që i shton një fjale, sa me të janë krijuar edhe hibride të çuditshme si perceptoj ose përpiloj, ku askush nuk mund ta shpjegojë se ç'do të thotë piloj, nëse nuk e di që kjo fjalë është krijuar nga compilare, duke e lënë kalkimin në shqip, si të thuash, në gjysmë të rrugës.

Le të kthehemi tani te përlindja. Patriotët që zunë ta përdorin këtë fjalë nga fundi i shekullit 19, nuk mund të mjaftoheshin me fjalët ekzistuese për të përshkruar atë drithërimë që po përshkonte njerëzit e ditur dhe luftëtarët në kufijtë e një kombi të rrezikuar mes shteteve të reja që lindnin e fuqizoheshin në Ballkan ("kombe të tjerë dehen ndër epopetë e tyre") mes rrokullimës së pandalshme të Perandorisë osmane. "zgjim" nuk mund të ishte, ose nuk kënaqte, sepse dilte që një etni kaq e rëndësishme në atë perandori gjithë kohën kishte fjetur; ajo nuk kishte fjetur, përkundrazi kishte bërë emër gjithandej, vetëm se jo si komb ose si tërësi interesash porse si ngjyrim tepër i veçantë në mozaikun e mileteve të perandorisë saje aftësive luftarake, shquarjes në profesione të caktuara, falë individëve të talentuar në karrierat politike ushtarake. Aq më pak mund të quhej „lindje" sepse aranut-arvanit-arbanski etj., dihej që gjithmonë kishin qenë aty. Por kjo që po ndodhte ishte si një shkundje, tanimë jo në raport me të tjerët, por me vetveten. Shqiptarët po kujtoheshin për veten, për gjuhën e tyre, për traditat dhe kulturën, ku i kishin dhe ku nuk i kishin. Po të mos i nxirrnin shpejt në pah, rrezikonin të mos përfilleshin si komb më vete, por vetëm si banorë të një shprehjeje gjeografike "Albanien", çka do të thoshte pushtim dhe asimilim i pashmangshëm nga fqinjët. Duhej krijuar një fjalë e re për të emërtuar këtë përmendje e këtë shkundje. Kështu duket lindi përlindje.

Kurse fjala rilindje zuri vend shumë më vonë. Si emër të një gazete e kemi vetëm në vitin 1934 ("Rilindja", në Korçë). Në historiografi konsolidohet veç në tekstet e RPSSH. Edhe në vitin 1954 (Fjalori i gjuhës shqipe) e shënjon vetëm si fenomen letrar: "perioda e letërsisë shqipe e gjysmës së dytë të shekullit të XIX gjer më 1912, që shpreh aspiratat e lëvizjes sonë nacionale". Siç e pamë nocioni ndoqi një trajektore të çuditshme: nga renaissance e rinascimento kulturorë të Europës (rilindje e artit të çliruar të antikitetit) te znovuzrozený-et e Europës Qendore dhe vyzrajdane-et e fqinjëve ballkanikë (në kuptimin nacionalist). Në krye shënjoi në historiografinë shqiptare një lëvizje letrare, më pas përfshiu gjithë ideologjinë e rilindësve, madje gjithë lëvizjen kombëtare të shqiptarëve në fund të shek. 19 e fillim të shek. 20, tek e cila ata që ishin shquar më fort morën emrin rilindës, madje këta pëlqeheshin edhe më shumë kur "kishin luftuar edhe me pushkë edhe me pendë". Në të vërtetë asgjë nuk kishte rilindur, sepse nuk mund të flitej as për ndonjë traditë shteti as për ndonjë traditë kulture që po ringjallej. Ringjallej po, kujtimi i luftërave skënderbejane, por kjo ishte diçka tjetër.

Në vështrimin semantik fjala përlindas që përdorën bashkëkohësit, sikurse vetë "rilindësit" si Ismail Qemali, Faik Konica ose Fan Noli, ishte shumë më e saktë. Ajo shënjoi diçka të re, që nuk kishte qenë më parë, që i ngjante lindjes por nuk ishte lindje, në mënyrë të ngjashme siç rri përhap te hap ose përmbush te mbush ose përqendroj te qendroj.

Porse në fund të fundit mitologjia fitoi ndaj realizmit. Është e qartë që nocionet "rilindje" e "rilindës" në traditën e gjatë që është krijuar ndërkohë, as mund të ndryshohen as të shmangen. Por nuk bëjmë keq të pyesim herë pas here për kuptimin e tyre të vërtetë.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora