E marte, 23.04.2024, 03:02 PM (GMT+1)

Kulturë

Sevdije Rexhepi: Dhoma e vogël me ëndërra të mëdha

E premte, 22.04.2011, 07:57 PM


ME RASTIN E PËRFUNDIMIT TË MISIONIT NË NJË ZONË LUFTE (IRAK - IRAQ)

 

TREGIM:

 

DHOMA E VOGËL  ME ËNDRRA TË MËDHA

 

Nga Sevdije REXHEPI*

 

Endet nata futë e zezë nëpër boshtin e saj… Zgjas dorën duke prekur ngadalë si  një e verbër  gjësendet afër, deri sa gjej llambën e vogël pranë shtratit për të ndriçuar atë që si nëpër kllapi dëgjohej dhe vazhdonte pa pushim.

 

Përplasje  e rrapëllima të forta e të përsëritshme bënë që gjithçka të lëvizte, edhe dhoma e vogël  ku rrisim ëndrrat e mëdha, ku lutemi e mallemi  tash sa kohë. Hapa sytë si nga një gjumë borëbardhe por edhe më tutje dëgjoja oshtimën  e jashtëzakonshme në këtë ditë të sapo nisur, që në fillim më ngjanin në sulm të papritur.

 

E kthjellur tashmë e kuptova  se nuk isha në ëndërr dhe se sulmi ishte diçka veç e supozuar, natyrisht kjo është e para gjë që të bie ndërmend në këtë hapësirë dhe këto rrethana.

 

Por ishte koha për të lënë  nënkresën  ku ruaja ëndrrat, ku lutesha për to dhe për një të nesërme më shumë për mua dhe të tjerët si unë, për më pak brenga për të dashurit tanë. Disi u ndjeva e mbështjell nga kjo furtunë që më ktheu pa dashje në fillimin tonë. Shpejtësia e saj më ngjau në shpejtësinë e kohës e cila  është  e vetmja që nuk plaket, mbetet gjithmonë e re. Zhytet nëpër oqeane e nuk fundoset, i afrohet diellit e nuk verbohet, qëndron në majat me borë e nuk ngrihet. Do të jetë jetëgjatë për aq  sa të ketë të nesërme se jeton dhe përqafon të renë, gjithnjë e dashuruar në ditët që do vijnë. Ajo është e vetmja që nuk kthen kokën prapa, por kokat tona kthehen kah Ajo për të kujtuar rrugën e gjatë që kemi ecur, ëndrrat që kemi kapur, gjërat që kanë ikur… ato që kemi bërë dhe që kemi mundur t’i bëjmë më mirë. Nganjëherë ndihesh ndryshe kur shikon pas dhe sheh se ke përfituar shumë nga po kjo Kohë, e shpesh të vjen keq se mbase ke mundur të bësh më shumë.

 

Koha nuk mërzitet për  ditët që ka gllabëruar, mu ashtu siç nuk mërzitej Kronosi kur gllabëronte fëmijët e tij. E nesërmja është e saj por edhe e jona njëkohësisht. Jemi Ne që kthehemi në retrospektivë dhe me sy prapa shpine shikojmë  me xhelozi kohën e ikur.

 

Kjo Kohë  bëri që disa nga ne të luftojmë për  ëndrrat dhe nevojën për jetësimin e tyre,  por edhe për të sfiduar atë që në ekranet televizive dukej si një ankth, diku në një pjesë  tjetër të botës ku tokë e qiell digjej nga diell e luftë. Shumë sosh erdhën nga nevoja për të mbijetuar varfërinë. Edhe pse e vështirë, nuk ishte diçka e  pamundur, por duke mos e ditur në fakt se  çfarë ka e sotmja dhe çfarë na sillte e nesërmja, morëm këtë rrugë për t’u ballafaquar me të panjohurën. U bëmë pjesë e shtrëngatave të jetës dhe pluhurit, e besa edhe të luftës, jo që nuk kishim kaluar nëpër të. U kalitëm me diçka që s’ishim mësuar. I arnuam ditët me shpresën që jetonte në ne, shuam etjen e kureshtjen me ujë Tigri e Eufrati, vrulli i të cilave na mori furishëm për të na rikujtuar këtë thesar që e njeh bota me emrin  Mesopotami. Ishim pjesë e sfidës që e zgjodhëm vetë por që përfituam në mënyrat më të ndryshme të  mundshme.

 

Këmba na shkeli në këtë tokë me një të kaluar ndër më interesantet dhe vetë ndjenja e të qenit këtu bëri që të udhëtojmë nëpër itineraret e atyre që shkruan kaptinë pas kaptine këtë histori të papërseritshme të civilizimit.

 

A do e kishim zhbërë këtë pjesë të jetës sonë, këtu mes lumenjsh dhe luftërash po të ishte e mundur? Mbase kurrë!!! Se po ta zhbënim, do të tretej edhe ndjenja që është rritur e ka jetuar në ne gjatë tërë qëndrimit dhe punës tonë në një vend si ky,  ajo ndjenjë që rrinë zgjuar bashkë me yjet duke bredhur nëpër kohën që mbetet një relikt, pastaj ndjenja e frikës që na ka bërë përherë e më të fortë, miqësitë e krijuara, kulturat e shumta të gërshetuara në një vend, eksperienca e përfituar… mbi të gjitha rëndësia e gjërave të imta që kanë po aq shumë vlerë sa edhe vetë jeta, se janë po ato imtësira që zbukurojnë jetën të cilën shpesh e vëmë në lojë por që mu kjo lojë na  bën lojtarë më të mirë dhe më të fortë për sfidat tjera që do na presin.

 

Jetuam në dy kontinente njëkohësisht… Këtu ku frymoi civilizimi, ku u mëkatua për dashurinë, ku u ngritën kopshte për hir të saj, ku u zbatua ligj i njëjtë për të pasur e të varfër, këtu ku u ngritën e ranë shumë perandori, ku u kryqëzuan Lindje e Perëndim dhe Atje ku Ne belbëzuam së pari, ku u rritëm dhe edukuam, ku flitet gjuha e ëmbël shqipe, atje ku vdiset për atdheun, ku të dashurit tanë i lamë në ankth, atje ku Shqiponja ka folenë.

 

Kjo Shqiponjë  edhe pse me mijëra kilometra larg na erdhi për të mos na lënë asnjëherë të vetëm. Festuam ditëlindjet tua Kosovë e Shqipëri e gjithmonë i veshëm festat me Flamur. Ajo përherë mblodhi zogjtë rreth vetes, na mbuloi me krahët e saj për të na mbrojtur. Na fali nga forca e  krenaria e saj për të mbijetuar më lehtë këtë sfidë dhe po kjo ngrohtësi e saj prej nëne gjithmonë reflektoi veçantinë tonë mes popujsh të tjerë.

 

Pas tërë këtyre viteve që shpeshherë kanë ngjarë në një ëndërr pa fund, fërkojmë sytë për t’u zgjuar nga një gjumë si ky… ishim ne që donim ëndrra të vazhdojë… Po Koha ecën në ritmin e saj shekullor duke na kujtuar se ajo fluturon me flatra shqiponje.

 

Nga e tërë kjo zhytje mëngjesore nëpër kthesat e lakesat e poemës sonë të thurur diku larg, m’u kujtua thënia e famshme e Cezarit: “Veni, vidi, vici" (erdha, pashë, fitova). Sa e çuditshme mendova në heshtje, mbase i shkon për shtat kësaj kohe që kaluam në Babiloni, edhe pse kjo e jona i ngjan po aq një  beteje nëse jo si ajo Cezariane.

 

Po kthehemi në origjinë më të fortë se sa kur erdhëm, të patundur mu si trungje palmash. Të qenit këtu përkundër rrezikut të luftës do të mbetet njëra ndër faqet më të shtrenjta të ditarit jetësor. Prandaj Ne po nisemi Atje bashkë me kujtimet… për një kohë që tashmë mëveshur nga dashuria po ia kthejmë shpinën…

 

*Sevdije Rexhepi, përfundoi me sukses misionin e saj në një zonë lufte, kurse pas pushime që i kaloi në New York, ajo momentalisht gjendet në Zvicër,  për t’iu kthyer pas pak jetës në Kosovë. Me këtë rast i urojmë autores kthim dhe risocializim të suksesshëm në ambientin kosovar. (sh.d.)

 



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora