E marte, 12.11.2019, 04:15 AM (GMT)

Kulturë » Kinema

Olio, trashaluqi qe na mesoi te qeshnim

E diele, 05.08.2007, 06:39 PM


Vdiq pesedhjete vjet me pare, por vazhdon te na dhuroje humor

Oliver "Babe" Hardy ndërroi jetë në mëngjesin e datës 7 gusht të vitit 1957, në moshën 65-vjeçare. Ai u varros në seksionin e masonëve të "Valhalla Memorial Park" në Hollywood. Kur Stan Laurel mori vesh për vdekjen e shokut dhe partnerit të tij të ngushtë, për një kohë të gjatë nuk mundi dot të fliste. Mjekët ia ndaluan atij pjesëmarrjen në varrim. "Kështu është më mirë", tha Stan, "Unë me siguri se do t‘ia kisha këputur ndonjë mufke atje që të bënte për të qeshur dhe njerëzit do ta vlerësonin si diçka që nuk shkonte, e kështu do më shihnin shtrembër pastaj. Por "Babe" do ta kishte kuptuar. Aty ku ai është tani - unë shpresoj se e di se sa shumë njerëz e kanë dashur".
E kishte fjalën për ata miliona në mbarë botën, që kanë derdhur lotët e të qeshurave për filmat e "Laurel & Hardy" - dueti më i madh i komikëve në historinë e filmit - e ku publikisht i përkasin edhe Edward VIII, Samuel Beckett dhe Gjenerali de Gol.

Hardy ishte një xhentëlmen "i uritur"

Në jetën e përditshme, ata ishin të dy xhentëlmenë të vërtetë - sipas definicionit të bërë nga Henry Kardinal Newman, ku një xhentëlmen ishte dikush, që asnjëherë nuk i bënte me ndërgjegje diçka të keqe një njeriu tjetër. Në film, përkundrazi, me emrat "Laurel & Hardy", lidhet historia më e madhe e betejave me torta, le të themi, orgjia më e gjatë e shkatërrimit të Hollywood-it dhe fushatat hakmarrëse të një precizoni të lartë dhe të pasojave që vinin prej tyre, të cilat më parë mund të jenë hasur ndoshta vetëm në tragjeditë greke. Stan dhe Ollie (Oljo dhe Steljo siç njihen nga shqiptarët) ishin bërë me kohë për njëri-tjetrin. Oljo në fillim quhej Norvell Hardy dhe origjinën e kishte nga Harlemi në shtetin federal të Georgia-s. Pa mbushur akoma një vjeç, atij i vdes i ati, që kishte luftuar në luftën civile në anën e konfederalistëve. Për ta nderuar atë, Norvell më vonë e quajti veten Oliver Hardy.
Ai sillej shpesh si një "Southern Gentleman" (xhentëlmen nga jugu) dhe tregonte gjithë krenari, se nëna e tij kishte prejardhje skoceze dhe se "Sir Oliver Hardy", (gjyshi nga ana e babait të saj), kishte qenë komandant i flotës së anijeve britanike, Admirali Nelson. Kur Norvell erdhi në këtë botë, ai peshonte 15 Paund (1 Paund = 453.6 gr.) dhe në moshën 15-vjeçare ai peshonte 235 Paund më shumë, pra 1/8 tonë. "Babe" e thërrisnin atë shokët, por shumë të tjerë e thumbonin me shpoti, duke e cilësuar si "Fatty" (i shëndoshi, i dhjamosuri).
"Unë merrja gjithmonë kotoletën më të mirë nga rafti", kujtonte Oliver Hardy më vonë kohën e rinisë. Një ditë të tërë ai e kalonte duke bërë plane, kur bëhej fjalë për të gatuar salcën më të mirë për qoftet e tij. Madje dhe filmi i tij i parë që xhiroi së bashku me Stan Laurel nisi me fjalët që Oljos i dilnin nga shpirti dhe stomaku: "Së pari shkojmë të hamë një herë - nga një biftek të madh, të fryrë e të lyer me salcë kërpudhash, luleshtrydhe me kajmak, kafe e pastaj pimë nga një puro të zezë!" Pas kësaj, Steljo, që ia njihte mirë oreksin e shfrenuar që kishte kolegu, si i habitur shtonte me shpoti: "Po arra jo?".
Në vendlindjen e tij, në Georgia, Oljo luajti si kloun në qytet, për t‘u bërë i dashur e pakëz i njohur ndër bashkëqytetarët e vet. Ai mund të këndonte - në Atlanta ai kishte dëgjuar Enriko Karuzon - dhe në bejsboll ishte një "short stop", ndërsa në fund punoi edhe në një kinema që quhej "Electric Theatre", në rolin e prezantuesit.
Ishte koha e betejave me torta në surrat dhe një aktor bënte karrierë, vetëm nëse arrinte të hidhte me të dyja duart, dy torta njëkohësisht në drejtime të ndryshme. Shumë shpejt, në ato variete hyri dhe Oliver Hardy. Programin e vet ai e quante me pakëz ironi "The Ton of Jollity" ("Toni i karagjozllëkut"). Në prill të vitit 1914, ai xhiroi filmin e tij të parë, "Outwitting Dad", në të cilin ai - me mustaqe të mëdha - dukej si Pancho Villa, banditi meksikan dhe heroi i pavarësisë së vendit të tij. Më pas erdhi viti 1918. Lufta e Parë përfundoi - dhe karriera e dyfishtë "Laurel & Hardy" tashmë mund të (ri)niste. "The Lucky Dog" ("Qeni i lumtur") titullohej një film pa zë që Stan Laurel dhe Oliver Hardy e shfaqën në kinema.
"Të dyja duart lart, insekt", apo "unë do të t‘i hekuros flokët e tu me plumb", ishin dhe fjalët e para më të cilat Oljo përshëndet partnerin e vet. Pak më vonë pasohen nga disa të tjera më kërcënuese: "Ti dhe bota do të ndaheni tani nga njëri-tjetri!".

Të pandashmit Oljo e Steljo

Realiteti imiton kinemanë: pas këtij filmi, Stan & Ollie në fakt u ndanë nga njëri-tjetri dhe vetëm pasi kishin kaluar disa kohë luajtën sërish bashkë në filma të tjerë, në të cilët ata quheshin Ferdinand Finkelberry dhe Sherlock Pinkham apo Piedmont dhe Philip Mumblethunder. Do të kalonin edhe disa kohë, para se ata të xhironin filmat, ku Oljo, do të shfaqej i lumtur me veten e botën: "Unë jam zoti Hardy dhe ky është shoku im, zoti Laurel". Zoti Laurel dhe zoti Hardy vendosën rekorde në jetët e tyre për sa u përket martesave të shumta që konsumuan - dhe sigurisht, edhe divorceve. Stan & Ollie, megjithatë, vijuan të mbeteshin së bashku, derisa vdekja i ndau.
Industria e filmit në vitet ‘20 ishte akoma një familje e madhe e vetme. Jo të gjithë e donin, por gjithkush njihej më së miri nga publiku. Ishte koha e kritikës profesionale. Studiot ishin të tejmbushura nga ofertat dhe i kushtonin shumë kujdes prodhimit të filmave, pasi e dinin se audicioni do të ishte i madh, sido që të shkonte puna. Para se ata të bëheshin çift aktorësh, Oliver Hardy kishte luajtur tashmë në 270 dhe Stan Laurel në 90 filma. Në filmat e tyre të parë solo, Oljo luante një "Sulltan nga Bakteria" dhe Stan një shitës, që e mbante veten për Napoleon. Kush arrinte të bënte ndonjë batutë që binte në sy, menjëherë nga kjo mund të përftohej më pas një film i mirëfilltë: "Flips and Flops", "Squeaks and Squawks", "Bears and Badmen" apo dhe "Dames und Dentists", quheshin kulmet artistike të tyre në ato kohë. Kalifornia u bë njëra ndër "shoqëritë" e para e të vetme të humorit. Ndër firmat më të njohura të prodhimit renditej kompania "Balboa Amusement Producing". Drejtori i saj ishte një farë Mr. Horkheimer.

Zbulimi i ngadalësisë

Në Hollywood nuk ushtrohej për asgjë më shumë kritikë se sa në studiot e Mack Sennett. Atje, spiunët e "Keystone" e kishin bërë le themi, si hobi të tyren tejkalimin e kufijve të shpejtësisë. Në çdo film, ku luanin këta "mbrojtës në uniformë të rregullit e qetësisë", ata konkurronin me njëri-tjetrin se kush do ta bënte botën të shndërrohej në një kaos të përgjithshëm. Me kalimin e kohës, asgjë nuk është me e mërzitshme se sa kaosi që rritet me shpejtësi. E s‘do të vononte koha, kur për këtë gjendje do të reagonte Hal Roach, konkurrenti i madh i Mack Sennetts. Në studion e Hal Roach në "Culver City" - ose siç e quanin fansat e saj asokohe, "The Lot of Fun", - Stan Laurel dhe Oliver Hardy ia dolën që nën drejtimin e regjisorit Leo Mçarey të bënin zbulimin e ngadalshmërisë. Nëse përveç "Presto"-s kishte dhe një "Andante", mbijetesa e komikut për një kohë të gjatë ishte e siguruar. Pikërisht, të tilla ngadalësimeve, Stan dhe Ollie, ua dedikonin karrierën e tyre dhe famën që gëzuan. Edhe kur në vitin 1927 tek "The Battle of the Century" ("Beteja e shekullit") ata inskenuan skenën më të madhe të luftës me torta në historinë e filmit, kjo për Stan dhe Ollie nuk ishte forma tipike e zënies. Ata nuk ishin vandalë, por ndiqnin në çdo "orgji" shkatërruese, megjithatë, të gjitha rregullat e civilizimit.

Armiku më i dashur i Oljos e Steljos

Laurel & Hardy ishin mjeshtrit e asaj çka në anglisht cilësohet si SBIR në një formë të shkurtuar: pra "small but interesting revenge" (ose hakmarrja e vogël, por interesante). Pasojat e saj të pallogaritshme, spektatori i sheh në kinema edhe sot e kësaj dite me një përzierje gëzimi dhe emocioni. Kur tek "Big Business" (1929) Laurel e Hardy përpiqeshin t‘i shisnin një pemë të vitit të ri, armikut të tyre kryesor, James Finlayson ("Fin") - dhe ky i fundit ia refuzon dhe ndërsa mbyllte derën i thyen një degë të pemës së kushtueshme, arrihet kulmi i reagimit të agresionit minimal: në fund të një shkëmbimi të sulmeve reciproke hakmarrëse -"Tit-for-Tat" quhet në anglisht në fakt termi i saktë për kë lloj veprimi - Oljo dhe Steljo e shndërrojnë shtëpizën e kolerikut Fin sërish në kohën kur atje ishte akoma një zonë ndërtimi, ndërsa makina e tyre ndërkohë ishte bërë copa-copa. "The Boys", siç njiheshin Stan dhe Ollie nga miqtë e tyre, e pëlqenin sidomos Finin si personazh: Oliver Hardy i krahasonte aftësitë e tij, për ta ngritur qepallën e syrit të majtë në një mënyrë ritmike të papërsëritshme, me virtuozitetin në të luajtur të ndonjë violinisti të madh.

Kontradiktat u shtuan

Edhe Stan dhe Ollie ngatërroheshin shpesh e përziheshin në të mirat e të këqijat e kësaj bote - dhe jetonin në një ambient plot spekulantë të shtresës së mesme, qeniesh të pamëshirshme dhe ish-grash. Ndërkohë, ata vijonin të qëndronin bashkë. A mos ishin ata dy kokrra fasule në një tigan, siç vërente një herë Stanly?
Në të vërtetë, ata të dy shkonin dhe përshtateshin kaq shumë me njëri-tjetrin, pasi ishin aq të ndryshëm, për të përshkuar rrugë të ndryshme. Si një tip i tërhequr në jetë, ashtu si dhe në film, Ollie dilte për gjueti, ndërsa Stan peshkonte dhe kujdesej për kopshtin e tij. Stan nuk mund të ndahej dot nga studio e tij, ndërsa Ollie mezi priste të mbaronte xhirimi e të shkonte te fusha e golfit, ku në mbarë Hollywood-in arrinte të gjente vetëm një kundërshtar të denjë, Adolphe Menjou.
Pjesa e fundit e rreshtave të famës që gazeta "Times" e Londrës ia kushtoi atij, paraqiste një Oliver Hardy, që për golfin fliste gjithmonë me fjalët "my game" ("loja ime"), shumë të gëzuar: Ai ishte i madh e i shëndetshëm dhe handikapi i tij ishte 10-ta", shkruante ajo.

Hardy ishte një aktor i madh

Në studio, Stan Laurel, që me raste bënte edhe regjisorin dhe që shpesh paguhej më shumë se sa kolegu i tij, ishte ai që jepte tonin. "It‘s Stan‘s Business" (është puna e Stenlit), ishte shpesh përgjigja e Oljos, nëse bëhej fjalë për vendime të rëndësishme artistike e profesionale. E në këtë rast, sigurisht se Oliver Hardy ishte aktori më i madh, të cilit i mjaftonin ngacmimet më të vogla, për të improvizuar skena të vërteta. Kështu lindi ylli i tij, që e bëri të njohur me nofkën "tie-twiddle".

Oljo, tashmë një ikonë

Ai që gjithmonë i dinte më mirë punët se sa kolegu Sten, i merrte gjithmonë kolegut diçka nga dora dhe i thoshte: Më lër ta bëj unë!" dhe publiku shndërrohej pas kësaj në një turmë të papërmbajtur që qeshte me lot, pasi rezultati dihej. Do të ishte një sakrilegj, që "Boys" të talleshin me njëri-tjetrin. Në studion e Hal Roach, Laurel & Hardy të habisnin më shumë se ata kurrë nuk i hidhnin njëri-tjetrit kunja. Pa dyshim se shumicës prej nesh na duket më e thjeshtë, ta identifikojmë veten më shumë me Oljon.
Steljo, që dukej sikur kishte rënë nga ndonjë planet i largët në këtë botë, tek e fundit mbeti "fëmija magjik": si për të inatosur burrin e madh Oljo, ai mund të qëllonte zjarrin me grushte, të mblidhte veshët dhe nga një xhep i xhaketës - nga ku fshiheshin kubikë akulli - të kalonte në xhepat e anës tjetër të xhaketës - duke mbushur një gotë plot me ujë. Kush mund ta bëjë këtë nga ne? Ndërsa tek Oljo ne shohim shpesh vetveten.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT