E merkure, 24.04.2024, 02:55 AM (GMT+1)

Kulturë

Ahmet Selmani: Kujtesa si dëshmi artistike

E premte, 22.04.2011, 07:58 PM


KUJTESA SI DËSHMI ARTISTIKE

 

Agron Tufa: “Tenxherja” (roman), botoi “Koha”, Prishtinë, 2011

 

Shkruan: Ahmet Selmani

ahmet_selmani@yahoo.com

 

a)   Shndërrimi i dëshmisë

 

Gjithçka që mund të shihet teksa e lexojmë romanin “Tenxherja” të Agron Tufës, ka të bëjë me një rrëfim shumë autentik dhe të gjallë, të cilin e sjell autori si dëshmitar sytar i disa ngjarjeve nga jeta e tij; thjesht aty ndeshim një sagë tejet të dhimbshme familjare, e cila mëton të ngrihet në shkallën e një metafore të zgjeruar për kohën e diktaturës së kuqe, e cila la gjurmë të thella në kujtesën e atyre që e përjetuan. Në këtë rast, rrëfimi në fjalë tërësisht përqëndrohet rreth një fakti konkret e të njohur për shumicën e lexuesve tanë; veprimet që sistemohen një nga një në brendinë e këtij romani, pothuajse vetvetiu shndërrohen në një jetëshkrim artistik. Si të tilla tejbarten përmes kujtesës së trazuar të autorit, si pjesë të përzgjedhura nga jeta vetore dhe ajo familjare, sigurisht për t’i paraqitur në rrafshin e një vije të shkallëzuar dhe për të lënë një lloj testamenti perceptues.

Pra, sido që të kundrohet në rrafshin strukturor, realisht ky rrëfim vjen para nesh në formën e një dëshmie burimore, por gjithnjë duke u gërshetuar sipas një logjike të konceptuar artistike nga ana e vetë autorit. Meqenëse në qendër të vëmendjes është goditja e një familje të thjeshtë e punëtore, të varfër e të vuajtur, rrëfimtari shfaqet me ndërgjegje të plotë, gati si një zëdhënës familjar për ta bërë të njohur fatin tragjik të tyre, gjithmonë si një zë i besueshëm, i sinqertë dhe i përpiktë. Në të vërtetë, ky është një rikthim nga kujtesa e dhimbshme dhe tronditëse, jo për ta shuar mallin që ka për atë kohë të vështirë, por thjesht për ta krijuar një lidhje të veçantë artistike me lexuesin e tanishëm.

Dëshmia e autorit për atë që e ka parë me sytë e tij, aq më tepër në një moshë fare të re, pra si një fëmijë ende i njomë, bëhet aq më e fuqishme dhe aq më prekëse për faktin se ndjek një përshkallëzim jashtëzakonisht dramatik, duke merendur kështu shumë hollësi e nuanca të cilat i kanë lënë përshtypje dhe i janë ngulitur thellë në mbamendje.

Siç mund të kuptohet nga e gjithë kjo, dëshmitari në fjalë është një fëmijë i shkathët e i zgjuar, që s’di të bëjë shtrembërime e mashtrime, por që të vërtetën e familjes së tij e thotë me çiltërsinë më të madhe dhe pa asnjë ngurrim. Prandaj, duhet veçuar faktin se pikërisht për këtë arsye edhe rrëfimi bëhet shumë tërheqës; ai të pushton kryekreje dhe të shtyn ta lexosh me një frymë, të bën të ecësh nëpër një vazhdë të drejtë dhe jo të zhdrejtë. Kështu ndodh edhe transformimi i elementeve rrëfimore; dëshmia jetësore bëhet dëshmi artistike, realiteti i gjallë ndihet si shllim fantastik ashtu siç e kërkon natyra e vetë artit në përgjithësi.

 

b) Kujtesa tragjike

 

Meqë në këtë rast si dëshmi themelore na shfaqet kujtesa e personazhit, atëherë është e udhës që kjo të soditet brenda vijës nëpër të cilën zvarget rrëfimi i ngjarjeve të përmendura. Gjithë kohën e lume nga kjo kujtesë autori nxjerr fatin e familjes së tij, mbase si një pre e radhës e ndodhur në shënjestrën e regjimit totalitar, i cili nuk i zgjedh mjetet djallëzore për ta mposhtur sa më çnjerëzisht dhe sa më paturpësisht. Prandaj, duket qartazi se aty çdo gjë është trishtane dhe e dhimbshme; pikë së pari e nisur si një hakmarrje ndaj kreut të familjes, pra babait, fushata totalitare mbyllet me djalin më të madh, Filipin i cili dënohet krejtësisht në mënyrë të pamerituar.

E gjithë retrospektiva e këtyre ngjarjeve na shpie te një emërues i përbashkët që në shikim të parë na duket fare i thjeshtë dhe i parëndësishëm, por që më vonë ndjell gjithë kumtin e së keqes dhe ashtu bëhet shkëndijë fatale për familjen e përvuajtur. Pra, kuptohet se ky emërues është një tenxhere, të cilën e ka sjellë babai pas daljes nga burgu si një shenjë kujtimi që ia kishte dhuruar një ish i burgosur politik para se t’ia merrnin jetën me anë të pushkatimit. Pikërisht këtu fillon zinxhiri i djallëzisë totalitare për t’u zgjatur deri te Filipi, i cili përfundon ashtu sikurse edhe shumë të tjerë si ai. E gjithë kjo histori e trishtë përshkohet nga një ankth i jashtëzakonshëm dhe i paparë që i pllakos prindërit dhe fëmijët. Nëpër këtë ferr jetësor kalon kjo familje e cila nëpërmjet rrëfimtarit dëshmon tërthorazi dhe drejtpërdrejt për mendësinë absurde dhe të çoroditur të një regjimi gjakatar që nuk yente fare vetëm e vetëm që ta rrënonte individin dhe familjen, e pastaj edhe gjithë shoqërinë e gjerë. Tenxherja fatale është vetëm një kumt tronditës që e sjell ky autor, një objekt i thjeshtë që zhvendoset nga dedikimi i vet i rëndomtë dhe shndërrohet në një mbetëz ndjellakeqe e të kobshme. Ajo është dëshmi e kujtesës tragjike, hije e tmerrit, histori rrëqethëse, mallkim totalitar etj.

Duke e rrëfyer historinë e ecejakeve të saj, autori krijon një metaforë të gjallë e të frikshme; aty fshihet fati i zi njerëzor, familjar, shoqëror, politik etj. Ajo është pasqyrë e shëmtuar e diktaturës komuniste, refleks që lëviz me shpejtësi marramendëse drejt një pike të frikshme. Si e tillë ajo flet vetvetiu, të bën të nënkuptosh, të krijosh ndjeshmëri, të mendosh në mënyrë të arsyeshme. Ajo, sa është objekt i thjeshtë, enë për t’u ushqyer, po aq është edhe mbetëz historike, shenjë kujtimi, metaforë, simbol. Ndaj është edhe shkak edhe pasojë, edhe ekzistencë edhe vdekje. Teksa mendon për të, s’ke si të mos mendosh edhe për vargun e atyre njerëzve që fatin e kanë lidhur me të.

 

c) Komikja si shpëtim

 

Duke e lexuar romanin “Tenxherja” të A. Tufës, ajo që na bie në sy është edhe elementi i theksuar komik që shfaqet në situata të ndryshme, madje edhe nëpër ato më dramatiket që ndodhin përpara syve të personazheve. Prandaj, duke e parë nga një kontekst i këtillë, vetvetishëm del se në gjithë këtë histori të përshkruar me ankth, e vetmja shpresë e personazheve është qesëndia, e cila manifestohet si një formë e mundshme për të dalë nga ky rreth i pashpresë që sillet përpara tyre. Në fakt komikja është një formë e shpëtimit nga makthi, një ikje virtuale nga vdekja, një luftë kotashprese ndaj së keqes, një ngjadhënjim kundruall dëshpërimit, një sfidë e vockël ndaj diktaturës etj. Po ashtu, kur të merret parasysh edhe fakti se këto situata paradoksale, por të këndshme i krijojnë ca fëmijë që janë vëllezër e motra, në raport me policët e regjimit që u rrinë mbi krye, atëherë vetë kjo sfidë është aq më e madhe. Duket se tallja me policët është e vetmja armë për t’iu kundërvënë regjimit totalitar, një shkëndijë drite në zgafellën e errët të diktaturës. Dhe kjo bëhet me një shije shumë të përsosur e të natyrshme, me një rebelizëm shumë të veçantë fëmijëror. Dhe autori i ka ndërfutur me mjeshtëri këto gjëra brenda rrëfimit të tij, thjesht duke bërë një rrënim të skajshëm të atij regjimi, si dhe duke i vënë në spikamë therëse të gjithë ata që i shërbenin atij me verbëri. Megjithëse rrethanat që mbizotërojnë janë për të qarë e për të dënesur, personazhet heraherazi mbledhin forca për të qeshur e për ta dëbuar ankthin dhe frikën. Kjo shërben si një lloj kryengritjeje, si një manifestim i lirisë njerëzore për të përcjellë një kumt të vërtetë. Jo më kot K. Çapeku thoshte se humori është forma më demokratike e njeriut. Ndaj edhe personazhet fëmijë të këtij romani, me zgjuarsinë e tyre krijojnë momente të këtilla komike për të shprehur ndjenjën e tyre që kanë ndaj lirisë.

Kështu Agron Tufa e rrëfen fatin e keq e të zymtë të familjes së tij, duke e çjerrë fytyrën e shëmtuar të diktaturës komuniste, e cila mori më qafë shumë njerëz e shumë familje, duke shkaktuar trauma me pasoja të pariparueshme. Në bazë të kësaj, ky roman mbetet si njëra nga veprat me ndjeshmëri artistike më të fuqishme në letërsinë shqiptare ku trajtohet në mënyrë të veçantë tema që ka të bëjë me diktaturën komuniste.



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora