E premte, 19.04.2024, 02:55 PM (GMT+1)

Mendime

Flet ish komandanti i repartit të raketave kundërajrore Lelo Leli

E enjte, 21.04.2011, 07:56 PM


Në fytyrën e secilit shihej përgjegjësia për detyrën

 

Nga Albert ZHOLI

 

Diçka nga jeta juaj dhe disa të dhëna për raketat tokë – ajër në Shqipëri

 

Më pëlqen të shkruaj për kohën e shkuar. Për shokët e kolegët e mi, që gjithë jetën aktive punuam me uniformën e gjelbër. Për atë kohë të moshës më të bukur e të ndërgjegjësimit për punët e detyrat. Të shkruash për të kaluarën, unë e shikoj si përgjegjësi e detyrim moral.

Si mijëra të tjerë dhe unë e gjej veten si skënderbegas, në shkollën e oficerave për armën kundërajrore, oficer në vitin 1957, komandant baterie në kodrat e Saukut, reparti 3700 Tiranë dhe në fund të vitit 1959 në grupin e oficerave për njohjen e raketave tokë – ajër. Në raketa kalova funksionet nga komandant në aparaturat e frekuencës të ulët, komandant reparti e përfaqësuesi i raketave në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore.

Me efektivat e raketave e kundërajrorët e tjerë punuam bashkë bi 35 vjet, si idealist e atdhetar. Në çdo çast me njerëzit. Parësore gadishmëria. Repartin e bëmë shtëpi të dytë. Ashtu na kërkonin kohët e situatat.

 

Në vitin 1959 – 1960, në armatosjen e ushtrisë u shtuan raketat e drejtuara kundërajrore. Ato ishin një arritje e kërkesë e kohës. Garanci më shumë për fuqizimin e mbrojtjes së Atdheut. Në të njëjtën kohë krenari e përgjegjësi për njohjen e drejtimin e tyre me efektivitet të lartë.

Detyrat e gadishmërisë ishin të motivuara. Valët e përpjekjeve të shteteve perëndimore me presione, spiunë, banda, diversantë, provokatorë, bllokada e të tjera ishin pambarim në ngritje. Ato shtoheshin në të gjitha format kundër Shqipërisë sonë. Prandaj, përballë atyre valëve, në atë periudhë të luftës së ftohtë e të garës së armatimeve mes shteteve të mëdha – na kërkohej, që në çdo minutë të ishim gati, secili në postin e tij luftarak. Ato ishin realitete. Ato diktoheshin. Ajo kohë as mund të errësohet, as mbi punën e gadishmërinë e njerëzve të hidhet baltë. Detyrat ishin të motivuara. Shqipëria kishte zot. Ishte e paprekshme. Kjo duket si drita e diellit.

Unë, pa teprime e konkretisht do të përpiqem të pasqyroj më poshtë atë punë të ndërgjegjshme, plot pasion, përkushtim e vështirësi të njerëzve, sidomos të kuadrove, që shkrinë jetën në armën e raketave duke i shërbyer popullit e Shqipërisë.

 

Në ç’kohë erdhën raketat e para në Shqipëri?

 

Raketat e para tokë – ajër në Shqipëri, erdhën nga ish BS në muajin dhjetor 1959. Ato u pritën në portin e Durrësit dhe natën, me masa të rrepta ruajtje u transportuan në Pezë – Helmes. Atje, me kohë ishin ndërtuar baza e ruajtjes dhe e furnizimit të raketave, si dhe objektet e vendosjes së efektivit e aparaturave radioteknike dhe shtratet e lëshimit. Ajo u quajt qëndra mësimore. Ndërsa baza e mbushjes u emërtua reparti teknik ose reparti 3700k.

Të gjithë elementët u ndërtuan rigorozisht, sipas kërkesave teknike dhe regjimit të fortë të ruajtjes. Mbajtja sekrete e armës dhe ruajtja ishin në shkallën më të lartë. Këtë, sidomos e kërkonin rusët, të ndikuar nga konjuktura politike të kohës. Kjo frymë u rrënjos fort dhe në efektivat tona.

 

Si u procedua në emërimin e oficerave dhe marrjen e ushtarëve për ne repartet e raketave?

 

Udhëheqja e asaj kohe kishte orientuar që të zgjidheshin me kujdes njeërzit që do të punonin në armën e raketave. Kryesore ishin përbërja klasore, figura e pastër morale dhe niveli arsimor. Me kohë ishin studiuar, një për një, sidomos kuadrot, me rrethet nga vinin dhe ku punonin.

Mbi 90% e oficerëve që drejtuan repartet e raketave kishin kaluar shkollën ushtarake “Skënderbej”. Ata përbënin palcën e kuadrove. Ishin të gjithë të rinj. Me nivel të mirë teorik, sidomos njohës të proceseve fizike e elektrike. Dhe ushtarët, përgjithësisht ishin në gjimnaz, pak nga të cilët me dy tre klasë të mesme. Nuk dallonin nga mosha dhe përkushtimi. Në atë teknikë moderne u caktuan njerëz të rinj, të ditur dhe të devotshëm, që i shërbenin me besnikëri çështjes së mbrojtjes së Atdheut.

 

Si u organizuar procesi mësimor? Ndjenja e atdhedashurisë dhe shpirti i sakrificës që i karakterizonte efektivat

 

Dihet se në çdo punë, momentet e para janë të vështira. Veçanërisht, kur vihesh përpara asaj arme moderne, tepër të komplikuar, ku bashkëveprojnë shumë sisteme e zbatohen ligjet e fizikës, matematikës, kimisë, astronomisë e të tjera. Ajo ishte një arritje e përsosur e shkencës.

Në fytyrën e secilit shihej përgjegjësia për detyrën, buzëqeshja dhe krenaria për armën. E kuptonim detyrën, por e shikonin edhe si një privilegj që na besohej ajo armë e kohës. Megjithatë, thellë në shpirt ruhej dhe ndonjë shenjë meraku e shqetësimi për vështirësitë, por tepër optimistë. E vlerësonim armën si zemrën, prestigjin dhe krenarinë e mbrojtjes kundërajrore.

Ditë e natë rrinim mbi libra, skema e fletore. Afër na rrinin kuadrot që na mësonin. Me ta shok e vëllezër. Lodhjen na e kompensonin bindja për detyrën, atdhedashuria e shpirti i sakrificës, ngrohtësia dhe harmonia me njëri – tjetrin, solidariteti e shpirti djaloshar.

Kuadrot, që na mësonin kishin studiuar disa muaj në ish BS. Për të gjithë ruaj vlerësim e respekt të veçantë. Dëshiroj të veçoj Kolonel Bejdo Isufin, komandantin e parë të raketave. Burrrë i mençur, kurajoz e simpatik. Me trup të gjatë e të drejtë. Flokët e mustaqet ca të zbardhura. Zemërbardhë. Fytyra e tij e qeshur përcillte mirësi. I afruar me oficerët e ushtarët.

 

Kur përfundoi procesi mësimor dhe zhvillimi i qitjeve me raketa?

 

Përgatitja e efektivave përfshiu periudhën janar – gusht 1960. Në gusht u organizuan provimet. Vështirë të gjeje diferenca në vlerësimet midis tyre. Rezultatet dëshmuan për aftësimine  kuadrove dhe të ushtarëve për të marrë në drejtim armën e raketës.

Në atë kohë, atë qëndër e vizituan udhëheqja e lartë me Enver Hoxhën. U informuan shkurt nga Bejdo Isufi, për shkallën e njohjes së armës. Enver Hoxha na përgëzoi për gjendjen e shëndoshë dhe rezultatet. - Këto armë të kohës, tha ai, duhet të jenë në duart e sigurta të djemve të popullit. Kështu, ne ecim me kohën e situatat. I shtojmë ushtrisë armë moderne. Fuqizojmë mbrojtjen e Atdheut tonë të dashur. Kini një detyrë tjetër për të plotësuar. Zhvillimin e qitjeve. Kemi besimin e plotë për rezultatet. Nënkolonel Pasho Zhupa, komisar i regjimentit, kuadër me bagazh të gjerë, fjalë pak e masovik e siguroi udhëheqjen për plotësimin e detyrave nga efektivat e raketave.

 

Ku dhe kur u zhvilluan qitjet me raketa?

 

Dy grupe zjarri, qitjet me raketa i zhvilluan në Kazakistan të ish BS. Ishte mes Nëntori 1960. Njerëzit ishin përgatitur intensivisht. Atje morën teknikën në dorëzim. E kontrolluan për çdo parametër. U siguruan për gadishmërinë dhe pritën fluturimin e aeroplanit pa pilot. Atë e asgjesuan me një raketë. Me të njëjtin rezultat e plotësoi detyrën dhe grupi i dytë.

Kuadro e ushtarë e plotësuan detyrën shkëlqyeshëm. Ishin në vend të huaj e në kushtet kur midis kuadrove të larta ushtarakë kishin filluar të shfaqeshin divergjencat. Oficerë e ushtarë u dolën zot raketave. Ishte një arritje në shkallën e mbrojtjes së vendit. Ato treguan aftësitë drejtuese e organizuese të kuadrove komandues. Njohja në detaj, me mjeshtëri të asaj aparature të raketës nga bijtë më të mirë të popullit, nga oficerët e ushtarët që vunë gjithçka në interes të Shqipërisë tonë të shtrenjtë.

 

 

Ku u dislokuan repartet e raketave? Cila ishte përbërja luftarake e regjimentit në atë kohë?

 

Repartet e raketave, nga qendra mësimore Pezë Helmës, në shtator 1960 u përhapën në pozicionet e përhershme, të përgatitura me kohë.

E para bazë e lëshimit u vendos në Sukth të Durrësit. E dyta, u vendos në Grecë, në lartësitë e Pezës. Vite më pas ato u diskoluan përkatësisht, në Maminas e në perëndim të Petrelës. Ndërsa ajo e ruajtjes së raketave e mbushjes qëndroi në Pezë Helmës.

Reparti 3700 apo RIAKA, sipas emrit luftarak kishte numrin më të madh të efektivave e të teknikës luftarake. Këto lidheshin me detyrat për mbulimin e Tiranës, nga lartësitë deri në 30 km. Kështu:

- Repartet e raketave.

- Tre kompani mitralozesh kundërajrorë 2 e 4 grykësh.

- Bateri me topa 37 m/m e 57 m/m, një-dy grykësh. Bateritë 57m/mme drejtim elektrik.

- Bateri me topa 100 m/m, me drejtim elektrik. Në përbërje të baterive 100 m/m kishte dhe mitraloza 12.7 m/m.

Kjo përbërje krijonte vështirësi drejtimi e administrimi. Prandaj, më 6 dhjetor 1968, me vendim të Këshillit të Mbrojtjes u krijuan dy regjimente: R185 i raketave me numër konvencional 3700 dhe RIAKA, me numër 4225. Mbas vitit 1966 u formuan dy reparte autonomë të raketave. Përkatësisht rep.3760 e 3790 të dislokuar në Krastë të Krujës e Krapstë të Patosit. Këto u pajisën me teknikë kineze. Në korrik 1969, këto reparte u inkuadruan në R185 të RDKA.

Regjimenti i raketave kishte këtë strukturë:

- Katër grupe zjarri raketash

- Një grup teknik

- Mbi 100 raketa

- Disa bateri me topa 37 e 57 m/m

Kishte shumë kuadro drejtues. Një masë të madhe specialistësh e inxhinierë të zotë. Ata ishin të formuar nga ana ideopolitike e mjeshtëritë profesionale. Po hedh disa vargje:

 

Vitet në raketa, kujtimi më i thellë

Ajo armë, ajkën e oficerave mblodhi

Të gjithë të rinj, ndrisnin si ylberi

Ushtria armën më të fuqishme mori.

 

Pedagog shokët tanë e të huaj

Ditë e natë mbi skema e libra

Oh, sa të ngarkuar ato muaj!

Sa me armë e dije mbrohet liria.

 

Kuadrot, raketave u dolën zot

Ato në disa qytete u përhapën

Repartet në gadishmëri të plotë

Në çdo qitje, goditje me të parën.

 

Qëndruam me muaj në gadishmëri

Me ushtarët, në teknikë asnjë difekt

Më shumë në repart sa në shtëpi

Kështu jetonin kundërajrorët e vërtetë.

 

Përbërja strukturore e një bazë lëshimi

 

Baza e lëshimit apo një repart përbëhej nga një numër kabinash (makinash) me shumë aparatura, aparate e sisteme. Nga shtrate lëshimi, raketa, mjete tërheqëse dhe drejtimi.

Aparaturat e drejtimit e lëshimit ishin të vendosura në makina, por, që lidheshin elektrikisht dhe si funksion përbënin një të tërë. Emërtoheshin – Kabina “I”, Kabina “L”, Kabina “PA”, “LL”, “S” motorat SED75 e të tjera.

 

Ndryshimet midis teknikës ruse e kineze

 

Para viteve 70 u pajisëm dhe me teknikë e raketa të marra nga Kina. Teknika nuk kishte ndryshime thelbësore. Ishin bërë disa përshtatje, zvogëlime e përqëndrime në më pak kabina.

Ndryshimi kryesor qëndronte në autonominë e bazës së lëshimit (repartit). Repartet 3760 e 3790, që ishin me teknikë kineze kryen detyra autonome. Ato ishin në kategorinë e regjimentit.

 

Për kuadrot e parë në raketa, çfarë kujtoni?

 

Ruaj kujtime e vlerësimet më të thella për ato kuadro të mrekullueshëm. Ndihem krenar që kam punuar shumë vite me ata njerëz. Kam marrë nga ato vlera, mësime e përvojë. Ishin shumë. Atëherë kompletuam tre reparte.

Nuk e kam mundësinë që t’i përmend të gjithë me emra. Portretet e tyre si atdhetarë i kam fiksuar në kujtesën time. U përulem me dashuri e respekt të gjithë atyre burrave e shokëve të mençur, kuadro të përkushtuar, që punuan e vunë gjithçka në interes të popullit e Shqipërisë. Ju shpreh nderim e lutje atyre kuadrove e miqve, që për shkaqe kohe të largët nuk i përmend me emra. Ndjehem i lehtësuar nëse më mirëkuptoni.

I kujtoj. Eh, sa i kujtoj! Është një jetë me punë, mbresa, realizime dhe me ndonjë dështim. Por gjithnjë optimistë. Neve na shtynin emocione të fuqishme: Të mbronim shqipërinë, lirinë. Të ngrihej më lart emri, prestigji dhe lavdia e Shqipërisë tonë. Na bashkonte qëllimi dhe ideali atdhetar.

 

A mund të shprehemi konkretisht për kuadrot e Sukthit, si e vendosën dhe mbajtën në gadishmëri atë teknikë mësimore?

 

E them me bindje. Ata ishin kuadro të mrekullueshëm, ideliastë e përkushtuar për vendin e popullin. I kujtoj me shumë respekt. Komandantin Faik Myftari, Komisarin Seit Korita, Shefin e Shtabit Myfit Bega, Sekretarin e Partisë Qerim Shabani. Më konkretisht për oficerët e rinj që punonin në kabina:

Avdyl Veliaj e Xhemil Sejdiaj. Punonin në kabinën “k”, që përpunonte koordinatat e komandat. Quhej truri i sistemit. Avdyli e Xhemili ishin të ditur e puntor. Studionin, e çdo ditë thellonin njohjen e asaj aparature aq të komplikuar. Kryenin me përpikmëri kontrollet, sipas skemave dhe parametrave të caktuar. Njerëz të thjeshtë, të dashur e me integritet moral. Idealistë e atdhetarë.

Zihni Koshi, punonte në kabinën indikatore, kabina “I”. Ajo quhej dhe zemra e sistemit të drejtimit. Ishte inteligjent. Njihte mirë detyrën. I kuptonte shpejt proceset teknike. Revoltohej për padrejtësitë. Ishte impulsiv. Zihni Koshi e Subi Spahiu ishin të parët oficerë drejtimi që lëshuan raketat në qitjet që u zhvilluan në Astrakant të Kazakistanit, ish BS.

Esat Hasa, punonte në aparaturën dhënëse – marrëse, që emërtohej kabinë PA. Oficer inteligjent. Njohës i mirë i aparaturës. I shkathët e gazmor. Kuadër kurajoz. Ndërtonte marrëdhënie të mira me njerëzit. U diplomua inxhinier mekanik.

Mihal Qirjaqi. Drejtonte sistemin e kalimit të komandave, kabina “LL”. Ishte oficer me veti të mira. Me trup të gjatë e të drejtë. I qetë. Fliste pak, por me mençuri. Shpirt madh e gojë mjalt. Kurrë nuk prishi fjalë me njeri. U diplomua inxhinier elektronik.

Dëshiroj të përmend këto, Bejo Hoxhën, komandant baterie, Andon Budinën që kryente detyrën e komandantit të togës të frekuencës së lartë e Jorgo Milon që merrej me sistemin energjitik. Ndërsa në baterinë e zjarrit punonin: Masan Shero, komandant i baterisë, Zihni Loloçi, Mustafa Çela e Avdi Xhuvali në detyrën e komandantit të togës.

Sa përmendëm, ishin oficerët e parë, që kompletuan repartin 3700/Z të Sukthit dhe që nisën punën me hapjen e asaj baze të lëshimit të raketave. Me shumicën e tyre, si shok, kolegë e vëllezër punuam gjashtë vjet bashkë. Gjatë këtyre viteve kanë ardhur në detyra të ndryshme Jani Isara, Sotir Ogreni, Agim Qoku, Halil Lekloti, Fehta Lamaj, Sotir Papa, Ivan Makëri, Raif Pulaj, Misir Balla, Pandi Sako, Gjergj Laska, Hajredin Muharremi e të tjerë.

E theksoj se teknika e bazës së Sukthit u përdor si mësimore. Por ata oficerë të mrekullueshëm, me shumë punë e dije e mbajtën çdo kohë në gadishmëri. Më besoni! Ishin të tillë, prandaj e përsëris fjalën të mrekullueshëm.

Koha e situatat diktonin nevojën që gjithë elementët e gadishmërisë të ishin në shkallën më të lartë. Njerëzit jetonin me situatat. Punonin, stërviteshin e vigjilonin. Ajo teknikë, me aq shumë elemente duhej të ishte unike në funksionim, e sinkronizuar, pa asnjë difekt. Eh! Çfarë pune e madhe. Secili, oficer e ushtar në postin luftarak.

Në raketa, por në gjithë artilerinë kundërajrore ishte bërë rregull e më pas u kthye në traditë, që oficerët nuk largoheshin nga reparti pa e lënë teknikën e çdo element në gadishmëri të plotë. Kjo i shtohej kohës së planifikuar të gadishmërisë. Oficerëve u takonte të rrinin më shumë në repart se sa pranë familjes.

Armët e municionet i ruanin si të shenjta. Me masa të forta ruajtje e kontrolli u bënin të gjitha shërbimet. Ruhej me kujdes çdo pjesë, çdo fishek. Ndoshta, këto sot duken jashtë kohe. Po . Ato kanë qënë të vërteta. Ajo është punë e njerëzve në interes të gadishmërisë. Është përvojë pozitive. Nga ndërgjegjia e përkushtimi i atyre njerëzve të thjeshtë ka çfarë mund të mësohet. Ata kanë parë interesin e popullit, pa kërkuar shtigje që cënojnë të tjerët. Jo si sot, që me ato armë vrasin njëri tjetrin e pasurohen grupe të ndryshme duke i vjedhur e shitur. Shtet me ligjet në letër e që zbatohen vetëm kur i shërbejnë oborrtarëve të pasur.

 

Shumë nga oficerët e raketave kanë drejtuar grupe e regjimente të tjera. Ç’mund të na thoni?

 

Siç u shprehëm më lart, regjimenti i raketave grumbulloi ajkën e kuadrove të artilerisë kundërajrore. Ata u bënë specialistë, inxhinierë e drejtues të aftë. Disa drejtuan grupe e regjimente kundërajror, në njësi të tjera e pedagogë. Dëshiroj të përmend disa nga ai numër i madh si Jani Isara, Alush Bisha, Namik shehu, Metan Ismaili, Vangjel Vogëli, Sokol Baliaj, Thoma Dunallari, Pëllumb Gjondedaj, Dilaver Goxhaj, Ferhat Turhani, Ramadan Ruçi, Jani Sovjani, Ilia Gjipali, Ilirian Baboçi, Fatmir Hysi, Jovan Buli, Arqile Kokëdhima, Nasi Pine, Nevzat Gaçi, Selfo Baçi, Bujar Mahmutaj, Mevlan Basholli, Avdo Thanasi, Halil Lekloti, Fehta Lamaj, Fetah Xhima, Medi Reso, Xhevdet Lamçe, Esref Hoxha, Agim Qoku, Mëhill Pertona, Masar Shero, Kushtrim Haxhia etj. Ndoshta kam harruar ca. Ju kërkoj falje.

 

Në repartin 3790 kryenit detyrën e komandantit të repartit. Çfarë kujtoni për punën e kuadrove e ushtarëve?

 

Në fund të vitit 1966 u formuan dy reparte autonome të raketave, në kategorinë e regjimentit, reparti 3760 e 3790. Unë u emërova komandant i repartit 3790, dislokuar në Patos. Atje punova deri në shtator 1969, kohë kur u caktova të ndjekja studimet në akademinë ushtarake Tiranë.

Ajo kohë ishte nga më të suksesshmet dhe më të bukurat në jetën ushtarake. Patëm punë, harmoni e arritje në çdo drejtim. Ishim një repart me kuadro e ushtarë të zgjedhur. Komisar ishte Asim Çela, kuadër me përvojë të gjatë pune, i afruar me njerëzit. Masar Shero, Shefi i Shtabit dhe Shyqyri Sinani, që drejtonte sektorin e prapavijës.

Ruaj shumë kujtime e mbresa, sidomos për oficerat e baterive, që mbanin peshën kryesore në punët e stërvitjet me ushtarët. Sa shumë punë përballuam në atë kohë. Ndërtuam të gjitha objektet për jetesë e stërvitje të efektivit. Hapëm e ndërtuam pozicionet dhe strehimet për teknikën e raketat.

U arritën tregues të lartë në stërvitje, gadishmëri e forcimin e disiplinës. Në atë efektiv nuk u krijuan asnjëherë shqetësime, ngjarje apo mosrealizime në pragramin e stërvitjes apo planin e punimeve. Si një kolektiv kompakt, me bindje e punë të përbashkët krijuam një përvojë pozitive në përballimin e punëve e kërkesave të kohës.

Ndikim kryesor luante shembulli i oficerave, shumica e të cilëve ishin të rinj, por plot vitalitet. I kujtoj me admirim. Kurrë nuk i harroj. Këtu, për të mos bërë listë, përmend emrat e komandantëve të baterive: Namik Shehu – komandant i baterisë radioteknike, Bekim Haxhiu – komandant i baterive të zjarrit dhe Reuf Thanasi – komandant i baterisë teknike. Model i kuadrit të ditur e puntor.

Epo, vite më pas jemi takuar me respekt e ngrohtësi me ata oficera, që u burrëruan në raketa, u bënë drejtues të aftë, duke punuar deri në komandën e MKA-së, njësi e reparte të tjerë si Ëngjëll Durmishi, Masar Shero, Xhevdet Çela, Lefter Hitaj, Mehdi Reço, Bejdo Alliaj, Petraq Gjeçi, Zenel Veizaj e të tjerë. Midis qindra ushtarëve do të përmend Ethem Shehun, Ptoleme Gjoka, Remzi Nervaj, Harulla Kaçani, Pertef Merkaj, Sami Zuna, Luftarin nga Ramësi e të tjerë.

Në Patos si repart i ri patëm mjaft vështirësi. Ato i kapërcyem me një punë intensive, me edukim e disiplinë, në rradhë të parë me ushtarët. Ata djem të popullit duhej ushqyer, mësuar, edukuar e kujdesur si vëllezëër. Gjendja e shëndoshë e plotësimi i detyrave kërkonin dhe marrëdhënie të ngrohta, harmoni e shkuesi të mirë si brenda efektivit dhe me popullin e zonës.

Ishim në një zonë tepër patriotike. Bashkë me punëtorët e mrekullueshëm të naftës e kooperativistët. Njohëm psikologjinë e problemet e tyre ekonomike. Mbështetja e tyre dhe kompletimi me efektiva rezervistë u bënë faktor tjetër i rëndësishëm i asaj gjendje të shëndoshë e gadishmërisë së atij reparti.

Atëherë ishte një popull i tërë i armatosur, i përgatitur e i gatshëm për të vepruar në çdo moment me shpejtësi e fuqi goditëse. Për të mbrojtur çdo pëllëmbë tokë ata ishin gati të sakrifikonin, të derdhnin gjakun lumë. Këtë e bënin njerëzit atdhetarë e patriotë të vërtetë që u dhimbsej vendi, Shqipëria. Sot këto janë dëshmi historike që do të zënë shumë faqe në historinë e Shqipërisë. Kurrë s’do të errësohen punët e vështirësitë e oficerëve, veçanërisht te reparteve të gadishmërisë të përhershme, që i linin fëmijët të sëmurë e shkonin në detyrë, në bateri, në gadishmëri. Ata ishin njerëz të thjeshtë, punëtor e idealistë.

Për Shqipërinë është derdhur shumë gjak. Këtë e dëshmon historia. Edhe në çdo kohë, sot e në të ardhmen, populli, çdo shqiptar patriot do të punojë e luftojë për Shqipërinë, për nënën tonë të madhe.

 

Zhvillimi i qitjeve me raketa në Shqipëri, problem i madh dhe domosdoshmëri

 

Sidomos pas viteve 1970, zhvillimi i qitjeve me raketa në Shqipëri ishte bërë nevojë e domosdoshme. Një problem i madh për zgjidhje. Ndikohej nga dy faktorë kryesorë:

1. Kishte kaluar kohë, që nga viti 1960, që teknika e sidomos pjesët e raketave nuk ishin provuar me qitje. Disa mekanizmave, sipas instruksioneve e skemave u kishte kaluar disa herë afati i përdorimit. Nuk dihej gjendja faktike e tyre.

2. Bëhej e domosdoshme, që të përcaktohej shkalla e njohjes dhe përdorimit në praktikë, në qitje të efektivit, oficerë e ushtar me një kompleksitet të madh detyrash luftarake. Pra, përcaktohej gjendja. Rritej siguria në shkallën e gadishmërisë.

Pse ishte problem në Shqipëri? Sipas përvojës ruse e kineze, qitjet me raketa tokë – ajër kërkojnë hapësira të mëdha, larg vendeve të banuara e me objekte industriale. Ka patur raste, që raketa të veçanta nuk drejtohen, duke u kthyer në një rrezik të madh për njerëzit. Në vendin tonë nuk gjendeshin hapësira të pabanuara. Por edhe aeroplan pa pilot nuk kishim.

Në shtator 1971, unë u emërova në komandën e Mbrojtjes Kundërajrore, përfaqësues i raketave. Atje gjeta ngrohtësinë dhe ndihmën e kuadrove që bënin komandën e artilerisë kundërajrore, si Kiço Janko, Fadil Toçi, Arif Abazi, Ligor Ngjela, Pali Prifti, Petrit Shtëpani, Aleko Tase, Rexhep Rexhmata, Reshat Çela, Petrit Çelniku, Bejo Tahiri, Sotir Papa. Pa përmendur këtu kuadrot e shtabit e të komandës së MKA-së, që ishin shumë dashamirës e me përvojë. U mora direkt me problemin e qitjeve me raketa.

Në një nga ditët, në mes të muajit tetor më thërret në zyrë komandant Kiço Janko. Diskutojmë për qitjet me raketa. Ai kishte njohuri të thella. Në fund më thotë:

- Përgatit një skemë për rajonin: Kalaja e Durrësit, Gjiri i Lalësit, Shëngjin dhe në thellësi detin , duke përcaktuar distancat më të afërta me Italinë e Malin e Zi.

- Dhe një informacion ku të shpjegohen të dhëna të skemës dhe disa masa që propozojmë për të siguruar zhvillimin e qitjeve me raketa. Këto do të miratohen nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Petrit Dume.

Punova me kujdes. Grumbullova të dhëna dhe përgatita gjithçka kërkohej. Më tepër i kushtova vëmendje skemës që nxorra nga hartat ushtarake për atë rajon. Në hartë (skemë) ngrita objektet me të dhënat kryesore, por të sakta. Skemën dhe informacionin ia çova për t’i parë Kiço Jankos. I pëlqyen dhe në atë moment merr në telefon Shefin e Shtabit të Përgjithshëm. Ai na priti menjëherë. Pra, brenda orës u gjendëm në zyrën e Petrit Dumës.

 

Takimi me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm Petrit Dume

 

Petrit Dumen, nga afër e kisha parë në shkollën ushtarake “Skënderbej” kur vinte dy-tre herë në javë dhe në stërvitjet e Shtabit të Përgjithshëm. Por në tre raste jam takuar direkt me atë, kemi folur dhe e kam dëgjuar.

Takimi i parë. Në vitin 1966, si rezultat i disa masave demokratizuese që ishin marrë nga udhëheqja e Partisë, në disa organizata të partisë ishin deleguar nga anëtarët e Byrosë e të KQ të PPSH. Në organizatën e partisë të repartit të raketave të Sukthit erdhi Petrit Pume, ish kandidat i Byrosë politike dhe Shef i Shtabit të Përgjithshëm.

Ai shoqërohej nga Maqo Zoto, komandant  i Regjimentit, kuadër i thjesht, masovik, i ditur, model i kuadrit drejtues e organizator, i kulturuar dhe me integritet moral e punëtor. Ne më të rinjtë e kishim idhull në çdo drejtim.

Isha dhe sekretar i organizatës së partisë. Kishim bërë të gjithë përgatitje serioze. Në mbledhje folëm konkretisht për punët dhe problemet që na shqetësonin. Ballafaquam gjendjen me kërkesat. Komunistët ishin të rinj, por flisnin konkretisht e pa ndrojtje. Më tepër kritika e mendime për të korrigjuar dobësitë.

Petrit Dumes i pëlqeu gjendja dhe ballafaqimi i organizatës. Bëri vlerësime mjaft pozitive. Shtroi detyra e dha porosi, sidomos në punën me ushtarët dhe mbajtjen e gadishmërisë. Ato vlerësime u bënë shkak që puna e organizatës të përgjithësohej në disa mbledhje e seminare.

Kur mbaruam mbledhjen dolëm bashkë në shkallë se ishim në katin e dytë të ndërtesës. Shkallët ishin nga jashtë. Qëndruam. Poshtë ishin grumbulluar ushtarë e kuadro, duartrokisnin dhe hidhnin parrulla për udhëheqjen e partisë. Petrit Dumja u thot fjalët e para:

- Si mendoni ju, kush u zgjodh sekretar i organizatës? Në një zë të përbashkët u dëgjua emri i sekretarit të zgjedhur.

- Po , kush mendoni se u kritikua më shumë? Si në kor, emri i komunistit që vërtet u kritikua më shumë për disa shkelje të rregullave e normave.

Sa mirë e njihnin gjendjen. Dhe nga sa dëgjova në organizatë e kuptoj se si jetoni e stërviteni ju, sa mirë i mbani marrëdhëniet e njihni punën e komunistëve e kuadrove që ju drejtojnë. Mbajeni lart këtë frymë. Dhe stërvitja e gadishmëria janë probleme të gjithë masës së ushtarëve e oficerave. Kështu i shërbehet popullit dhe Shqipërisë. Ju përgëzoj dhe ju uroj suksese për mbajtjen në gadishmëri të repartit të raketave.

Takimi i dytë. Kur u pritëm në zyrë nga Petrit Dumja për problemet e qitjeve me raketa. Ishim me Kiço Jankon. I dhamë dy materialet që kishim përgatitur. I lexoi. Na pyeti, për çështje të veçanta. Duke mu drejtuar mua tha: “A kini trimëri e siguri ju me ata të repartit të raketave që t’i zhvilloni qitjet në rajonin që propozoni?

Në moment ndërhyri Kiço Janko, që ishte burrë i mençur e kurajoz:

- Shoku Petrit. Këta janë të përgatitur. Janë të sigurt për qitjet, por duhet të merret vendimi. Nuk duhet të shtojmë më shumë shqetësime për njerëzit që drejtojnë ato armë. Atëherë Petrit Dumja tha:

- Kjo punë kërkon trimëri. Si për shumë probleme të mbrojtjes, do t’a marrim përsipër edhe këtë të qitjeve me raketa. Dakort me propozimet tuaja. I firmosi materialet dhe dha porosi të veçanta.

Më la mbresa gjykimi dhe kurajo e tij. Sa thellë i njihte problemet e mbrojtjes. Ishte i prerë në vendimet që merrte. Atëherë kishte të tjerë dhe ndonjë teknokrat që e kundërshtonin në forume e kudo pamundësinë e kushteve në Shqipëri për qitjet me raketa. Qarkullonte mendimi se do të ndodhte katastrofë e madhe nga mosdrejtimi i raketës. Atyre dilemave u dha fund vendimi i guximshëm që mori Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Petrit Dume.

Dhe takimi i tretë. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm kërkonte direkt informacion për gjendjen dhe punën, që bëhej për qitje. Thërriste në takime direkt kuadrot kryesore. Në një nga këto takime kam qënë edhe unë. Ai kërkonte siguri të plotë gjatë qitjes. Interesohej deri për drejtimin e saktë të qitjes dhe këndin në rrafshin vertikal. Pra, për probleme teknike, përgjigjen e të cilave e kërkonte nga unë. Dëshiroj ta theksoj se ai të dëgjonte me durim dhe të krijonte lirshmëri.

 

Masat që mori komanda e regjimentit për qitjet

 

Sa doli urdhri, komanda e regjimentit me komandant Naun Gjinkasi e komisat Qëndro Hamzarai morën gjithë masat për qitjet. E gjithë puna udhëhiqej nga Komiteti i Partisë. Disa nga masat:

- Dislokimi i repartit 3760, nga Krasta (Krujë) në Hamalle (Gjiri i Lalsit). Dislokimi u bë më 13 nëntor 1971.

- Teknikët më të mirë të regjimentit, me kryeinxhinier Qebir Bisha shkuam në ndihmë të repartit 3760.

- U organizua fushimi, me të gjithë elementët e stërvitjes, pushimit e drejtimit. U vendos lidhja me vendkomandën qëndrore.

- Filloi puna për përgatitjen e reflektorit (një trup metalik që imitonte aeroplanin pa pilot). Për përgatitjen e reflektorit u ngarkua Azbi Çela, një nga njohësit më të mirë të raketave e me përvojë të gjatë pune në mjetet radiolokative. Ai u përgatit në uzinën e aviacionit në Kuçovë, ndër më të mirat në Shqipëri.

- U bë lajmërimi i rretheve më të afërta me zonën e qitjes, aerodromit, porteve e të tjera.

- U precizuan më saktë problemet e bashkëveprimit me aviacion dhe komandat e njësive ushtarake. U morën masa në çdo drejtim.

 

Intensifikimi i përgatitjes së efektivit dhe masat për kontrollin e teknikës për qitje

 

Qitjet me raketa në atë kohë ishin problem i vetëm, nga më të rëndësishmit. Punohej me disiplinë e rregull të fortë. Çdo veprim, çdo orë stërvitje, çdo kontroll e analizë bëhej me një kërkesë rigoroze.

Detyrat kryesore binin mbi kuadrot që punonin në teknikë. Nuk lejohej asnjë tregues me përafërsi. Ajo punë kontrollohej dhe nga specialistët e regjimentit. Si ishte gjendja faktike e gadishmërisë shihej në aparaturën e imitacionit që gjendej në kabinën indikatore.

Vet raketa, ajo masë e madhe, me peshë afro 2 ton dhe gjatësi 10.8 m kërkonte furnizime e shumë kontrolle. Ato bëheshin në bazën e mbushjes, ku drejtonin Sokol Baliaj e Dervish Haxhiu. Veprimet i kryenin specialistët më të mirë, si Alush Bisha, Milo Adushi, Hiqmet Meçaj, Musa Rama, Malo Çalaj, Dilaver Goxhaj e të tjerë.

 

Si u prit dita e qitjes me raketa?

 

Shumë e ngarkuar moralisht e psikologjikisht. Me besim e optimizëm. Nuk dëgjoheshin zëra. Secili në vendin e tij. Realizimi me sukses i qitjeve ishte gadishmëri, rritja më tej e rolit të asaj arme ose zbehja e saj.

Ishte 13 dhejtor 1971. Ditë pa re, me diell. Çdo gjë ishte gati. Raketat ishin vendosur mbi shtratet e lëshimit. Ato, nga rrezet e diellit ndrisnin si prozhektor. Aparatura e raketat të sinkronizuara. Ngritur në këndin 45 gradë dhe kthyer nga jugu. Andej pritej aeroplani.

Rreth 500 m larg pozicionit ishte një vend si strehim i ndërtuar posaçërisht ku qëndronin Petrit Dumja dhe kuadrot kryesore të Ministrisë së Mbrojtjes, komandat e njësive ushtarake dhe drejtuesit kryesorë të rretheve më të afërta. Shumë të ftuar.

Në atë vend strehim ishte vendosur një autoparlant i lidhur me kabinën “k”, që ishte dhe vend komanda e repartit. Andej lidhej me gjithë kabinat e shtratet e lëshimit. Çdo veprim transmetohej, në të njëjtën kohë, si në kabina dhe në vendstrehim. Qitjen e drejtonte komandanti i repartit Avdo Thanasi e komisari Ilmi Xifaj.

Mua, si përfaqësues i MKA-së, përveç detyrave direkte, m’u ngarkua dhe transmetimi në mikrofon i çdo komande e veprimi në përmbushje të qitjes. Pra i gjithë procesi i qitjes, që nga ngritja e aeroplanit, veprimet për qitje e përfundimet. Ato ishin momente të rëndësishme. Më mirëkuptoni kur zgjatem në anën teknike të tyre.

Disa momente:

- Ngritja e aeroplanit gjuajtës-bombardues nga aerodromi i Kuçovës. Në atë ishte vendosur reflektori. Piloti Bajram Hitaj, i guximshëm e me përvojë në qitjet e artilerisë kundërajrore merrte kursin e lartësinë 10.000 m.

- Aeroplani u kap nga stacioni i drejtimit dhe shoqërohej normalisht. Moment kritik ishte momenti i kapjes së reflektorit, kur e lëshoi aeroplani. Ai moment u zgjidh drejt.

- Momenti vendimtar, ishte momenti i lëshimit të raketës. Dëgjohen në autoparlant:

VINI RE, VINI RE. LËSHIM. Pas kësaj u dëgjua një krismë e madhe si bubullimë. Shtrati i lëshimit u mbulua me flakë. Raketa, ajo masë e madhe, e mbuluar me shtëllunga tymi e rëre u ngrit në ajër.   Për ca sekonda, raketa shfaqet në diagramën drejtuese. Na u shkri gjaku, kaloi ankthi.

- Raportohej – Raketa drejtohet. I afrohet objektivit. SHPËRTHEU. Sukses i plotë. Ajo shpërtheu në reflektorin që binte me shpejtësi 10 m/sekondë. Fitore! Gëzimi i njerëzve ishte i papërshkruar!

Në pak minuta, oficerë e ushtarë mbushëm sheshin përpara kabinave, duke brohoritur, takuar e përqafuar me njëri tjetrin, si mbas një beteje të madhe. U dëgjuan komandat për të pritur Petrit Dumen dhe të ftuarit e tjerë. Ai përshëndeti dhe uroi për suksesin. Pastaj na takoi me rradhë. Neve s’na mbante vendi. Disa me lot në sy nga gëzimi. U arrit një sukses i madh. Një arritje më tej për mbrojtjen e Shqipërisë tonë. Pas këtij suksesi u bënë shumë dekorime, repartit dhe oficerave nga Presidiumi i RPSH.

 

Rëndësia që pati plotësimi i qitjeve me raketa në Shqipëri

 

Plotësimi me sukses i qitjeve me raketa pati rëndësi shumëpalëshe:

- Qitjet me raketë u realizuan në kushtet e vendit tonë, në një terren të kufizuar dhe me popullsi.

- Ato, evidentuan funksionimin normal të pjesëve të sistemit, të aparaturës tokësore e të raketës.

- U bë e mundur, u krijua përvojë, që repartet e tjera të raketave, qitjet i zhvilluan me sukses në atë rajon. Dhe u përsërit suksesi për çdo vit nga çdo repart.

 

I kujtoj gjithnjë ato kohë e momente. Kujtoj me dashuri e respekt ata oficera , drejtues e specialist, ata ushtarë të ndërgjegjshëm që përballuan aq shumë punë e vështirësi. Ata që thyen koncepte, përmbysën pikëpamje e mentalitete dhe shkruan histori. Oh, sa të lavdishëm!

Si atëherë në luftën e ftohtë, ashtu edhe sot zgjohen ëndrra qarqesh shoviniste për copëtimin e aneksimin e Shqipërisë. Sot janë më të kamufluara e mafioze format, si me buzëqeshje, “ndihma”, “me presione në euro”, emisar e ç’nuk përdorin. Shumë përpiqen të blejnë copa toke, të tjerë pjesë të detit e naftës, plazhet apo të transportojnë plehrat e tyre. Faktet flasin vet. Rëndësi ka, që në mbrojtje të Shqipërisë, të nënës sonë, të ngrihemi të gjithë, i madh e i vogël. Shqipëria nuk është e disa qeveritarëve e pasanikëve, por e të gjithëve, çdo shqiptari, kudo që të ndodhet. Brezat duhet t’a bashkojnë këtë tokë të shtrenjtë. Kjo është e bekuar. Është e vaditur me gjak. Gjaku është në rrënjën e lirisë të Shqipërisë së shtrenjtë.

 

A mbani lidhje me njësinë e raketave?

 

Kohët dhe ndryshimet që janë bërë i kanë zbehur këto lidhje. Megjithatë, në raste të veçanta, disa nga ne me Maqo Zoton e Pali Priftin na kanë ftuar në atë njësi. Kemi patur më mirë lidhje e takime kur drejtonin Hyqmet Zyberi, Rustem Lami, pëllumb Gjondedaj, Arqile Kokdhima, Jonus Korkuta e të tjerë. Në kushtet e reja këto lidhje s’ekzistojnë më.

 

Ju keni punuar në raketa dhe në artilerinë kundërajrore. Ç’mund të na thoni për gjendjen sot të oficerëve e të teknikës?

 

Së pari. Të shkruash për oficerët në lirim që kanë drejtuar raketat e kundërajrorët në tërësi është shtysë e brendshme, mirënjohje dhe kërkesë historike. Brezi ynë kurrë nuk duhet të heshtë për të evakuar vlerat. Për të dëshmuar punën, sakrificat e kontributet e tyre në interes të Shqipërisë. Ata kanë shkruar historinë e armës kundërajrore me të mirat e dobësitë. Ishin në një moshë me ushtarët. Hanin, stërviteshin, loznin, jetonin bashkë. U thinjën në pozicionet e zjarrit, fushat e stërvitjes e sheshet e lëshimit. Kurdoherë në gadishmëri për të vepruar me sekonda e minuta. Po t’i gjykojmë sot, ato janë vlera, virtyte, mesazhe.

Së dyti. Artileria kundërajrore, si gjithë armët e tjera në atë kohë u rrit në sasi e cilësi. Nisi nga hiçi. Ca topa të vjetër të ngelur nga lufta e dytë ishin pa efekt. U pajis me të gjitha kalibrat dhe armë cilësore të kohës, me mjete radioteknike, të zbulimit e drejtimit, me armën e raketave. Sa shumë ishin. Sa municione kishim. Sa të kushtueshme! Ato, oficerët e ushtarët i ruanin si sytë. U bënin gjithë shërbimet e kontrollet. Nuk humbiste një fishek.

Sot nuk gjen as nam, as nishan. U shitën e u vodhën, u dëmtuan. Pozicionet, depot, objektet ushtarake u shkatërruan e u morën nga kontrabandistët e njerëz afër pushtetit. Shumë nga këto, koha i nxorri jashtë funksionimit, por jo si u veprua, pa llogari, pa rregulla, pa shtet. Moshës sonë ato u dhimbsen! Ishin pasuri të mëdha. Mundi e djersa e një populli të tërë. Me ato mbrohej nderi e flamuri i kombit. Këta qeveritarë të çuditin! Shesin detin, tokë, objekte me çmime të ulta, një parelli merr me konçesion 6 – 10 hidrocentrale, të tjerë toka në bregdet e çfarë nuk bëjnë. Dhe të lodhin për drejtësi e ligje!

 

 

Obobo çdëgjon

Shiten deti e nafta

Po. Historia përsëritet

Pas Shën Naumit tjetër hata

Këtë e bëjnë vetëm mbretërit

 

Ulërijnë popull e specialist

Veshi i shurdhër s’i dëgjon

Dëgjon tingujt e floririt

Që soj e sorollop i pasuron!

 

Si trajtohen nga qeveritarët e sotëm këta oficera, që kanë bërë çdo gjë të mirë në interes të popullit e Shqipërisë?

 

Që nga viti 1992, kur oficerët u ndanë në grupe, interesat e tyre u injoruan nga qeveritarët. U bënë vite që luhet me statusin e ushatarakëve. U takon, s’u takon statusi. Na japin, s’na japin votat. Është shifër e lartë. Të presim paksimin natyror të tyre e sebepe pambarim!!!

Oficerët në lirim nuk kërkojnë lëmoshë. Jo. Le të ngopen qeveritarët e “vuajtur”. Ne kërkojmë të drejtat tona financiare. Të drejta të ligjshme. Kontributet i kemi dhënë një për një, prandaj shteti duhet të na përgjigjet. Jo me hile, me justifikime e mashtrime, por të marrim atë që na takon.

Më 2005-ën, qeveria e drejtuar nga Fatos Nani e miratoi statusin, por me qëllim të keq e la zbatimin e tij në janar 2006. Ndërsa Saliu me ministrat e tij, jo vetëm që anulloi atë vendim, por edhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese për të cilat përgjërohen! Mos luani me dinjitetin e sakrificat e oficerëve. Ata nuk kanë bërë tetë orësh, por ditë e natë në punë, në stërvitje e mbajtjen e gadishmërisë.

Oficerët në lirim, as atëherë, as sot nuk kërkojnë rehati, rrugë e shtigje për t’u pasuruar apo inkriminuar. Jo vetëm për familjen, por dhe në komunitetin ku jetojnë janë shembull i njeriut të thjeshtë, korrekt, dashamirës e të përpiktë në zbatimin e ligjeve e normave shoqërore.

Një miku jonë thotë se këta qeveritarët, gjoja merren me ligje, vendime e nxjerrje ushëzimesh, që statusin t’a shtyjnë në kalendat greke dhe ne të jemi larguar nga jeta. Ligjet veprojnë dhe në shoqëri. Natyra apo zoti nuk bën përjashtime dhe për ata që kanë shumë vila e prona, shumë para e qejfe. Ata do të ikin me shumë deramete!

Shumë nga oficerët kanë punuar në aparatura të fuqishme, që gjeneronin rreze. Ato ishin shkak i sëmundjeve, që disa u ndanë nga jeta parakohe, të tjerë vuajnë në këtë moshë! Qeveritarët parellinj, s’duan të dinë për punët që kanë bërë, as për gjendjen, as për të drejtat financiare që u takojnë. Punë e tyre. Le të betohen për drejtësinë. Le të flasin çdo çast për njerëzit e zbatimin e ligjit.

 

Mesazhet që përcjellin oficerët kundërajror në lirim, në kushtet e sotme

 

Ashtu si gjithë njerëzit e thjeshtë dhe oficerët kundërajror në lirim përcjellin vlera e mesazhe. Këto i shprehin me punët që kanë bërë e qëndrimin që mbajnë në këtë tranzicion të stërgjatur të demokracisë. Dihet se çdo kohë mbart vlera e ideale, përcjell mesazhe. Siç shkruante Balzak “Çdo kohë ka vlerat e saj, nëse i heq ato bëhet pluhur e hi”. Oficerët i përcjellin këto vlera në çdo hap, por dhe në takimet që bëjnë.

Bëhen vite, që oficerët kundërajrorë në lirim mblidhen në një ditë përkujtimore, vëllazërimi, malli, nostalgjie e krenarie. Është nismë e një grupi Maqo Zoto, Petrit Shtëpani, Pali Prifti, Bektash Guma, Dhimitri Vllaho, Ibrahim Bilali, Ligor Tata, Tomorr Gumi e Bejo Hoxha. Kjo dëshirë e mirë, tani është kthyer në traditë.

Në këto takime shkojmë me ndjenja të thella gëzimi, harmonie e solidariteti, të kthyer në norma morale në kushtet e jetës kolektive në armët e MKA-së. Prandaj ato shndërrohen në festa gazmore, shtrëngim duarsh e përqafime, këngë e valle dhe shumë kujtime. Eh! Kush nuk ka për të folur ashtu thjesht e përmallshëm. Cili nuk ngrihet me gotë në dorë, përshëndet e uron? Sa e sa kujtime e fjalë zemre që të ngrohin shpirtin si rrezet e diellit. Po . I dëgjon me respekt Pali Priftin, Maqo Zoton, Ahmet Muhon, Bektash Gumën, Ibrahim Bilalin, Balil Memushin e të tjerë.

Në biseda miqsh e shokësh kujtojmë me mall e dhimbje ato kuadro, që janë ndarë nga jeta. Shumë nga të cilët sakrifikuan gjithçka për çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit dhe u vunë si drejtues e specialistë në drejtim të artilerisë e të raketave kundërajrore. Të paharruar – Bejdo Isufi, Arif Hasko, Kiço Janko, Naun Gjinikasi, Simon Lesko, Vasil Zhebo e të tjerë.

Petrit Shtëpanin e dëgjon të flasë rrjedhshëm e me emocione, sidomos kur lexon listën e atyre, që nuk janë më në rradhët tona. Është homazh e nderim. Oh, sa shumë janë bërë! Do të përmend disa nga ata që kanë punuar në raketa: Alush Bisha, Sokol Baliaj, Hasim Çela, Azbi Çela, Ferhat Turhami, Qëndro Hamzarai, Mëhill Pertena, Avdo Thanasi, Masar Shero, Jani Isaia, Mustafa Çela, Pëllumb Gjondeda, Thoma Jorgji, Zihni Koshi, Safet Malaj, Sherif Hoxha e të tjerë.

Në këto takime të përvitshme, si një familje e madhe, me ngrohtësinë e bashkëluftëtarit, vëllait, shokut e mikut kalojmë një paradite dhe drekën e këndshme. Janë takime të njerëzve që punën dhe marrëdhëniet me njerëzit i kishin norma. Siç ishin kanë ngelur demokratë në shpirt e veprime. E kështu përsëritin urimin: - U takofshim të gëzuar çdo vit!

 

I kujtoj me dashuri, mirënjohje e krenari të gjithë ata oficerë, shokë, kolegë e miq, që si më parë dhe në kushtet e sotme janë model, serioz e me personalitet, pjesë e pastër e shoqërisë, që jetojnë me shqetësimin për vendin e kombin. Ashtu, siç kanë qënë të thjeshtë e të vuajtur, ashtu kanë ngelur. Jetojnë e u dhimbset që Shqipëria po lëngon e copëtohet, grabitet e shitet. Disa nga oficerët në lirim jetojnë dhe në varfëri, por dinjitozë, të nderuar dhe me shpirtin e pastër si qelibari. Mëson nga shpirti, puna dhe integriteti atdhetar, shoqëror e moral i tyre. Natyrisht ata njohin dhe gabimet e të kaluarës, por pa mohuar atë punë të madhe shumëvjeçare.

Ishin kujtime e mbresa. Të vërteta të pamohueshme të njerëzve që shkruan histori. Shumë gjurmë të thella në jetën time. Kurrë si harroj!



(Vota: 3 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora