E premte, 29.03.2024, 12:52 AM (GMT)

Kulturë

Sir Norman (Pitkini), në një azil pleqsh

E marte, 21.08.2007, 06:34 PM


Personazhi i njohur i humorit anglez për shqiptarët, Pitkini, i cili dhe e ka vizituar vendin tonë, është në qendër të medias britanike për vendosjen që fëmijët i bënë në një azil

Në një dhomë të vogël ku mezi rrotullohesh, me pak dritë, ku dysheku në krevat me fortësinë që ka merr formën e një cope druri, që prej disa javëve jeton një njeri për të cilin të gjithë janë të një mendjeje: ai nuk duhet të jetojë në të tilla kushte.

Legjenda e komedisë britanike, Sir Norman Wisdon, njëkohësisht i adhuruari i shqiptarëve gjatë regjimit komunist, do t‘i kalojë vitet e mbetura të pleqërisë në një azil pleqsh. Pikërisht në këtë dhomë, larg rehatisë së mëparshme, në një shtëpi të madhe mbushur gjithmonë me njerëz, shumica admirues që vinin për ta vizituar.

As ai vetë nuk e ka besuar atë çka ndodhi katër javë më parë, kur djali, së bashku me nusen, vendosën që ai të largohet nga shtëpia ku banonte për një destinacion të ri, atë të një azili pleqsh 40 kilometra larg qytezës ku banonte.

Për këtë, media britanike dhe miqtë kanë kritikuar ashpër familjarët e aktorit tejet të njohur në Shqipëri, sidomos me rolin e Pitkinit. Mësohet se kohët e fundit marrëdhëniet e komikut 92-vjeçar me djalin dhe vajzën kanë qenë të acaruara. Shkaku ka qenë marrja nën kontroll nga ana e tyre e pasurisë së Wisdom.

Një nga fqinjët dhe miqtë e familjes, ka deklaruar se fëmijët e Sir Norman, djali Nicholas me bashkëshorten Kim dhe vajzën Jackuelinë, kanë siguruar lejen për të shitur një shtëpi të tijën. Dy fëmijët e tij janë produkt i martesës së dytë që ai pati me Frendën në vitin 1968.

Vajza Jacqueline nuk punon. Ajo është e divorcuar dy herë. Ndërsa djali Nicholas ka si pronë një dyqan veshjesh. Ai ka dy fëmijë nga martesa me bashkëshorten Kim.

Po ashtu, sipas fqinjit, ai në një farë mënyre është izoluar nga takimet me të afërmit.

"Ata të cilët mund ta vizitojnë Sir Norman janë njerëzit që kanë një pasuord të veçantë që lëshohet nga familjarët. Në të kundërt, askush nuk mund ta takojë", raporton gazeta "Daily Mail".

Të afërmit e tjerë, përfshi fqinjët, nuk e kanë mbështetur vendimin e fëmijëve të komikut të vetëm perëndimor që lejohej të ndiqej prej shqiptarëve në ekranet e tyre bardh e zi gjatë kohës së komunizmit. Sir Norman ka vizituar dhe Shqipërinë pas viteve ‘90, ku të gjithë kujtojmë mënyrën se si ai u prit në Tiranë nga adhuruesit.

Sipas tyre, ai tani qëndron i mbyllur në një dhomë të vogël, larg shtëpisë së madhe plot dritë dhe hapësirë, ku jetonte mes miqve të shumtë.

Por familjarët e njeriut, që për 60 vjet bëri për të qeshur jo vetëm Britaninë, tregojnë një variant tjetër të kësaj historie.

Nusja e djalit Kim, duke folur në emër të familjes, tha:

"Akuzat se ne po mundohemi ta izolojmë atë janë të dhimbshme. Ne kemi bërë maksimumin për t‘u kujdesur për Norman. Shumë njerëz në jetën tij kanë axhenda të ndryshme. Ai është i sëmurë me probleme kardio vaskulare. Ne jemi të lumtur nga trajtimi që po i bëhet në azilin e quajtur Watsons. Për sa u përket atyre që duan ta vizitojnë, askush nuk është ndaluar. Ata duhet t‘i japin fillimisht familjes garanci që nuk do ta shqetësojnë atë dhe nuk kanë për të ndërhyrë në jetën e tij".

Kur e pyetën Sir Norman se cili ishte çelësi i suksesit në skenë, ai u përgjigj:

"Hapësira për të punuar. Liria, si gjëja më e shtrenjtë pas një fëmijërie të vështirë që kam kaluar".

Tani kjo liri atij i është kushtëzuar nga vendi ku duhet të jetojë dhe sëmundja.

Njëri prej banorëve të këtij azili tregon se u mahnit kur pa Sir Norman të hynte në të. "Nuk u besova syve kur pash Sir Norman duke hyrë në azilin tonë. Atij tani i duhet të jetojë në një dhomë shumë të vogël, me një dyshek të fortë, në të cilin ai kurrë nuk mund të ketë fjetur më parë. Në të ndodhen dy karrige plastike, një dollap, së bashku me një komedinë të vogël. Brenda dhomës ndodhet një dush i vogël dhe banja. Mungon një pasqyrë për t‘u rruar, si dhe një raft i vogël ku ai mund të mbajë veglat e rrojës".

Më tej ai ka sqaruar se gjithçka është kurdisur nga familja e Sir Norman. "Ata panë këtu vërdallë vetëm tri azile pleqsh. Pas dy ditëve me shpejtësi e vendosën në këtë azil, ku ai gjendet tani", vijon së treguari shoku i azilit.

Media britanike ka zbuluar fakte të tjera se si djali i Norman Wisdom, i cili ka leje të shesë pronat e të atit, me shpejtësi shiti makinat tip "Rolls-Royse" dhe "Jaguar" kur ai ishte me pushime. Tani në shitje është vënë edhe shtëpia ku në 24 vitet e fundit ka jetuar komediani i famshëm. Pritet që nga shitja të përfitohen 800 mijë paund, për të cilat familjarët janë shprehur se do të përdoren për të paguar azilin.

"Miqtë e tij në ishullin ku banonte janë shprehur se ajo që ka ndodhur me të është trajtim djallëzor", ka deklaruar Phil Day, menaxheri për marrëdhëniet me publikun, i cili i shërbeu Sir Norman për 38 vjet.

Ndërsa Joe Higgins, mik për 40 vjet, do të thoshte: "Ai meriton më shumë se kaq".

Të gjithë janë të shqetësuar për të. Shërbëtorja e Wisdom për 30 vjet, Mauren Faragher, është ndaluar ta vizitojë atë. "Jam e shqetësuar, pasi ai do të harrohet atje ku e kanë çuar", thotë ajo. Është një frikë e të gjithëve atyre që e donin aq shumë njeriun që i bënte të qeshte.

Pavarësisht nga shqetësimi i miqve, vetë Sir Norman në një intervistë të fundit thotë: "Jam i lumtur këtu ku jam". Një adhuruese e quajtur Vivine Harris nga Londra, në një faqe interneti nuk komenton zhvillimet e fundit për komikun e suksesshëm. Ajo vetëm ka shkruar tri pyetje.

A mund të jetë kjo ajo që duhet të ndodhë kur ti plakesh? A mund ne të lëmë të ndodhë një gjë e tillë me këtë aktor të mrekullueshëm? Ku po shkon kjo botë?

Ajo ka të drejtë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora