E premte, 26.04.2024, 12:53 AM (GMT+1)

Mendime

Selim Hasanaj: Nga fundi i magjes së miellit nxori një kryq dhe e puthi

E merkure, 20.04.2011, 07:58 PM


NGA FUNDI I MAGJES SË MIELLIT NXORI NJË KRYQ DHE E PUTHI

 

Nga Selim M. Hasanaj

Redaktor, Revista Drini

 

Në vijim të përjetimit të kujtimeve për Babë Mustafën, më kujtohet edhe kjo ngjarje mjaft mbresëlanëse për mue.

 

Ka ndodhë diku rreth viteve 1967-1968. Baba në atë kohë punonte argat krahu në hapjen e pyjeve të Dubravës, për t'i shndrrue ato në toka buke për nevojat e kooperativave bujqesore. Punonin ag e terr tue nxjerrë cunga e rrajë druesh e shkurresh, lisash e carrash të moçëm.  Për ta shndrrue atë hapsinë të madhe pyjore në tokë buke, shkonte në kambë nga Lubozhda deri atje, ku punonte nga 10-12 orë me kazëm, lopatë e sopatë pa ndërpremje dhe, ashtu i rraskapitun, kthehej po në kambë në shtëpi.

 

Ma vonë e pata kuptue se ajo rrugë mundimi që bante im atë prej Shtëpije deri tek vendi i shpyllzimit ishte 15 kilometra larg, dmth rreth 30 kilometra rrugë  shkuemje e ardhje. Ka qenë mal qarrishtë ajo tokë, por me kazëm e lopata e kanë çelë e shndrrue në tokë buke argatet e vorfen si im atë Mustafa. Për disa vjet ajo tokë asht shfrytëzue si tokë buke e mbillej me grunë e misër nga Kooperativa e Dubravës, ndërsa ma vonë aty asht ndërtue burgu famkeq i DUBRAVËS, që asht poaty edhe sot, e njihet si vend i vuejtjeve të mëdha, dhimbjeve të pakufishme, gjakut të derdhun dhe masakrave ndaj të burgosunve shqiptarë para lufte..., e sidomos gjatë Luftës së Kosoves të vitit 1999. Policija dhe ushtrija serbe kanë vra e maskarue shumë shqiptarë aty. Prej atij burgu famëkeq asht "lirue" edhe atdhetari i madh Ukshin Hoti, që i ka dhanë bazën moderne nacionalizmit shqiptar tue shkrue platformën e kryengritjes dhe rezistencës së përgjithëshme për çlirim nga Serbija dhe bashkim me pjesën e çlirueme të Atdheut. Por Ukshini nuk u gjet ma kurrë. Asnjë gjurmë, asnjë shej, asgja...

 

Asht thanë se shkak për ndërtimin a atij burgu ishte ba një ngjarje e bujshme që i pat parapri. Në Burgun famëkeq "Kapedom" të Nishit, në Serbi, të burgosunit shqiptarë persekutoheshin jo vetem nga gardianët, por edhe nga të burgosunit kriminelë serbë. Një ditë, të lodhun nga kjo jetë, trimi i Shalës së Bajgorës nga fshati Zhazhë, Bejtush Peci, që ishte i burgosun aty, vendos "me luftue me të gjithë" dhe ai filloi t'i rrihte gardianët e bashkë me ta edhe të burgosunit serbë. Ndodhi diçka që ishte në kufijtë e të pabesueshmes. Bejtush Peci i bani historinë vetes dhe kombit të vet, sepse arrijti të vriste disa kriminelë serbë e gardianë mizorë. Atij i erdhën në ndihmë edhe disa shqiptarë të tjerë të burgosun aty dhe, simbas dëshmitarëve të pranishëm në atë ngjarje, kanë mbetë të vramë dhjetra serbë, e, natyrisht, edhe ai TRIM që s'kishte mundë të duronte ma poshtnimin, Bejtush Peci - Zhazha.

 

Kjo ngjarje solli reagime edhe në strukturat politike të Kosovës, kështuqë lindi nevoja e ndërtimit të një burgu në Kosovë ku do vuenin dënimin të burgosunit shqiptarë dhe të tjerët nga Kosova.

 

Argatët e vorfën që punonin për të pastrue malin ku asht ndërtue ma vonë burgu, ishin edhe të unshëm tanë kohën, sepse shpesh herë nuk kishin as bukë për të marrë me vete.

 

Po tashti më lejoni të tregoj një rast që i ndodhi babës tim, Mustafës.

 

Ishte muej i agjërimit të besimtarëve muslimanë. Atë dite baba e te tjerët kishin  marrë pagën mujore.

 

Në mbramje, tue kthye në shtëpi në shoqni të Arif Çetinës, Ali Çunit, Shaban Mehmetit e Shaban Sadrinë, arrijnë deri në qendër të Istogut.

 

Shaban Mehmeti dhe Shaban Sadriu ishin fetarisht indiferentë, për dallim nga Babë Mustafa e Arif Çetina. Baba e Arifi ndahen në qendër nga dy Shabanat e Ali Çuni. Im atë e Arifi hyjnë  në Kafe " KORENIKU ", që ishte në qendër të Istogut. Ulen dhe marrin nga një lang COCTA, që baba e ka pasë gjithmonë qef. Arifi, që ishte shumë ma i ri se Baba, nuk i ndahet dhe ulet edhe ai me të e pijnë së bashku langje para kohës së iftarit. Baba Mustafë, me plisin e bardhë në krye dhe shallin si rugovasit të mbshtjellun rreth kokës, u bie në sy të gjithëve që ishin në atë lokal hotelier, dhe fillojnë me ngacmime, gjuejtje fjalësh dhe ofendime, pa qenë të provokuem me asnjë fjalë as prej babës e as prej Arifit.

 

Lind një sherr i madh, sa për pak kishte pasë ardhë deri tek kacafytjet fizike në mes babës e disa prej musafirëve të atyshëm, qe mund të kenë qenë edhe provokatorë të UDB-ës, të interesuem ta mbanin një pjesë të popullit të lidhun me islamin, qoftë edhe përmes nxitjes së ngaterresave të tilla absurde.

 

Për fat të mirë aty kishte ndërhy edhe milicija e gjithçka kishte përfundue pa pasoja.

 

Në atë kohë unë isha nxanës në shkollen fillore "HYSNI ZAJMI" të Vrellës, ku mësues kisha një burrë të squet e shpirtbardhë, Qerim Spahiun. Nuk më kujtohet si rrodhën fjalët, por për rastin dëgjova në shkollë, ku për befasinë time edhe unë u provokova nga një nxanës, që më perqeshi tue më thanë se isha "djali i katolikut që nuk mban ramazan..."

 

Këto fjalë e ngacmimi më nervozuen, aq sa u kacafyta me atë nxanës aq keq, sa të mos ishte mesuesi, do të ishim ba copa. Mbaj mend se atë nxanës mesues Qerimi e pat dënue dhe qortue ashpër dhe e pat detyrue të më kërkonte falje për fyemjen e bame.

 

Kur u ktheva prej shkolle i tregova babës fije e për pe se çka më kishte ndodhë në shkollë ... Ai ishte ulë në një stol trekambësh dhe përkundte në djep motren tonë të vogël,  Fatmirën, që po flinte si engjull në të njejtin djep në të cilin ma heret isha përkundë edhe unë. Baba e kishte pagzue motrën Fatmirë, me emnin e motrës së vet, që para shume vitesh kishte pasë vdekë në rethana tragjike. Vëllaj Ibrahimi dhe motra tjetër po luejshin anash, ndërsa nana përgatiste darkën.

 

- "Po ti, mor babë, pse ha në dit ramazani asht punë për ty, po pse hyn në një lokal publik dhe pi langje për ditë të ramazanit.... Ja që pate probleme, ashtu si edhe unë sot me një djalë të Sadik Sinanve nga Vrella për shkakun tand.

Baba më dëgjoi me vemendje gjatë gjithë kohës... Vërejta se si i ndrroi fytyra...U ngrit në kambë tue më kapë për këmishe bash te krahnori dhe më tërhoqi ashtu deri te magjja e miellit. Aty pervoli mangën e këmishës dhe futi dorën në miell deri në brryl dhe nxori një KRYQ DRUNI të punuem me kujdes kushdi kur dhe kushedi nga kush dhe para meje e familjes e puthi me lotë në sy...

- Ky Kryq asht arsyeja pse unë e ha ramazanin e nuk pyes. Unë, o Bab', nuk jam turk, unë jam shqiptar, ti je shqiptar, Nana jote asht shqiptare dhe plisi e shalli që janë pjesë e veshjes time, janë veshje shqiptare, prandaj, djali im, mbaje mend përgjithmonë: Ky KRYQ gjithmonë ka sjellë bereqetin në magjen tonë! - dhe e futi prap në fund të miellit në magje ndërsa i rrodhën lotët për faqe...

 

Kurrë herë tjetër, para e mbas këtij rasti e deri sa ka vdekë, nuk ia kam pa lotët Babës tim. Atë mbramje i rrodhën lotët për faqe, lot që më duket se edhe sot ia shoh tek i rrokullisen mollzave atij Burri të vuejtun...

 

I pushoftë shpirti në Paqë e u prehtë në parriz.



(Vota: 18 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora