E enjte, 28.03.2024, 10:19 AM (GMT)

Kulturë

Ndue Ukaj: Identiteti i injorantit

E merkure, 20.04.2011, 06:58 PM


Identiteti i injorantit

 

(Romani “Injoranti” i Milan Kundera-s)

 

Nga Ndue Ukaj

 

Një referencë e njohur letrare, thotë se çdo tekst duhet menduar si një lloj makine dhe për këtë arsye, kërkohet të mos bëhet ndërhyrje në ventilatorët e tij, apo në funksionet e tij vepruese ((I. A. Richards). Duke qenë një lloj makine, tekstet letrare kanë shumë funksione të ndervarëshme dhe këndej pari, krijojnë mundësi të pafundme për interpretime letrare. Në këtë kontekst, sidomos proza, si zhanër specifik, është i hapur për interpretime dhe analiza infinite që lexuesin empirik e cytin drejt shqyrtimeve të shumëfishta. Duke u nisur nga kjo premisë, synoj të interpretoj romanin, “Injoranti” të autorit të mirënjohur, Milan Kundera dhe shenjat tipologjizuese të tij, në planin semantik dhe estetikë.

Ky shkrimtar, është njëri nga autorët më të mëdhenj të letërsisë çeke, një novator i shkathtë, i cili, ka influencuar dukshëm në letërsinë e përbotshme dhe ka krijuar një letërsi të admirueshme dhe të bazuar në tema universale.

 

Humbja e identitetit dhe sfida e kthimit

 

Narracioni i këtij romani, motivohet rreth asaj që formulohet si kthimi i madh, apo rruga vështirë deri te kthimi në identitet, deri të njohja dhe rinjohja e njeriut me vetën e tij, me rrënjët e tij, me traditën e tij, me atë që e bëjnë të jetë një qenie unike, integrale dhe e shenjueme, si e tillë.

Të gjithë njerëzit, në gjitha kohët, kanë kërkuar dhe vuajtur për ta njohur vetveten dhe identitetin e tyre. Në fakt, kjo është njëra nga peripecitë më të dhimbshme, e cila, shpeshherë ka përfunduar me pasoja fatale për bashkësinë njerëzore. Nuk është e tepërt të thuhet, se shumica e problemeve me të cilat ballafaqohet shoqëria njerëzore, janë rrjedhojë e identitetit, ballafaqimit të një identiteti me një tjetër dhe krizave që shfaqën nga këto divergjenca. Pikërisht këta faktorë, bëhen esencë e këtij romani, nga konteksti narrativ i të cilit shqiptohen një sërë pyetjesh dhe dilemash, si është të emigrosh dhe si zhvillohet jeta e një emigranti? Dhe për më tepër, çka ndodh atëherë kur njeriu kërkon kthimin në identitet, tek rrënjët e tij? Kjo kahe semantike e tekstit, mund të jetë e interpretueshme dhe e shpjegueshme në shumë kontekste, ngase emigranti mund të jetë vetëm një shëmbëllim për njeriun e çfarëdoshëm, për njeriun e përhumbur dhe tuhajsuar në botën e kapitalizmit, kur shpirti, i është tretur nga zhvillimet marramendëse globale. Kjo çon deri tek pyetja e dilema e makthshme, çfarë ndodh me atë, kur ai vendos kthimin ne atdhe, thënë simbolikisht, tek rrënjët e tij? Prandaj, autori kërkon që memoria duhet ushtruar vazhdimisht që të mund të funksionoj siç duhet. Ndryshe, ndodh e kundërta, njeriu e  humb kujtesën. Humbja e kujtesës rezulton në pasoja të thella, të dhimbshme, mbase fatale. Gjithçka në këtë roman zhvillohet ne relacion me jetën e Irenës, heroinës së romanit, një jetë kjo që ka dy jetë, një të kaluar dhe një të ardhme. E, në mes qëndron ajo. Me një kujtesë të rënduar. Me një nostalgji që e çmend. Me një të kaluar që e shtang. Asaj i duhet kthimi, mirëpo nuk është e vetëdijshme për konsekuencat që i sjell një vendim i tillë. Në pavetëdijen e saj, zhvillohet drama e thellë e këtij narracioni psikologjik, ku shqiptohen pyetje e dilema të thella. Irena është një person dhe në personalen e saj qëndron një e kaluar dhe një e ardhme e errët, që përplasën furishëm. Kësisoj, jeta e saj bëhet shumë shqetësuese. Me përplot dilema dhe pasiguri. Këto dy kohë, konfrontohen ashpër në roman dhe këto dy kohë krijojnë një relacion kompleks, mes asaj çfarë ishte Irena, përpara se të lëshonte atdheun e saj dhe të emigronte në Francë, dhe për më tepër, kush u bë ajo ndër kohë, veçmas pas rënies se komunizmit, atëherë kur shoqja e afërt e saj, Silvia, e pyet habitshëm, pse je ende këtu?

Ajo ka ndryshuar, mirëpo është e pavetëdijshme për këtë ndryshim. Dhe pikërisht në pavetëdijen e saj, luhet loja narrative, të cilën Kundera e realizon nëpërmjet ndërthurjes se elementeve psikologjike që luhen në ndërdjijen e saj, ku bluan nostalgjia, malli dhe dhembja për Itakën e munguar.

Shkrimtari Milan Kundera luan në mënyrë fantastike me pavetëdijen e heroinës së tij, përpara një të ardhme që i shfaqet me shumë pikëpyetje. Duke evokuar momente të së kaluarës, autori krijon faqe të tëra interesante, që lexuesin e mbajnë në tension të vazhdueshëm dhe nxjerrin në pah momente të jetës së hershme të Irenës, sidomos marrëdhëniet me Jozefin, i cili, gjithashtu ka një histori identike të emigrimit dhe përpjekjeve për kthim në identitet.

 

Ndërdija letrare dhe funksionet narrative

 

Romani “Injoranti”, i cili qysh në titull motivueshëm e orienton lexuesin ka konteksti narrativ, bart në vete tendosjet e një heroine, brenda së cilës luhet një dramë e panjohur, drama e ndërdijes. Në këtë roman, lexuesi nuk e njeh jetën e Irenës, madje ky nuk është as synim i autorit. Ai e fut lexuesin menjëherë në kahet e pavetëdijshëm që merr jeta e saj, papritur e kujtuar. Është kjo pavetëdije, e cila bëhet pjesë e fabulës letrar të autorit dhe intencës letrare, ndërsa shëmbëllimin e gjen tek jeta e Odiseut homerian.

A është e vërtetë se Irenën e ka kapluar humbja e kujtesës? A është ky fati i keq i emigrantit? Shkrimtari nuk jep ndonjë përgjigje eksplicite, ose thënë me qartë, nuk jep asnjë përgjigje. Për ta thelluar filozofinë e tij letrare, Kundera bënë një udhëtim të gjatë në antiken e vjetër dhe atje qëndron Odiseu, i cili, si emigranti i madh dhe nostalgjiku i madh i kthimit në atdhe, e ndihmon ta zhvillojë dramën e Irenës.  Këtu, Kundera përdor si referencën letrare dhe kulturore, Odiseun, i cili bëhet prototipi filozofik në kuptimin dhe shpjegimin e fatit të heroinës së tij. Duke e shfrytëzuar këtë referencë të njohur kulturore dhe letrare dhe përpjekjet e tij të gjata, peripecitë e pafundme, në rrugën e vështirë të kthimit në atdhe, shkrimtari bënë krahasim me peripecitë për kthim të Irenës. Odiseu ishte ”aventurieri më madhe dhe nostalgjiku më i madhi i gjitha kohërave”, prandaj autori duke analizuar njëzet vitet e tij jashtë Itakës, e shpjegon kontekstin e ndryshimeve në vendin e tij dhe në botën e tij, pas këtyre viteve larg. Odiseu ka vuajtur për Itakën dhe Penelopen, por kur”është kthyer në vendin e tij, kupton se përkundër pritjes së tij, jeta e tij ka ndryshuar, interesat e tij të jetës janë tjera, në të vërtetë, ato qëndrojnë larg Itakës, në ato njëzetë vitet e tij larg saj. Dhe këtë faturë ai nuk mund ta harroi, ndryshe, përveç se të rrëfej. Ngjashëm do të ndodh me personazhen e autorit, Irenën. Çdo gjë që ndodh në jetën e saj është të tregoi dhe të shfletoi nëpër faqet e jetës së saj. Ajo nuk mund të bëjë më shumë se Odiseu.  Në të vërtetë, ashtu sikurse Odiseu, edhe Irena do të bëjë një kthim, por ajo të befasohet, sepse Itaka e saj, alias Praga e saj ka ndryshuar krejtësisht. Dhe në atë vend, nuk ka njerëz që interesohem më për historitë e saj, për të kaluarën e saj, për empiritë e saj. Kështu ajo përfundimisht e ndjen se Praga nuk është më vendlindja e saj.

Kush je ti? Nga vjen ti?  Janë këto pyetje të cilat e përcjellin atë si hija. Ashtu si Odiseu, edhe ajo s’e njohu Itakën e saj, mirëpo, aty  nuk ishte e huaj, aty ishte njëra nga ata. Nëpërmjet këtij rrëfimi, autori do të theksojë sa i rëndësishëm është identiteti personal, në një botë globale, kur njeriu lehtë depersonalizohet dhe kur mund të atakohet nga humbja e memories, si rezultat i nostalgjisë dhe mallëngjimit.  Ku qëndron identiteti i Irenës? A është në njëzetët vitet e saj në Francë?

 

Domethëniet letrare

 

Në rrefshin e domethënieve letrare, ky roman ka një nëntekst të ngjeshur me ide letrare, ndërsa filozofia e tekstit ndërthuret esencialisht rreth peripecive për kthimi në identitet. Në rrafshin semantik, ky është një roman  për nostalgjinë e madhe, për kujtesën e tjetërsuar, për harresën dhe konsekuencat që sjellin këto në jetën e njeriut.  Prandaj, autori kërkon fuqishëm e në mënyrë eksplicite, që “kujtesa duhet ushtruar vazhdimisht që të funksionojë siç duhet”. Në këtë thënie konsiston filozofia letrare e autorit dhe rreth këtij strumbullari thuren idetë letrare në këtë roman.

Autor i shume teksteve eseistike, i njohur mbi të gjitha si romansier, Kundera ka një sens të veçantë letrar, të trajtoi subjekte letrare që ndërlidhen me vetminë njerëzore, me përhumbjen dhe tuajsimin e tij në një botë, ku ai është një Odise në kërkim të Itakës së humbur, Itakës së munguar apo Itakës së imagjinuar. Romanin ”Injoranti”  i Milan Kundera-s konstruktohet rreth temës së madhe të letërsisë, emigrimit, rrënjët e së cilës, autori i kërkon në antikën greke, në empirinë letrare e filozofike. Ky roman, është një tekst i thellë letrar, i cili, duke vënë në epiqendër të subjektit të romanit, temën e emigrimit dhe konsekuencat që sjell kjo jetë, njëherësh trajton edhe konsekuencat që sjellin në psikologjinë e njeriut nostalgjia, malli dhe ëndrrat. Është kjo një jetë e cila zhvillohet në përplasje të thella, në kontraste të thella mes ëndrrave dhe realitetit, kontraste këto që krijojnë sekuenca dramatike përgjatë rrëfimit dhe e mbajnë lexuesin pezull deri në epilogun e rrëfimit.  Autori trajton një jetë që ka mungesë identitetin, identifikimit dhe vetëpasqyrimi. Kjo është jeta e Irenës, personazhes së autorit, e cila, sikurse Odiseu, realizon kthimin e madh në vendin e origjinës, mirëpo aty sfidohet me transformimet në jetën e saj dhe të njerëzve që ajo ka njohur. Në të vërtetë, kjo temë komplekse, shtjellohet brenda veprës letrare në fjalë, me një stil të kultivuar dhe nëpërmjet një frymë universale, ku, një funksion të posaçëm intertekstual luajnë evokimet empirike e kulturore. Autori, duke qenë një shkrimtar i ditur, e mbi të gjitha një artist i rryer, ai rrëfen me një ndjeshmëri të theksuar, mirëpo duke e mbajt çdo herë nën “kontroll” estetikë emocionin dhe ndjenjën. Ai rrëfen lirshëm, por gjithmonë duke i pasuruar fabulat e tij me ngjarje dhe sekuenca të njohura nga kultura e shkrimit. Kështu, romani i tij mund të lexohet si roman i çdo kohe dhe çdo kombësi. Në këtë mënyrë, ai ka zënë vend dinjitetshëm në panteonin e vlerave të përbotshme.

 

Influenca tekstuale

 

Romani “Injoranti” është një rrëfim thellësisht tronditës, i cili në epiqendër të vëmendjes ka problemin me jetën e njeriut dhe identitetin e tij dhe shquhet për një tekstualitet dinamik, ku fuqia e rrëfimit është e ndërlidhur me gjetjen e elementeve atraktive letrare, që lexuesit i japin një kënaqësi estetike dhe një kënaqësi intelektuale. Teksti letrar i autorit, krijon lidhshmëri funksionale me njeriun dhe e cyt drejt përsiatjeve të thella, sepse teksti i tij letrar, është një arenë e pafundme e dilemave të mëdha njerëzore. Autori krijon një letërsi të bazuar te dashuria, te nderi, te dhembshuria, krenaria, mëshira, sakrifica, të vuajta, te dramat dhe sfilitjet njerëzore. Janë këto tipare që enden në këtë prozë, sidomos nëpërmjet personazhit kryesor, Irenës dhe drithërimave të saj shpirtërore, brenda një sfilitje të brendshme me përplot tendosje dramatike. Këtë raport interletrar, autori e pranon si një domosdo për ta sforcuar substancën e romanit dhe intencën e tij. Autori, kështu e pranon influencën eksplicite, duke bërë paralelizma dhe shpjegime për Odiseun dhe rrugëtimet e tij, një kontekst ky që i jep romanit karakter polisemantik. Kësisoj, teksti i Kundera-s takon dhe komunikon me botën e madhe të letërsisë, prej së cilës, merr sekuenca të rëndësishme narrative, të cilat, si autorë i shkathtë, di t’ i vë në funksion të intencës së tij letrare. Në këtë tekst letrar, kemi përplot referenca letrare që shfaqin hapur karakterin dhe dimensionin intertesktual të kësaj proze. Në këtë vepër letrare, kemi motive të veçanta dhe figura letrare që shfaqin tiparet e një proze që njeh dhe pranon influencën, ndërsa në eksperiencën e lexuesit parakonceptojnë dimensionet semantike të tekstit. Autori e njeh dhe pranon vetëdijshëm influencën nga letërsia antike dhe rrëfimi për Odiseun, me të cilin e krahason personazhen e tij, Irenën.

Milan Kundera është një autori i thellë, me një përvojë të konsoliduar në botën e letërsisë, i cili shquhet për aftësi kreative, sidomos në aftësinë për t’i zotëruar në plotëni rrëfimet  e tij, në të cilën, ai luan rolin e gjithëpushtetshëm, të një narratori që e end lexuesin nëpër labirnthe të çuditshme e të papritura. Te vepra e Kunderës, asgjë nuk i shpëton rastësisë. Në prozën e tij, deri në detaje, përshkrimet dhe sekuencat vihen në funksion të ideve letrar edhe mesazheve që përcjell teksti. Ai, ndërton romane të mëdha, me sekuenca dhe ngjarje të vogla, të cilat i ndërthur funksionalisht. Është me rëndësi të përmendim faktin se prozën e Kundera-s, e karakterizon një intelektualizëm i hollë, i cili, nuk e rëndon asnjëherë tekstin letrare, por e pasuron, sidomos në ndërfutjen e teksteve letrare që shprehin ambiguitete letrare dhe kulturore.

 

Përfundim

 

Romani “Injoranti” është një rrëfim plot gjallëri, një rrëfim emocionues, i cili, trajton jetën e emigrantit, asaj qeni që çdo natë ëndërron të njëjtën ëndërr, ëndrrën e kthimit. Për ta sforcuar tematikën e romanit, siç pamë, autori mjeshtërisht e funksionalizon Odiseun dhe peripecitë e tij. Në këtë roman, Odiseu nuk është vetëm një figurë që shpjegon kontekstin e jetës dhe veprimeve të Irenës. Për më tepër, ai është një figurë e motivueshme letrare. Kështu që Itaka ka shumë më tepër kuptim se shenja historike. Ajo është një shënjues i intencës së autorit, i cili, bënë një udhëtim të gjatë e tragjik, nëpër labirintet e jetës se emigrantit. Në këtë mënyrë, Itaka bëhet determinues për jetën e Irenës, nga e cila del intenca filozofike dhe letrare e autorit.

Çka ndodh kur një emigrant ëndërron çdo natë të njëjtën ëndërr, ëndrrën e madhe të kthimit. Kjo është dilema më e madhe e cila e trondit heroinën e romanit. Mirëpo kjo pyetje shumë komplekse, sjell një pyetje dhe dilemë edhe më të madhe, çfarë ndodh kur emigranti e ndjek ëndrrën e tij dhe bënë kthimin e madhe në atdhe. Duke analizuar këtë rrëfim dhe çdo që ndodh në jetën e brendshme të Irenës, pas një shkëputje prej njëzetë vite jashtë atdheut, Kundera e shëtit lexuesin nëpër kohë, ndërkaq nëpërmjet përshkrimeve dhe depërtimeve në psikologjinë e saj, autori i jep romanit karakter të tejkohshëm.

Ky roman përshkruan me ndjenja të thella dhe nëpërmjet një stili brilant, çka ndodh kur një emigrant harron atdheun e tij, çfarë ndodh me emigrantin pas një jetë të gjatë jashtë vendit të tij, pas një jetë të gjatë pa kujtesë?

Milan Kundera është njëri nga autorët më të mirë europian, i cili vetë ka përjetuar emigrimin, pas invazionit rus në vendlindjen e tij, Çeki në vitin 1968. Pikërisht nga ky fakt ai është motivuar me këto tema karakteristike të romaneve të tij që trajtojnë vetminë, humbjen e memories, nostalgjinë, tema që shfaqen në variante të ndryshme në një pjesë të konsiderueshme të krijimtarisë së tij.

Proza e Milan Kunderës trajton njeriun, vuajtjet e tij, nostalgjinë e tij dhe dashurinë e tij. Në prozën e tij, Kundera krijon një rrafsh universal të ideve për këto çështje kaq të thella të njeriut të gjitha kohërave dhe çdo vendi. Njeriu që nuk është në gjendje të kultivoj vazhdimisht kujtesën, memorien, do të atakohet nga harresa. Kjo është porosia letrare e një romani të madh, siç është Injoranti, një roman që lexohet me një frymë.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora