E premte, 29.03.2024, 09:41 AM (GMT)

Kulturë

Edmond Budina: Eshtrat e Kosinës?- grekët ofenduan historinë e tyre

E merkure, 20.04.2011, 05:56 PM


Nga Fatmira Nikolli
 

Filmi "Ballkan Pazar" i regjisorit Edmond Budina, siç pritej, ka ngjallur pakënaqësi në Greqi. Prodhimi kinematografik, i xhiruar në Labovë të Kryqit në Gjirokastër, ka në qendër të tij skandalin e eshtrave në Kosinë të Përmetit, ku eshtra shqiptarësh u "kapën" të shiteshin për eshtra ushtarësh grekë të rënë në luftë. Cilësimet për të nga disa media greke kanë qenë nga më të ndryshmet duke filluar që nga trillime të mediave shqiptare, sakrilegj, ofendim në prag Pashkësh, e deri tek fyerje e historisë moderne greke, imitim i mentalitetit komunist! E megjithatë, kjo nuk e shqetëson aspak regjisorin. I vënë në dijeni për deklaratat e mediave greke, Budina u përgjigjet atyre një e nga një. Këtë herë, është ai që "akuzon". Pasi i quan reagimet budallallëk, Budina është regjisor, skenarist e që në film luan rolin e priftit që shet eshtra, kalon tek detajet. Për të, faktet e filmit janë reale, dhe eshtrat nuk janë analizuar prej tij, por prej specialistëve mjeko-ligjorë. Më tej, ai këmbëngul që po mbron grekët, sepse paratë e tyre iu paguhen pensione shqiptarëve këtej. Për ta theksuar këtë Budina thotë se "në fakt, grekët duhet të revoltohen pikërisht kundër këtij fakti, kundër pensioneve për farsë, jo kundër filmit tim! Duhet të revoltohen kundër qarqeve të errëta që nxisin këtë urrejtje". Në vijim të përgjigjes së tij ndaj të revoltuarve helenë, Budina thotë se do t'iu thotë grekëve që "ne voskopojarët jemi shqiptarë, por ama jemi të hapur, jemi progrekë, proturq, projugosllavë. Kemi mentalitet të hapur. Vetëm ata që i kanë mendësitë e mbyllura, ata që nuk shikojnë më larg se hunda e tyre, ata që kanë urrejtjen brenda tyre, vetëm ata mund të flasin për gjëra të tilla të paqena dhe gati-gati marrëzira!" Sipas tij, filmi "Ballkan Pazar" që po shfaqet në rrjetin e kinemave "Imperial", nuk është sfidë kundër ortodoksisë, por ndaj abuzimit që bëhet nga njerëz të veçantë me të dhe sigurisht që është sfidë kundër gjithë nacionalizmave të vogla që përçajnë njerëzit! 


Filmi juaj "Ballkan Pazar" nuk është pritur mirë në Greqi. Ka pasur reagime të forta dhe akuza... 


Këto reagime, mua më duken budallallëqe, për të mos thënë diçka tjetër. Ata e gjykojnë filmin pa e parë fare. Ky është absurd! Vetëm një grup njerëzish që janë injorantë, që janë të fiksuar nga nacionalizmi apo nga marrëzia e urrejtjes për njerëzit, mund të shikojnë të tilla gjëra. Filmi im, së pari nuk ka asgjë kundër grekëve. Faktet që unë sjell në film janë fakte reale. Nuk ka asgjë të trilluar në ngjarje që të cenojë dinjitetin grek. Grekët duhet të dinë mirë një gjë: unë e ndjej veten sa shqiptar aq edhe grek dhe nuk kam as frikë e as turp që t'i them gjërat ashtu siç janë. E përsëris, unë e them faktin se shqiptarët marrin pensione kur deklarohen grekë, në favor të punëtorëve e pensionistëve grekë, që në këtë kohë krize iu hiqen paratë atyre dhe u sillen shqiptarëve, krejt kot. Pra iu priten atyre paratë në kohë krize dhe mbahen pensionistët shqiptarë, ose përdoren për varreza në funksion të nacionalizmit. 


Pse mendoni se janë revoltuar me filmin tuaj? 


Në fakt, grekët duhet të revoltohen pikërisht kundër këtij fakti, kundër pensioneve për farsë, jo kundër filmit tim! Duhet të revoltohen kundër qarqeve të errëta që nxisin këtë urrejtje, e që krijojnë këtë raport të errët mes shqiptarëve e grekëve. Nuk kam gjë me grekët. Po ju them një fakt: kur shkoj jashtë dhe ndjej aromën e kuzhinës greke, më duket vetja si në shtëpi. Unë jam nga Korça me origjinë, madje jam nga Voskopoja. E meqë më jepet rasti unë iu them grekëve, se ne voskopojarët jemi shqiptarë, por ama jemi të hapur, jemi progrekë, proturq, projugosllavë. Kemi mentalitet të hapur. Vetëm ata që i kanë mendësitë e mbyllura, ata që nuk shikojnë më larg se hunda e tyre, ata që kanë urrejtjen brenda tyre, vetëm ata mund të flasin për gjëra të tilla të paqena dhe gati-gati marrëzira! 


Ata e cilësojnë si sakrilegj përdorimin e kishës së Labovës së Kryqit për xhirime. Ç'mund të na thoni për këtë? 


Kisha e Labovës është monument kulture i Shqipërisë. Ajo nuk ka funksione religjioni aktualisht, nuk kryhen rite fetare. Ajo i takon Mitropolisë së Gjirokastrës dhe është një ndër objektet për të cilat kujdeset Instituti i Monumenteve të Kulturës të Shqipërisë. Me atë rast, ne i kemi dhënë një jehonë të madhe faktit që kisha ortodokse e Labovës së Kryqit është shqiptare. Ne kemi nxjerrë në pah vlerat e kësaj kishe si një monument tipik e autentik shqiptar, pra përmes filmit i japim më tepër vlerë asaj kishe e atij vendi. Ajo është vërtet kishë ortodokse, por në të njëjtën kohë është edhe vlerë për kulturën shqiptare. Unë nuk e kuptoj cili është problemi, pse xhiruam në kishë? Nuk është se aty kemi bërë një skenë të dhunshme apo erotike. Thjesht një skenë normale, sipas skenarit. 
Mënyra se si ky film trajton personalitetin e një prifti ortodoks, cilësohet si një "imitim i keq i propagandës ateiste në vitet e persekutimit komunist të besimit, një kopje e keqe e metodës, të cilën regjimi e përdorte për të kthyer opinionin publik kundër klerit dhe kishës".... 
Edhe pse grekët nuk e kanë jetuar komunizmin, ata gjykojnë me një mentalitet të realizmit socialist. Kjo është një vepër arti dhe një vepër arti ndërtohet ashtu siç e ndjen artisti. Ajo duhet të gjykohet si vepër arti, nuk duhet marrë si një vepër politike. Nuk marr përsipër të bëj luftë kundër mentaliteteve. Unë mund të mbaj qëndrimin tim, kundër nacionalizmave, por është fare absurde që të krijojnë një furtunë me një gotë ujë. Në fund të fundit, mua më bëjnë shumë mirë këto debate sepse thjesht rritet shikueshmëria e filmit. Unë do ta sensibilizoj opinionin publik në të gjithë Europën. Në fillim, duhet parë filmi për të marrë vesh se sa është kundër një populli apo pro një tjetri. A duan ata që ky debat të përhapet? Po e përhapim ne, s'ka problem! Do jetë debati dhe filmi ata që do të tregojnë se kush është më i mirë! 


Mendoni se ofendoni historinë moderne greke? 


Unë nuk e ofendoj historinë moderne greke. Ushtarët grekë që kanë rënë meritojnë memorialë që të ngrihen gjer në qiell. Por, kur ata ushtarë të vrarë janë atje, jo kur nuk janë. Me filmin që bazohet në historinë e eshtrave të Kosinës në Përmet, unë nuk kam shpifur. Eshtrat atje u panë dhe u analizuan nga mjekësia ligjore, jo nga unë. Rezultoi që ishin eshtra grash e fëmijësh, jo ushtarësh. Bile ajo që kanë bërë ata me këtë ngjarje e ofendon historinë moderne greke, e jo unë! 


Cili është mesazhi që doni të jepni ju me këtë rast? 


Më duket normale që njerëzit të diskutojnë sepse është në fakt normale që secili të ketë opinionin e tij mbi një ngjarje. Por, kur këto opinione shpien ujë në lumenjtë e urrejtjes, kjo veçse dëmton civilizimet. Unë nuk jam kundër grekëve, por janë ata që i nxisin këto gjëra. Vetëm me dashuri mund të ndërtohet diçka. Ata t'i thërrasin mendjes e të mendojnë më shumë për dashurinë. Edhe kur thonë se ka skena të pahijshme, e kanë gabim. Ne duhet të duhemi e jo të urrehemi, pavarësisht nga raca apo nga feja. Pavarësisht së shkuarës, historisë, ne duhet të dimë të shohim para. Atë pjesën mbrapa, le t'ua lëmë atyre njerëzve me rroba të zeza që i shpikin këto gjëra. E kemi ndërgjegjen e pastër ne këtej. Ne nuk duam një fuçi baruti, por një ishull paqeje, ku të jetojmë në dashuri me njëri-tjetrin!

 



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora