E shtune, 20.04.2024, 12:57 AM (GMT+1)

Kulturë

Zejadin Ismaili: Refraktearizmi intelektual kundër dukurive denigruese

E merkure, 20.04.2011, 07:57 PM


REFRAKTEARIZMI INTELEKTUAL

KUNDËR DUKURIVE DENIGRUESE

 

(Kalosh  Çeliku: Atdheu ky burrë pa grua – “Asdreni”, Shkup 2006)

 

Nga: ZEJADIN ISMAILI

 

Një vepër me prestigj të lartë artistik,  estetik, stilistik, përmbajtësor e mesazhik, që kapërthen polivalenca sa lokale aq universale, sa kombëtare aq njerëzore, sa individuale aq të përgjithësuara, me një gjuhë të rafinuar përplot figura, simbole e metafora të evoluara e regjeneruara drejt modernizimit të shprehjes poetike, e shmangur (divergjuar) nga stereotipet apo mostrat e traditës së trashëguar - trasuar.  Vepra në fjalë, ka një erudicion polifonik të mendimit shumëkohësh, sepse, Kalosh Çeliku brenda hapësirës së kohës që ka jetuar dhe vazhdon të jetoj e veproj, në moralin e sfondit të kësaj amplitude, me kreativitetin e tij të shumëllojshëm letrar, të begatë dhe cilësor, ka arritur të skalit emrin e tij me shkronja të arta, për të mos u harruar asnjëherë. 

          Tekstura e poezive të kësaj përmbledhjeje "Atdheu ky burrë pa grua" dhe e tërë krijimtaria e tij (mbi tridhjetë vepra të gjinive të ndryshme letrare), është një fakt i pakontestueshëm, që dëshmon për sensin, prirjen, talentin dhe aftësinë kreative që posedon, por edhe për përgatitjen profesionale dhe ndjenjën e veçantë shpirtërore. Shumë poezi të kësaj vepre shtjellojnë idenë e veprimit të njerëzve tanë, duke rendur pas megalomanive të përçudnuara dhe të pakuptimta të gjakimeve arriviste dhe makute, jetës së vrazhdët, tmerrit, llahtarisë dhe zezonave, që i shkaktojnë, duke sfiduar e injoruar njëri tjetrin me vokabularin e retorikës më të ndyer të tyre vetëm e vetëm për ta përçmuar, poshtëruar e eliminuar nga skena, oponencën politike, intelektualin e mirëfilltë, krijuesin e rryer etj., që të mbetet i vetmi faktor relevant dhe personi më i aft, më i mençur, më i ditur, më patriot, më luftëtar, kinse do të arrij t'i realizoj çështjet madhore kombëtare etj. Medet nga çfarë alamet njerëzish kombi pret t'i zgjidhen problemet!!!???...

           Në kontekstin e pasqyrimit të këtyre lëvizjeve, autori tregon shkathtësi e zhdërvjelltësi, sepse arrin të vë një korrespondim - komunikim shumë të fuqishëm shpirtëror, emocional e ideor ndërmjet syzheut dhe lexuesit. Pra, poezia e tij flet për shumëçka, por më tepër për dihatjet e përditshmërisë jetike, dhe, temat të cilat i vë në spikamë arrin t'i zbërthej me shumë lakoni dhe nga një këndvështrim specifik, autonom e sensibil, duke u dhënë imazhe dhe ngritur në përjetime të thella ideoemocionale, ideoestetike, ideoartistike, plasticitet ekspresiv, mbushullim idesh të mentalitetit shqiptar etj.

         Theksimet koloristike dhe përvijimet e mendimeve të vendosura në këto vjersha veç sa vijnë e stampojnë vulën individuale, që reflektojnë forcën e zërit poetik dhe porosinë përçuese të autorit deri te konsumatori i tyre. Temat e fshikulluara në këtë mënyrë, cilësojnë dhe identifikojnë autenticitetin shprehës dhe e bëjnë që të dallohet dhe shquhet si vrojtues dhe observues racional për ç'gjë, kuptimit dialektik i jepen realitete të përjetuara nga vet autori. Ashtu si dielli me rreze dhe shiu që thyejnë edhe gurin, ashtu njeriu duhet të thyejë prangëzimin robërues, që përkon me zhvillimin real të situatës që zotëron në  hapësirën e aktiviteteve shqiptare, këtu në Maqedoni e më gjerë. Ka një galeri të dukshme personazhesh e situatash, që karakterizojnë harkun e ngjarjeve të fokusuara në shënjestrën e stigmatizimeve, parodizimeve dhe sfidave të lukunive, viciozëve, konspirativëve, akatarzëve etj., të cilët me veprimet e tyre nuk zgjedhin mënyrë e rrugë për të krijuar situata blozë e dhembje: "…Popullit tim i prin Trusakati. Melezi/ Për në robëri. Imzot, nuk e duan Lirinë.../" ("Imzot Trusakati nuk e do Lirinë", f.20). Këtë lloj të krijimtarisë letrare, Kalosh Çeliku është i vetmi që e kultivon dhe e krijon me guximin e një intelektuali dhe krijuesi të rryer. Ka arritur t'i jep kahje të mirëfilltë dhe ta ngrit në

vokacion të njëmendtë artistik. Është si një kamera që gjërat i vështron, vëzhgon e soditë njësoj si nga afër njashtu edhe nga larg, nga poshtë - lart, duke krijuar bindjen reale mbi tërë atë që zhvillohet në këtë hapësirë: "Liria është kurvë. Që i ndërron/ Burrat përnatë. E kanë shkërdhyer: / Spiunët kuqezi. Deputetët e popullit/ Politikanët. Dhe, kryetarët e partive/ Liria është kurvë./ Që e kanë shkërdhyer/ Ditenatë Melezët. Dhe, Tun Batunët..." ("Liria është kurvë", f. 36).

            Me gjithë motin e vrenjtur, diellin e zbeht, shpresa nuk e lëshon, sepse ai vazhdon vullnetshëm të forcoj  gjykimin se pas shiut vjen një kthjelltësi e çiltër. Dritë - hija e kësaj poezie është modeluar me një plasticitet morfologjik që rrezaton reflekse të kohës të cilat ngjarje poeti i ka përjetuar drejtazi. Kalosh Çeliku është një krijues i vetvetishëm, me unin e fortë personal, i pastër, real e i sinqert, i pandikuar nga taborizimet e rrymave shoqërore. Ky tipar i tij organik, shpjegon vlerat që posedon krijimtaria e tij në tërësinë e hierarkisë krijuese letrare. Pra, duke pasur parasysh gjithanshmërinë e krijimtarisë së tij, që në rudimentarizmin bazë të saj, spikatin stivime e shtresime vlerash dhe kahjesh karakteristike, të cilat, qartë shquajnë e dallojnë individualitetin e tij artistik.

            Përmes kësaj natyre gjeologjie artistike "kërkim - zbulim" të veprimeve shoqërore, jo normale për të, përkundër kompleksivitetit të tyre, e frymëzojnë dhe e nxitin  dellin e tij kreativ për të interpretuar të vërtetën e jetës sonë, qoftë ajo e mirë apo e hidhur. Ndjenja e fuqishme për eksplorimin e temave të ndryshme, të befasishme dhe dëshira që me pakë fjalë të thotë më tepër e bëjnë poezinë e tij të jetë e kondenzuar dhe e farkuar mirë artistikisht dhe domethënëse, kurse autorin e zbulojnë si një vrojtues të rryer të situatave zhvillimore brendapërbrenda shoqërisë shqiptare e më gjerë.

             Pamëdyshje, vlera estetike e kësaj vepre është apodiktike dhe shquhet për nga struktura poetike e bazuar në koherencën e brendshme dhe përcaktimin idiolektik të tharmit përmbajtësor të saj. Abuzimet e arenës politike janë theksime të veçanta, përplot disonanca intonative dhe divergjenca e polarizime antipode, me çka regjistrin e spektrit kromatik e determinojnë deri në masën e përjetimeve të thella emocionale, dhe shquajnë e fuqizojnë shkallën interpretative të kantilenës kumtuese, si dhe sfondin e ndjeshmërisë sensitive të shpirtit njerëzor. Mbi këtë reliev koloristik e spektër emocional, silueta e konspirativëve dhe viciozëve politik plastifikohet në model individual, sepse Kalosh Çeliku këto fenomene i paraqet - trajton në mënyrë shumë reale, pa i bishtëruar veprimet e tyre. Vërtet shumë krijues tanë përjetuan katandisje, përbuzje, lerosje e maltretime, por të gjunjëzuar asnjëherë përkundër, qëndruan stoik dhe të pamposhtur. Një gjë e tillë ngjau edhe me Kalosh Çelikun, por mbeti i fortë dhe të jetë një krijues me prestigj të lartë, si dhe një sfidant i paepur ndaj dukurive bastarduese të hapësirës sonë. Kështu, kur krijuesi kërkon ta dinamizoj shprehjen e tij dhe të intensifikojë përshtypjet nga jeta e gjallë, duke i përpunuar ato, zbulon disa ligje estetike që janë të sheshta, mëpastaj për t'u bërë pronë e tij obsesive dhe, në këtë rrugëtim meditative - përjetues, vazhdon  të nënvizoj e qendisë vlera të mirëfillta artistiko - estetike.

            Kalosh Çeliku është një krijues me profil poliedrik dhe me një bagazh të pasur dhe të nduarnduarshëm shprehjesh letrare, ku përveç talentit, sensit, afinitetit kërkojnë edhe qasje qëmtuese (hulumtuese), studiuse, analitike, aksiologjike e gnoseologjike për të vënë në pah vlerat më adekuate dhe për të sinkronizuar impulset mediatike në të shprehurit artistiko-poetik. Në saje të këtyre vlerave arriti të krijoj dhe modeloj botën e vet në të shprehurit poetik. Me imagjinatën shumë të bujshme të tij, që është një sintezë dialektike në mes logjikës e intuitës dhe reales e ireales, ka arritur mënyrën më të përshtatshme për ta kuptuar, zbuluar, gjykuar e përjetuar drejt realitetin. Në këto variacione artistike artikulon e shtjellon ngjarje nga situata në situatë, duke korresponduar me sfera më të ndjeshme e subtile në arealin e të cilave vezullojnë, reflektojnë e pulsasojnë motive e tema, të cilat në mënyrë të vetvetishme i transponon në vargje, ku dukshëm theksohet ironia e dukurive jo të favorshme për shoqërinë dhe individin shqiptar. Me këto dukuri të mbrapshta, pështirosëse dhe degraduese ballafaqohet edhe vet autori i kësaj vepre, kur thotë: "Nëna Parti më përzuri nga Liria/ Robëria për ty, thanë është Parajsë..." ("Nëna parti më përzuri nga Liria", f.43). Pra, edhe sot, shqetësimet e rreziqeve dhe e kërcnimeve nga forcat e fshehta satanike nuk kanë pushuar, sepse edhe më tej ato vazhdojnë të bredhin në mjediset intelektuale për të gjetur viktimën e tyre, me synim për ti shndërruar në "agjitator e ndihmës të Partisë".

            Të shtatë njësitë ciklike, aq sa e përbëjnë këtë përmbledhje poezish, sado në momente të imponohen si tërësi autonome shprehëse, në esencë, që të gjitha këto dendur janë të mishëruara njëra me tjetrën dhe kështu, së bashku, i përshkon indi unik vokativ dhe në mënyrë organike e kushtëzojnë lindjen e ndërsjellë - reciproke (të dyanshme) dhe sajojnë komplementimin e tyre (apo shumë variacione në të njëjtën temë), duke e shndërruar veprën në forcë kumti e mesazhi poetik dhe me silogjizma të mirëfillta estetike. Në këtë mozaik kromatologjik poetik motivet dhe temat, në vazhdimësi metamorfozohen dhe transformohen, ndaj dhe përceptimi i tyre është shumë bindës dhe përjetues. Me foninë koloristike të rrafshit shprehës sa vjen e kristalizohet vlera përmbajtësore e komponenteve, të cilat veprën e individualizojnë dhe e bëjnë të jetë e dalluar, jo vetëm nga veprat tjera të autorit, por edhe nga vet krijimtaria e përgjithshme shqiptare.

            Kjo tregon nivelin e lartë intelektual e njohës të autorit Kalosh Çeliku. Pra, brenda këtyre cikleve determinohen dhe kodifikohen të gjitha yshtjet, të gjitha mendimet, qasjet, synimet, gjykimet, vlerësimet, intonimet, zëri i arsyes, i respektit, i dashurisë, i sfidave të ndryshme, flakja e smirës, ironizimeve dhe e refraktimeve të së keqës etj. Në këtë vepër, me theks të veçantë ndjenjor dhe shtytës frymëzimi, me shumë ngashërim e mall pikasin edhe përjetimet autoktone të vendlindjes së autorit me tërë relievin karakteristik, ku ende ruhen trajtat e një jete të lashtë shqiptare, rrethana këto, të cilat përjetësisht do të mbeten në ndërgjegjjen, kujtesën dhe përfytyrimet e tij, si diçka e pazëvendësueshme, sepse përmes këtyre paraqitjeve poeti bën tendenca për të zbuluar identitetin e vet dhe në një kontekst më të gjerë edhe atë kombëtar. Këto vlime, gëlime e shpërthime shpirtërore janë vetë jeta e artistit-poetit: jeta rinore, Nëna, Babai, Përroi Thanës- për të shuar etjen, oxhaku, shtëpitë, fushat, luadhet, njerëzit e kësaj ane... Është një etapë shumë e bujshme, e sinqert dhe e dëlirë, e cila bindshëm shprehet në vargjet e kësaj poezie. Andaj sonoritetet sensibël paraqesin rrëfime të sinqerta dhe procedim spontan e diatonik, kurse kreshendoja e timbrit emocional sa vjen e determinon dhe intensifikon shkallën (gradën) e forcës përjetuese poetike: "Shelgjet lotues më thanë: Qaj!..." (f. 154).

             Vetëdija kreative e autorit është impulsive (shpërthyese) dhe mirë e profilizuar, sepse me veleti eklektike redukton elementet figurative të dorës së parë nga ato periferike dhe tretësore. Në mënyrë objektive dhe korrekte portretizon, panoramon e plazmon natyrën mentale të njeriut tonë politik e apolitik, krijues e jokrijues, punëtor e jopunëtor (bredhitës), servil e dinjitoz, puthadorë e lapangjoz etj. Kështu, Kalosh Çeliku ka arritur të krijojë një morfologji shprehjesh origjinale, sepse lahtimet e mirëfillta artistike e estetike të vargut poetik të kësaj vepre tipizojnë vokacionin e njëmendët dhe potencialin e tij kreativ. Për nga thellësia diskursive dhe estetika reflektive, vargjet e vjershërimit poetik të transponuara në këtë përmbledhje poetike i skalit e thadron me një rezonancë emocionale e spektër të gjerë ndjenjash  përjetuese.

              Çdo krijimtari artistike nuk është vetëm shfaqje e individualitetit dhe e gjenialitetit të artistit, por është edhe prodhim i ngjarjeve të një kohe, epoke apo mjedisi të caktuar. Edhe në krijimtarinë e Kalosh Çelikut, siç thamë edhe më lart, gjejnë jehonë të thellë fërkimet dhe konfliktet e vazhdueshme që pengojnë dashuritë dhe përshfaqen tendencat e denigrimit individual, shoqëror, intelektual etj., sidomos brenda etnikumit shqiptar. Ky veprim kreativ, të shtyn të mendosh se, këtë mozaik poetik e ka bërë i vetëdijesuar, i ndërgjegjësuar dhe me referencë të sensibilizuar artistike. Nga kjo shihet se poeti i mirë mund të jetë vetëm ai krijues që ka imagjinatë të zhvilluar dhe potencial vrojtues, ndjenjor, përjetues, intelektual etj. Të mos harrojmë se, këto cilësi në procesin kreativ kanë rol shumë të madh, në mos edhe parësor, sidomos imagjinata, për ç'gjë dyshim nuk ka, sepse është produkt i intelektit, veçmas kur ajo kontrollohet nga logjika dhe vetëdija e plotë, siç është rasti me poetin dhe shkrimtarin Kalosh Çeliku, magma e të cilës imagjinatë është mjaft prodhimtare dhe e brumosur me figura, imazhe e situata prej më të ndryshmëve.

              Në mënyrë fare analitike synon të pikturojë esencën e jetës në kontekstin kohor e hapësiror, të zbërthej psikologjinë e këtij njeriu, të njeriut pothuajse krejtësisht i tëhuajsuar nga virtytet ontologjike autentike kombëtare. I katandisur e i degdisur shpirtërisht e mentalisht, sikur ndjenjat i ka kultivuar vetëm për të zhbërë shtresën e mirëfilltë intelektuale e kreative. Në rrafshin kumtues, komunikues e transmetues motivet ngjeshur dhe me sinqeritet korrespondojnë me leçitësin e tyre. Temat e projektuara në këtë pëlhurë poetike janë të lidhura me ambientin konkret dhe me njeriun e këtij mesi, por edhe me dukuritë e ngjarjeve të zhvilluara brendapërbrenda këtij areali jetësor. Ky spektër i gjerë motivor ka animuar vetëdijen artistike dhe mprehtësinë soditëse të tij shqisor e emotiv. Nuk është i arratisur në subjektivizëm dhe paragjykime, sepse, këtu alternon dhe lëviz një mendje e kthjellët me njohje të thellë dhe që nuk jeton në trascendetalen e jetës mondane, ëndërrimtare e ekzaltuese, përkundër, gjendet në mesin e jetës reale të cilën e ka preokupim në vepër.

              Kalosh Çeliku diapazonin dhe horizontin kreativ në vijimësi e ka zgjeruar e begatuar me vlera cilësore artistike e estetike dhe ka arritur të vë në veprim sensibilitetin inventiv të shprehjes poetike, duke shpallur potenciale e impulse të reja krijuese, intelektuale dhe emotive.



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora