E marte, 02.03.2021, 11:51 PM (GMT)

Kulturë

Cikël poetik nga Sokrat Habilaj

E merkure, 20.04.2011, 06:36 PM


Sokrat Habilaj

 

 

NJË DITË MË PAS...

 

Mëngjes i zymtë dhe një qiell po kaq gri,

Rrugë të grisura në vetmi të trishtë.

Nata nxitoi të hedhë përmbi to shi,

Për të fshirë gjakun, a ndoshta rastësisht.

 

Unë çapitem kuturu, e i heshtur,

Si një kufomë pa shpirt, meit i bardhë

Dua ta arratis pjesën time të mbetur,

Ta çoj nga erdha, po nuk di nga kam ardh’.

 

I vetmi autobus që niset në qendër,

Druhet të eci në bulevardin me gjak.

Pasagjerët gojëkyçur si në ëndërr,

Këta llafazanë të lindur ngjajnë guhak.

 

Askush s’më pyet nga vij e për ku jam nis’,

Askush s’më kërkon biletat e pagesat,

Ky autobus po shkon drejt periferisë,

Në periferi, dihet ...janë varrezat.

 

 

NË PLAZHIN E VLORËS

 

Në plazhin e Vlorës, sa kalon tunelin,

Të skuqura nga afshi, rërës së nxehtë.

Gratë, pafajësisht, flirtojnë me diellin.

Pesë gusht, ora dymbëdhjetë e dhjetë.

 

Shtrirë në kurriz, me gjunjë pak të përkulur,

Si uji, as veshur, por dhe as lakuriq.

Dielli zgjat buzët, s’lë vend pa і puthur,

Epohen gjinjtë kur ai nis ua thith.

 

Eh, si zbuten ato, dikur kryeneçe,

(Gjithë gratë e dredhin nga pak, apo jo!?)

Duke lënë pas, si mall, pikëza djerse,

Rrëshqet dielli, rrëshqet, djallëzisht mbi to.

 

Nis thonë ca fjalë, fjalë të pa thëna,

Dhe hapen si guaska, nga zjarri zhuritur.

Po u meket zëri e u dridhet zemra,

Kur ai u largohet shtegut, në ishull.

 

Të zemëruara ato, që s’bën dot mëkat,

Rrinë atje, sa në muzg tretet qerpiku.

Netëve, nga epshi, shpërthejnë me mllef, në shtrat,

Për atë vagabond që u tall dhe iku.

 

 

BUZËT

 

Unë të puthja, madje të kafshoja pak,

e ti më kukurisje në vesh me lutje.

Veçse buzët e bukura të bëra gjak,

më ftonin mua në të tjera puthje.

 

Mos m’i ha buzët, më luteshe e qeshur,

se do të duhen prapë, do të duhen ta dish!

Pas çdo kafshimi, buzët të pa ngrëna mbetur,

unë u sulesha atyre me mall të trishtë.

 

...Vitet ikën, ty një tjetër frymë të ngroh,

buzët, një tjetër t’i kafshon gjithsesi.

Mallkoj veten që s’u bëra vampir për to,

ndërsa buzët e mia kafshoj në vetmi...

 

 

NË KËTË QYTET

 

Mbi krye një re, derdh pikëza të trishta,

Anash mure betoni e fjalësh, ngritur.

Ne zvarritemi si kulpër, në rrugica,

Me përtypje germash e kafe të hidhur.

 

Po më merë për dore se kam ngecur keq,

E më nxirë drejt...drejt gjërave të mëdha!

Është herët që të rri këtu e të pres,

Të vijnë e të më nxjerrin pastaj në krah...

 

 

ANDEJ NGA VIJ UNË

 

Andej nga vij unë, vrisnin ëndrra,

Dhe lot s'derdhte njeri për to atje.

I varrosnin në hithra e shpendra,

Pa një gur të bardhë, një grusht dhé.

 

Andej ishte luftë e çuditshme.

Dhe dukej, s'kish’ viktima e frikë.

Po armët ngriheshin pas çdo prite:

"Ndal! Dorëzo këtu ëndrrën, pastaj ik!"

 

Ëndrrat merrnin shenjë, si ushtarë.

(Nuk vrisnin njerëz në atë luftë).

Ata të mbetur skelete të tharë,

Çapiteshin në një teatër absurd.

 

...

 

Ndodh që për njerëzit nuk lotoj shpesh,

Po për një ëndërr më pikon zemra.

Dhe si i zënë në faj, për to hesht.

Andej nga vij unë, vrisnin ëndrra...

 

 

PËR ATDHEUN

 

Kur shohin që je mirë, udhëve ku janë,

Krenohen me ty e vijnë të mblidhen rreth.

Nëse shohin që je keq, s'të rrinë pranë,

Po të shajnë e ikin prej teje me mllef.

 

 

...Ke rënë pre e të mirës, a të keqes!?

Por ty as të mburr dot e jo më të të shaj.

Se ty, të kam përtej syve, brenda vetes.

Si mund të të shoh atje, e të flas pastaj...!

 

 

BUKURIA JOTE MË TREMB

 

Kam frikë nga bukuria jote,

Dhe thur plane, të fshehur të të mbaj.

Unë jam pjesë e kësaj bote,

Dhe ca urdhra i marrë prej saj.

 

Të dy krahët i hap si bedena,

Jo se dua të të puth nurin tënd.

Por kur rreth teje fryjnë erëra,

Bukuria jote mua më tremb.

 

Nuk është fjala për plagë a gjak,

A nëse të dridhet ty qerpiku.

Po dua të grimoj pak nga pak,

Si personazh të kohës që iku.

 

Dhe prapë sfilitem e mendoj më kot,

Nga drithërima për ty i strukur.

Veten edhe botën, se ndryshoj dot,

Po ti, të mos ishe kaq e bukur!

 

Fytyrën ta ledhatoj me gishta,

(Pse je kaq e bukur, më thuaj, pse !?)

E djallëzisht, njolla të pista,

Nga dy duart e mia le atje.

 

Kam frikë nga bukuria jote.

Dhe dua nën njolla, fshehur të mbaj.

Unë jam pjesë e kësaj bote,

Edhe ato janë pjesë e saj.

 

Por dhe ashtu më tremb bukuria,

Më trembin ata që kalojnë pranë,

Që pëshpëritin për njollat e mia:

"Ç'nur i jep në faqe, ai nishan!"

 

 

S’ISHTE KOHË PËR POEZI

 

Pse më hakërroheni, gjithë inat e vrer,

Vargje që duhet t’ju shkruaja në rini?

Po ju, s’keni ekzistuar asnjëherë,

Ish’ kohë tjetër ajo, s’ish’ për poezi.

 

Unë kurrë s’ju vrava. ( Si mund t’ju vrisje!?)

As rrugës së gjatë, unë s’ju kam humbur.

Erdhët gabimisht e vdiqët që në lindje,

Në kohën e njerëzve... tmerrësisht të lumtur...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora