Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


MUXHAHEDINET E INTERNETIT

| E enjte, 23.08.2007, 06:30 PM |


Mustafa El Korshi, frymëzuesi i celulës së Ponte Felcinos në Itali, është njëri prej protagonistëve të neoterrorizmit. Një bir i zgjedhur dhe i vendosur për një lloj të ri lufte, i përzgjedhur dhe i hedhur në betejë nga ideologu më i madh i euroxhihadizmit, Abu Musab Al Suri. Në bazën e këtij lloj xhihadi, është koncepti i "sistemit, pa organizim" (në arabisht nizam, tanzim). Një teori e përpunuar dhe më pas e hedhur në internet, përmes një manuali prej 1600 faqesh kompjuterike. Teksti përshkruan një terrorizëm të përhapur, pa hierarki, ku vullnetet dhe urdhrat e një lidershipi ideologjik (të largët) arrijnë të shpërndahen jo përmes urdhrave të drejtpërdrejtë, por nëpërmjet një "rrjeti mesazhesh, deklaratash në televizion dhe shpalljesh në internet". Është e preferueshme që të mos ekzistojnë shefat, sugjeron Al Suri, sepse në rast se ata do të kapeshin, do të komprometonin të gjithë celulën. Gjithë aktiviteti i përditshëm i Korshit karakterizohet dhe përshkruhet pikërisht përmes kësaj filozofie. Dita e tij mbyllet thuajse gjithmonë me qëndrime me orë të tëra përpara kompjuterit, në një kërkim të palodhshëm për dokumente në internet: njëzet mijë në një javë të vetme. Një punë e pistë, e lodhshme, por gjithsesi e shënjestruar mirë. Më 6 shkurt, ai viziton një faqe interneti të hapur dhe të mirëmbajtur nga ana e Global Islamic Media Front (GIMF). Bëhet fjalë për një shoqëri, e cila ripërcjell në internet mesazhet e Al-Qaidës dhe me shumë gjasa e ka qendrën në Gjermani. Ata që nuk kanë kontakte me shtëpinë mëmë kaediste, mund të përdorin këtë faqe interneti për t‘u informuar në lidhje me azhornimet si dhe objektivat më të fundit. Përmendja e një shteti të caktuar mund të jetë e barasvlershme me një urdhër për të sulmuar. Ekspertët kanë përllogaritur se nga 30 shtetet që janë përmendur nga ana e Osama bin Ladenit gjatë viteve të fundit, një numër i madh prej tyre është goditur më pas nga terroristët. Korshi ndjek gjithmonë lajmet. Kur dëgjon për atentate terroriste në Algjeri, ai lidhet menjëherë me një faqe në internet (këtë herë më 16 shkurt) për të lexuar në lidhje me grupet që kanë marrë përsipër autorësinë e sulmeve. Për militantët në Evropë, kauza e terroristëve algjerianë duhet mbështetur (me njerëz dhe me fonde) dhe duhet kopjuar. Ata të sulmeve në Algjeri, përdorin fotografitë satelitore të Google Earth për të përgatitur aktet terroriste dhe ai, me një lloj doze paditurie, mendon që t‘i përdorë për të përgatitur një udhëtim të tijin në drejtim të Irakut. I njëjti diskutim vlen edhe për instruksionet ushtarake, që nga substancat toksike, e deri te bombat. Korshi lidhet në faqe interneti, në të cilat shfaqen materiale filmike të sulmeve kundër forcave të Shteteve të Bashkuara në Irak. Ai i studion, më pas ua tregon menjëherë nxënësve të tij si dhe fëmijëve, i bindur në veten e tij se më në fund dikush do të bindet që të bëhet "shahid" apo martir. Prania e të miturve është në sintoni me propagandën islamike. Një mbrëmje flasin për një "imam të vogël", një fëmijë somalez. Në fund të fundit, edhe talebanët kanë shfaqur pamje të adoleshentëve që marrin pjesë në ekzekutimin e të akuzuarve për spiunazh apo të angazhuar në ceremoni betimi për t‘u bërë kamikazë. Kjo është faza e indoktrinimit, e karikimit të nxënësve për xhihad. Në vitet nëntëdhjetë, bërthamat e para të integralistëve duhej të kënaqeshin me videokaseta të një cilësie të dobët, të xhiruara në Algjeri dhe në Çeçeni. Skena të trukuara, gjithsesi të privuara nga kënaqësia që këta ndjejnë nga realiteti i Irakut. Tani, instruktori Korshi ka në dispozicion të tij më të mirat e produksionit kaedist, falë punës së bërë prej markave të tilla si "Al Sahab" dhe "Al Furkan". Pamje filmike, ku të gjithë ushtarët amerikanë hidhen në erë. Përmes vëzhgimit të filmimeve, terroristët mësojnë që të dallojnë mjetet e ndryshme, matin kohën që nga aktivizimi e deri në shpërthimin e një eksplozivi, spiunojnë taktikat e ndryshme që përdoren nga ana e forcave armike. Si edhe teorinë e animuar. Një stërvitje me simulim në studio, të ngjashme me pamjet e ushtarëve që do të duhet të vrasin. Një hap i detyrueshëm ky, përpara se të vihen në praktikë mësimet që merren në këtë shkollë të terrorit. Ekstremisti ndalet për një kohë të gjatë në një faqe interneti, ku shpjegohet gjerë e gjatë se si duhet të përgatiten substancat helmuese. Është e kuptueshme se Korshi nuk po e shfleton rastësisht enciklopedinë e terrorizmit, por ai është në kërkim të kapitujve që i nevojiten. Substancat kimike që i kanë gjetur janë një tregues që ai tashmë ka vendosur të kthehet nga spektator, në protagonist. Deri në vitin 2001, militantët shkonin në Afganistan, ndërsa sot studiojnë në akademinë virtuale. Nëse vihen përballë kurset e kampit afgan, Khalden si dhe ata "me korrespondencë" të Korshit, vihet re që nuk ka ndryshim. Receta është e qartë se praktika është shumë e vështirë. Duhet kohë përpara se të jesh i sigurt që receta e përgatitur në shtëpi do të funksionojë. Dështimi i terroristëve në Londër dhe në Glasgou, të tjerë shembuj të terrorizmit të përgatitur vetë tregon, për fat të mirë, se kalimi nga teoria në praktikë, te bomba, nuk është automatik. Një tjetër pikë e dobët: të arrestuarit janë të fiksuar nga siguria, marrin leksione për mbrojtjen e kompjuterëve, blejnë dhe kërkojnë kudo programe të kriptura, fshehin tekstet e mesazheve brenda një fotografie apo imazhi filmik. Por është një mburojë, e cila nuk mban përpara punës së hetuesve, të cilët kanë arritur që të dhunojnë pjesërisht kompjuterin personal të terroristëve. Frymëzuesit, Muxhahedinët e rinj, duket se përshtaten mjaft mirë në sistemin e ri të predikuar prej Al Surit. Një bashkëpunëtor i imamit, Mokhtar Hamdi këmbëngul se Bin Laden "ka vdekur". Por një gjë e tillë nuk i dekurajon luftëtarët e shenjtë. Celula e ka të qartë se për shkak të zgjedhjeve taktike, duhet të frymëzohet nga figura të tjera. Korshi kërkon nëpër internet për fjalime të Abu al Jazdi-t, një terrorist i cili ka një pozicion të dorës së parë në zonën aziatike, si dhe për fjalime të Al Muxhaherit dhe Al Bagdadit, të cilët njihen si shefa të Al-Kaedas në Irak. Siç tregojnë letrat e hetimit, imami shkarkon pikërisht pasazhet që flasin për veprimtari operative. Por edhe Korshi është viktimë, ashtu si shumë agjentë, të trukeve që përdoren prej kaedistëve irakianë. Pak ditë më parë u zbulua se Al Bagdadi është vetëm një pseudonim, një zë që nxjerr urdhra dhe që mendohet të jetë zëri i një aktori, i cili është angazhuar prej lëvizjes. Sepse edhe ata që presin koka kanë nevojë për dëshmitarë, të dikujt që të shpjegojë atë që bëjnë. Sikur të dinë që vetëm autobombat nuk mjaftojnë. Kështu që, nga Umbria, në Itali, neoterroristi e quan Al Baghdadin "një luan të komunikimit", sepse është shumë i aftë në kontestimin e sukseseve të Pentagonit. Domethënë, duket sikur Korshi ndodhet në të njëjtin moment në Bagdad, në Kabul, Algjeri, apo Tora Bora. Më pas, klikimi i fundit në kompjuter. Xhihadi për këtë natë ka mbaruar.

Shqip