| E marte, 19.04.2011, 07:57 PM |
Sabile Keçmezi-Basha
NË ARBËRI KA SHUMË FURTUNË
Në Arbëri, këto ditë
Ka pasur shumë furtunë
Dhe ka rënë skorratinë e kuqe
Në gishtat e Penelopës
Kishte lëshua shtat pritja
Pandora, hezitonte të hapte kutinë
Tinëzisht...
O zot,
Kur do të ndalet
Ky shi i kuq
Mbi kulmet e kullave
EDHE NË 100 VITET E ARDHURA
Unë
Edhe për të gjitha vitet e ardhura
Do të kem mall
Për ato njëmijë vite të shkuara
Që nuk isha e ngjizur
Në barkun e atdheut
Unë do të dua
Edhe në Janinë
Edhe tek Mollë e Kuqe
Vetëm për vete
Pa lejuar të të përimtojnë,
Lapërdharët e stepave
Toka ime e blertë
SYRI SYRIT I MBYLLI SYRIN
Lëvrova gjurmët e hapit
Dhe eca tutje
Duke mbyllur sytë
Me shputa të grisura
Mbi rrasa të nxehta
Valë
Nga e pathëna
Syri syrit
I mbylli syrin
Dhe i dërgoi
Porosi me gishta
Sa shumë tentova
Që ta zbërthej
Dhembjen e heshtur
Në unazën vertebrore
Në çati të kullës
TRI HERË TROKITA...
Në dyert e mbyllura
Tri herë trokita
Pa dëgjua
Rënkimin e motit
Tri herë trokita
Në brinjët e Evropës
Pa dëgjuar
Fjalën e pathënë
Tri herë thirra
Në emër
Për të pagëzuar
Me emrin e ri
Që kurrë nuk do e harronim