Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Tuna Prekpalaj: Lexo filozofët dhe kërkoje të vërtetën

| E marte, 19.04.2011, 06:58 PM |


Lexo filozofët dhe kërkoje të vërtetën

 

Nga Dr. Tuna Prekpalaj

 

Njerëzit mundohen të jetojnë nji jetë normale.  Por në botë ndodhin shum gjana pa pritë e pa kujtue. Edhe prej ditës në ditë shofim se gjanat absurde që ndodhin nuk janë vetëm andrra, por zhgandrra, realitet. Lajmet na prejn veshin dhe na trubullojn trunin me ngjarjet e tmerrshme dhe të pakapshme. Sidomos kur lexojm këto tituj në gazeta: "Dikush hyn në nji shkollë dhe fillon me qel zdjarm pushke në profesorat dhe nxanësit";  "Vrau kolegën polic, se nuk e ndërroi në turnë", “Burri vrau bashkshorten dhe fëmijtë e vet”. Nerëzit thojn se asht ma se e nevojshme me e pas nji mbrojtje ma te madhe për qytetarët dhe ma të mirë në shoqni. Por vetëm sugjerimet nuk ndihmojnë. Pse? Përarsye se problemi qëndron dikund tjetër: në shoqni, ku politikantët nuk e dinë se çfare asht detyra e tyne. Ministri si minister nuk e din se çka don me thanë vet fjala "ministër"! Fjala "ministër" vjen gja latinishtja: ministr/o,-are që do të thot shërbej (tjetërkend e jo vetvetin, tue i mbush xhepat me të holla) Ministër, pra, duhet me kan ai që e shërben, e ndihmon dhe e udhëzon shoqninë në binaret e mira. Dhe e vazhdoj ate çka thash ma nalt:  problemi qëndron në shoqni të stresueme, në shoqni ku njerëzit kanë frustracione pa rrugëdalje, të shkatrruem në punë dhe të përdoruem si shtazë. Njerëzit nuk kan kurrfar mundësije për punë (ashtu që forca ma e madhe –si për shembull rinija – asht e detyrueme me emigrue në shtetet tjera në vend se me e zhvillue shtetin e tyne), për zhvillimin personal dhe nuk kan kurrfar perspektiva. Madje, arsimi i pavlefshëm: të ritë vijn si prodhim i thjesht prej fabrikës-univerzitet me diploma të bukura, të stolisuna me ngjyra lara-lara, por me bagazh të vogël ditunije, me art të ligësht,  me stil të ulët jetsor, etj. Mandej, njerëzit nuk e kan mësue dhe nuk e mësojnë as gjuhën e vërtetë amnore për me i shpall mendimet e tyne natyrore, emocionet e tyne me fjalë, me respekt për njani tjetrin dhe ato t'i kuptojnë sa ma mirë. Njerëzit duhet ma tepër të fitojnë sy për me pa se si qëndron realiteti i gjanave dhe i jetës në shoqni. Dhe se ato gjana nuk përbahen vetëm prej fundamentit dhe vetëm të vleftës materiale ose të hollave, prej pasunisë. Edhe shpirti i njeriut ka uri. A asht e vërtetë nëse na e ndëgjojmë muzikën e Mozartit, shkojm rregullisht në muzetë e ndryshëm me i pa pikturat e piktorëve famoz, si për shembull, të Rembrandit, Van Goghut, Picassos, Dalis etj, dhe çdo mbramje e lexojm nji pjesë  nga "A la recherche du temps perdu" të Proustit ose të shkrimtarëve famozë, a mund atëherë të mendojm se në shoqni do të bahet ma mirë? Kjo pyetje nuk asht e thjesht. Por pyetjen mund t'a kuptojm edhe si përgjegjje. Kush e kupton le ta kupton, kush nuk e kupton – badijava: nuk e kupton. Na e dim se gjermanët gjat luftës së II –të Botnore ditën i torturojshin dhe i vrajshin qifutët. Kurse në mbramje vrasësit qajshin të emocionuem prej muzikës së Franz Schubertit. Në të njejtën kohë e njohim edhe librin e Primo Levit "È questo un uomo". Aty Primo Levi e pershkruen se si ai vetë përsëri fitoi guximin në Auschwitz, ashtuqë e mbijetoi kampin e përqëndrimit, kur ai mendoi mbi "Divina commedia" të Dantes dhe kur ate ia perkthente shokut të tij françez. Nji gja e tillë ndodhi edhe te poeti i Polonisë, Aleksander Wat, i cili, gjat kohës ma të trishtueshme të stalinizmit, ishte në burg dhe – gjat shetitjes – ndëgjoi muzikën "Matthäus Passion" të  J.S. Bachut. Atëherë ai fitoi guxim të fort për me jetue. Filozofija dhe arti i jep njerëzimit diapazon të gjan dhe horizonte të mdhaja, guxim dhe trimni. I jep njeriut perspektiva për realitete të reja.  Filozofija dhe arti jan edhe ftesë. Por filozofija dhe arti edhe detyrojnë - sikurse që detyron edhe dashnija.

Kultura nuk asht asgja tjeter përveç se mbledhja e shum rrugëve në të cilat njeriu mund të udhëton, ka potencë me zgjedh dhe kërkon të vërtetën mbi vetëveten dhe ekzistencen e vet njerëzore. Në atë rrugë ai e kërkon vërtetën. Tue udhëtue në ato rrugë, ai mund të mëson se si me jetue në vërtetën dhe – me vërtetën - me e mbrri bujarinë shpirtnore. Asht nji gja tipike se pse njeriu në rrugën e vet nuk pyet – pos tjerash – dhe nuk don me e kuptue si per shembull se pse këndojnë bylbylat? Pse njerëzit e dojn ditën e bukur me diell, i dojn lulet, pikën e brymës në mëngjez, natën e qetë, të gjitha çka na rrethon. Me u pyet se çka don të thot krejt kjo?  Por, prapseprap, në vërtetë dhe prej vërtetës nuk asht aq leht me jetue. E vërteta asht si kaktusi me therra. Asht si nji lloj përsosshmenije e pakapshme. Asht si mishi i kuq i vendosun në nji shkop të varrun në qafë të qenit. E qeni sa ma shpejt vrapon aq ma shpejt i largohet mishi i shijshëm nga goja. Sa ma shum dijm mbi të vërtetën, aq ma shum nuk e kuptojm ate. Spinoza ka thanë qysh moti në veprën e tij "Ethica" se përsosshmëninë asht vështirë me e mrri dhe  rrallëkush mund ate me e mrri. Kjo vlenë edhe diten e sodit. E vërteta të shtyen në kërkim, në lypje, të cilat kurrën e kurrës nuk ndalohen dhe s'marin fund. Njeriu nuk po i gjen përgjegjjet definitive të pyetjeve të mdhaja jetësore, si për shembull: "Çka asht njeriu", "Pse jetoj?",  "Çka asht jeta e mirë?", ose "A ekziston nji botë në nivel ma të naltë se kjo botë?", "Pse baj ate çka baj?", "Pse jam ai që – në thelb - s'jam?", "Çka mund të di?", "Çka duhet të baj?", "Çfar shprese duhet të kam?", etj. nëse rrim shtrembt, rrim shtrembët, por duhet të flasim drejt: Njerëzit nuk jan zotna, por jan kafshë. Njerëzit kan nevojë, si për shembull, me shkue edhe në pyll. Me nga (si kafshë) e me ba jogging, me u stervitë prej stressit që gjat punes i kan fitue. Por edhe me i perqafue pemët dhe me folë me to – nëse nuk don me te ndigjue ashkush: partneri, femijte, kolega, shokët, shkurt shoqenija.. Kjo duket si nji gja absurde, por s’asht absurde.

Njerëzit duhet pa pra me i shtrue pyetjet e mdhaja jetsore dhe të vlefshme, edhe nëse  ndoshta nuk do t'i gjejn përgjegjjet e sakta. Edhe nëse ato nuk jan pergjegjjet definitive, sepse njerëzit e kan nji intuicion për me e lyp të vërtetën dhe se lypja, kërkimi hap perspektiva të reja,  tregon diçka të re mbi vetveten, mbi të afermin, mbi rrethanat, mbi njerëzimin. E nëse flasim mbi vleftat e njeriut, mbi te miren dhe te keqen: Nëse duhet të zgjedhim ndërmjet punës dhe tradhtimin e shokut ma të ngusht, atëherë e din çdokush thell në zemrën e vet se cila vendosje asht ma e mira. Por shumkush e ban të kunderten: e tradhton shokun ma të mirë. Shum intelektualë kan ba gabime në të kaluemen. Ata janë shty prej frymës së shoqnisë represive të Shypnisë komuniste te athershme prej pak njerëzish që paten pushtet. Intelektualët nuk e kan ditë se çfar asht misioni i tyne. Nuk kan veprue për t'i ndihmue njerëzit e dobët në shoqni. Ata kan qenë marioneta, egoistë dhe utilitaristë. Dhe se e mira në atë kohë asht shëndrrue në egoizëm e në pashpirshmëni. Në këtë kohe shpresoj se kta intelektualë e kan kuptue se kan ba gabime. Por tash asht vonë. E ndergjegjja e tyne i grrith. E atyne intelektualëve kur i humben dhent, i erdhen tash mendt. Por vonë.

E përqëndrueshmja nuk konsiderohet ma si diçka e vlefshme: Në shtetet kapitaliste njerëzit mendojnë se krejt duhet të ndrrohet, duhet të ndryshohet – pa mar para syshë se çka. Ashtu hudhet uji i banjos me fëmiun. Në punë – për shembull - shpesh  të reorganizohet – edhepse asht puna e mirë dhe profiti asht i volitshëm. E me reorganizim duhet të prijashtohen punetorët. Për shembull: profiti i sipërmarrjes asht ma i vlefshëm se situata e puntorit të papunë. Punëtorët që kan familje shqetësohen, demoralizohen dhe fitojn probleme psiqike. Prodhohen prodhimet të cilat perdoren në nji kohë të shkurt dhe ato i hedhin në pleh. Fëmijt haliten me shum   lojza. Ata dojn edhe ma tepër lojza. Krejt duhet ndryshe. Duhet me ble gjana tjera e të reja që dalin në treg. Tue mendue se kurrfar vlefte absolute s'asht përcaktue për jeten e njeriut, atëherë njeriu nuk njef kurrfar detyrimi. Asht nga jasht i influencuem. Kurse, nga ana tjetër, vleftat ekzistojn. Por ato shpesh negohen. E për me i njoft ato vlefta, asht e nevojshme që ta njofim kulturen tonë dhe ta gdhendim formimin tonë mateial dhe shpirtnor. Puniët e mdhaja në laminë e filozofisë dhë  të artit kan të bajn bash me atë që mbetet si vleftë në bashkësi dhe shoqni, që mbet në të gjitha kohnat, si nji shkamb në deti, të cilin uji i detit nuk mund me e rrotullue dhe me e zhduk nga deti. Për veprat që bahen në këtë kohë kontemporane nuk mund të thojm se ndoj herë do ta fitojnë nji status të përqëndrueshëm. Vleftat shekullore duhet të mbeten në shekuj me rradhë si vlefta. Për ate asht mirë me i lexue filozofët. Filozofët Platoni, Aristoteli, Spinoza, Kanti, Nietzsche, Sartre, etj. janë persona që kan dasht me i ndihmue njerëzimit. Ata janë filozofë të vërtetë dhe shum njerëz  ata i lexojn. Por, vetum t'i lexojnë. Ata duhet të rilexohen, të kuptohen mirë se çka kan dasht me thanë. Leximi dhe studimi i veprave të tyne duhet të udhëzojn - sikurse veprat tjera të mdhaja që i shkruajtën  filozofët – në vlefta, në dignitet njerëzor, në bashkpunim, në iniciativa. Digniteti dhe vleftat njerëzore duhet të rishhikohen edhe në arenen politike dhe shoqnore – edhepse rishikimi asht i vështirë. Jo vetëm në politikë, por edhe në jetën personale duhet për çdo ditë të rifillojm prej fillimit. E ky fillim mund të jep liri ma të madhe për me fluturue. Me shkue në zona dhe ambiente të reja jetësore.