E premte, 19.04.2024, 05:08 AM (GMT+1)

Mendime

Altin Goxhaj: Rreziku Antiamerikan për Shqipërinë dhe Kosovën!

E marte, 19.04.2011, 07:58 PM


Rreziku Antiamerikan për Shqipërinë dhe Kosovën!

 

Nga Altin GOXHAJ

 

(Parulla e re e opozitarëve shqiptarë në rajon, “Fajin e ka Arvizu dhe Dell”!)

 

Për disa simpatizantë të PD-së apo kundërshtarë të Edi Ramës, antiamerikanizmi i njerëzve të Edi Ramës është një fitore elektorale ndërkombëtare sipas parimit “lëre budallain se e gjen vetë humnerën”. Por për shoqërinë politike shqiptare ajo që po ndodh sot është një rrezik real, i cili po ndikon shumë keq në perspektivën e përkrahjes amerikane për Shqipërinë dhe Kosovën, dhe Rama e Kurti mund të na marrin të gjithëve në humnerën e tyre.

Ajo që po ndodh sot ka precedente të mëparshëm të parëndësishëm. I vetmi rast që mund të përmendet është angazhimi i strukturave të Soros në 2003 dhe 2007 nëpërmjet Erion Veliajt dhe spinoffit “MJAFT” ku gjatë ndërhyrjes amerikane në Irak u organizua nga Veliaj një koncert me 3 vetë kundër ndërhyrjes amerikane në Irak (Mars 2003) dhe shkrimi i Veliajt në Blogun e famshëm greko-amerikan www.huffingtonpost.com kundër mikpritjes shqiptare ndaj Bush në Qershor 2007. Rasti Veliaj ishte një rast i pastër shërbimi servilizmi ndaj mirëbërësit dhe krijuesit të tij Xhorxh Soros, i vetshpallur si armik i Xh.W.Bush, por duhet thënë se kjo s’pati asnjë ndikim në realitetin shqiptar aq sa u mor vesh vetëm një vit më vonë.

Ajo që po ndodh tani, është në fakt një problem. I madh biles. Përtej kënaqësisë dritëshkurtër të kundërshtarëve të Ramës për këtë konflikt të “sherrbudallait” Rama, vjen një rrezik për të gjithë ne! Rreziku që nesër ne të konsiderohemi nga politika e jashtme amerikane si të gjithë ballkanasit e tjerë: “Antiamerikanë”!

Ne jetojmë në një Ballkan ku Greqia (që u zhvillua si pasojë e mbështetjes së SHBA) mbylli gjithë bazat amerikane sapo iu mbarua afati i kontratave duke dëmtuar rëndë interesat amerikane në rajon. Interesat financiare ruse dhe kineze janë rritur shumë në Greqi si pasojë e krizës së likuiditeteve dhe detyrimeve të miliardave pas shumë vitesh të vegjetimit mbi euron gjermane. Mali i Zi tashmë është thjesht një hipotekë e agjencive imobiliare ruse. Serbët prorusë që nga Bosnja e deri në Maqedoni i kanë të freskëta ende fluturimet e avionëve amerikanë supersonikë (kanë luftuar me armë në dorë vite më parë kundër marinsave dhe pilotëve amerikanë apo kanë djegur makinat e ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Shkup). Bullgarët dhe maqedonasit bullgarë dihet se kanë më shumë afeksion gjenetik ndaj Rusisë se sa Amerikës. Shkurt, ishulli proamerikan i popullsisë shqiptare në rajon, sot rrezikohet nga një cunam i influencës ruse dhe digat proamerikane në rajon po cënohen çdo ditë e më shumë nga… vetë shqiptarët politikë opozitarë!

Pakënaqësia e faktorit politik opozitar shqiptar në Rajon pas kundërshtimeve konstruktive amerikane ndaj të bërit politikë alla shqiptarçe si në Kosovë dhe në Shqipëri, po kanalizohet nga liderët e rrezikuar opozitarë shqiptarë në Kosovë dhe Shqipëri në një frymë pakënaqësie opozitare elektorale duke motivuar tek militantët urrejtje dhe gjoja një “frymë independence kombëtare” dhe “dinjiteti” të shtirur antikolonialist! Mjafton këto ditë të futesh në blogjet shqiptare në rajon dhe do të shohësh përkrahësit e opozitës që kanë shtuar dozat kundër influencës amerikane në politikën shqiptare.

Në fakt qëndrimi zyrtar amerikan ka qenë haptas kundër frymës bllokuese opozitare ndaj institucioneve me qëllim për ti detyruar palët në radhë të parë opozitën që të respektojnë disa rregulla loje bazë ku Opozita është OPOZITË sepse aq vota ka dhe demokracia dhe stabiliteti i jetës së qytetarëve shqiptarë të rajonit ka nevojë për një opozitë konstruktive që inkubon dhe përgatit alternativën për qeverisjen e ardhshme dhe jo një opozitë të ashpër luftarake që kërkon pushtetin me çdo kusht. Arsyeja pse DASH po insiston për stabilitetin ka të bëjë jo thjesht me interesa gjeopolitike amerikane në dëm të demokracisë por në radhë të parë për të STABILIZUAR DEMOKRACINË si interes i stabilitetit shqiptar në një rajon plot me interesa amerikane!

21 Janari ishte një fakt tashmë publik i një skenari të të bërit Opozitë alla shqiptarçe nëpërmjet destabilitetit që do të prodhonte rotacion të imponuar të pushtetit! Opozita kosovare e cila nuk është në gjendje të sigurojë ende numrat e nevojshëm për të marrë pushtetin përpiqet të bllokojë krijimin e një mazhorance pa pasur në dorë një alternativë stabiliteti! Dhe në kohë krizash mbarëshqiptare (histori e gjatë që prej 1981 ku s’merret vesh asnjëherë nëse Prishtina apo Tirana janë shkaku fillestar apo pasoja) dihet se influenca a faktorit antishqiptar rritet tej mase ku influence ruse dhe ajo greke dhe serbe rigjallërohen hapur dhe fshehtas.

Është hera e parë që qëndrimi amerikan është i qartë dhe i plotë: “SHQIPTARË! BËNI Ç’TË DONI NË TELEVIZOR, POR MOS CËNONI INSTITUCIONET DHE STABILITETIN E DEMOKRACISË!” Qëndrimi amerikan këtë herë është i qartë! Reagimet e faktorit politik shqiptar janë të paqarta.

Në këtë kohë shumë të vrullshme për ekonominë dhe demokracinë globale, roli amerikan po përshtatet në ekuilibër me influencën amerikane dhe sensibilitetet e opinionit publik. Dhe pikërisht në një moment kur SHBA janë të angazhuara në Ballkan për të ruajtur influencat amerikane në një rajon ku ka shumë influencë ruse, ajo që në fillim as mendohej por tani mundet, antiamerikanizmi shqiptar sapo ka nisur!

Sipas disa analistëve të varur në karrierë prej opozitës fajin e ka Dell në Prishtinë apo Arvizu në Tiranë! Por sipas Dell dhe Arvizu (shkurt DASH) fajin e kanë disa faktorë mediatikë dhe politikë opozitarë që për hir të mungesës së alternativës institucionale për të qenë në pushtet po kërkojnë të mbrohen nga presioni amerikan pro stabilitetit të demokracisë nëpërmjet anatemimit të vetë stabilitetit të demokracisë dhe ekonomisë dhe zëdhënësve të saj domethënë amerikanëve përkatës të përfaqësuar burokratikisht nga Dell dhe Arvizu. “Fajin e ka Dell!” “Fajin e ka Arvizu!” “Fajin e ka inferioriteti shqiptar ndaj ta huajve!” janë sloganet e fshehura të disa mediumeve opozitare dhe opinionistëve të tyre.

“Vetëvendosja” e Albin Kurtit e sponsorizuar nga burime të panjohura SHPIKU frymën e majtë radikale nacionaliste për të justifikuar antiamerikanizmin dhe luftuar kundër “inferioritetit të shqiptarëve” që “u çliruan vetë nga shkjahu sepse amerikanët nuk erdhën si çlirimtarë por thjesht rivendikuan interesa gjeopolitikë”! Rama SHPIKU fatin e keq të shqiptarëve që ndodhen në një rajon me interesa gjeopolitike ushtarake amerikane që po sjellin neglizhimin e amerikanëve ndaj interesave të shqiptarëve të cilët po vuajnë “diktaturën fashiste” të “Diktatorit të Madh Berisha” i cili “kontrollon të gjithë pushtetet” pavarësisht se është në sherr me të gjitha!

Por pasoja e shpikjeve në Kosovë e Tiranë është krijimi i një statistike të re: përqindjet e popullsisë që i shtohen frymës së shpikur antiamerikane në rajon. Dhe kur këto përqindje të rriten, atëhere edhe ishulli proamerikan shqiptar në rajon do të asimilohet nga antiamerikanizmi ballkanas dhe ne dalim nga harta e “kujdesit:” amerikan dhe influencat ruse do të kenë ç’të blejnë e ç’të shesin në mos e kanë bërë që tani.

Dhe që të mos ndodhë kjo, ka vetëm një alternativë: Barriera Shqiptare ndaj antiamerikanizmit të faktorëve politikë dhe mediatikë të opozitës.

Këto barriera duhen ngritur brenda dhe jashtë Opozitës: nga formuesit e opinionit publik i cili nëpërmjet mekanizmave të shoqërisë civile dhe intelektualëve duhet të shprehin kundërshtinë e tyre për fillesat e antiamerikanizmit të Opozitës dhe nga vetë politikanët të opozitës të cilët njihen për një karrierë të mbështetur nga institucionet amerikane.

Në Kosovë kjo çështje mbetet të debatohet nga vetë kosovarët, kurse në Shqipëri faktorët politikë opozitarë të cilët duhet të angazhohen për të penguar këtë frymë antiamerikane janë pikërisht ata që janë mbështetur nga SHBA dhe e kanë justifikuar këtë në karrierën e tyre si Kastriot Islami, Valentina Leskaj, Ditmir Bushati, Andis Harasani, Ben Blushi, Marko Bello, Blendi Klosi, Rudina Seseri, Damian Gjiknuri, Bashkim Fino, Ermelinda Meksi, Arta Dade, Pandeli Majko, Mimi Kodheli, Besnik Baraj, Holta Xhaçka, Eglantina Gjermeni, Vasilika Hysi, Arben Isaraj, Arben Malaj, etj. Ndërsa fryma proamerikane në frontin opozitar të opinionistëve përbëhet nga Nazarko, Çipa, Kikia, Peza, Bushati, etj. duhet inkurajuar.

Të mos harrojmë se tre grupimet politike që gjënden më afër qëndrimit antiamerikan të opozitës dhe që tashmë shërbejnë edhe si këshilltarët politik të Edi Ramës përbëhen nga “Grupi Politik i ‘97” si Ruçi, Xhafa, Gjinushi, etj., nga Grupi sorosian G99 si Veliaj, Fuga, Mazniku, Ekonomi, Misha, etj., dhe nga Grupi i Bllokut si Gjoni, Peza, Beqja, Ngjela, etj. Këto tre grupime janë baza e antiamerikanizmit të PS Brenda PS. Jashtë opozitës antiamerikanizmi mediatik përfaqësohet nga Baze, Yzeiri, Nano, Minxhozi, Vangjeli, Sala, Thano, etj., të cilët duhet ose të dekurajohen nga opinion public ose të inkurajohen të kuptojnë rolin negativ që po luajnë për interesat shqiptare në rajon.

Ajo që mbetet sfida e tanishme është reagimi qytetar dhe minimi nga brenda i frymës antiamerikane që po kultivon opozita e sotme në Shqipëri dhe Kosovë. Ajo që duhet të bëjnë amerikanët është vetëm një gjë! Të vazhdojnë t’u bëjnë presion shqiptarëve kudo në rajon për të mbajtur në Stabilitet Demokracinë e brishtë shqiptare. Të tjerat janë puna jonë!

 

*Drejtor i ZMK

 



(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora