Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ngrohja globale, çfarë apokalipsi!

| E premte, 08.07.2005, 06:42 PM |


Ndryshimet e klimës që kanë nisur me revolucionin industrial dhe janë shndërruar në shenja të apokalipsit modern. E vërteta për ngrohjen e planetit

B. Budini
Shkrirje e akujve, ngritje e detrave, ndryshime të ekosistemeve: ngrohja e klimës është një realitet. Nëpërmjet këtyre dhjetë pyetjeve, të cilave u janë përgjigjur ekspertët, mund të krijoni një ide se çfarë po ndodh me planetin tonë.

1. Kur do të nisë ndryshimi klimaterik?
Ai tashmë ka nisur. Vitet 1990 kanë qenë më të nxehtat e regjistruara ndonjëherë. Brenda një shekulli, temperatura mesatare e sipërfaqjes së tokës është rritur nga 0,6 °C në 0,7 °C dhe niveli i oqeaneve është ngritur me 20 centimetra. Evropa ka kaluar në vitin 2003 një valë ngrohtësie të paparë. Dhe kjo pritet të vazhdojë: edhe në skenarin më optimist, ngrohja globale nuk do të jetë me e ulët se 1,4 °C pas një shekulli.

2. Cili është ndikimi i ndryshimit të klimës mbi ekosistemet?
Shkencëtarët e GIEC-së – Grupi ndërqeveritar i Ekspertëve për Evoluimin e Klimës- vlerësojnë efektet e klimës që nga viti 1990. Ata kanë analizuar 2 500 specie të kafshëve, bimëve, ujërave. Rezultatet: ndër 600 specie të gjalla që janë vëzhguar (kafshë ose bimë) më shumë se 450 prej tyre kanë pësuar ndryshime që konfirmojnë hipotezën e ngrohjes klimaterike. Në hemisferën e Veriut, në lartësitë e mëdha, periudha e rritjes së shumë bimëve është zgjatur; bimët alpine kanë migruar drejt majave; për kafshët konstatohet rritje e vdekshmërisë dhe zvogëlim i përmasave të tyre. Ndërsa akujt dhe ujërat e ngrira të detit pse të ëmbla, të studiuara në 150 vende, janë modifikuar në njëqind prej këtyre vendeve, pothuajse të gjitha në drejtimin e parashikuar, duke u mpakur.

3. A ekzistojnë prova që të vërtetojnë se ky ndryshim është shkaktuar nga veprimtaria njerëzore?
Sot thuajse të gjithë shkencëtarët vlerësojnë se provat e grumbulluara janë të mjaftueshme për ta lidhur me veprimtarinë njerëzore përgjegjësinë e ngrohjes së provokuar nga grumbullimi në atmosferë i gazit me efekt serre, kryesisht dioksid karboni (CO2), por edhe metan, dioksid squfuri etj. Prova më flagrante konsiston në masën e përqendrimit të dioksidit të karbonit në atmosferë: qysh prej dhjetë mijë vjetësh nuk kishte ndryshime, ndërsa me fillimin e erës industriale, në vitet 1800-1850, kjo masë është rritur në mënyrë të vrullshme dhe vazhdon të rritet në mënyrë të çmendur.

4. Cili është mekanizmi i ngrohjes?
Qysh në vitin 1896, kimisti suedez Svante Arrhénius, kishte parathënë një rritje të temperaturës mesatare të planetit tonë, si pasojë e industrializimit. Parimi bazë i efektit serrë është i ngjashëm me atë të një serre xhami, por rolin e xhamit e luajnë gazet që përbëjnë atmosferën. Toka ngrohet nga dielli: 30% e energjisë së sjellë nga rrezet reflektohen në hapësirë nga atmosfera, retë dhe sipërfaqja e planetit”, pjesa tjetër absorbohet nga ajri, oqeanet dhe toka dhe transformohet në ngrohtësi. Kur ngrohet, Toka lëshon rreze infra të kuqe, pjesa kryesore e të cilave kapet nga gazrat me efektin e serrës) dioksid karboni, dioksid squfuri dhe metan...), gjë që sjell ngrohjen e atmosferës, e cila ia përçon një pjesë të madhe të energjisë tokës. Nëse numri i molekulave të gazit me efektin e serrës rritet, efekti gjithashtu zmadhohet. Kontribuesi kryesor në këtë fenomen të rrezikshëm është dioksidi i karbonit që prodhohet nga djegia e drurit, karbonit, naftës ose gazit. Rritja e CO2 atmosferik, kundërbalancohet nga oqeanet dhe bimësia që janë “puset natyrore të karbonit”. Dioksidi i karbonit thihet nga ujërat e deteve si edhe nga fotosinteza e bimëve.

5. Çfarë zhvillimesh pritet të ketë?
Për ta kufizuar këtë fenomen, shkencëtarët kanë përpunuar shumë skenarë. Një nga skenarët është përforcimi i një industrie energjingrënëse. Një tjetër skenar parashikon globalizimin dhe transferimet e teknologjisë ose orientimin e kah teknologjia e informacionit. Por mbeten thjesht skenarë.

6. A mund të ndalet golfstrimi (Gulf Stream)?
Në Atlantikun e Veriut ujërat e ngrohta të sipërfaqjes ngrihen drejt veriut njëkohësisht me ujërat e ftohta të thellësive të mëdha që shkojnë drejt jugut: Ky është qarkullimi termohalin që sjell një transferim të ngrohtësisë drejt Atlantikut dhe përbërësja kryesore e të cilës është rryma e Golfstrimit. Por ndryshimi klimaterik mund ta ndalte golfstrimin, duke sjellë një ftohje në vend të ngrohjes së Evropës dhe të Amerikës”, ky është skenari i filmit: ‘Një ditë më pas”.

7. A varet impakti në mjedisin tonë nga skenarët?
Puset natyrore të karbonit që janë oqeanet dhe bimësia, thithin nga atmosfera nga 2 deri në 3 zhigatonë karbon në vit, ndërkohë që niveli aktual i sasisë së karbonit të çliruar është 7 GTC në vit. Për pasojë përqendrimi me CO2 vazhdon të rritet dhe nuk mund të stabilizohet derisa të ekuilibrohet sasia e çliruar me atë të absorbuar nga ujërat dhe bimësia. Intensiteti i ngrohjes dhe impakti i saj në mjedis do të variojnë shumë, derisa përqendrimi me dioksid karboni të stabilizohet në masën 450, 550 ose 700 ppmv. Kësisoj, skenarët parashikojnë se duke stabilizuar përqendrimin me dioksid karboni në 550 ppmv, rreziku i përmbytjes në brigjet e Indisë dhe të Bangladeshit mund të pakësohej dhjetë herë, krahasuar me skenarin e mosndërhyrjes. Këto shembuj tregojnë qartë se mund të bëhet diçka: sa më shpejt të veprohet për të pakësuar çlirimet e gazit me efekt serre, aq më të vogla do të jenë pasojat.

8. A ka një zgjidhje mrekulli?
Po. Të mos djegim më asgjë që çliron dioksid karboni. Në mënyrë më realiste, të gjithë specialistët vënë theksin te roli parësor i zotërimit të konsumimit dhe të kursimit të energjisë. Sigurisht mund të imagjinohet ruajtja e nivelit të konsumimit në nivel të pandryshueshëm, duke zëvendësuar aq sa të jetë e mundur energjitë ndotëse me energji alternative që nuk prodhojnë ose prodhojnë shumë pak efetin serrë, transporte elektrike, automjete hibride, hidrogjen, energji diellore... Mbetet problemi i avionëve, faktorë të rëndësishëm të ndotjes, për të cilët nuk ka asnjë zgjidhje alternative- të paktën në horizontin e parashikuar. Në të gjitha rastet, pa reduktim të konsumimit, zëvendësimi i një energjie të pistë me një energji të pastër nuk do të mjaftonte. Në fakt, duhet një kohë e gjatë për të zëvendësuar një sistem energjetik me një tjetër. Ndërsa situata aktuale ka nevojë për ndërhyrje të menjëhershme. Çdo vonesë e bën edhe më të vështirë ndërhyrjen dhe rëndon pasojat e ndryshimit klimaterik.

9. Po mundësia nukleare?
Shtrohet pyetja: Atomi apo efekti serrë? Për të zgjidhur problemin e ngrohjes globale ekziston edhe opsioni i përdorimit të energjisë bërthamore. Po a është kjo një zgjidhje? Imagjinoni zëvendësimin e plotë të transportit me energji elektrike, të ushqyer nga centralet nukleare, të ngrohemi vetëm me elektricitet. Në fakt, sipas hipotezave më realiste, energjia bërthamore do të zgjidhte vetëm një pjesë të vogël të problemit të efektit serrë. Shkencëtarët vlerësojnë se përdorimi i energjisë nukleare e redukton çlirimin e gazit me efektin serrë në 11% në shkallë botërore.

10. A është ekonomikisht e përballueshme lufta kundër ngrohjes globale?
Në nivelin e përpjekjeve të bëra aktualisht, përgjigjja është pa asnjë dyshim pohuese: “Ndërmjet vitit 1990 dhe 2000 ekonomia e Britanisë së Madhe ka pësuar rritje prej 30%, punësimi është rritur me 4,8% dhe intensiteti i çlirimeve të gazit me efekt serre është pakësuar me 30%, ndërkohë që totali i çlirimeve është zvogëluar me 12%. Edhe kinezët kanë njohur në të njëjtën periudhë një rritje ekonomike prej 60% dhe intensiteti i çlirimit të gazrave me efektin serrë është zvogëluar. Por të mos ndërhysh, do të thotë të presësh pasoja shumë më të rënda, sidomos në vendet e varfra, pa përjashtuar edhe vendet e pasura. Përmbi nivelin 3 °C të ngrohjes, efektet do të ishin negative edhe për vendet e zhvilluara, sipas ekspertëve.
Le Nouvel Observateur