E enjte, 26.11.2020, 09:13 PM (GMT)

Komente » Radovani

Fritz Radovani: Çka asht ma e vështirë: Me kenë katolik apo shqiptar i vërtetë?

E hene, 18.04.2011, 07:59 PM


  SHQIPNI…  ÇKA  ASHT  MA  E  VËSHTIRË:

ME KENË  KATOLIK  APO  SHQIPTAR  I  VERTETË ?

 

Nga Fritz RADOVANI

 

Një pyetje për Shqiptarë në pragun e Festës së Madhe të Pashkëve!

Shumë ngjarje të ndodhuna në periudhen e pushtimit komunist në Shqipni kanë marrë ngjyrën e barceletave, kur në të vertetë ato kanë ngja, e mjaft prej tyne edhe i kemi jetue.

            Një mik në Tiranë, Bedri S..., aty nga vitet ‘80 po më tregonte një ngjarje, për të cilen do të ketë edhe nga ata që ndoshta do të dyshojnë se si ka muejtë me ngja në kryeqytetin tonë një gja e tillë. Ishte lirue nga burgu mbas 15 vjetësh Nika, malësor nga Malet e Veriut. Nuk kishte ma asnjë njeri të familjes në fshatin e vet, ishin arratisë pothuej të gjithë. Një kushri në periferi të Tiranës, i martuem me një grue muslimane, e pranon me e strehue në shtëpinë e vet. Grueja e kushrinit pothuej nuk e njihte fare besimin, as të vetin, as të burrit të vet, se ishte e re dhe e rritun si të gjithë shqiptarët krejt afetarë; flas kryesisht për ata që u rriten mbas vitit 1967... Ajo kishte një shef kuadri të njohun në një ndërmarrje ndërtimi dhe bisedon me të, me mujtë dhe me i sigurue Nikës një punë në ndertim sa me nxjerrë bukën e gojës. Një ditë, bashkë me Nikën, shkojnë në ndërmarrjen e tij dhe Nika njihet me të, sigurisht edhe hapet biseda për me mujtë me xanë vend në atë ndermarrje. Shefi e pyet Nikën rreth biografisë së tij, tue u mundue me errësue problemet politike në maksimum... Nika për çdo gja përgjigjet kjartë dhe pa shtremnue asnjë fakt. Ai vazhdimisht e thrriste “Nik”, tue i dhanë theksin ortodoks për me i dhanë me kuptue se jam tue të kuptue, si besimtar nga ortodoksët e Jugut..Mbasi shefi pothuej i asht ba e kjartë biografia e “Nik-ut”, e pyet: “Më fal, po cilit besim i përket ti, Nik”? Nika, pa farë të keqjet i thotë: “Unë jam katolik!”...Shefi ban aaaaa, sa keq!...

            “Që ke qenë në burg e dija, se ishe i dënuar politik edhe këte e dija nga kunata jote, se ishe nga Shkodra apo rrethet e saj, e dija, se kishe familjen e arratisur e dija, dhe se në vitët 1946 të kanë pushkatuar xhaxhajn e dija, se nuk kanë hyrë në kooperativë po kanë tradhëtuar Atdheun edhe këte e dija, se flet ashtu nga qendrimi me femijët e bajraktarëve dhe priftërijtë e Shkodres atje ku ishe...po, dhe emrin “Nik” mund ta kujtonin nga ata fshatrat e  humbura të Korçës, po, po ti qenke edhe katolik o dërzi, jo, jo, më vjen keq, se sikur të marr unë ty në pune dhe të informohet partia se kam sjellur në kolektiv një katolik...gjëja më lehtë për mua do t’ishte të vija të shtyja karrocën me juve...e, shumë shpejt do më çonin edhe atje ku ishe ti deri tani...Këte, besoj, nuk e do as ti?!”...

            E kështu si Nikës u ka ngja shumë vetëve...që ndokush e kujton për me ba humor...

            Në librin e “Relacioneve të klerit...”, me datën 27 mars 1638, plot katër vjet mbas ardhjes së Misionarëve Françeskan (1634), fra Kerubini, misionarë shkruen: “Ata që bahen muslimanë janë shumë ma të këqijë se ata që lindin myslimanë....” Kjo asht një e vërtetë që koha e ka provue që në ditët e para të vitit 1944...Kultivimi i urrejtjes fetare dhe i përçamjes kombëtare filloi nga shovenistët sllavokomunistë që në vitin 1941 me formimin e partisë komuniste shqiptare, tue gjetë edhe drejtuesin e saj anadollak me gjak e vese “turkoshaku”, Enver Hoxhen, bashkë me pasuesin e vet Ramiz Alinë. Kjo parti, ashtu si u themelue nga komunistët jugosllavë, ashtu i ka shërbye bashkë me trashigimtarë tash 70 vjet të gjitha interesave antikombëtare të Shqiptarëve. Të gjithë ata felëshues nga besimtarët shqiptarë që u vune në shërbim të Titos dhe Stalinit, me masken “komuniste”, çka ishin të vendosun me shpartallue Shqipninë dhe Trojet Shqiptare, e kanë tregue veten si tradhëtarë të shitun porsa erdhën në pushtet, tue fillue nga drejtuesit e partisë, nga të gjithë komandantët e brigadave sulmuese, pra nga Mehmet Shehu, Koçi Xoxe, Shevqet Peçi, Haxhi Lleshi, Rahman Perdhaku, e deri tek shërbëtorët e tyne “katolikë” Tuk Jakova, Gjin Marku me shokë, të cilëve dy ortakët e çiflikut, Enver Hoxha e Ramiz Alia, ua kanë tregue “rrugën e shegertit”, ashtu si i kanë ba shërbimin e tyne antifetar e antiatdhetar! Të gjitha veprimet e tyne, që në fillim, me vrasjen e Qemal Stafës, Vasil Shantos e deri në një nga tradhëtitë ma të njohuna në Mukje, në Masakren e Kelmendit, në Masakren e Tivarit, dhe në luftën civile në të gjitha krahinat tona shqiptare, andej e këndej kufinit, janë fëtyra e vërtetë e “komunistit” shqiptar në të gjitha kohët deri në ditët tona. U vranë në Jug drejtues të “Ballit Kombëtar”, që nga Lepenicejt e Vlonës, u pushkatuen atdhetarët e Gjirokastres dhe të Sheperit, u zhdukën antikomunistët e Korçës e Permetit, u quajtën “shovenistë” himariotët e sarandiotët antigrekë, u vra Alush Lushanaku e Hamit Matjani se rrokën armët me djelmët e Markagjonit të Mirditës, nuk pranoi kompromis as Muharrem Bajraktari as Maliq Bajrami, as Hasan Isufi e as Llesh Marashi me sigurimin komunist, nuk dorëzoi armët as Dedë Coku...as Jup Kazazi me Dedë Jakupët...e u zhduken si Atdhetarë!

            Po Prekë Cali, me 118 Burra të Kelmendit, çka u bani komunistëve shqiptarë, që si burrat ia tha ndër sy kriminelit Mehmet Shehu: “Faji asht i juej, që u bashkuet me anmikun tonë shekullor, serbin”. Pra, ishin komunistët që vranë, i tretën trupat e tyne ndër prroje, dogjën kullat e kësollat, ua plaçkitën gjanë e gjallë, u vranë trashigimtarët pa lëshue shtat, tue i akuzue antikomunistë, vetem se ishin Atdhetarë dhe katolikë...antishovenistsllavë e antishkja!

            Kjo politikë komuniste u vazhdue për 46 vjet pa ndërpremje. Jo vetem asht luftue vetë elementi katolik, po u vranë edhe ata që guxuen me shprehë një paknaqësi për ata që po ngjanin nga fanatikët anadollakë, të mëshehun nën teserat e PPSh... nën drejtimin dhe zbatimin e politikës së saj me termin e mnershëm marksist-leninist “lufta e kllasave”.

            Me 18 korrik 1946 u pushkatue misionari Don Alfons Tracki. Ja relacioni që iu dergue “turkoshakut” E. Hoxha: “...Vetëm për priftin Don Alfons Tracki, propaganda e klerit bëri që të kishte më tepër diskutime, kështu që u fol se si Don Alfonsi nuk e meritonte dënimin me vdekje, mbasi s’ishte kriminel, por u dënua si klerikal. Në anën katolike është ndjerë dhëmshuri për këtë. Shef i Seksionit Shkodër (Zoji Themeli) d.v.” (Dosja 1885 Arkivi Mmbrendshme. Tiranë)

            Enver Hoxha, shkruan: “...mëqenëse katoliçizmi shqiptar dhe në veçansi kleri, ishin pëngesa më e madhe për triumfin e komunizmit në Shqipëri, qeveria nuk do të kursente asnjë përpjekje për t’i shpartalluar ata.”(Enver Hoxha: Selected Works, Vellimi i I-rë, fq.438, Tiranë 1974.)

Mbas dy javësh që ngordhi E. Hoxha, trashigimtari i tij në të gjitha poshtersitë, Ramiz Alia, deklaroi në komitetin e partisë komuniste të Shkodres: “… Shoku Enver na la... duhet të jemi më vigjilentë se kurrë mbasi armiqtë e Partisë do punojnë për të prishur unitetin tonë. Ata në këte kohe, si gjithënjë, do kërkojnë për të gjetur mundësinë për të realizuar qëllimet e tyre të këqia ndaj Partisë... Prandaj të jemi shumë vigjilentë, sidomos, me pjesën katolike, e cila nuk e ka dashur kurrë Partinë. Ata në këtë situatë kanë për të kërkuar për të përfituar për të përçarë këtë unitet të Partisë sonë ... por, kudo që të vëreni një çfaqje të vogël, mos prisni, por sinjalizoni Partinë, vini prangat dhe jepni plumbin ballit!... ” (Prill 1985).

 

Zotni Ajet Shahu shkruen:Shteti komunist në përputhje me kushtët konkrete përpunoi platforma politike e zbatoi metoda e mjete antikatolike tepër të sofistikuara.”

Enver Hoxha, Ramiz Alia dhe Partia komuniste shqiptare, me veglen tradhëtare të veten, sigurimin e shtetit, tue zbatue politikën e vet fanatike, terroriste e përçarëse në këta vite robnije të Popullit Shqiptar, i kanë sherbye një objektivi dhe punojnë prap edhe sot për atë qellim pa pushue: “Zhdukjen e intelektualëve dhe Atdhetarëve që kanë punue për zgjimin e pavarësisë së mendimit njerëzor, shoqnor e politik, që janë parime bazë të të drejtave të njeriut në shoqninë demokratike dhe aspirata  të Atyne Sshqiptarëve, që luftuen e punuen për to që në vitin 1912.” Nuk hyna në komente të citateve po në fund besoj ua bana të kjartë se cili ka kenë qellimi i vërtetë i të gjithë atyne që në një formë apo një tjetër luftuen për zhdukjen e elementit katolik.

            Mbas vitit 1991 Populli Shqiptar ka përkrahë të gjitha reformat, programet dhe mundësitë për realizimin e demokracisë në Shqipni. Hapat e para drejt rrugës demokratike janë ata që u ka parapri Don Simon Jubani dhe klerikët tjerë të besimeve të tjera të Popullit tonë. Liria e Fesë erdhi e imponueme nga forca e Popullit Shqiptar dhe aspak me dashje të komunistëve që ishin në pushtet. Asnjë grupim politik nuk kishte dalë në skenë kur me 11 Nandor 1990, ora 11.00 u tha Mesha e Parë, mbas vitit 1967 në Vorrezat e Rrëmajit të qytetit të Shkodres.

Po klasat politike cilat ishin...!? – Asnjë! Terrori dhe vrasjet e komunistëve kishin zhdukë çdo shpresë për ringjallje, jo ma me mendue kush për organizim...Kishte në 1991 nga ata që mendonin për një “parti demokristjane”...po Ramiz Alia vuni barrikadë kundër çdo mendimi politik jo në përputhje me komunistët “ministrinë e drejtësisë”, derisa i erdh fundi i gënjeshtrave të tija dhe shperndau komunistët e besueshëm në filjalet e PPSh, tue u mbështetë fort në spijunët “veteranë” të sigurimit të shtetit. Pamundsia me shpetue asnjë nga “nenet” vrasëse të “Kushtetutës RPSShqipnisë” dhe të Kodit Penal, solli ate që nuk priste as PPSh, as Ministria e Mbrendshme, as Kuvendi Popullor, ku shpresat nuk ishin të vogla, mbasi porsa Ramiz Alia e pa se i doli “tymi” në Komitetin qendror të PPSH, i dha të shtyme Haxhi Lleshit, e u vetshpall President i Shqipnisë. Tashma nuk kishte punë vetëm me një qendër reaksioni, që ishte Shkodra, po kishte punë me Kavajen, Vlonën e gjithë Shqipninë, që ishte çue në kambë e kërkonte pa u frikue nga askush ma: “Liri Demokraci...E duam Shqipërinë si gjithë Europa!”

Deri në vitin 1993 Populli i besoi Sali Berishës, tue mendue se ruente karakterin e një Malësori Shqiptar, i ardhun nga Trojet e Bajram Currit. Kur nga anëtarët e kryesisë së PD filluen me deklarue: “Se e kemi për nder që kemi pasë baballarët komunista!”, aty asht kenë fundi i mashtrimit të Popullit, i cili edhe humbi drejtimin, po edhe optimizmin. Klasa e vuejtun, deri atëherë përkrahëse e PD-së, u çorientue, tue u coptue nga Pjeter Arbnori edhe vetë “Shoqata e të Përndjekunve Politikë Shqiptarë” në “antikomunistë” e ...ku, në drejtim të saj erdhën ishspijunët e burgjeve, që u banë ma të neveritshëm se oficerat e sigurimit, që aso kohe kishin hjekë edhe etiketat me emnat e vet nga dyert e apartamenteve. Partia, se cila “parti” kuptohet, nuk i braktisi ish agjentët e saj. U fol për shumë objektiva, po aktuale pat mbetë “vendosja e tyne” me kostumin demokrat të pardysyve uniforme...në zyrat shtetnore nga Bashkitë e deri në Prefektura...kishte “ndonjë” që arriti të drejtonte edhe PD si në Shkoder...

Nuk ndihej fare era e fanatizmit në asnjë qytet të Shqipnisë. Asht e vertetë që Ata Klerikë që kishin mbetë nga burgjet e diktaturës, kanë kenë model i Atdhetarizmit, tue ba një punë të palodhun për vllaznimin e dashninë në gjiun e Popullit Shqiptar, që asht kenë një model në krejt popujt e Europës dhe Azisë, pa zanë me gojë fare Ballkanin.

Loja tradhëtare e vitit 1997 nxori në shesh “fëtyren” e vërtetë të komunistëve shqiptarë të konvertuem në demokratë, që tradhëtuen Popullin dhe sakrificat e Tij të bame në 46 vjet diktaturë komuniste. Jo vetëm zbuluen surratin e vet, por edhe të trashigimtarëve të tyne, që morën stafeten e të gjitha poshtërsive të baballarëve tue fillue nga krimi i organizuem, vrasjet pa gjyqe mbas kaçubash, korrupsionin, trafiqet, vjedhjet e firmave piramidale, grabitje e plaçkitje pronash me dokumenta fallse, organizimin e mëshehtë të partisë komuniste dhe sigurimit të shtetit me veteranët dhe elementin e ri, tue mjellë frikë, ankth, terror, por edhe tue luftue çdo shfaqje Atdhetarizmi me parullën e njohun nga vetë rrethi i korruptuem i drejtuesve të Shtetit, nga Kuvendi Popullor, Qeveria e deri tek Presidenti i Republikës:

Çkado që kemi bërë ose mund të bëjmë, na kemi të drejtë ta  bëjmë  prap!”.

            Po luftë fetare antikatolike a ka sot në Shqipni? Dikush thotë jo! Në fakt kleri sot asht, si thotë një fjalë e vjeter: “Në kater rrota...”. Gjokset u shndrisin nga “dekoratat” dhe janë frye si gjela detit nga “pasaportat” shqiptare, malazeze, serbe, italiane...shyqyr, ka dashtë Zoti edhe “pa viza” e pa veladona..!

 

            Lufta kundër katolikëve sot vazhdon vetem me të vdekun, kundër Gjergj Kastriotit, Nanë Terezës, At Gjergj Fishtës, Dedë Gjo’ Lulit, Don Nikoll Kaçorrit, At Anton Harapit, At Mati Prennushit etj. Atdhetarë, që as “formalisht” nuk kujtohen as nuk zihen me gojë...

            Pra sot, me të vertetë asht ma vështirë me kenë Atdhetar i vërtetë në Shqipni...

            Por asht shumë ma e vështirë me kenë “katolik i vdekun”! Mbetë edhe pa vorr!



(Vota: 15 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora