E enjte, 28.03.2024, 02:34 PM (GMT)

Kulturë

Isuf Grajçevci: Dita në kalendarin tim të jetës

E diele, 17.04.2011, 06:41 PM


DITA NË KALENDARIN TIM TË JETËS

  

Nga Isuf Grajçevci

 

            Unë nuk po besoja akoma për atë që po ndodhte, duke fshirë lotin në faqe, lotin e dhimbjes dhe të krenarisë. Por, ishte koha që ta bindja veten se është një realitet, se është një e vërtetë. Flamuri që mbaja në duar akoma pikonte gjak lirie. Ishte gjaku i hollë me ngjyrë trëndafili. Gjak i pranverave të përgjakshme, i marseve dhe i nëntorëve të përflakur të lirisë. E shtrëngova fortë me duar, e putha dhe e mbështolla në trup. Këtë herë s’mund të ma gjakos askush, asnjë armik. E shikoja me dashuri dhe po e bindja vetën se kjo që po ndodhte, tashmë ishte e vërtetë. Unë mezi po e mbaja veten. Pamja e kryeqytetit dhe e gjithë Dardanisë po më mahniste me begatitë e saj.

            Asnjëherë nuk kam pasur një ndjenjë të tillë, ndjenjë malli, dashurie, dhimbjeje e krenarie. E diela e 17 shkurtit të vitit 2008, ishte një ditë e veçantë për mua dhe popullin tim. Ishte ditë e rrallë dimri me mot të një pranvere të hershme. Në ato çaste gëzimi i harrova shumë vuajtje të së kaluarës  dhe iu bashkova karvanit të gjatë të dasmorëve, të cilët ia thoshin këngës e po e hidhnin vallen e lirisë. U futa në mesin e tyre edhe pse më dridheshin këmbët. Në sytë e tyre lexova të kaluarën e hidhur dhe të sotmen e gëzuar. Derisa të gjithë po festonin, për një çast mu kujtua se si na kishin larguar me dhunë nga trojet tona. Mu kujtuan vitet në Amerikën e largët, ku bashkë me shumë atdhetarë tjerë kontribuuam sado pak për këtë ditë. Brenda meje zienin mendime të shumta. U përpoqa ta bind veten se tani nuk duhej të mendoja diç të tillë ... U ula në një ulëse afër Sheshit Nënë Tereza, po vështroja e po më kënaqej zemra me kremten që po bëhej. Po mendoja në vete. Përse vallë jemi vonuar kaq shumë? Përse të tjerët na vodhën padrejtësisht lirinë? Këto mendime sikur m’i ngacmonin plagët akoma të pashëruara. Plagët që ende kullojnë gjak. Plagët e shekujve të kaluar në tym e flakë. Ne jemi shqiptarë, jemi pasardhës të  parëve tanë. I përkasim vetvetes, këtij dheu ku jetojmë denbabaden... Unë vazhdoja me mendime e rreth e qark meje gjithçka shndriste ...Dhe, i falem Zotit që më dhuroi një copë jetë që ta ndjej dhe jetoj këtë ditë të diel, ditë të shënuar në kalendarin tim të jetës!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora