E premte, 19.04.2024, 01:31 AM (GMT+1)

Kulturë

Sean Penn, rebeli i kinemasë

E shtune, 10.11.2007, 07:06 PM


Kur e takon për herë të parë Sean, të krijohet përshtypja se ai është një person që mund të të sundojë. Ndoshta e kanë fajin sytë e tij blu gjysmë të përgjumur, që megjithatë duket se nuk lënë gjë përreth t‘i shpëtojë. Është më i shkurtër nga sa ta jep përshtypjen në ekran, kompakt i vetëpërmbajtur, por pavarësisht, ai e konfirmon me mjete të tjera prezencën e tij. Nga larg të jep përshtypjen se është njeri që preferon më shumë të heshtë se të flasë, por gjërat ndryshojnë kur i duhet të flasë për punën e tij, filmat, së fundi për ato të cilëve u ka dhënë regjinë. I fundit i kësaj liste, i katërti është "Në egërsi". Ai bazohet në një histori të vërtetë dhe bën fjalë për fatin e një njeriu shumë idealist, i cili shkoi deri në largësitë e pamasa e të akullta të Alaskës për të vënë në provë kufirin e forcës së vet njerëzore. Ngjarja ka ndodhur në vitin 1992 dhe në fakt bëhet fjalë për një fund të trishtueshëm, pasi protagonisti vdes nga uria 112 ditë pas ndërmarrjes së tij. Sean e pëlqen personalisht shpirtin e aventurës dhe të provuarit e të sfiduarit e realiteteve. Ndërsa flet për filmin, nuk është e vështirë që t‘ia ndryshosh rrjedhën e bisedës e të përqendrohesh te politika. Edhe pse ka fituar çmimin "Oskar" si aktori më i mirë në filmin "Lumi Mistik", në vitin 2004, Seanin e tërheq aktivizimi politik, i cili aktualisht e ka pasionuar dhe përfshirë të tërin. Thotë se është optimist në thelbin e vet dhe se beson që njeriu e ka në dorë fatin e jetës, por për ta zotëruar atë duhet të përfshihesh, të futesh në rrymë, në rrjedhën e gjërave. Të mos përfshihesh nuk është kurrë një opsion. Bindja që tani frymëzon aktivizimin e tij e ka tejkaluar pasionin e tij për të luajtur në filma, madje edhe atë për t‘u bërë regjinë. Ai e ka flakur tutje imazhin e djalit të keq, zhytur në të cilin e shihnin të gjithë deri pak vite më parë, madje që nga momenti i ndarjes nga Madona me të cilën vuri kurorë për herë të parë në vitet ‘80. Në këto kohë të vështira, inati i Sean Penn është drejtuar kryesisht ndaj Shtëpisë së Bardhë. Ai është aktivisti liberal i djathtë më i famshëm i Hollivudit. Më parë këtë titull e kishte miku dhe shoku i tij, aktori tjetër, Tim Robins, regjisori i filmit "Ecja e njeriut të vdekur". Vitet e fundit, edhe pse kishte fituar "Oskarin", Sean është bërë i famshëm si aktor, por edhe si një nga kritikët më të ashpër të politikës së Presidentit Bush. Në tetor të vitit 2002, ai porositi një reklamë prej çerek faqeje në të përditshmen "Washington Post", që në fakt ishte një letër e hapur drejtuar Bushit në të cilën dënohej ashpër politika e ndjekur nga administrata e tij në Irak, si dhe shkatërrimi sistematik që gjithë skuadra e Bushit po i bënte dhe bën lirive civile. Kjo reklamë i kushtoi Penn 56 mijë dollarë, si dhe fillimin e një fame jo të vogël si liberal. Më pas, në gusht, ai u shty edhe më tej duke shkuar në Venezuelë e duke u takuar personalisht me liderin e majtë të këtij vendi, Çavez, i cili është një nga kundërshtarët më të egër të Bushit. "Ndoshta nxehem kollaj, por e vërteta është kokëfortë", thotë vetë Sean. Për veprimtarinë e tij ai ka parë shumë epitete nga media, disa pozitivë disa negativë. Kështu, një revistë, në një shkrim e krahason me një hero kombëtar, ndërsa një tjetër me një njeri të urryer që ngjall urrejtje edhe te të tjerët. "Kur u ktheva nga udhëtimi i parë që bëra në Bagdad shkova drejt e në Memfis, Tenese ku mendova se do të përballesha me inatin e njerëzve, por e dini se çfarë më ndodhi? Ata që nuk ishin dakord me pikëpamjet e mia në lidhje me luftën në Irak, apo me çështjen e dërgimit të shumë trupave amerikane në atë vend më thanë se e respektonin mendimin tim dhe se qëllimi i përpjekjeve të tyre ishte pikërisht lufta për një shoqëri ku njerëzit janë të lirë që të shprehin mendime të kundërta pa pasur frikë nga pasojat. Ka shumë njerëz që më thonë të vazhdoj ta ngre zërin për gjërat në të cilat besoj, e që shpesh janë të kundërta me politikën e Shtëpisë së Bardhë. Kjo më jep zemër", thonë vetë Sean. Ai ka qenë dy herë në Irak, që nga fillimi i luftës në vitin 2003 dhe madje ka shkruar për përvojën e tij në gazetën "San Francisco Cronicle". Ai vetë është i bindur se ka bërë gazetari të vërtetë, madje se ka qenë i pari që ka shpjeguar se cili ishte roli i vërtetë i kontraktorëve të kompanive të mëdha amerikane në Irak. Sipas tij, kur u kthye nga udhëtimi i parë dhe nisi të bënte kërkimet në lidhje me atë që pa, Sean u përball me zyrtarë të cilët i thoshin: Mos je gjë i lajthitur? "Po përse duhet të isha i lajthitur kur dëshira ime e vetme ishte që t‘u bëja të ditur njerëzve që qeveria po mbështeste me paratë e taksapaguesve amerikanë dhe jashtë dijenisë së Pentagonit organizmin e trupave dhe skuadrave të një milicie të fshehtë në Irak?" - thotë Penn. Sipas tij, media e bën një sy qorr ndaj realiteteve të tilla. Pavarësisht inatit dhe pasionit me të cilin i trajton padrejtësitë, Penn më tepër një radikal është një romantik idealist. Ai beson në idealin e një Amerike demokratike, në të cilën politikanët duhet të japin llogari e jo të veprojnë pas shpine. "Nëse vërtet besojmë në demokraci nuk duhet të rrimë duarkryq, por duhet të veprojmë. Ata që po qeverisin tani Amerikën duhet të ishin në burg për dëmet që i kanë shkaktuar vendit, demokracisë. Nëse ne i përcaktojmë gjërat sipas Kushtetutës, atëherëë armiqtë e vërtetë të Amerikës janë në Shtëpinë e Bardhë, në Departamentin e Mbrojtjes dhe Departamentin e Shtetit". Dhe Penn nuk ka ndenjur duarkryq. Kur ndodhi katastrofa e "Katrinës" që nxori në dritë paaftësinë e Shtëpisë së Bardhë, Penn shkoi personalisht në Nju Orlean për të ndihmuar sa mundej njerëzit që u zunë në çark dhe u braktisën. Shumë veta ia detyrojnë atij personalisht jetën e tyre. Ai ndërmori një mision personal, i cili doli me sukses. Në një intervistë që dha pikërisht nga balta e qytetit të përmbytur, ai ngriti zërin e akuzën kundër Bushit dhe njerëzve të tij për paaftësinë që treguan në shpëtimin e amerikanëve të kërcënuar. "Kam kaluar momente që nuk do t‘i harroj në Nju Orleans. Kam bërë shumë miq me të cilët mbaj lidhje të vazhdueshme. Vajtja atje ishte një reagim instinktiv, ishte thjesht dëshira për t‘u dhënë një dorë ndihmë". Sipas gruas së tij, Robin Wright Penn, Sean nuk mendon gjatë kur i shkrep ndonjë ide. I tillë ishte edhe rasti kur ai vendosi të shkonte në Irak për herë të parë në fillim të vitit 2002. "Ideja i erdhi ashtu kot, si gjithmonë, pasi Sean nuk është nga ata njerëz që rrinë ulur kot gjithë ditën dhe i lënë gjërat të ndodhin. Nga kjo anë i ngjan të atit, Leo Penit, që vdiq në vitin 1998 dhe që ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm në jetën e të birit duke i përcjellë gjenetikisht, por edhe përmes shembullit personal veti të larta njerëzore si krenaria, idealizmi dhe dashuria për njerëzit". Kur flet vetë për trashëgiminë e të atit, një i dekoruar i Luftës së II Botërore, Sean thotë se do ta kishte për nder që t‘i ngjante atij, porse i ati ishte shumë më kurajoz dhe trim. Ajo çka të dy kanë të përbashkët, sipas Sean, është zemërimi me të cilin luftojnë padrejtësitë, sidomos ato institucionale. Gjatë 5 viteve të fundit, Penn ka qenë nën hetim nga zyra e kontrollit të aseteve të huaja me organizëm thuajse Orwellian, i cili ka lidhje me Departamentin Amerikan të Thesarit. Sipas Sean, i gjithë procesi i kushtoi shumë para, por më në fund ai është i lirë. Në një intervistë për një revistë amerikane, Penn tha se e vetmja gjë të cilës i druhej gjatë periudhës së hetimit e cila në fakt tentonte që t‘i mbyllte gojën për gjithë sa thoshte kundër qeverisë, ishte se mos i vendosnin ndonjë pako kokainë në makinë dhe pastaj skenari dihet se si vazhdon. Sipas tij ka pasur shumë raste "armiqsh" që e kanë pësuar me vendosjen e grackave nga organet e policisë, të cilat vetë i ngrenë kurthet e vetë vendosin. Pyetja që unë i bëj vetes, thotë Penn, është se a mund të ma bënin mua një gjë të tillë dhe përse nuk ma kanë bërë deri tani? Përgjigjja është se unë nuk kam qenë aq i rrezikshëm sa duhet, se nuk kam qenë produktiv, pra në këtë rast ata janë fituesit dhe vazhdojnë të jenë. "Për momentin unë jam tepër i parëndësishëm dhe zëri im nuk u prish aspak punë", thotë vetë Penn. Ndërsa miku i tij që prej 20 vitesh, këngëtari dhe veprimtari irlandez, Bono, thotë se Penn është një komedian që befas ndryshon pamje kur e ndien se gjërat që kanë më rëndësi në të këtë botë të tilla si familja, miqtë, arti, Amerika… vihen në rrezik. Ai ka trurin më të madh se Alaska dhe zemrën më të madhe se bota. Sa për çmimin "Oskar", Penn e fitoi për rolin e tij të Jimmy Markum në filmin "Lumi Mistik". Me atë rol, ai zuri një vend të veçantë ndër aktorët e Hollivudit, duke u konsideruar ndoshta si i vetmi aktor i aftë të vihet në krahasim me Robert de Niron. Sipas shumë kritikëve, ai është ndër aktorët më të mirë të brezit të tij, është dikush që vendos standarde dhe që gjigantët që kanë shkëlqyer para tij e shohin me respektin më të madh. Por Penn ka edhe një tjetër karrierë, atë të regjisorit. Filmi i fundit i tij "Në egërsi" është një rrëfim i një odiseje që zhvillohet në Alaskë. Është një rol që duket se vetë Penn ka ëndërruar që ta luajë në të ri të tij, pasi rrëfen aventurën e një njeriu të vetëdijshëm për forcën njerëzore dhe që e sakrifikon veten për të parë pikërisht kufijtë e kësaj force. Personazhi kryesor i filmit që është edhe një libër i suksesshëm është Krisi, një i ri, i cili është në kërkim të vendit dhe rolit të tij në këtë jetë. Kërkimi i tij është kërkim për pastërtinë dhe sublimen dhe mbi të gjitha mirësinë. Vetë Penn thotë se e mbështetet plotësisht vendimin e Krisit për t‘i ikur jetës së zakonshme, zonës së konfortit dhe për të provuar qenien e tij aty ku vështirësitë e natyrës janë më të skajshme. "Unë mendoj se sensi i këtij filmi, që në fakt bazohet në një histori të vërtetë është që aventura e Krisit të ndahet me botën". Është pikërisht këmbëngulja e Sean dhe shpirti i tij idealist përzierja që e bën Penn-in një regjisor shumë të zotin dhe shumë të veçantë, një regjisor që punon me zemër dhe për zemrën dhe që jep filma për të cilët ka nevojë sot jo vetëm Amerika, por të gjithë njerëzit. Me filmin e fundit, i cili është një sukses i madh, Penn duket se është duke marrë vendimin e rëndësishëm të jetës së tij atë të të kaluarit nga njëra anë e kamerës në tjetrën pra nga roli i aktorit në atë të regjisorit. Heroi i filmit luhet nga një aktor shumë i ri, një 22-vjeçar i pakonsumuar më parë në kinema, i cili sigurisht që pas filmit të parë do të jetë shumë i kërkuar. Për sa ai përket vet Penn-it, ai gjatë gjithë karrierës ka kërkuar roli impenjative, të vështira që kërkonin shumë punë parapërgatitore. I tillë ishte rasti i "Ecja e njeriut të vdekur", apo "Të gjithë njerëzit e mbretit". Janë role të cilat së bashku me rolin që i dha "Oskarin" te "Lumi Mistik", e kanë bërë atë shumë origjinal, por edhe problematik me regjisorët. Shpesh ai është "kacafytur" me ta në rastin e skenarëve të filmave dhe sigurisht që nuk ka qenë për ta një figurë shumë e dashur. Penn është konsideruar i ashpër dhe ndonjëherë edhe ofendues për vite me radhë, sidomos gjatë viteve të rrëmujshme të martesës me Madonën, por duket se më pas gjithçka shkoi duke u qetësuar për të pas njohjes me aktoren amerikane, Robin Wright Penn në vitin 1989 me të cilën u martua në vitin 1996. Ajo çka Penn pranon për jetën e tij është fakti që i gjithë inati që ai e nxirrte në pah gjatë viteve të rinisë, tani i është kanalizuar në aktivizimin politik. Për të nuk ka rëndësi se nga i vjen nxitja për të kundërshtuar, sepse është i bindur se përpiqet për një kauzë të drejtë. Sipas tij, inati mund të jetë një problem, por ka edhe anën e mirë, pasi është një potencial i fuqishëm që të vë në lëvizje. Varet si e përdor. Por te Penn ka edhe diçka që sot mund të konsiderohet si jashtë mode, një lloj idealizmi, romanticizmi. Veprimi i tij për gjërat në të cilat beson dhe vendosmëria për ta marrë rrezikun në sy, pa menduar për pasojat, gjithmonë nëse bëhet fjalë për një çështje në të cilën ai beson, e largon nga kultura dhe imazhi që dominon sot Hollivudin, ai i materializmit dhe cinizmit. Nuk është një çudi që miqtë e tij më të mirë janë shkrimtarë, gazetarë e aktorë që nuk kanë edhe ata asgjë të përbashkët me modelin e cinizmit, por janë edhe ata nga një tjetër stof. Nëse do të shpreheshim në mënyrë poetike, ata përfaqësojnë mitin amerikan. Duke iu rikthyer edhe njëherë idesë së vazhdimit vetëm të karrierës regjisoriale, Penn thotë: "Regjisura më është kthyer në vokacionin kryesor të veprimtarisë krijuese dhe ka shumë shanse që ta "përqafoj" përjetësisht duke u "divorcuar" nga aktrimi". Po a është e mundur që një nga aktorët më të famshëm e të rëndësishëm të kohës sonë të dalë përfundimisht nga pjesa e dukshme e ekranit? "Le të themi se do të luaj edhe dy filma të tjerë, pas të cilëve do të marrë një periudhë të gjatë pushimi dhe për momentin le ta lëmë me kaq", thotë Penn. Sigurisht, nëse ai do t‘i jepte lamtumirën ekranit të madh, ai do të ishte një vend shumë më pak i këndshëm sesa është tani me prezencën e rrallë të një aktori të madh e rebel.

Skeda

Jeta e hershme

Ka lindur më 17 gusht të vitit 1960. Është biri i një regjisori dhe një aktoreje.

Karriera filmike

U shqua me filmin e tij të dytë në vitin 1982, "Kohë të shpejta" në të cilin luajti rolin e përtacit, Jeff Spicoli.

Ka luajtur në 40 filma dhe është nderuar me çmimin Oskar për rolin kryesor në filmin "Lumi Mistik" në vitin 2004, ndërkohë që ka qenë 4 herë kandidat.

Jeta personale

U martua me Madonën në vitin 1985. U divorcua në vitin 1989, pas një marrëdhënieje shumë të egër.

Është burgosur për 32 ditë në vitin 1987 për fyerjen e një fotografi gjatë një momenti xhirimi.

Nisi marrëdhënien me aktoren Robin Wright Penn me të cilën u martua në vitin 1996. Çifti ka një djalë adoleshent dhe një vajzë dhe aktualisht jetojnë në Kaliforni.

Vëllai i ri i Penn, Kris, edhe ai aktor, vdiq një vit më parë për shkak të një problemi me zemrën.

Aktiviteti politik

Nxori një reklamë në faqet e "Washington Post" në tetor të vitit 2002 ku i bëri thirrje Bushit që të hiqte dorë nga plani për të sulmuar Irakun. Ai e ka kritikuar vazhdimisht administratën amerikane për shkelje të lirive civile.

Në qershor të vitit 2005, kreu një vizitë në Iran në pozicionin e një gazetari. Ka vizituar edhe Irakun.

Shkoi në Venezuelë dhe u takua me Presidentin Çavez në Karakas, në gusht të këtij viti, dhe e lëvdoi për politikën e ashpër ndaj Presidentit amerikan, Bush



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora