E marte, 23.04.2024, 07:28 PM (GMT+1)

Kulturë » Berisha

Sejdi Berisha: Zogu në dritare, takimi iluzionist me kafshët dhe bota e përtejme...!

E shtune, 16.04.2011, 07:58 PM


E  S  E

 

Sejdi BERISHA:

 

ZOGU NË DRITARE, TAKIMI ILUZIONIST ME KAFSHËT DHE BOTA E PËRTEJME...!

 

U zgjova herët.  Besoni, ishte ditë e zymtë sa që ta prishë edhe thelbin e mendjes, ose, mërzinë ta rraste thellë në atë vendin që është përbrenda dërrasës së gjoksit! Mendova, dhe, këtë ide ma diktoi pikërisht zymtësia e ditës. Më falni. Jo e ditës, por e kokës se si ta marr me të mirë, jo vetveten por gjymtyrët e këtij trupi me rrënjë, trung dhe me kurorë këtu në skutë të botës, apo në këtë qendër vlimi. Andaj, ja si ia nisa. Më iku mendja tek shpezët dhe shtazët; sepse, shpezët janë edhe shtegtarë, kurse kafshët jetojnë me karakteristikat e besnikërisë dhe të sinqeritetit. Por, që të dy këto përcaktime të zënë pisk për të shpjeguar diçka mirë e mbarë. Megjithatë, është atraktive të rrugëtosh me gjuhën, me këngën dhe me madhështinë e tyre, të cilat jo rrallë i turpërojnë ato të njeriut. Ama, mu të njeriut, de...!

 

1.

Një ditë dimri, plotë acar, me borë dhe akull, në dritare kishte ardhur një harabel, i cili duke lëkundur bishtin simpatik, lëvizte herë në një anë e herë në anën tjetër të dritares. U shtanga pranë dritares duke e shikuar “lojën”e harabelit, i cili edhe cicëronte e herë me sqepin e vogël trokiste në xhamin e dritares, që përbrenda kishte vënë shtresë mjegulle. Një kohë bukur të gjatë ai qëndroi në dritare duke bërë punën e vet, apo ndoshta edhe aktronte. Ku ta di. Por, shumë më grishi trokitja në xham me atë sqep të vogël të tij. Çfarë kërkonte, apo çfarë mesazhi ma impononte. Kur e pa se unë vetëm veneroja plogshëm, i dha forcë edhe njëherë me sqep “trokitjes” në xham dhe i zemëruar duke e hedhë furishëm një glasë në dritare iku plotë zemërim.

Vërtetë, një sjellje e tillë m’u duk provokim, që tash më lëvizte si larvë nëpër mendje...  pasi që tani më kishte ngelur edhe shikimi në xhamin e avulluar, dhe sikur më bëhej se duhet pasur kujdes që të mos i  lëndoj as shpezët dhe as shtazët.

Dikur, kur isha kalama, duke lozur në oborrin e shtëpisë, ia kishte behur një kaproll i vogël, një drenushë, e cila mu afrua mu si fëmija tek e ëma. Mu afrua duke fërkuar kokën e saj të butë për trupin tim. Nuk dija se ç’po ndodhte. Ndoshta pse isha i vogël. Por, drenusha nuk më ç’kapej dot nga trupi, e cila filloi të dridhej si thupra në ujë. Kurrë nuk kisha dëgjuar se në fshatin tonë ishte parë ndonjëherë ndonjë kaproll mali. Tentova ta përkëdheli edhe unë, por drenusha me balushë të bardhë në ballë sikur nuk e duroj dorën time. Me siguri kërkonte diçka tjetër. Nuk dija se çfarë të bëj përveç se e hapa derën e ahurit, dhe së pari vet hyra brenda, kurse ajo, pa fije hamendje erdhi pas meje, ama mu si fëmija pas prindit.

E mbylla derën dhe pastaj pasoi rrëfimi i kësaj përralle, duke ia shpjeguar nënës këtë befasi. Por, çfarë ndodhi. Drenusha akoma vetëm dridhej. I thash nënës se mos ky dren i vogël është i uritur. U pajtua edhe ajo me mendimin tim, kështu që drenushën e afruam te lopa Kuqeshë, e cila nuk kishte kaluar muaji që kishte pjellë dhe e kishte qitur në dritë një viç kuqalosh. Të kuq si gjaku. Drenusha filloi të thithte gjirin e nënës së huaj, kurse, Kuqesha, me siguri gjithnjë kujtonte se është duke e ushqyer pjellën e vet.

Më besoni, tërë natën nuk bëra gjumë duke u shoqëruar me drenushën e vogël, e cila tash nxitonte tek Kuqesha. Në ag, kur ishin zgjuar të gjithë, e hapa derën e ahurit për t’i treguar edhe njëherë nënës për bukurinë e drenushës-engjëll. Ndoshta edhe ka qenë engjëll! Por, çfarë ndodhi. Posa hapa derën, drenusha mori vrapin dhe iku nga shtëpia jonë. E kishte braktisur edhe fshatin! Kështu që, sot e asaj dite nuk di të shpjegoj gjë tjetër për te, për këtë ndodhi. Por vetëm një gjë më ka ngelur si pikëpyetje e madhe: vizita e befasishme e drenushës në shtëpinë time, dridhjet dhe urtësia e saj, por edhe thithja në gjirin e nënës së huaj. As kjo s’më mbeti edhe aq merak, pasi veç ajo iku e ngopur me qumështin e lopës sonë. Ndoshta, nuk e ka harruar këtë të mirë?!!

Tash e kuptoj, se ky ishte takim iluzionist me një kafshë... Takimet e tilla janë shumë domethënëse, sepse, edhe ato kanë qëndrim dhe besnikëri të veçantë. Ja, pse. Njëherë, në bjeshkë, ku zakonisht në verë barinjtë i sjellin atje në kullosa bagëtinë, një ujk kishte rënë ndër dele, dhe si me kokallë e kishte zgjedhur dhe e kishte prerë në fyt delen më të mirë, pastaj e kishte bartur në thellësi të pyllit të egër. Mirëpo, qeni Bardhosh i bariut i kishte rënë në gjurmë dhe e kishte zënë ujkun në “flagrancë”. Pas një beteje, Bardhoshi, që ishte edhe roje delesh, e kishte prerë po ashtu në fyt ujkun. Dhe tani, ai nuk lëvizte, por kishte hyrë në mes dy “viktimave”, për ta ruajtur delen dhe për të treguar vendosmërinë e besnikërinë ndaj bariut, derisa të vjen ai.

Kjo ngjarje kishte zgjatur deri në orët e vona të mëngjesit, kur bariu i kishte rënë në gjurmë këtij dëmi. Qeni ishte ngritur në dy këmbë dhe ia lëpinte fytyrën bariut në shenjë keqardhjeje për dëmin por edhe në shenjë krenarie që e kishte kryer detyrën duke e “ekzekutuar” ujkun. Kënaqësi ishte të keqsh në atë kohë një qen besnik si Bardhoshin!

Kështu, takimi iluzionist me kafshët, besoni, se nëse e studiojmë këtë fenomen, atëherë, ky gjithnjë e më shumë merr peshë historie por edhe fuqi mitike. Nëse e bëjmë një krahasim me njeriun, atëherë dalin shumë defekte të cilave dot nuk u gjendet fija as lëmshit. Merrje me mend, po ta kujtojmë edhe këngën e Zekës dhe shqelmin e kalit, çfarë tragjedie do të “trillohej”! Mirëpo, për këtë të fundit, vetëm këndohet kënga e cila gjithnjë përjetohet thellë dhe therë në loçkë të zemrës.

Mos të shkoj tutje, sepse takimi iluzionist me kafshët pastaj do të shndërrohej në përrallë apo histori. Pasha nënën, kështu duket të jetë. Khuuu!... Sërish m’u kujtua harabeli në dritaren e shtëpisë sime, zemërimi i tij dhe përplasja e glasës në xhamin e avulluar në atë acar, në atë kohë akull...!

 

2.

Njerëzit janë kureshtarë për të ditur për botën e përtejme, e askujt nuk i ha palla se si është dhe si duket ajo. A preket ajo, a dhemb apo është far shkëmbi, dru i lashtë apo edhe gjë që kapërdinë gjithçka, por edhe që fshehë dhe strehon po ashtu gjithçka. Ama, për këtë gjë, bash askush nuk di, ose gënjen me të madhe! Mirëpo, po që se bën lojë njeriu për ta analizuar këtë temë, besoni se futet përbrenda të së përtejmësh, ku edhe do të mbetët pa mend nga bukuritë, madhështitë, nga gënjeshtrat, tradhtitë por edhe nga besnikëritë. Mu sikurse këtu tek ne, po dua të them, në botën ku jetojmë.

Rastësisht u gjenda në te, dhe këmbët se jo mendja, më shpurën në një qytet ku ndërtesat ishin tjetërfare, rrugët ndryshe dhe gjelbërimi kurrë i paparë. U ula për t’u freskuar me një kafe, derisa ta marr veten për t’u njoftuar me ato madhështi. Por, prita aq gjatë për atë kafe, sa mu desh të iki. Interesant, mu sikurse këtu, në mesin tonë. Askujt nuk i bënte përshtypje asgjë për asgjë! Atëherë, thash:

-Pse, botë e përtejme?!... Rrenë qoftë!

E pyeta njërin për historikun e qytetit. Ai, vetëm më shikoi dhe ktheu kokën anash duke përplasur pështymen në tokë, kurse, mu duk se toka sikur u zemërua dhe ia mbërtheu me nënë!

U tremba, por kur dola nga kjo kllapi pasi isha daktisur nëpër botën e përtejme, saora pashë vetën se ndodhesha në një shpellë të errët, në të cilën, një lakuriq s’më ç’kapej. Tërë kohën më sillej rreth kokës.

-Athua, kjo qenka bota e përtejme, a?! -thash duke vështruar rreth e rrotull, derisa një zë-oshtimë më këshillonte:

-Jo! Bota e përtejme është atje, matanë atij zjarri të llahtarshëm. Atje është ajo. Por, për ta ditur, së pari duhet të kalosh nëpër atë zjarr, e pastaj, do ta shohësh malukatin e së përtejshmes!

Ngela duke e matur vetveten se a mund të kaloj nëpër këtë flakë, por edhe duke menduar se çfarë do të ketë matanë zjarrit. Kështu, padiktueshëm u afrova te zjarri i cili u bënte dritë dy balleve të shkëmbinjve të shpellës, në të cilët qëndronin dhjetëra piktura. Asnjëra nuk kishte pamje prej njeriut. Ishin piktura që shprehnin figura kafshësh. Po, pse ishte kështu?!... Duke menduar për ta gjetur përgjigjen, flaka dhe zjarri gati më gëlltiten. Kështu, ngela me mendimin në kokë për pikturat në shkëmbinj, ndërsa zjarri e bënte të veten, e përtej tij përpëlitej e përtejmja, bota...  Andaj, të themi se nuk ka mbetur gjë tjetër pos të “studiojmë” botën e përtejme dhe pikturat në shpella! Edhe kjo ka vlerë. Nuk është keq, sepse, mësohemi edhe kështu për të studiuar...!

 

3.

Luftërat janë shenjtëri, por edhe gjëja më e keqe dhe jonjerëzore që ka ndodhur dhe mund të ndodh. E shenjtë,... e dini pse? Pikërisht, mu për këtë arsye, një ditë mendoja për atdheun, për kombin. Nëpër sa luftëra e beteja kanë kaluar dhe çfarë nuk kanë flijuar e flijuar. Këtu qëndron pesha e të gjitha të mirave, barra e të gjitha të këqijave, tharmi i së mirës dhe i së keqes.

Duke u ankuar për luftën, dikush pat thënë se lufta, pastaj, dikur më vonë, çoroditë dhe shtrembëron shumëçka. Për këtë, njeriu, mjerisht, nganjëherë vetëm rrudhë krahët dhe asgjë tjetër. Në këtë vazhdë, si pa dashtë më iku mendja te një luftëtar, tek një strateg, i cili ka përjetuar dhe ka qenë udhëheqës e dëshmitar i shumë betejave. Sa të lavdishme dhe të ndritshme janë ato kur i shpjegojmë dhe i rrëfejmë. Si përralla na dukën!

Nga kjo krenari që më erdhi si zenit në bebëzën e syrit, e pyes një mik timin:

-Pse ai luftëtar nuk bën libër për luftën, dua të them për përjetimet dhe për kujtimet nga lufta?!!

Ai vetëm buzëqeshi me plotë gojën uthull dhe pezëm:

-Eh, a di se çfarë më ka thënë?

-Nuk kam ide. -i thash me padurimin se do të më përgjigjet se është duke shkruar bile edhe mirë, besa. Ose, do t’i shkruajë.

-Më ka thënë se kujtimet e tij do të shkojnë bashkë me te në varr!

Shih, çfarë është lufta. Ec e bjeri në gjurmë gjërave të tilla. Çfarë provokimi më bëri ky qëndrim për ta vrarë mendjen,... për ta analizuar ecjen e çuditshme të jetës “mrekulli”. Lufta,... çfarë është ajo?! Më mirë le të “mbetemi” pa vepra, pa memoare e pa libra historie...!

 

4.

Edhe pak për luftën. Nga kryeqendra, nergut për të më takuar kishte ardhur njëri të cilin kurrë në jetën time as nuk e kisha parë as nuk më kishte parë, por vetëm i kishte lexuar shkrimet e mia. Pasi u takuan, më thotë:

-Kam ardhur për t’u takuar me ty dhe me të përgëzuar për shkrimet tuaja aq të angazhuara, aq të ngrohta, domethënëse dhe preokupuese,... që, në të parën të bëjnë për vete...

U stepa dhe as nuk fola gjë, pos që më iku nga goja fjala “faleminderit”.

Ky njeri, R. F., kishte përjetuar luftën si të thuash në shumë akte. Kështu më shpjegoi disa ditë më vonë miku im R. B., i cili e njihte mirë për nga puna dhe profesioni. Gjatë luftës, ai nuk ishte larguar nga vendlindja, për këtë edhe e kishte pësuar me rrahje, maltretime dhe torturime. E kishin pranguar, dhe me duar të lidhura pas qafe e duke e dërguar për në pushkatim, Zoti e shpëton. Në atë moment kishin ndodhur bombardimet dhe ky shpëton nga vdekja... Por, tek familja që nuk e dinte as ku i gjendej, ishte shpallur si i humbur, kishin menduar se ndoshta edhe ishte vrarë. Ky i pafat me fat të madh, e dinte se miqtë i kishte diku në perëndim, dhe e lutë një ndërkombëtar t’ia mundësojë një telefonatë. E thërret mikun e vet.

-Alo, alo! -me padurim priste përgjigjen përtej celularit, për të treguar se është gjallë, por edhe për të mësuar diçka më shumë për fatin e familjes së vet. Por, matanë telit dëgjohet një zë femre i përzier me vaj e me gëzim në të njëjtën kohë.

-O, mami! Mamiii,... ky është zëri i babait. Babi qenka gjallë!...

Pa përshkruar më tej, ky ishte takimi i prindit të “vrarë” me vajzën dhe me familjen e vet pas luftës.

E dhembshme është rrjedha e jetës. Për atë kemi përgjegjësi për ta praruar dhe respektuar atë. Eh! Ç’sjellë lufta...!

 

5.

Me një rast, kisha lexuar se në vendin tonë të “vogël” janë trembëdhjetë mijë qytetarë me hendikep, dhe vetëm tridhjetë e katër prej tyre paskan pasur fatin të studiojnë në fakultete të ndryshme. Le të themi se ky nuk është lëshim, por “rastësi”.

Merrje me mend, nganjëherë ecjet e njeriut janë më të ngadalshme se ato të breshkës! Shëmti kohe,... s’është vetëm kjo. Çfarë matematike...!



(Vota: 16 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora