E merkure, 24.04.2024, 05:28 PM (GMT+1)

Kulturë

Dashuria në kohën e Gabos

E marte, 13.11.2007, 07:00 PM


Një libër legjendar, një regjisor i sofistikuar, një skenarist i adhuruar nga Polanski dhe aktorë në karrierë. Një fragment nga filmi i një ndër kryeveprave të Gabriel Garcia Marquez

Kanë kaluar 22 vjet që nga koha kur Hollivudi i kërkonte Gabriel Garcia Marquez të drejtat kinematografike të romanit të tij bestseller "Dashuria në kohërat e kolerës" (publikuar në vitin 1985). Autori kolumbian, i cili ka marrë edhe çmimin "Nobel" për letërsinë (1982), ka mbajtur një qëndrim të ashpër deri para dy vitesh, kur një producent i "New Line Picture" e bindën me logjikë se nuk kishin të bënin me pasurinë, të cilën 80-vjeçari (të cilit i thërrasin Gabo) e disponon me bollëk. Argumentet bindëse ishin: një regjisor i vërtetë, një skenarist që është i zoti të punojë mbi tekstet e sofistikuara, një aktor skenik, një protagoniste të bukur dhe të zonjën. Pra, të gjithë përbërësit për një "Oskar".

Teksti i skenaristit nga Afrika e Jugut, Ronald Harwood, në vitin 2000 me filmin "Pianisti" të regjisorit Roman Polanski fitoi Statujën e Artë të Akademisë për skenarin më të mirë (dhe me Roman Polanskin ka punuar për të mrekullueshmin "Oliver Twist"). Ai vë në dukje stilin - pak rrëfim e pak komedi - të sagës së dashurisë së Fiorentinos për bukuroshen Ferminën, në harkun kohor prej më shumë se 50 vitesh në Kolumbi, mes viteve 1800-1930, si dhe natyrën e ndërlikuar të një njeriu sa me pasion të stuhishëm, aq edhe me një pastërti të thellë emotive. Regjia, besuar anglezit Mike Newell (regjisori i filmit të famshëm "Katër martesa dhe një funeral"), garantonte arritjen e komedisë romantike të sofistikuar. "Marquez pranoi të konsultohej dhe na dha ide të çmuara gjatë xhirimeve. Pasi lexoi versionin e parë të skenarit më tha: Problemi i vetëm i përshtatjes suaj është se filmi i qëndron shumë besnik librit tim. Duhet të bëni ndarjet dhe të ndiqni versionin tuaj", është shprehur producenti.

Filmi është xhiruar në Kartagjenë, qyteti historik kolumbian në bregun atlantik, që nuk është përmendur kurrë nga Marquez në librin e tij "Dashuria në kohërat e kolerës", por që merret me mend, pasi është edhe pika e referimit të romanit të përkthyer në dhjetëra gjuhë. Ai tregon historinë e mrekullueshme të sensualitetit dhe erotikës, që lidhet me pastërtinë e shpirtin e Fiorentino Arizas, (interpretuar nga Javier Bardem), i cili po kapërcen të 53-at e jetës së tij, duke ëndërruar që një ditë të mund të joshë bukuroshen Fermina Daza (Xhovana Mezoxhorno). Pritja e Fiorentinos, një telegrafist i varfër, është e gjatë, sepse Fermina, që kur ishte e re pranoi fjalët e babait dhe u martua me Juvenal Urbinon, një doktor shumë i pasur. Por, pavarësisht kësaj martese, adhuruesi i saj i madh vazhdon të dëshirojë vetëm atë. "Personazhi im aspiron jo vetëm në trupin e një femre, por në një sferë koshience më të lartë, diçka të ngjashme me kërkimin e natyrës hyjnore. Por, në pritje për të pasur Ferminën, "fisniku" Fiorentino numëron rreth 600 marrëdhënie. Por, pavarësisht kësaj, një pjesë e tij ka mbetur ende e "virgjër". Njëra anë është tradhtia dhe tjetra pabesia. Fiorentino është njeri i besës. Kjo është pjesa më delikate e historisë, sepse të bëjnë gjithnjë për të qeshur faljet e dikujt që po gënjen dikë tjetër. Por, Fiorentino është i bindur se nuk e ka gënjyer kurrë Ferminën dhe kjo është e vërtetë", shpjegon aktori.

"Dashuria në kohërat e kolerës" është shfaqur më 11 nëntor të këtij viti në Institutin e Festivalit të Filmit Amerikan. Ai do të dalë së shpejti edhe në kinematë evropiane. Është një film i epokës kozmopolite, recituar në gjuhën angleze.

Regjisori, i cili ka drejtuar filmin "Harry Potter dhe kupa e zjarrit" është në korent për sugjerimet e fansave latino-amerikanë të librit të Marquez, që do të kishin dashur të shihnin filmin xhiruar në gjuhën spanjolle. "Pra, do të thotë se ne nuk mund të bëjmë asgjë jashtë limiteve të idiomës, në të cilën janë shkruar veprat origjinale? Atëherë nuk mund të prodhojmë një version në gjuhën bullgare të ‘Hamletit‘, apo një version argjentinas të ‘Lufta dhe paqja‘. E kuptoj ndjeshmërinë kulturore, por liria artistike nuk ka kufij", është shprehur regjisori. Aktorja, e cila luan rolin e Ferminas, është shprehur se nuk ka qenë e thjeshtë të shpalosje të gjithë atë kryevepër në një film. "Romani është i gjatë e ka shumë personazhe dhe unë pyesja veten se do të arrinim ta mbaronin filmin për dy orë. Sigurisht, skenaristit i është dashur të shkurtojë disa pjesë dhe ka qenë një detyrë e vështirë". Për pesë muaj gjatë vjeshtës dhe dimrit të shkuar në Kartagjenë është ndërtuar deri në detaje një qytet që i afrohej stilit të jetës në periudhën e treguar nga autori, me veshje të epokës e shumë karroca. "Në Kartagjenë kemi gjetur një sens të veçantë dhe kemi përjetuar një ndjenjë magjike", tregon regjisori.

Ndërsa aktorja shprehet se: "Nuk do të mundem ta shoh Kartagjenën për dhjetë vitet e ardhshme, por duke kaluar aty një kohë të gjatë na ka ndihmuar të gjithëve të hyjmë në botën e Marquez. Për mua, të recitoja në këtë rol ka qenë një punë vërtet madhore". Autori ka treguar shpesh se për romanin e tij është frymëzuar nga historia e dashurisë së gjyshërve të tij. Gjithashtu, edhe regjisori sheh shumë elementë autobiografikë në këtë libër. "Është një roman që më ka prekur në zemër. Gjithnjë kisha ëndërruar që të realizoja një film mbi martesën e gjyshërve të mi dhe personazhet e librit i përngjasojnë, edhe pse në një mënyrë ndryshe. Është një martesë që ka zgjatur më shumë se 50 vjet e më pas ajo u ‘mbyll‘ në kasafortë", tregon regjisori.

"Roli i Ferminas ndryshon jashtëzakonisht nga unë. E respektoj dhe e admiroj Ferminën, por mendimi im për dashurinë është komplet ndryshe. Është diçka që duhet ta ndërtosh çdo ditë, në të cilën jeton gjëra të bukura. Unë jam e vendosur si Fermina, nuk besoj se do të jem kaq shumë e sigurt në zgjedhjet e mia, por kuptoj se si dashuria e dikujt që të adhuron, të nderon thellë. Është një dashuri e bërë me poezi, petale trëndafilash, letra dashurie, mund të të trembë", tregon aktorja. I vetmi që duket se nuk ka pasur frikë nga kjo histori (as në jetë, në libër dhe film) është pikërisht ai, i madhi Gabo.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora