E premte, 19.04.2024, 12:31 PM (GMT+1)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: DNA–ja tregon!

E premte, 15.04.2011, 07:59 PM


DNA – ja… TREGON !

 

Nga Fritz RADOVANI

 

Dikur përdorej një shprehje: “Të marrin (budallen) mos e pyet se të tregon vetë!”

Posa ndigjohej një emen fisi ose familje të vjetrit dinin me tregue edhe për squtsinë apo ma të përmendunit e në za të tyne...Kjo lidhej me numrin e vogel të popullsisë që kishin qytetet dhe fshatrat tona, mbasi mbiemnat ishin aq të njohtun sa shpesh njeriu nuk kishte nevojë me pyet për një fis se i cilës krahinë ishte po mënjëherë e përcaktonte fisi apo mbiemni i tij, kjoftë edhe i panjohtun. Mirditësit zakonisht njiheshin nga përdorimi i tre emnave bashkë, i përsonit, babës dhe i fisit nga vinte. Atypëraty, përcaktohej edhe idea që kishin njerzit për djelmët e squtë që kishin nxjerrë fiset e asaj krahinë...

            Edhe në zgjedhjet e para të dhjetorit 1945, u ruejt njëfarë tradite në caktimin e disa deputetëve tue ua përshtatë emnat e tyne krahinave ose disa familjeve të njohuna në qytete ku u caktuen si deputet. Ma vonë kandidatët e frontit ishin të njohun kryesisht nga shërbimi që ata i kryenin partisë komuniste dhe sigurimit të shtetit. Prejardhja proletare e varfer ose e ultë erdhi tue u sfokue, mbasi të gjithë ishin në përgjithsi si ka thanë At Gegë Luma, shtresë e “poshter ose e ultë”... Ai e bante këte përcaktim nga dokumenti i parë që ishte lëshue në janarin e vitit 1945, kur ishte arrestue nga forcat e ndjekjes në Berishë, ku ishte shenue edhe shtresa shoqnore e tij “shtresë e lartë”. Ai e pranonte këte “cilësi” se “jam me të vërtetë i naltë, si më ka përcaktue karakterin prokurori që ka lëshue fletën e arrestit tem se ai e ka ditë se për nga pasunia jam ndër ma të vorfnit e Dukagjinit, mbasi po t’ ishte fjala për pasuni, – u thonte komunistëve që kishin hy ndër burgje, – ju do të ua kishin shenue shtresë e naltë se, të gjithë jeni ma të pasun se unë...po, ua kanë shenue “e poshtër ose e ultë” se ju kanë njohtë si të tillë...” Ky mendim mbizotnoi mbi 45 vjet.

            Në vitin 1991 në Shqipni mendohej me u ba zgjedhjet e para mbas ramjes së komunizmit, ku deputeti i cilësdo “parti” duhet të ishte i pastër në “dosjen” që ruhej nga Ministria e Mbrendshme në Tiranë. Me datën 28 shtator 1991, kur po diskutohej se kush do të ishte në Kryesi të komitetit të Shkodres, besoj u kujtohet “shokëve” të pranishem të “partisë socialiste” fjala eme: “Se ju nuk e keni vendin ma në këte ndertesë as ndër këto tavolina, por ndër ferma dhe ndër rradha tue kërkue punë, ashtusi keni lanë mija vetë mbas dyerve të këtij komiteti për 46 vjet...” Pak kush i përkrahu mendimet e mija... pat edhe nga “ata” që më quejtën “ekstremist”...madje, edhe të përsekutuem nga diktatura!

            Sot mbas 20 vjetësh “pastertia e figurës” asht harrue... Janë harrue edhe emnat e shumë “fiseve” të njohuna që kanë lanë gjurmë të pashlyeshme në sigurimin e shtetit me veprat e tyne kriminale. Janë harrue edhe vrasësit e torturuesit e vazhdueshem të popullit shqiptar, gja të cilën e vërteton edhe vetë Presidenti i Republikës me dekorimet e tija. Nuk do të hyj fare në analizat e krimit të organizuem, korrupsionit të turpshëm të vetë qeveritarëve që drejtojnë shtetin, as në kacafytjet e tyne për karriga e kulltukë të flliqun të Parlamentit Shqiptar, as në qendrimet e tyne ndër ato tribuna, mbasi kjo analizë duhet të bahet nga vetë “ata” që janë pranë atyne ngjarjeve dhe nën dhunën e tyne. Unë vetëm do të përsëris se: “Me çfarë surrati do të dalin para Popullit Shqiptar në fushaten e tyne të turpshme elektorale Presidenti i Republikës, Kryetari i Kuvendit Popullor, Kryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, kur  paturpësisht “heshtin” ndaj dekoratave të tradhëtarëve dhe të kriminelave të Popullit Shqiptar dhe Atdheut, që Enver Hoxha, Ramiz Alia, Nexhmije Hoxha dhe gjithë tarikati i tyne tiran, vrasës dhe terroristë vazhdojnë me pasë në gjoks dekoratat e krimeve të kryeme tash 65 vjet mbrenda e jashta kufijve të Shtetit Shqiptar?”

           Për tjerat vepra le të flasin vetë Populli në kurrizin e të cilit do të ndertohet godina e “re” e Shtetit Shqiptar, aty ku zhvillohet edhe “dueli” i “dy bajraktarëve” modern...

            Me siguri koha e “hapjes së dosjeve” tashti ka “kalue”...janë kenë disa shprehje që përdoren edhe sot: “Parja shpon detin!”... “jo ma një karton dosjesh...” “hajnit i ka boxh Mbreti” që tash asht zëvendsue me “Presidentin”.Edhe Presidenti i paguen borxhin!

“Njena dorë lanë tjetrën e të dyja lajnë faqet...e zeza të tyne...!” etj...

            Shqipnia asht edhe “pasqyrë” e Kosovës... Fillojnë e ngatrrohen “rejat” në Tiranë e u del tymi në Prishtinë... ministri i arësimit në Kosovë, nuk mundet me durue në zyret e asaj ministri Figuren e Nderueme të Atdhetarit Ibrahim Rrugova, dhe vendosë heqjen e Tij, bashkë me foton e Nanë Terezës. Heqja e Prof. Rrugovës edhe “justifikohet”, se po mos t’ ishte lufta që ka ba Rrugova për Lirinë e Kosovës, ajo do të vazhdonte me kenë edhe sot me etiketën e shovenistëve sllavoserb“një shtet islamik që nuk meriton me kenë jashta kontrollit serb!”, kështu thonte edhe i “mendshmi” Marksi në vitin 1878...

            Po heqja e Nanë Terezës pse bahet? Ajo pra, edhe kokën e ka të “mbulueme” me qarqaf! Sado fanatik dhe injorant me kenë ministri atje, ai këte e di ma mirë se unë!

            Edhe Kosova nuk besoj se ka nëvojë me hapë “dosjet”!!

            Rreth viteve 60 ishe mësues me një mirditas, të ndjerin Zef Preng –Jaku...burrë i moshuem në prag të pensionit, po edhe me cilësi të rralla qytetare. Një ditë e ngacmova për një mirditas jo inteligjent që drejtonte edhe organizatën e PPSh, së shkollës...sigurisht ashtu i duhej partisë sekretari i organizatës komunisti Marka Pjetri...

            Zefi më shpjegoi: “Kur ishte koha me le një djalë në Mirditë, mblidheshin të gjithë bajrakët...dhe caktonin që për sivjet “marrinë” e gjithë Mirditës po ua lamë atyne që lindin në X bajrak...Kështu, kur kam le unë, më pat mbetë mue!”....u qeshem...po, Ai vazhdoi: “Kur ka le Marku, ia lane marrinë bajrakut Markut, se e dinin se ky do të bahet edhe sekretar i partisë komuniste...e nuk i duhen ma shumë mend se kaq... n’ atë parti!”

            Ndoshta në Kosovë vazhdon edhe sot ajo traditë!...

            Ka mundësi që edhe kur ka “le” para tri vjetësh shteti i Kosovës, janë mbledhë...e ia kanë lanë turpin e faqen e zezë të krejt qeverisë...ministrit t’ arësimit!

            Të gjitha këtyne ngjarjeve u ka kalue koha...përveç “bajrakut të kuq” e, pranë tij edhe ai “blu”... Kështu do vetë Europa! As qeveritarët tonë s’ ua prishin “qejfin” atyne! Ata janë kenë e janë prap sot për sa ma shumë “flamurë” në duertë e... mos harroni kurrë kur flisni për këta padron të shtetit “xhepat” e tyne...që po i shkyhen nga ...

            Asht mirë që deputetëve apo ministrave që kerkojnë me zbatue sot ide të tilla si ministri i arësimit të Kosovës, përpara zgjedhjeve me ua ba DNA ...

            Me këte rasë edhe njëfarë Ramzi Hasanit në Ferizaj, asht mirë me ia ba analizat, se përderisa merret me homoseksualin Enver Hoxha...ka nevojë edhe ai për dishka...

            Ajo tregon çfarë “gjakut” trashigojnë qeveritarët tonë sot, përveç gjakut Shqiptarit që nuk e kanë asnjë pikë në farë as në fisin e tyne as në Shqipninë Nanë e as në Kosovë!

            DNA – ja tregon origjinen e vertetë të “gjakut” tyne!

 

Melbourne, Prill 2011.



(Vota: 8 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora