E premte, 29.03.2024, 11:04 AM (GMT)

Kulturë

Dom Nik Ukgjini: Ja si u zhdukën eshtrat e Fishtës, Mjedës e Shantos

E premte, 15.04.2011, 06:57 PM


"Ja si u zhdukën eshtrat e Fishtës, Mjedës e Shantos"

 

Nga Brikena Shllaku

 

SHKODER -Eshtrat e emrave të mëdhenj të kulturës dhe historisë së kombit shqiptar si Fishta, Mjeda, Zadeja, Shantoja, Harapi etj, mund të jenë zhdukur pas '90-ës, ndërsa ka lulëzuar shitja e varreve. Në Shkodër, prej vitesh vazhdon tregtia e zezë e varreve. 300 mijë lekë kushton vendi për një varr trekatësh në varrezat e Rrmajit. Në kohë krizash dhe mungese të mallrave në treg jemi mësuar të dëgjojmë për tregti të zezë të bukës. Tashmë në Shkodër vazhdon një tjetër tregti e zezë. Bëhet fjalë për tregtinë e shëmtuar të varreve në varrezat katolike të Rrmajit. Mungesa e sipërfaqes për varre të reja nga njëra anë, dhe dëshira e madhe e familjarëve që në këto varreza të prehen të afërmit e tyre, ka bërë që të lulëzojë masakra e madhe; dhunimi i varreve ekzistuese, prishja e varreve të vjetra, hedhja në lumin Kir e eshtrave të të tjerëve dhe shitja e tokës për varr të ri. Jo vetëm kaq, por bëhet edhe mbivendosja e varreve. Mbi eshtrat e varreve të vjetra vendosen varret e rinj, të cilët nuk kanë asnjë lidhje me njëri-tjetrin dhe pa asnjë lloj simetrie. Një fakt, një gjest të tillë makabër dhe çnjerëzor e bën publike Dom Nik Ukgjini, klerik dhe studiues i njohur në Shkodër dhe më gjerë. Sipas tij, e gjithë kjo masakër që po ndodh në varrezat e Rrmajit, bëhet edhe tani kur ato janë të shpallura 'Monument Kulture'. Në një intervistë për "Gazeta Shqiptare", Dom Nik Ukgjini kërkon që duke e bërë publike një fakt të tillë, të ndërgjegjësojë institucionet përkatëse, të cilat me ligj duhet ta mbrojnë këtë vlerë të qytetërimit perëndimor. Ai deklaron se varrezat janë kujtesa e një zhvillimi civilizimi njerëzor. 
Kush e bën tregtinë e varreve në varrezat katolike të Rrmajit? 
Tregtinë e varreve e bëjnë ata që merren me ndërtimin dhe meremetimin e varrezave. E bëjnë privatisht apo në mënyrë indirekte, të lidhur me një grup tjetër interesi. Sigurisht, pa asnjë rrugë ligjore, pa asnjë autorizim. Është i pafalshëm ky veprim barbarie. Keqbërësit kanë shkelur mbi një pjesë të historisë së kombit, sa të dhimbshme aq dhe të lavdishme, sepse varrezat e Rrmajit janë një dëshmi e një gjëje të tillë. 
Si bëhet kjo tregti varresh? Cili është mekanizmi që vepron? 
Ajo që ndodh tek këto varreza është çnjerëzore. Për çudi më është bërë edhe mua një ofertë për të blerë një varr. Isha bashkë me studiuesin e njohur, Mentor Qukun, Engjëll Çekajn dhe Anton Benusin, mes Varrezave të Rrmajit duke kontrolluar për varrin e Ndre Mjedës. Mu afruan një grup djelmoça dhe më pyetën "A don varr?". Nisa të bisedoja me ta dhe unë bëra sikur interesohesha, sepse doja të dija edhe më shumë për tregtinë e varreve. 
Sa është çmimi për një varr? Sa kushton të blesh një varr? 
Nga informacionet që kam marrë mund të them se tashmë çmimi për një varr tre katesh është 3 milion lekë të vjetra. 
Tregtia e varreve vazhdon, ndërkohë që sipërfaqja tek Varrezat e Rrmajit është e kufizuar. Ku gjenden sipërfaqet për varret e rinj? 
Në varrezat e Rrmajit është duke u bërë një masakër. Po vendosen varre mbi varre. Shkatërrimi po bëhet në disa drejtime. Njerëz të papërgjegjshëm kanë dhunuar varret e vjetra, për të cilat nuk është interesuar kush, apo dhe varre që kanë qenë me pllaka pa emra. Këta individë nuk kanë nguruar të heqin eshtrat e të vdekurve e t'i hedhin në lumin Kir, për ta shitur tokën e zënë prej varrit të fatkeqit. Ka edhe raste kur janë vendosur varre mbi varre. Të interesuarve iu është reklamuar si tokë e lirë dhe është shitur, ndërkohë që në të ndodhet edhe një varr i mëparshëm. Raste të tilla janë të shumta. Ka pasur raste kur familjarë që jetojnë në Tiranë apo dhe jashtë vendit, kanë ardhur tek varrezat për të parë varret e të afërmeve dhe nuk i kanë gjetur. Ka qenë një situatë e jashtëzakonshme dhimbjeje. Me lot në sy dhe me shumë dhimbje ata kërkonin varret e prindërve, të cilët nuk i gjenin më dhe në vendin e tyre ishin varre të rinj. Në atë kohë është bërë dhe denoncim prej tyre. Ka edhe raste kur në brendësi të varrezave janë gjetur mbi sipërfaqe të tokës pjesë nga eshtra e njerëzve të hequra nga varret. 
Pse bëhet kjo lloj tregtie në varrezat e Rrmajit? 
Tregtia makabre me varret bëhet për arsye përfitimi. Mund të themi se kemi të bëjmë me një korrupsion. Këta njerëz pa moral dhe besim kërkojnë të përfitojnë ekonomikisht nga dëshira e njerëzve, që njerëzit e tyre të afërt t'i varrosin në këtë vend. Varrezat e Rrmajit janë tashmë simbol i qytetit të Shkodrës, i lashtësisë dhe kulturës së tij. Në këto kushte edhe familjet që kanë ardhur vonë në qytetin e Shkodrës, duan që familjarët e tyre të jenë mes këtyre emrave të mëdhenj dhe familjeve të mëdha shkodrane që ndodhen në këto varreza, dhe për këtë arsye ata blejnë tokën për varr. Kjo dëshirë ka nxitur dhe tregtinë e zezë të varreve. 
Sa janë dëmtuar realisht varrezat e Rrmajit nga kjo tregti e zezë? 
Dëmtimet që janë bërë në këto varreza janë të pallogaritshme. Unë mendoj se rrënimi është më i madh se në kohën e komunizmit. Tashmë kemi me qindra varre të reja. Ana e djathtë e varrezave nuk është dëmtuar. Në këtë zonë janë varreza të familjeve të mëdha shkodrane, të vjetra dhe të pasura. Varret e tyre janë dhe të veçanta nga ana e ndërtimit, janë si monumente kulturore. Këto janë arsyet që kjo pjesë ka ruajtur formën e saj. Ndërkohë që pjesa e dëmtuar plotësisht është ana e majtë. Në këtë zonë kanë qenë kryesisht varre të familjeve të thjeshta, të familjeve shkodrane katolike. Këto varre kanë qenë të thjeshta edhe nga ana e ndërtimit. Jo vetëm kaq, por në këtë zonë kishte dhe varre të viktimave të komunizmit, të cilët, pasi janë persekutuar nga regjimi komunist janë varrosur aty, me pllaka pa emra. Aty është edhe Çinari, vendi ku janë bërë pushkatime në masë në vitet '45-'46, '71 etj, nga rrëgjimi komunist. Këta varre, në anën e majtë pa emra, me pllaka bosh janë shkatërruar të parët. Krimi më i madh është se mes këtyre varreve pa emra, kam përshtypjen se mund të kenë qenë dhe varret e Ndre Mjedës, Fishtës së madh, Shantojës, Zadejës, Harapit etj. Në këtë zonë tani ka kaq shumë varre sa është e pamundur të kalosh. Duhet të ecësh mbi varre. 
Ju mendoni se eshtrat e këtyre emrave të mëdhenj janë zhdukur pas '90-ës, edhe pasi i kanë shpëtuar regjimit komunist? 
Po. Fatkeqësisht kjo gjë mund të jetë e vërtetë. Atë që nuk e ka bërë regjimi komunist, e kanë bërë këta njerëz pas '90-ës. Regjimi komunist ka bërë masakra të paimagjinueshme, por ama ka pasur dhe njerëz të mirë që kanë besuar heshtazi në një Zot, në vlerat njerëzore dhe që nuk kanë pasur zemrën aq pa ndjenja që të hedhin në lumin Kir këta njerëz të mëdhenj të kombit tonë. Ne kemi grumbulluar fakte dhe dëshmi të mjaftueshme që të kemi bindjen se eshtrat e këtyre emrave të mëdhenj nuk janë asgjësuar, por janë vendosur në varrezat e Rrmajit në pllaka pa emra. Në favor të këtij argumenti flet dhe fakti se në kohën kur u mbyllën kishat, eshtrat e Kryeipeshkvit të Durrësit, Pjetër Gjurës, vdekur më 1939 dhe Vinçenc Prenndushit, vdekur më 1949, janë transportuar nga Kisha Katedrale e Durrësit në varrezat e qytetit pa ndonjë shënim përkatës. Dhe falë dëshmitarit z. Karlos, i cili ka pasur njohuri për vendvendosjen e tyre, eshtrat e tyre pas vitit 1991 janë kthyer përsëri dhe tani gjenden në Katedralen e Durrësit. Një gjë e ngjashme ka ndodhur edhe me eshtrat e ipeshkvit të Lezhës, Imzot Luigj Brumçit, vdekur në vitin 1945. Eshtrat e tij pushojnë në kishën e Kallmetit. Pra në kohën e komunizmit nuk janë zhdukur eshtrat e tyre. 
Si shpëtuan nga shkatërrimi i komunizmit këto varreza? 
Sipas studiuesit Lec Zadeja, merita për ruajtjen e këtyre varrezave i takon Gjon Kamsit. Sipas Zadejës, Gjon Kamsi pati guximin që t'i shkruajë Enver Hoxhës një letër, në të cilën ai i kërkonte që të mos shkatërroheshin këto varreza. "Të mbrohen varret katolike të qytetit, sepse ato janë varre patriotësh", shkruhej mes të tjerash në letrën drejtuar Enver Hoxhës. Çuditërisht, kërkesa e tij u pranuan dhe varrezat nuk u prishën. 
A ka ndërmarrë kisha si institucion ndonjë iniciativë për t'i thënë ndal këtij fenomeni? 
Kisha e Shkodrës, për sa unë kam dijeni, është përpjekur që nga viti 1992 e në vazhdim të ndalojë këtë fenomen, por e ka pasur të pamundur të ndalojë këtë lloj shkatërrimi të pakthyeshëm. Njerëzit sikur e kanë humbur logjikën! Kemi përçudnim të njerëzve; nuk respektohet i vdekuri. Gjëja më e shenjtë sipas edukatës familjare, fetare dhe traditës shqiptare është njeriu i vdekur. 
Varrezat e Rrmajit janë shpallur 'Monument Kulture', çfarë është bërë konkretisht nga ky institucion për mbrojtjen e tyre? 
Varrezat e Rrmajit janë shpallur 'Monument Kulture' në vitin 2007, pas kërkesës së bërë nga Famullia e Shkodrës. Realisht nuk është bërë asgjë për mbrojtjen e tyre, sepse Drejtoria Rajonale e Monumenteve të Kulturës në Shkodër, krahas dëshirës së mirë nuk ka fonde të veta, ato duhet të vijnë nga Ministria e Kulturës, nga Tirana zyrtare. Sipas meje, varrezat e qytetit pra edhe ato të Rrmajit duhet të ishin bërë që nga viti 1992 pronë e Bashkisë së Shkodrës, siç ndodh në tërë botën e qytetëruar. Por, meqenëse kjo nuk ka ndodhur, tani jemi duke vuajtur pasojat e asaj neglizhence. Në këto varreza është një pjesë e kulturës së vendit tonë, janë aty emra të njohur dhe një pjesë e historisë së qytetit të Shkodrës.



(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora