E enjte, 25.04.2024, 10:16 PM (GMT+1)

Kulturë

10 pyetje për Al Paçinon

E merkure, 21.11.2007, 06:54 PM


Mendoni se kultura italo-amerikane është përfaqësuar e shtrembëruar në kinema dhe televizion?

Fillimisht duhet të më shpjegoni ç‘do të thotë kulturë italo-amerikane. Jemi në këtë vend që prej 100 vjetësh. A mos nuk është kultura italo-amerikane kulturë amerikane? Kjo ndodh pasi ne jemi shumë të ndryshëm, në terma ndërthurjeje. Thuajse të gjithë ata që janë italianë, në të vërtetë janë gjysmë italianë. Përveç meje. Unë jam tërësisht italian. Më së shumti sicilian dhe pak napolitan. Me mua merrni dozën e plotë të italianit.

Si ndiheni për të gjithë ata muzikantë hip-hopi nëpër televizione që imitojnë Toni Montanën?

Filmi më popullor ku kam luajtur është padyshim "Njeriu me shenjë". U mrekullova pas tij. është i mrekullueshëm. Ndonjëherë harrojmë që e shkroi Oliver Ston. Ai ka prirje të forta politike, dhe mendoj se kjo ndihet fort në të gjithë filmin. Kombinimi i tij me Brajën de Balmën bënë që filmi të rezultonte një shpërthim i vërtetë. Funksionoi.

Pas një jete profesionale plot me suksese, ndiheni më i sigurt në këtë biznes tani, se, le të themi, në vitin 1977?

Tani jam i sigurt mbi çfarë duhet të bëj nga pikëpamja profesionale. Por kur je aktor duhet të kesh një lloj pasigurie në vetvete. Të mban në gjendje alarmi të përhershëm. Nuk kam nisur ende të mendoj për ditën kur do të tërhiqem. U trondita kur Pol Njuman kishte vendosur të tërhiqej në moshën 82-vjeçare. Pjesa më e madhe e aktorëve thjesht shuhen, si ata ushtarët e mirë.

Kush e imiton më mirë shprehjen e fytyrës së Al Paçinos?

Sigurisht, jo unë. Kevin Speisi i afrohet shumë. Xhemi Foks di të më vërë mirë në skenë. Është një dhunti e vërtetë, ajo lloj mimike, ajo lloj aftësie e pazakontë. Është si të kesh talent për të luajtur një instrument muzikor.

Cila ngjarje e fëmijërisë suaj ka luajtur rolin më të madh në mënyrën si e shihni tani botën?

Ndoshta rolin më të madh e kanë luajtur filmat e hershëm që shihja kur mamaja më shpinte në kinema në moshë shumë të vogël. Pasi kthehej nga puna, ajo më merrte me vete në kinema. Ishte mënyra e saj për t‘u shkëputur nga hallet e jetës së përditshme, dhe më merrte gjithnjë me vete. Kur kthehesha në shtëpi i luaja të gjitha rolet. Kjo gjë ka luajtur një rol shumë të madh në zgjedhjen për t‘u bërë aktor.

Mendoni se i keni shpalosur pikëpamjet personale në filmat që keni drejtuar vetë?

Te filmi "në Kërkim të Riçardit të Parë", kisha një vizion të qartë. Në filmin që kam tani në duar për herë të parë po punoj i shtyrë nga pasioni dhe jo nga vizioni dhe shpresoj se do jetë pasioni ai që do më shpjerë te vizioni. Këtë e them pasi nuk e konsideroj veten regjisor me kohë të plotë. Punë ime është aktrimi. E shoh botën siç e sheh një aktor, pasi këtë kam bërë gjatë gjithë jetës.

Jeni penduar për ndonjë rol që nuk e keni pranuar?

Po. Ka qenë një fazë në karrierën time, gjatë së cilës i refuzoja rolet vetëm se nuk më punohej. Kjo ndodhte në vitet ‘70. Edhe tani e kam të vështirë ta njoh veten nga pikëpamja profesionale.

Jeni i lumtur?

I lumtur. Nuk jam ende në gjendje të jap një përgjigje të pranueshme për këtë temë. Kam kaluar ditë nga më të ndryshmet. Ka çaste kur ke ndjesinë se ndihesh mirë, se ke gjetur një lloj paqeje. Ka periudha kur kjo ndjesi ndeshet më shpesh. Bijtë e mi më bëjnë të lumtur.

Në rast se do të realizohej një film mbi jetën tuaj, cili do të ishte titulli?

Do të titullohej "Historia e Dastin Hofman". Gjatë ditëve tona të para në profesion, mua, De Niron dhe Hofmanin na ngatërronin shumë. Njerëzit na merrnin për njëri-tjetrin.

Di se jeni njeri mjaft i rezervuar, por kam dëgjuar se kërceni shumë mirë. Do të mendonit seriozisht të merrnit pjesë në "Kërcim me yjet"?

Të jem i sinqertë, patjetër. Duke u përpjekur të jem aq modest sa arrij të jem, më duhet të them se jam kërcimtar i mirë. Por nuk them se mund të më shikoni ndonjëherë në "Kërcim me yjet", pasi jam shumë i druajtur.

Ju ka shkuar ndonjëherë në mendje të jepni mësim?

Nuk ndihem mësues i mirë. Mësuesit kanë talent. Gjithashtu, gjejnë kënaqësi në procesin e mësimit të të tjerëve dhe është e rëndësishme për ata që japin diçka. Unë thjesht nuk jam i tillë. Deri tani as që më ka shkuar në mendje dhe them që as do më shkojë ndonjëherë. Unë thjesht shpreh veten dhe shpresoj se dikush do të identifikohet me atë që shpreh. Kam qenë gjatë gjithë jetës i rrethuar nga mësues dhe kur ke rast të kesh pranë ata më të mirët, është diçka vërtetë e jashtëzakonshme. Mund të të ndryshojë jetën. Ka pasur raste kur më është dashur të bëj moderatorin në "Actor‘s Studio", që do të thotë të kesh përballë aktorë profesionistë, të cilët vënë në skenë rolet e veta, ndërkohë që moderatori duhet të flasë për atë që ndodh. Këto për mua kanë qenë çaste makthi. Nuk mund të dish kurrë atë që duhet të thuash, pasi aktori është në një pozicion shumë delikat. Je gjatë gjithë kohës nën frikën se mos thua fjalën e gabuar. Kam parë aktorë të vuajnë për vite për shkak të një fjale të panevojshme, e cila as që duhej thënë.

Mund të vlejë filmi si një mjet mësimi dhe nëse po, çfarë keni mësuar duke parë filma?

I gjithë arti është një mjet mësimi, në mënyrë të veçantë arti filmik. Po ia bëni këtë pyetje një njeriu që, me kuptimin e plotë të fjalës, është edukuar profesionalisht përmes teatrit dhe filmave, pasi më duhej të mësoja të luaja role shumë të ndryshme nga njëri-tjetri. Nuk kam studiuar kurrë në universitet. Gjithçka di, e di prej filmave e teatrit.

Cilës karriere do t‘i kishit hyrë në rast se nuk do t‘u ishte dhënë çasti t‘i përkushtoheshit aktrimit?

Dikur luajta rolin e kuzhinierit në një film të titulluar "Frenki dhe Xhoni". Në rast se do më duhej të kisha bërë ndonjë gjë tjetër, padyshim që do të ishte profesioni i kuzhinierit. Ajo që nuk do të bëja kurrë është profesioni i shitësit derë më derë, pasi të tërheqësh pas vetes gjitha ato sende shtëpi më shtëpi është diçka shumë e vështirë. Këtë nuk do e kisha bërë kurrë.

Kur gjendeni përpara pasqyrës, çfarë shikoni?

Në fakt, më mirë do të ishte të më pyesnin çfarë nuk më pëlqen të shikoj. Shoh veç veten time që sheh veten time. Vërej vetëm nëse jam bërë për t‘u rruar. Nëse flokët më janë zgjatur shumë. Nëse dita po më kalon mirë. Nëse duhet ta laj edhe një herë fytyrën. Të tilla gjëra.

Kush mendoni se do të dilte fitues në një ndeshje mes Xhorxh Klunit dhe Bred Pitit?

Në fakt, po përpiqem ta krijoj në mendje një skenë të tillë dhe nuk mundem. Thjesht nuk mundem. Nuk i shoh dot këta dy djem duke u ndeshur, pasi janë shumë të këndshëm. Janë shumë të këndshëm për t‘u ndeshur. Janë njerëz shumë të çlirët dhe kushdo ka rastin të rrijë me ta kalon shumë mirë. Megjithatë le të themi se ndeshja do të përfundonte në barazim.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora