E enjte, 01.10.2020, 12:01 AM (GMT+1)

Kulturë » Kinema

Mëshirë për vetveten ose "Puthja e djallit"

E marte, 27.11.2007, 06:50 PM


Teksa dilja nga shfaqja "Pamje nga ura" e Teatrit Kombëtar, nuk më bënte zemra të kthehesha në shtëpi. Desha të ecja pakëz, të bluaja atë që ajo më fali, paçka se disa studentë më ftuan të pija një kafe me ta. Fjala, ende e ngrohtë, diku në indin e butë të zemrës kishte mbetur. Dhe ishte zemra që e artikuloi mendimin: Mëshirë dhe keqardhje nga puthja e djallit. Pikërisht mëshirë për vetveten, ose për gjysmën e vetes sonë, që arratiset jashtë arsyes; ose për një pjesëz të saj, që kërkon të çartet në dëlir. Mëshirë për Edi Karbonen, dokerin që gjithë jetën punoi për familjen, për pakëz mirëqenie; që rriti një vajzë, Ketrin quhej, mbesa e gruas së tij, dhe që e donte si fëmijën e vet, më shumë se kaq, si vetveten. Si lazdrim. Veçse zogu duhej të dilte më në fund nga kafazi e të fluturonte në krahët e të dashurit të saj, të ngrinte me atë çerdhen e vet. Sikundër është ligji i jetës. Ligji i pamëshirshëm i harresës. Tejkalimi… Tejkalim që Edi s‘e "tejkaloi" dot, sepse djalli e kish puthur në buzë… Loja pasionale e Timo Fllokos ma ngjalli bash këtë kundërshti a kontrapunk ndjesor: mëshirën për njeriun, për vetveten, për pjesën e "dremitur" që duket sikur fle, qysh nga shpështjellimet e ëndrrës së hershme të brinjës së Adamit, asiherë kur lindi joshja dhe tundimi, "puthja e ëmbël e djallit"; qysh nga shpellat dhe endogamia. Mëshirë dhe keqardhje, qoftë edhe për atë, të "pathënën", të cilën morali e kafshon me dhëmbë ligjesh e ndëshkimesh, e shqyen me thonj kodesh e normash, por që ajo, tinëzisht, drithëron e ulërin thellë qenies si bisha në kafaz dhe kur deriçka takon që çelet gabimisht, diku-dikur, një grimë a veç një herë, kjo bishë vërsulet vrik përjashta dhe përshfaqet gjithë tërsëllimë mes tërbimit të xhelozisë, a formës së përvetësimit seksual, a si përplotësim i egos, a i ekstazës syverbuar të Bakut, a një kipc i Erosit të pacipë. Po, mëshirë për njeriun që s‘e përmban dhe s‘e burgos dot bishën brenda vetes, që kërkon pakëz më shumë respekt, tutje vetë respektit; që kërkon pakëz më shumë vëmendje, përkëdhelje, këndellje, përkundër jetës së vështirë dhe pluhurit të thasëve mbi shpinë, në kantieret detare. Nuk e urreva dot Edi Karbonen, sepse autori nuk e urrente, regjisori nuk e urrente dhe, ca më shumë, Timos i vinte keq, oh sa keq që i vinte për të! Keqardhja e tij më fali një katarsis çlironjëse dhe sytë shpesh m‘u lagën. Sepse katarsa lind kur dhemb shumë fati i njeriut, kur mëshira bëhet pjesë e lëngatës që identifikohet me të mundshmen e çdokujt. Arti vetë është versioni i të mundshmes. Lind nga miti dhe bëhet mit, sepse është sinkretik, pranon të besueshmen tek e pabesueshmja dhe anasjelltas. Prandaj, them se ishte prekës fati i Edit. Timo Flloko e solli këtë vuajtje. Edi Karbone vuante, duke qenë i fajshëm. Vuante, duke qenë i "pafajshëm", sepse s‘kishte vullnetin dhe dritën e vetëdijes që ta tejkalonte grishjen; jo vetëm të lëngjeve seminale, që si ligj njohin veçse bulbin natyror, libidiumin. Jo, më së pari, atij i dhembte shpirti. Grindej me vetveten, bëhej qesharak, më kot rrekej ta zhvlerësonte pretendentin e Katrinës, duke gjetur argumente "kotnasikot": se i kishte flokët biond dhe zërin të lartë prej tenori. Ishte ftohur me të shoqen, as vetë s‘e dinte se si; ecte si somnambul, turravrapej rreth vetvetes në një qerthull pa rrugëdalje, pa dritë, në tunelin e epshit dhe ciklit dionisian. E kishte puthur djalli, dashuronte mbesën e të shoqes, të cilën e çmonte si vajzën e vet… Incest? Po, gati një incest. Nuk besova fillimisht te paradigma aktoriale e Timo Fllokos për dokerin Edi, që kish pasion boksin dhe duart, sigurisht, i ngjanin zhargut plot plasa të lisit të moçëm. Zërin ai, si aktor, nuk e ka të atij formati që dikush, pra dhe unë, të mund ta hamendësoja si për Edin. Ka një zë tenori, a mexotenori, me një tingëllimë disi të ngjirur. Ndoshta, as trupin s‘e ka prej një Edi Karbone. Por ja… Vijë pas vije portreti i personazhit të tij u plotësua. Ai diti ta raciononte me inteligjencë rrjedhën e trazuar të ndjenjave, vorbullimin psikik. Dy-tri kulme të fuqishme ai i pati, ashtu të qashtra, që gjithkush nga kolegët do t‘ia lakmonte, pse jo: skena e dytë me avokatin, kur e fshehta përvëluese gati po ia flakte tej kapakun tenxheres (që vlonte), gjethja e fikut lëvizi dhe misteri sakaq iu shfaq; skena kur puth Ketrinën duke e tejkaluar veten dhe puth djalin në buzë për ta zhvlerësuar si mashkull dhe pretendent, kurse më pas e godet fort me grusht. Ishte bash puthja dyfishe e Djallit... Dhe skena e tretë, që na dha edhe kulmin e shfaqjes, padyshim qe finalja, grindja me Markon dhe fill më pas, vdekja. Gjithë kjo barrë e rëndë emocionesh dhe çaste të tjera klithëse, në shtëpi me të shoqen a kruspulluar nën shkallë, qenë oferta e sigurt prej një aktrimi sipëran, që nderonte jo vetëm shfaqjen, por edhe Teatrin Kombëtar. Ky Edi Karbone i Timo Fllokos na ishte një NJERI. Si ti, si unë, si dikush, si gjithkush, or mik. Një njeri jo në çdo rrethanë dosido, por në asi rrethane, atëbotë kur syri i gjarprit, ose më drejt ai i Gorgonës, të sheh drejt dhe të ngrin tru e zemër. E ti s‘ke ç‘bën, o fatzi. Sugjestionohesh. Ashtu si bretkosa përballë kobrës. Se s‘je hyjni, por njeri. Se s‘je kodi moral, as virtyti, as filozofia, as parimi religjioz, as përvoja dhe sprova, ca më pak arsyeja absolute. Je qenie me gjak të nxehtë. Gjak që vrushkullon. Je ti përballë fatit, si edhe Edi. Fatit që të është dhënë, vertikalisht, nga ngjizja zanafillore, si edhe Edit. Je ti përballë vetvetes, krejt lakuriq, pa luspat e normave, e klisheve morale, pa avokatinë e gjithë librave të shenjtë që të mbrojnë, as midis të tjerëve, që kudo e kurdo të këlthasin: "Mos e prek!" Por ti, o fatkeq, mjeran dhe zhelan siç je, i asaj kohe dhe i gjithë kohërave, e prek të paprekshmen, mëkatin, atë që shekujt e kanë sprovuar si të keqe, si tundim, qysh nga mitet e grekëve dhe përgjakja e syve të Edipit kur mori vesh se ish martuar me të ëmën. Dhe duke e prekur, ti gjynahqar, vetëshkatërrohesh. Ja, kështu shkatërrohet edhe Edi Karbone i T. Fllokos, po njësoj. I plasi shpirti nga marazi. Dhe, që ta shpëlante ndotjen, gjeti kotmëkot një pretekst, "nderin e prekur". Sepse prekja e ligjeve të shenjta, ca më shumë e normave që e organizojnë jetën në bashkësi të ngushta a kolektivitete të mëdha, pasohet gjithmonë nga ndëshkimi. I gjithë ky bashkëshoqërim ideofigurativ njëmendësohej bukur nga aktrimi i Fllokos. Unë e pashë shkatërrimin e ngadaltë të tij, ashtu sikundër rroposet kështjella nga erozioni dhe kalbja. Po a është tragjike vdekja e Edi Karbones? - mendoja dhe çapoja. Sigurisht që po. Dhe kjo, besoj, ka qenë edhe dilema e Fllokos në përvijimin e dramës së personazhit. Edi i Timos s‘ishte kurrsesi heroi tragjik, as shëmbëlltyra për t‘u ndjekur. Nuk ngjasonte as me një Edip që vuan pasojën, sepse ai e shkakton vetë pasojën, paçka se "fatumi" i vjen gjithëpo në atë udhë, nga sipër, si edhe Edipit: nga mallkimi hyjnor, në formën e tundimit biblik (në vështrimin religjioz) apo të ngjizjes natyrore të vetë qenies si e tillë (në vështrimin shkencor). Edi Karbone i Artur Milerit s‘ishte, nga ana tjetër, as skema klasiciste e antagonistit, tërësisht i zi, tërësisht i keq. Sikurse e thashë, ai është njeriu. Është i miri dhe i keqi. Më saktë, dobësia njerëzore. Ajo që e kemi dhe që duam ta fshehim, ta rroposim, ta fundosim thellë e më thellë në humbellat e ndërdijes, sepse është e shëmtuar. Timo Flloko, duke na e shpërfaqur këtë dobësi, këtë të "keqe natyrore" të qenies, bën një martesë të lumtur me filozofinë e Milerit, duke i rënë fort kambanës: "Njerëz, vetëpërmbahuni! Mos kujtoni se jeni të imunizuar. As shenjtorë s‘jeni. Jeni thjesht njerëz. Mos shkelni mbi vakëfe morale, që sprova e shekujve i ka vendosur për të ruajtur e shëndoshur bashkësinë! Teprimi i pasionit sjell vrasjen e arsyes, pra tuajën!..."

I mëshova ca si shumë efektit të mëshirës në nocionin e katarsisit, që vjen nga loja e T. Fllokos. Mirëpo, sikurse dihet, Aristoteli e vlerësonte si dyskajore mbërritjen e katarsisit në tragjedi. Pos mëshirës, lipsej edhe frika, efekti i tmerrit, pasoja e llahtarshme, që tragjedia të lindte si e tillë. Doemos vepra "Pamje nga ura" nuk është një tragjedi në modelin klasik të grekëve, madje as si tragjeditë e Shekspirit. Sido që një ndjekës i modeleve të Ibsenit, nga pikëpamja e strukturës tragjike A. Mileri arrin, gjithsesi, ta tronditë shikuesin me katastrofën, si komponentja fundore. Pasoja s‘është vetëm e shkaktuar nga akti i Edi Karbones, por përshfaqet edhe si fatalitet i qenies, më tutje si veprim i kodeve të ngulura, arkaike, që veprojnë si hakmarrje te Markua. Pa shkuar në lami teorike dhe estetike, dua të sjell pikërisht tmerrin që ngjall në shpirtrat tanë, si dhe të personazheve kjo pasojë. Erdhi aq e plotë, e ngopur, mbushur me vrullime prej lojës së Bujar Asqeriut në rolin e Markos. Ashtu si një lumë i rrëmbyeshëm, i errët, që shkarapatet shkëmbinjve e thërrmohet teposhtë me rropamë ishte ky Markoja. Dhe i heshtur. Burrë i ndershëm. Baba e vëlla për Rudolfin. Sikur puthiteshin tek qenia psikofizike e B. Asqeriut të gjitha: trupi i rrumbullt si prej dokeri, fytyra e vrarë, shikimi i rëndë, veprimi energjik, klithmat dhe shpërthimet e tij, dashuria "klanore" për të vëllanë. Ai e dha aq bukur figurën e emigrantit, e hallexhiut, e njeriut të paqmë të punës, që di të nderojë e të respektojë, por kur e fyejnë dhe e tradhtojnë, ashtu siç e kanë kalabrezët, ndoshta ca më shumë ne shqiptarët, lëshojnë britmën e hershme e të tmerrshme: Ja sheshi, ja mejdani! Dhe saora vjen ndëshkimi. Ndëshkimi prej nderit të prekur keq. Një kod i hershëm, ndoshta i damkosur në gjak, në kromozome, si ligj i pashkruar, që e tejkalon ligjin e shkruar. Një hieroglif moral, pak i njohur nga popujt e tjerë, por si talisman për popujt që e kanë.

Pasoja dhe tmerri mbarten edhe nga Elisabeta, e shoqja e Edit, e luajtur me shumë pasion e dhimbje prej Yllka Mujos. Është gruaja që ndjen braktisjen e burrit. Intuita e saj është dhe arsyeja e saj. Ajo e parasheh tmerrin, shkatërrimin; kërkon ta shmangë, por ujërat janë fort të turbullta. Dhe kur e vërteta plas, ajo veç mund të këlthasë për humbjen e të vetmes dashuri: Ediiii… Ajo e do atë burrë, siç do edhe mbesën. Siç i do të gjithë. Sepse është kahja më fisnike, më e butë. Njeriu i mirë. Xhelozia e saj ka një përligjie, ashtu si dhe frika e humbjes së dashurisë nga i shoqi. Në këtë kolovajzë ndjenjash kontradiktore lëkundet loja emocionale e Yllka Mujos, ku të bën përshtypje, përpos vrullimeve ndjesore, shfryrje dufesh etj., edhe ruajtja e rrafsheve domethënëse që vijnë pas fjalës; nënkuptimet dhe ambiguiteti, syri i mbushur me të pathënën, planet e dyta, që s‘mbeten belbëzime dhe shenja ikonike, por shndërrohen në "tekste" plotësuese dhe artikulime psikofizike të rrokshme lehtësisht nga publiku.

Këta ishin tre aktorët që i dhanë kësaj shfaqjeje dinjitetin e merituar. Një urim prej profesori edhe Olta Gixharit në rolin e Ketrinës: Zog, fluturo! Ajo sikur të sjell e risjell në logosin e vetë thelbit të teatrit, te çiltërsia dhe sinqeriteti i lojës si shenja parake e tij. Ndokush, me të drejtë, do të më pyeste: Mirë aktorët, po regjisori, ku ishte? Ai ishte gjithkund. Albert Minga dha një sprovë epërane të një lloji regjisure dhe teatri ku ne kemi jo pak traditë tashmë. Teatri nuk është njëngjyrësh, sigurisht dhe asnjë rrjedhë që vjen e bashkohet në lumin e tij të madh s‘duhet assesi të paragjykohet, ca më keq ta ndalojmë a t‘ia shtëmëngim kahun. Jo! Ky do të ishte gabimi i "ri", i trashëguar prej gabimit të "vjetër". Teatri i do që të gjitha. Dhe kur rrjedhat vrapojnë, e bukur është melodia e tyre. Po. E bukur ishte "melodia" e shfaqjes "Pamje nga ura". E bukur ishte gjithëpo, në llojin e vet, edhe regjisura e Albert Mingës. Thashë në llojin e vet, pasi ajo ndjek parimin e "mosshfaqjes", e fshehjes pas aktorëve, e shkrirjes me ta. Mendimi dhe koncepti regjisorial nuk "klithnin" me përshfaqje tropesh skenike të qëllimta. Nuk kërcisnin. Ato ishin njëjësuar në shënjimet tërësore që vinin prej skenës: pamore, dëgjimore; "ikonike" dhe "dinamike". Për një mori shenjash kësilloji mund të flisja e të komentoja më gjatë, por karakteri i këtij shkrimi është i tjetërfartë. Veç dua të ngulmoj në idenë se figurativiteti i saj, në sy të parë i padukshëm, "inert", "pasiv", bëhej sakaq i dukshëm, gjallëronjës, aktiv, si një pikturë. Duke i uruar Mingës këtë ardhje, do të thosha të mbrothtë në skenën e Teatrit Kombëtar, unë do uroja që kupën e shampanjës ta ndante bash me aktorët së pari, dioskurët e suksesit, më tutje me skenografinë e Agim Zajmit, paçka se e përkorë dhe më tutje akoma me besimin e bordit të teatrit që i dha dritën jeshile kësaj përzgjedhjeje të merituar, që vinte prej një dramaturgjie cilësore, e cila fekondon dhe lidh kohërat, hapësirat, vetë qenien në vlerën universale e të pamort të artit.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Entela Binjaku: Denonconi dhunen kunder gruas


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora