E premte, 19.04.2024, 10:38 AM (GMT+1)

Mendime

Shefik Shkodra: Fërshëllima e fyellit provincial

E enjte, 14.04.2011, 07:59 PM


FËRSHËLLIMA E FYELLIT PROVINCIAL

 

Nga SHEFIK SHKODRA

 

Hyrje

 

Sërish shtangie e mullisit në mulli. Pasi kishte ndezur zjarrin dhe kishte shti patate për pjekje, nis këmbëkryq të nxjerrë një nga një, pranë tij shfaqet një njeri xhuxh e mustaqok. Krahas tij, plakushi i shpikur nxirrte patate nga hiri. Mullisi ndalej edhe ai ndalej. Ai e shikonte këtë farë qenie edhe ai e shikonte. Ai lëvizte në një anë, njësoj edhe ai bënte. Ai shpërpushte zjarrin edhe ky e shpërpushte në atë mënyrë. Tinëzisht e nga frika e godet fshatari me shuplakë çka pat forcë, ai qoftëlargu u zhduk poshtë te qarku që sjell gurin. Duke marrë frymë lirisht e sy zgurdulluar, mu në atë çast, hyn një fshatar tjetër dhe i drejtohet mullisit: - A ma blove miellin tem? – Jo more, ende. Qe, një farë dreqi qëlloi këtu dhe ma ka humbur krejt kohën. Edhe mullirin tërë kohën ma ka ndalur. Ky fshatari i drejtohet: – More, s’e di unë çka ka ba dreqi e i biri, mullisi duhet ta shikoj punën e vet! Edhe unë e dua miellin gati!...

 

Punë e papunë ...

 

Si ajo kënga, “Po kënon kënusi greka-greka/Çohu moj nuse se u ba dreka!” kështu thërret zëri i imagjinuar për çdo ditë. Rruga është bërë rutinë, si atëherë kur ishe me orar. Del në çarshi, del se je i pa punë e nuk je as i pensionuar. Puna të ka lënë qysh se kanë nisur “reformat e reformatorëve” të rinj. Këta po e “rinojnë” atdheun: “hiq një kashtë e dalin gjashtë.” Këta rrobaqepësit e kohës, si zanatlinj të mirë e esnaf demokratë, veprojnë me një masë si kanë thënë: “jelek po tepron, setër s’po del”. Po shtojmë, hiq një fletë e vë një tjetër, jashtë kontekstit, megjithatë, “diçka po bëjmë”, po thonë. Pak më qartë: – I heqim, thonë, ata që u ka kaluar koha. Do të thotë, ata që s’na vyejnë më. Ata që bëjnë punën e vet e s’na përfillin, “ne i shkelim!” Shumë bukur! – Rroba të reja duamë! S’kemi përgjegjësi për ju. Reforma i ka fajet.” Hajde reformë hajde! Krejt vramë e bëjmë këtë lëmë gjerë e gjatë, të shtruar me drithëra gjithfarësh të papërpunuar. – Bëjmë vende të reja pune kudo, kur ne duam dhe me parat e miletit i paguajmë: ndonjë dashamiri, ndonjë zogëze...ndonjë personi të afërt familjarë, por, edhe të afërmit e të dëgjueshmit politikisht e partiakisht. Veç tjerash, “ti kërkohet të shlyesh borxhet se, vijmë me polici e krejt çka gjejmë t’i marrim. Të gjendesh si të dish!” Tymi të del në katër anët! Të vlon si nga ndonjë valë që përcëllon lëkurë e asht. Ulesh me ata që dëshiron, qëllon edhe ai “talenti” që ta çon vrerin...Hyzmeqarë në prita rrinë për ta përzier me kompozime të njëtrajtshme këngën. Melodia e tyre shumë bajate si fyelli me një vrimë. E heq gishtin nga vrima – një fërshëllimë, tingëllimë me një notë të pozicionuar. E vë gishtin mbi vrimë, sërish dëgjon një notë e për ndryshim ke vetëm një ngjyrë tjetër të zërit. Asgjë nga tregimet. Mos e prek në kokë...! Fërshëllimë nga Oxhaku i Provincës del tymi. Tym i zi shtëllunga-shtëllunga. Aty tubohen për çdo ditë njerëz të profesioneve të ndryshme, po më së shumti arabaxhinj. Por, jo të gjithë e bartin peshën mbi supe të veta. Shumë prej tyre shkrihen në aheng krejt “në shpinë të huaj”. E, kur dikush do të vallëzoj “pa done në dasmë të huaj”, të del deri në grykë dhe si ta gëlltitësh sërish?! Disa herë duhet t’ia fshehësh gomaritë ndonjë pis mileti. Në mesin e tyre ka edhe “biftanxhinj”. Futen në ndeja si të përgatitur e flakëruar nga një ashk i fortë për ta zënë gjurulltinë. Të ngërdheshën flokët përpjetë kur i dëgjon se si ta përziejnë  “çervishin”. Mundohesh t’i ikësh atyre “havadyzeve” dhe të nisësh diç të tavolinës për “qejf”, pa dorëza. Kot. Ata janë të merakosur që ta kallin edhe më shumë zjarrin – flakë se, tymi t’i qorron sytë. Nuk po nxehen mirë as s’po shohin edhe pse koha në këtë stinë ka filluar të ngroh eshtrat njësoj, si zogjve të mirë, qyqeve dhe këtyre zanatlinjve. Ata nxisin fjalët ku kanë mbetur, e kanë ditar të vetin për këto dicta e sententiae të kohës. Nuk të lënë as për një çikë kohe të meditosh rehat. Ta kallin “zullumin”, sikur nuk je aq i ngarkuar. Skuqen kur ua kthen pak me tersë. Të pyesin dhe vetë përgjigjen. Nuk shkon një ditë, të nesërmen dëgjon se, ti paske thënë kështu e ashtu. Se ti paske përbuzur krejt çka s’shihet e nuk dihet. Paske marrë nëpër gojë nënat e të tjerëve, demek paske sharë shumë e shkumuar, bile edhe për atë që nuk të bie ndërmend kurrë. Paske bërë një krahasim të pafalshëm, së paku, kështu ta kumton tellalli aty për aty. – Dhe mirë ia kanë bërë atij të krisuri! S’lë njeri pa ia sharë...krejt atyre u shkon për shtati. Ah! Ç’ma do zemra kështu t’i bëj vaki edhe atij... që po rri me të, e pak e kanë pickuar edhe atë.

 

Fyryfyçka verilindore – mos fol ta gjejnë vendin

 

(pushteti decentralist i Gjilanit)

 

Njeriu e sheh veten si të diferencuar. Ngjashëm si më parë, në atë sistemin monist. Po e përsëris këtë krahasim, se dikujt nuk i ka pëlqyer dhe ka çua fjalë, korrigjohu. Krejt, krejt, veç intrigantët, plaçkatarët, rrenacakët, të pamoralshmit e joseriozët i kam shumë mëri. S’mund t’u qëndroj “llafeve” të tyre të parapërgatitura me mistri. Ata janë batakçinjtë e parë në skenën e ngushticave tona nëpër kalim. Ta pinë gjakun me pambuk, si thonë.

Pyetja e parë e moralistëve të rremë është: “Me kë po rri ti? A e di kush ishte ai?” Askush s’e sheh veten. Në pasqyrë ca figura janë të dashuruar si Narcisi. Dhe shumë butë, qurravecët janë shumë servilë! Një kohë tregonin për njërin, merrte një thirrje nga komunarët, për dënime nga rojtari i pyllit, dhe ky nuk e futke në xhep. Thirrjen e mbante në dorë, katër pesë orë deri te fshatari i fshatit më të largët të Malësisë. Kjo dëshirë e flakët, desha të them, është e disa militantëve, kur ia qet ndonjë “kockë” padroni. S’ka rëndësi, shërbimet duhet të bëhen sipas nevojës, por jo edhe ta përjetësojnë si diçka shumë të pushtetshme. Pse më qon fjalë, që të mos flas se, do të më gjejnë punë. Sigurisht, kur të vdes ndonjë kolegë, apo, kur të shkojë ndonjë në pension. Dhe kush më porosit. Ai që i bën të gjitha grackat. Mirëpo, këtë e ka marrë në mbrojtje z. kryetari i komunës. Ai e ka çuar deri aty, ku ky mund të flasë edhe të komentoj sipas kutit të tij. Nëse ka mundësi, dikush do t’i raportojmë kësaj shoqërie të vërtetën. Dikush për dy-tri vjet deri në pension mund të pres për disa muaj a një vjet pa të ardhura. Dhe pastaj...po u dashka që të këndoj tipi për partinë dhe institucionet? Nuk do të duhej të bëj krahasime sistemesh, sepse është e ndaluar?! Hë! Ta ftofin këta! Që të heshti, më pat porosit edhe një mik, i cili jeton dhe mbahet në funksion (?!). E prit e prit, duar thatë, koha po kalon. Më duket askush nuk koritet sot te ne. Dhe kjo punë del si: “Prit magar se del bar!”

Pse pra, kryetari i komunës mund të emëroj njerëz të tij ku do vetë. Pse profesorin e vet nuk di ku ta vendosë. Sa herë janë prish konkurset për drejtor dhe z/drejtor? Kë e ka emëruar nëpër ato shkolla z. kryetari dhe në ç’mënyrë? Si është respektuar konkursi për nxënës dhe kuadro? Le ta thotë dikush që di mirë. Për këto dhe të tjera do të bëjmë më shumë fjalë herëve të tjera.

 

Kush po kërkon të gjunjëzohen njerëzit

 

Nuk e kam ditur se kështu do të funksionojë kjo demokracia jonë. Se duhet patjetër t’i paraqitesh Degës së partisë së pushtetarëve që të hysh, apo ri-punësohesh. U them të drejtën, do t’isha paraqitur. Nuk jemi kundër partisë tonë. Isha edhe pro kësaj partie. I kam votuar, duke besuar se këta do të bëjnë më mirë, shkrova edhe ta artikuj lavdi(?).  Nuk e di çfarë mund të bëj më shumë...mësimdhënësi nuk ka mundësi më shumë... Po kush ka mbetur ta udhëheqë këtë e atë! Zot i madh! Po, çfarë fitimesh presin ata njerëz me këto veprime?! Mendojnë se, nuk merret vesh krejt kush çka vepron. Shumë keq, nëse dikush do ta përulë dike.



(Vota: 4 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora