Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Zeqir Lushaj: OOO, ku je Shpend Shaqa!?

| E merkure, 13.04.2011, 06:18 PM |


Dasëm në Gri të Tropojës - Në foto,nga e majta në të djathtë: Zeqir Lushaj,Sadik Selmani,Dervish Shaqa (me sharki në prehër),   Lukë Rroku dhe Ali Hoti. Mbrapa Dervishit,(majtas) Ibrahim Lata dhe (djathtas), Ahmet Imeri
Dasëm në Gri të Tropojës - Në foto,nga e majta në të djathtë: Zeqir Lushaj,Sadik Selmani,Dervish Shaqa (me sharki në prehër), Lukë Rroku dhe Ali Hoti. Mbrapa Dervishit,(majtas) Ibrahim Lata dhe (djathtas), Ahmet Imeri

 

Zeqir Lushaj

 

SHQIPTARI NË RRUGËT E BOTËS

 

-OOO, KU JE SHPEND SHAQA!?

 

Shenim: -Këtë skicë e ribotoj, i nxitur po nga një skicë tjetër e të nderuarit Sejdi Berisha,,që…” te ç’fletojmë nga një fletë nga jeta e Dervish Shaqës”….E ,për hirë të të vertetës,Une kam jo “ fletë”,por kapituj të tërë me Dervishin e paharruar.

 

Shpend Shaqën e kam moshatar. Të dy jemi të vitlindjes 1949.E kam mik. Për herë të parë e kam takuar vitin që sapo kaloi në Tiranë. Për këtë, ia di për nder TV Shqiptar. Megjithëse nuk transmetoi asgjë nga ato që më kërkoi e më filmoi mua,për emisionin, ne 10 vjetorin e vdekjes se Dervish Shaqës, prap,ia di për nder që më dha rastin të takohem e të njihem nga afer me djalin e mikut tim të rrespektuar, këngëtarit të shquar kosovar, Artistit të Merituar, Dervish Shaqa...!

                      Për herë të dytë u takuam në Zyrih të Zvicrës. Pa një pa dy, më prin drejt banesës ku jeton bashkë me familjen e tij të nderuar ku kaluam një natë të paharruar. Natë kujtimesh.    Jeta e solli kështu që, unë, të di e tju flas aq shumë për Dervish Shaqën. E, djali i Dervishit, Shpendi, nusja e tij Kumria,vajzat: Vjollca, Suzana, Shqiponja, Arbëresha dhe djali i vetëm

Shaqa, nuk kishin të ngopur së dëgjuari për njeriun e tyre më të dashur, për babain e gjyshin, për Dervish Shaqën.Edhe ata kanë kujtimet e tyre, veçse, të tëra, kujtime të hidhura. Kujtimet e tyre, të cilat aq bukur dhe me vërtetësi na i përcjell Kumria, janë kujtime dhimbjeje, kujtime persekucioni e ndjekje të vazhdueshme të regjimit serb e bashkëpunëtoreve të tyre sigurimsa, (fatkeqësisht) edhe shqiptarë.

                      Kur iku Dervish Shaqa për në Shqipëri, la në Kosovë gruan e dy djemtë e tij, Shpendin gjashtë vjeçar e Aliun në djep...

 

/. . I ra tezjahi, prej sharkisë, /

Mbet kujtim, mbi djep tAlise…/, -thotë kanga.

 

                      Jetë e tmerrshme për fëmijët e tërë familjen e Dervish Shaqës në Llukë të Epërme, në Deçan të Dukagjinit të Kosovës. Ata, flasin me radhë për ato vite të vështira e, unë, kujtoj me dhjetra biseda me Bacën Dervishin, këtu në Shqipëri. Por, Dervish Shaqa kurrë nuk u dha, kurrë nuk u nënshtrua, kurrë nuk e pushoi këngën, nuk e hoqi sharkinë nga dora. Siç thotë edhe kënga kushtuar Atij :60 vjet sharkinë se leshoi,/Zemra digju, e goja i këndoi”.

                     Dhe Shpendi i ri eci në rrugën e të atit. Në rrugën e burrërisë, në rrugën e trimërisë, të atdhedashurisë, në udhën e madhe të këngës folklorike shqiptare. Por, shumë shpejt ra në sy, u burgos, u keqtrajtua, u maltretua, por, as Ai, kurrë nuk u mposht.Shpendi, burgoset sepse, është djali i Dervish Shaqës,armikut të Serbisë, por edhe se ai ka krijuar në emigracion shoqërinë kulturore artistike “Luftëtarët e Lirisë”, sepse ka kënduar në tubime shqiptare nëpër tërë Europën këngë patriotike. Dhe është i vetmi këngëtar në Kosovë që dënohet për herë të dytë me tre vjet burg! Nejse, çti kujtojmë tërë ato vuajtje, tërë ato halle? Por e keqja është se ato vazhdojnë, vazhdojnë përderisa, vazhdon që Serbia të mbajë të okupuar Kosovën, të maltretojë, të keqtrajtojë e të mashtrojë shqiptarët.

                                                                                                                  

                                                                                                                

                   Tani Shpendi jeton në mes gjithë të mirave, në Zyrih të Zvicrës. Ka pesë fëmijë si molla që i pastë me jetë! Dy vajzat e mëdha dhe djali Shaqa,

Këngëtari, Dervish Shaqa
Këngëtari, Dervish Shaqa
vazhdojnë edhe punën edhe studimet për medicinë.....

                  Eh, Zvicra! Zvicra është Zvicër për vete, por shqiptarët e Shpendi bashkë me ta, sa ia dijnë për nder Zvicrës për pritjen e bujarinë, po aq u qan zemra se, kanë Kosovën e tyre të dashur e cila po të jetë e lirë dhe e pavarur, për pak kohë, ndoshta, nuk do ti lente gja mangut as vetë Zvicrës. Ndaj ata nuk janë të qetë. Ndaj, megjithëse në mes gjithë të mirave, janë të mërzitur. Se nuk qetësohet shpirti kur vendi yt vuan, kur vëllezërit e tu shtypen e shfrytëzohen, rrihen e burgosën... E pse? Vetëm pse janë shqiptarë e duan të jenë të barabartë me gjithë të tjerët, të paktën në fund të shekullit të 20-të.

                   Ooo, ku je Shpend Shaqa? Bjeri sharkisë, e hiç mos u mërzit se do të bëhet ma e mira, do të vijnë dita që të këndojmë e të bajmë aheng të lirë në trojet tona, në shtëpitë tona, aty, në Llukë të Epërme, e në tan Kosovën, kah i thonë bukës- bukë e, ujit- ujë. Çoje njëherë nji gotë-rakie, he burrë, e, kape sharkinë që ta la zanat baba se, MA MIRE DO TE BAHET, PASHA BESEN,në daç, (si besimtar që je), PASHA ZOTEN!

          

Zyrih, Zvicër, 1996

 

Shenim: Skica është nxjerrë nga libri “Dyqani i mendjes”,që autori I ketij shkrimi,ka botuar në Tiranë (Kristalina KH”,2009) ISBN: 978-99956-43-08-9

 

                                                             Zeqirlushaj@msn.com

                                                                                                                                    USA,prill 2011